
Lutje për të shpëtuar nga ndikimi i ogurit të keq
Hazret Abdullah Ibni Omeri r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Ai që i bëhet pengesë oguri i keq në punët e tij, ka bërë shirk” (ka barazuar dikë a diçka me Zotin). Sahabët e pyetën: “Cila është zgjidhja?” Ai u tha: “Lutuni”:
O Allah! Nuk ka ogur të keq, përveç ogurit të keq që vjen prej Teje; nuk ka mirësi, përveç mirësisë që vjen prej Teje dhe nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje! (Musned Ahmed, vëll. 2, f. 220)
Lutje kur hasni diçka të pakëndshme
Hazret Ahmed Kershi r.a. tregon: Në praninë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ra fjala për ogurin e keq. Ai tha: Të nxirrni shenjë nuk është e keqe, por kushdo që sheh ndonjë gjë të pakëndshme, le të lutet:
O Allah! Mirësitë askush nuk i sjell, përveç Teje dhe të këqijat askush nuk i largon, përveç Teje dhe sundim e fuqi s’ka askush tjetër, përveç Teje! (Ebu Daud, Kitabut-tib, bab fit-tejrah)
Lutje për t’u mbrojtur nga syri i keq
(1) Syri i keq: Hazret Ibni Abasi r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. me këtë lutje e frynte Hazret Hasanin r.a. dhe Hazret Husejnin r.a. dhe thoshte: Me këto fjalë i kërkonte mbrojtje Allahut Ibrahimi a.s. për djemtë e vet, Ismailin a.s. dhe Is’hakun a.s.:
Kërkoj mbrojtjen e fjalëve të përsosura të Allahut nga çdo djall, çdo kafshë dhe nga çdo sy i keq! (Buhariu, Kitabul-anbija, bab en-naslani fil-mashi)
(2) Hazret Amir Ibni Rebija r.a. tregon se një shok i tij, kur u ndikua nga syri i keq, u shërua nga kjo lutje e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.:
O Allah! Largoji afshin, ftohtësinë dhe vështirësinë! (Musned Ahmedi, vëll 3, f. 447.)