Një mesazh i rëndësishëm për botën në 2021
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Një mesazh i rëndësishëm për botën në 2021

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Më 01 janar 2021, Hazret Mirza Masrur Ahmedi, udhëheqësi botëror i Xhematit Musilman Ahmedia dhe Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) mbajti hutben e së xhumasë, në xhaminë Mubarek, Tilford, Angli. Në fund të hutbes, Ai i dha botës një mesazh të rëndësihëm dhe u bëri thirrje të gjithë njerëzve për t’u kthyer te Zoti dhe për t’iu përgjigjur porosive të tij. Ai tha:

Tani dua të flas për një çështje tjetër.  Sot është dita e parë e vitit të ri dhe njëkohësisht namazi i parë i ditës së xhumasë. Bëni lutje që ky vit të jetë i bekuar si për Xhematin, po ashtu për mbarë botën dhe njerëzimin në tërësi. Allahu na mundësoftë të përmbushim detyrat tona, t’i kushtohemi dhe t’i nënshtrohemi Atij si kurrë më parë dhe të përmirësojmë ibadetet tona. Allahu u mundësoftë edhe atyre që lakmohen pas shkëlqimit të kësaj bote, që të kuptojnë qëllimin e krijimit të tyre dhe të përmbushin detyrat e tyre karshi Zotit. Në dashtë Allahu, në vend që t’u hynë në hak të tjerëve, ata t’u binden urdhrave të Zotit dhe të përmbushin të drejtat e njëri-tjetrit, Përndryshe, Allahu do t’i paralajmërojë njerëzit për detyrat e tyre sipas mënyrës së vet.

Sikur ne dhe të gjithë njerëzit e kësaj bote të kuptojmë këtë pikë të rëndësishme dhe në këtë mënyrë të zbukurojmë jetën e kësaj bote dhe të pastajme. Kemi kaluar një vit të tërë duke u ballafaquar me një flamë të rrezikshme, dhe nuk ka asnjë vend të botës, që t’i ketë shpëtuar kësaj pandemie. Në disa vende (ajo është përhapur) më shumë, e në disa të tjera më pak.

Megjithatë, duket sikur pjesës dërrmuese të njerëzve nuk po i pëlqen të përfillë faktin që kjo pandemi të mund të kishte ardhur si paralajmërim prej Zotit të Madhërishëm për të na tërhequr vëmendje për përmbushjen e detyrimeve tona si ndaj Zotit po ashtu ndaj njëri-tjetrit. Ata nuk duan të mendohen që mos vallë Allahu dëshiron të na shkundë nga plogështia, të na tregojë diçka e të na tërheqë vëmendjen. Askujt nuk po i shkon nëpër mend një gjë e tillë.

Para disa muajve, u kisha dërguar letra udhëheqësve të shteteve të ndryshme dhe jam përpjekur t’ua tërheq vëmendjen dhe t’u shpjegoj diçka në lidhje me Covid-in. Unë u kam tërhequr vëmendjen me fjalët e Mesihut të Premtuar a.s. që katastrofa të tilla vijnë prej Zotit të Madhërishëm atëherë kur njerëzit harrojnë të përmbushin detyrat e tyre dhe vazhdojnë të shtojnë zullumet e mizoritë. Prandaj ata duhet t’i thirrin mendjes e të tregojnë kujdes.

Disa udhëheqës gjithashtu janë përgjigjur, mirëpo përgjigjet e tyre ishin përgjigje diplomatike, që edhe ata kanë të njëjtën qasje. Ata folën nga një këndvështrim material e tokësor, por nuk cekën aspak çështjen e besimit, dhe aspektin hyjnor, të cilin e kisha përshkruar me hollësi dhe i kisha kushtuar një hapësirë të madhe. Edhe pse ajo ishte (një zgjidhje) që duhej në mënyrë të pashmangshme. Ata as nuk duan të hedhin hapa konkretë për të përmirësuar gjendjen e tyre, as nuk duan të orientojnë e të ndërgjegjësojnë popullin e tyre drejt qëllimit kryesor, nëse me të vërtetë janë dashamirës ndaj popullit të tyre.

Edhe pse ata i dinë që pasojat e kësaj pandemie do të jenë jashtëzakonisht të frikshme. Çdo udhëheqës në botë e di këtë. Çdo njeri i mençur e di këtë. Çdo analist e di këtë. Megjithatë, në vend që t’i kushtojnë vëmendje zgjidhjes së duhur, ata janë përqendruar vetëm në përpjekjet materiale.

Kjo sëmundje jo vetëm po dobëson njeriun si individ, pra si pjesëtar të shoqërisë duke e bërë gjithnjë më të dobët nga pikëpamja ekonomike. Për sa i përket ndikimit shëndetësor, ata me siguri po preken dhe dobësohen nga sëmundja. Por në përgjithësi ka dhe një ndikim të madh ekonomik, i cili ka rënduar jo vetëm individin, por ua ka lëkundur dhe themelet e ekonominë shteteve të fuqishme.

Njerëzit që orientohen nga bota kanë vetëm një zgjidhje për këtë. Pra, nëse shfaqet një situatë e tillë në të cilën shkatërrohet ekonomia e vendit, ata të pushtojnë menjëherë ekonominë e vendeve të vogla, dhe të mundohen disi për t’i futur ata dredhisht në kurthin e tyre, dhe më pas me hile të përvetësojnë pasuritë e tyre.

Për këtë qëllim, do të krijohen blloqe të reja, të cilat tashmë janë nisur të shfaqen. Lufta e Ftohtë do të niset përsëri. Madje tani po thuhet se ajo tashmë ka plasur në një farë mënyre. Përveç kësaj, nuk mund të përjashtohet mundësia e një lufte me armë reale, e cila do të jetë një luftë jashtëzakonisht e tmerrshme. Pastaj, këta njerëz do të fundosen në një gropë më të thellë. Në këtë kohë, po vuajnë vetëm vendet e varfra. Por, si pasojë e një lufte, do të shtypen dhe popullata e vendeve të pasura, madje ata do të mbarsen me pasojë të llahtarshme.

Andaj, para se bota të arrijë deri në këtë gjendje, ne duhet të bëjmë detyrën tonë dhe ta paralajmërojmë atë nga pasoja të tilla. Prandaj ky vit do të bëhet viti i urimeve vetëm atëherë kur ne i përmbushim detyrat tona duke i vetëdijesuar njerëzit dhe duke e zgjuar botën (nga gjumi). Është e qartë që për ta arritur këtë, ne duhet të kontrollojmë gjendjen tonë.

A ne që kemi pranuar Imamin e kohës, dhe kemi besuar Mesihun e Premtuar dhe Imam Mehdiun, a me të vërtetë e kemi arritur tashmë atë shkallë besimi, që përveç detyrave karshi Allahut, për hir të Tij, përmbushim dhe të drejtat e njerëzve? Apo na duhet ende kohë për t’u reformuar, dhe ne ende duhet të ngremë ndjenjat e dashurisë dhe vëllazërisë reciproke në nivelin më të jashtëzakonshëm? Prandaj, çdo ahmedian duhet të reflektojë se atij i është besuar një detyrë shumë e madhe, dhe për përmbushjen e saj, së pari i duhet të krijojë mjedisin e dashurisë, dhembshurisë dhe vëllazërisë brenda shoqërisë ahmediane.

Pastaj, ai duhet të grumbullojë mbarë botën nën flamurin, që kishte ngritur i Dërguari i Allahut Profeti Muhammed s.a.v.s.. Ky është flamuri i njëshmërisë së Zotit. Vetëm atëherë mund të arrijmë qëllimin e bejatit tonë. Vetëm atëherë mund të vërtetojmë zotimin tonë të besnikërisë. Vetëm atëherë mund të trashëgojmë bekimet e Allahut të Madhërishëm, dhe vetëm atëherë mund të quhemi të denjë për të dhënë dhe për të marrë urimet e vitit të ri. Allahu na mundësoftë!

Le të betohet çdo musliman ahmedian, burrë, grua, i rritur, i mitur apo i moshuar me vetëdije të plotë, se këtë vit ai duhet të ushtrojë të gjitha aftësitë e tij për të sjellë një revolucion në botë. Allahu i Madhërishëm ia mundësoftë këtë çdo ahmediani!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem