Magjia e zezë përballë besimit në Zot - Ngjarje e vërtetë!
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
magjia e zeze

 

Në librin e tij “Meri Validah” (“Nëna ime”), ai rrëfen se si nëna e tij u sprovua nga e ashtuquajtur magjia e zezë dhe se si ia doli me mëshirën dhe mirësinë e Zotit, duke e mbrojtur besimin e vet. Më pas edhe Zoti i Madhërishëm e bekoi me disa fëmijë që jetuan gjatë, njëri prej tyre ishte pikërisht Sir Muhammad Zafrullah Khani, që do të ishte muslimani i parë në të gjithë botën për t’u bërë President i Gjykatës Ndrëkombëtare të Drejtësisë së Hagës dhe President i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në vijim, sjellim rrëfmin e Sir Zafrullah Khanit, të përkthyer në shqip nga gjuha origjinale, urdu, për lexuesit shqiptarë. (Redaksia)


Durimi i nënës për vdekjen e fëmijëve

Përpara lindjes sime, prindërve të mi u vdiqën pesë fëmijë. Tre prej tyre lindën dhe vdiqën në kohën kur babai im ishte ende student, kurse dy të fundit kur ai punonte si avokat. Secila vdekje për nënën time ka qenë një sprovë, ku u provua në mënyrën më të fortë besimi i saj. Por ajo, me bekimin dhe mëshirën e Zotit të Madhërishëm, çdo herë u tregua e patundur dhe asnjë rast i tillë nuk ia lëkundi dot qëndrueshmërinë e saj nga rruga e drejtë.

Historia e këtyre ngjarjeve është e gjatë. Shkurtimisht do t’ju përmend vetëm dy tri ngjarje, të cilat hedhin dritë mbi llojin e sprovës dhe mbi besimin dhe besnikërinë e nënës sime ndaj Zotit të Madhërishëm.

Vëllai im më i madhi gjithashtu quhej Zafar. Nëna përmendte me më shumë dashuri pikërisht Zafarin dhe Refikun dhe tregonte që ata ishin fëmijë shumë të bukur. Zafari ende ishte i vogël, disa muajsh, kur nënës iu desh të vizitonte fshatin e saj Data Zejdka. Në fshat jetonte një e ve, e quajtur Xhej Devi, të cilën njerëzit e kishin shquar me nofkën “shtrigë”. Edhe ajo përfitonte nga fama e keqe. Ajo erdhi për të takuar nënën dhe i kërkoi rroba e ca shpërblime në atë mënyrë që nëse nëna donte t’ia largonte të keqen Zafarit, duhet t’ia plotësonte dëshirën.

Nëna iu përgjigj: –

–  Je një vejushë dhe e varfër. Nëse më kërkon që të të ndihmoj, do ta bëj me shumë kënaqësi. Por unë nuk u besoj shtrigave. Besoj fuqimisht se jeta dhe vdekja është vetëm në dorën e Zotit dhe besimi që ti më kërkon mua, e konsideroj shirk dhe e urrej. Andaj, nuk jam e gatshme të të jap ndonjë gjë nga ato që më kërkon.

– Mendo mirë poqë se do jetën e fëmijës! i tha Xhej Devi.

Pas pak ditësh, nëna po i bënte dush Zafarit, ndërkohë Xhej Devi erdhi sërish dhe duke e parë Zafarin, tha: –

– Ky qenka princi!

– “Po, ky është” iu përgjigj nëna.

Xhej Devi sërish ia kërkoi të njëjtat gjëra dhe, edhe nëna ia ktheu të njëjtën përgjigje. Xhej Devi e zemëruar tha:

“Po u ktheve me djalin të gjallë, besoje se të kam gënjyer”.

“Do të bëhet ajo që është dëshira e Zotit”, iu përgjigj nëna.

Nëna na tregonte:

“Pa dalë Xhej Devi ende nga pragu i shtëpisë sonë dhe unë akoma isha duke e pastruar Zafarin, ai volli gjak dhe bëri edhe nevojën me gjak. Vetëm në pak çaste fëmija ishte bërë shumë keq. Pas pak orësh, vdiq. I thashë Zotit të Madhërishëm:

Ti ma dhe e Ti ma more. Jam e kënaqur me vullnetin Tënd. Vetë më dhuro durimin! Më pas u ktheva në Daska (në qytetin e babait) me prehrin bosh (pa fëmijë).”

Pas një kohe, lindi Refiku. Sipas saj, ai ishte shumë më i bukur se Zafari. Gjyshi im nga babai i tha nënës se nuk do ta lejonte të shkonte në Data Zedka derisa fëmija të fillonte të ecte.

Refiku ishte bërë afërsisht dy vjeç dhe nëna gjatë kësaj periudhe nuk u largua nga qyteti Daska. Më pas i ndodhi një vdekje në fis dhe ajo u detyrua të shkonte në Data Zedka. Gjyshi im e lejoi, por me kushtin që të qëndronte jo më shumë se një javë a dhjetë ditë. Madje, fillimisht ai insistoi që ta linte Refikun në shtëpi, gjë që nëna nuk e pranoi.

Vetëm një a dy ditë pas mbërritjes së saj në Data Zedka, erdhi Xhej Devi në shtëpi dhe ia kërkoi të njëjtën gjë, në të njëjtën mënyrë. Edhe nëna përsëri i dha të njëjtën përgjigje. Gjyshi im nga nëna e mori vesh dhe nguli këmbë që t’ia pranonte dëshirën, sepse në fund të fundit, ishte fjala për ca shpenzime të vogla. Ai gjithashtu tha se ai vetë do t’ia jepte Xhej Devisë këto gjëra. Por nëna iu përgjigj:

“Çështja nuk është për ca shpenzime, por është për besimin tim. A të pranoj vallë, se jeta e fëmijës tim është nën kontrollin e kësaj gruaje?! E po ky është shirk i hapur! Fëmija im do të rrojë nëse Zoti do t’i japë jetë e nëse Ai nuk i japë jetë, askush në botë nuk e mban dot të gjallë. Fëmija të rrojë apo të mos rrojë, nuk kam për të futur mëdyshje në besimin tim”.

Pas dy tri ditësh nëna pa në ëndërr që një grua e fshatit ankohej se Xhej Deve i nxori zemrën fëmijës së saj dhe askush nuk e mori në pyetje dhe se po të ndodhte një gjë e tillë me ndonjë pasanik të fshatit, ai do ta dëbonte Xhej Devin me poshtërim . Po në ëndërr, nëna i përgjigjej:

“Jeta dhe vdekja është në dorën e Zotit të Madhërishëm dhe Xhej Devi nuk ka aspak fuqi në këtë çështje dhe se kështu ngjau edhe me djalin tim, por unë nuk jam ankuar si ti”.

Nëna na tregonte:

“Me të thënë këto fjalë, po në ëndërr ktheva kokën në një drejtim, ku u hap një dritare dhe mu duk fytyra e Xhej Devisë, e cila duke mu drejtuar më thoshte:

“Po u ktheve edhe kësaj radhe me gjithë djalin, mos më quaj më bij e luftëtarit, por e pastruesit!”. Më pas, u zgjova e tmerruar. Pashë që llamba ishte shuar”

Nëna e kishte zakon që gjithmonë linte pak dritë në dhomë gjumi. Ajo thoshte që sa herë që e shikonte Xhej Devin në ëndërr, i dilte gjumi dhe dhomën e gjente pa dritë. Ajo thirri të ëmën, e cila e ndezi llambën përsëri. Panë që Refiku kishte vjellë gjak, kishte bërë edhe nevojën me gjak dhe ishte gjysmë i vdekur. Nëna u shqetësua tej mase për gjendjen e fëmijës dhe edhe sepse nuk e kishte pranuar porosinë e gjyshit dhe po të ndodhte ndonjë gjë, ajo nuk mund të kthehej më në Daska. I kërkoi gjyshes të porosiste karrocën menjëherë.

“Më duhet ta çoj djalin në Daska, sa më shpejt!”

Ishte koha e syfyrit. Menjëherë u porositën dy karrocë. Nëna dhe gjyshja e morën djalin po në atë gjendje kritike dhe bashkë me dy shërbëtorë të tjerë u nisën.

Kur u zbardh, nëna pa që djali nuk kishte shenja jete. Ajo thoshte:

“U binda se atij i erdhi momenti i fundit. Por njëkohësisht kisha edhe besimin se Zoti, po të donte, mund ta spostonte afatin. Gojëzën e kalit e vura mbi djalin, ngrita të dyja duart dhe fillova t’i lutesha:

O Allah! Ti e di që nuk shqetësohem për jetën e fëmijës, sepse nëse dëshira Jote është që të ma marrësh, jam e kënaqur me dëshirën Tënde. Jam e shqetësuar për nderin tim. Nëse ky fëmijë do të vdesë sot, nuk do të më pranojnë më në Daska. O Ti që je më i mëshirshmi nga të gjithë mëshiruesit! O Ti që sundon jetën dhe vdekjen! Dëgjomë klithmën dhe jepi të paktën 10 ditë afat këtij fëmije, që gjyshi i tij ta shohë të ecur e të buzëqeshur. Nëse ma merr djalin pas 10 ditësh, nuk do të të ankohem aspak”.

Nëna na tregonte:

“Nuk e dija se për sa kohë vazhdova të lutesha në këtë mënyrë, por isha ende duke u lutur, që Refiku më tërhoqi shaminë dhe më thirri “bebe”. E pashë që ishte në gjendje të mirë. U binda që Zoti ma pranoi lutjen. E falënderova shumë Zotin e Madhërishëm”.

Pasi arriti në Daska, gjyshi ishte shumë i gëzuar sepse i kishin sjell nipin përpara se të përfundonte afati. Nëna na thoshte:

“Nuk qeshte Refiku, por qeshte caktimi i Zotit. Refiku nuk ishte më imi, por i Zotit. Mu pas 10 ditësh, kështu duke lozur, Refikut i ngjau e njëjta gjë që i kishte ndodhur në Data Zedka. I doli gjak në të njëjtën mënyrë dhe pas pak orësh, ai shkoi te Zoti i tij”.

Nëna ime përsëri mbeti pa fëmijë, por ajo ishte e kënaqur me dëshirën e Zotit dhe e falënderonte Atë, sepse kishte dëgjuar lutjen e një njeriu të dobët si ajo, duke e mëshiruar dhe duke ia mbrojtur nderin.

Lindja ime

Unë linda më 6 shkurt të vitit 1893 në qytetin Sialkot. Një natë përpara, nëna prapë e kishte parë në ëndërr Xhej Devinë, e cila i thoshte se do të lindte një djalë, por ajo duhet të merrte disa masa që të shpëtonte jetën e tij: t’i shponte hundën dhe t’i vinte një rreth prej qime deveje, të përgatiste një poç llambe me miell, gjalp dhe turmerik, të cilën, natën vijuese, ta vendoste në tarracë, në vendin ku zakonisht vinte një shqiponjë.

Nëna ia tregoi ëndrrën babait. Unë linda pikërisht në kohën siç ishte paratreguar në ëndërr. Ajo na tregonte:

“Pashë që Mubaraka, halla juaj, kishte bërë gati një filxhan si poç llambe dhe në vend të perit, kishte vendosur një qime”.

Çfarë është kjo, e pyeta:

“Kemi porositur qime deveje sipas ëndrrës sate, që t’i shpojmë hundën djalit” më tha Mubaraka.

“Kurrë nuk do të bëj një gjë të tillë”, i thashë.

Babai insistonte ta plotësonte ashtu siç e kishte parë nëna, por ajo sërish e mbrojti besimin e saj nga këto bestytni dhe thoshte:

“Djali im do të rrojë vetëm nëse Zoti i ka dhënë jetë, kurse unë nuk do ta shkatërrojë besimin tim.”

Kështu që, edhe poçin, edhe qimen e devesë, i hodhën dhe nëna në këtë mënyrë arriti ta ruante besimin e saj të palëkundur.

Fundi i Xhej Devisë

Xhej Devi jetoi gjatë, por jeta e saj u bë skëterrë. Kur u plak, njerëzit nuk i afroheshin dhe ajo nuk gjente as bukë për të ngrënë. Në fund të jetës së saj, ajo nuk kishte asnjë njeri pranë që t’i jepte qoftë një gotë uji. Në këtë gjendje tejet të mjerueshme, ajo i vuri flakë krevatit të vet duke vrarë veten.

(Marrë nga libri “Meri Validah” (Nëna ime), Qadian, Indi, 2002, f. 8 – 14)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp