1) Dëshmia më e vjetër për ekzistencën e Zotit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
Fete dhe besimet

ARGUMENTI I PARË

Sipas bindjes sime Kurani Famëlartë i ka treguar të gjitha mjetet për të arritur përsosurinë shpirtërore, prandaj, të gjitha argumentet për ekzistencën e Zotit do t’i paraqes po nga Kurani Famëlartë.

Prej Allahut vjen mundësia!

Duke qenë se me të ardhur në këtë botë, njohuritë e para njeriu i merr përmes aftësisë së tij të të dëgjuarit,  ndaj argumenti i parë i ekzistencës së Zotit që doja të paraqisja, lidhet pikërisht me kujtesën e tij dëgjimore.

Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë thotë:

Fitoi ai që u pastrua. Dhe përmendi emrin e Zotit të tij, dhe e adhuroi. (Pra, së pari ta pranojë edhe gojarisht Zotin e tij e më pas ta adhurojë Atë edhe praktikisht.) Por ju e zgjidhni jetën e kësaj bote, ndërkohë ahireti (ose jeta përfundimtare) është më i miri dhe më i qëndrueshmi. Këtë e thonë (jo vetëm Kurani Famëlartë, por) edhe Librat e parë, pra, edhe Libri i Ibrahimit, edhe Libri i Musait.[1]

Në këtë ajet, Zoti i Madhërishëm u jep argument kundërshtarëve duke thënë se ata që heqin dorë nga tundimet vetjake, që besojnë në Zotin e Madhërishëm e më pas tregojnë bindje të plotë ndaj Tij, gjithnjë fitojnë dhe korrin sukses dhe se prova e këtij mësimi është përbashkësia e tij edhe në fetë e mëparshme.

Kështu që, Kurani sjell si shembuj fetë kryesore të kohës, judaizmin dhe krishterimin, dhe ngaqë u drejtohet idhujtarëve të Mekës, u kujton Hazret Ibrahiminas dhe Hazret Musainas, të cilët ata i pranonin dhe u thotë: Edhe këta të njëjtin mësim kanë dhënë.

Kështu që, një prej dëshmive të fuqishme që Kurani Famëlartë jep për ekzistencën e Zotit është që të gjitha fetë janë unanime dhe të gjithë popujt janë në një mendje për këtë. Sa më shumë të thelloheni në këtë argument, aq më i pastër dhe aq më i vërtetë ju duket. Është fakt i njohur që të gjitha fetë e botës bashkohen te kjo pikë:

ka një Zot që krijoi gjithë këtë univers.

Ndonëse mund të ketë dallime në doktrina dhe besime për shkak të dallimeve gjeografike dhe rrethanore, të gjitha fetë e pranojnë universalisht ekzistencën e të Madhit Zot.

Të gjitha fetë ekzistuese, pra Islami, Krishterimi, Judaizmi, Budizmi, Sikhizmi, Hinduizmi dhe Zoroastrizmi, që të gjitha besojnë në ekzistencën e një Zoti të Plotfuqishëm, që e quajnë Allah, Elohim, Pàràmēshvàr, Pàràmātma, Sàtgurū ose Jezdān, pavarësisht se kanë pikëpamje të ndryshme për sa u përket atributeve të Tij.

Edhe për fetë që janë zhdukur, të dhënat arkeologjike tregojnë se ato që të gjitha besonin në një Zot. Pra, si ata që jetonin të izoluar në kontinentin amerikan, si ata që jetonin nëpër pyje të Afrikës, si banorët e lashtë të Romës, të Anglisë, të Java-Sumatrasë, të Japonisë, të Kinës, të Siberisë apo të Mançurisë, të gjithë e kanë pasur besimin në një Zot.

Si mund të ketë arritur kjo harmoni në besim dhe kush ishte ai që ua tregoi banorëve të Amerikës besimin dhe bindjet e banorëve të Indisë ose banorëve të Kinës besimin e afrikanëve të lashtë?!

Në të kaluarën nuk kishin as mjetet e transportit dhe të telekomunikacionit, si treni, telegrami, posta etj., siç i kemi sot, as nuk kishin avionë ose anije të mëdha që venin e vinin ndërmjet kontinenteve. Ata udhëtonin vetëm me kuaj e mushka dhe, edhe anijet me vela që kishin, u duheshin muaj për të bërë një udhëtim që në kohën tonë e realizojmë vetëm për disa ditë. Shumica e vendeve as nuk ishin zbuluar për të gjithë njerëzit. Atëherë si mund të kenë bërë pakt pikërisht për këtë besim popuj të largët, me kultura, zakone dhe gjuhë kaq të ndryshme?

Është vështirë të bashkohen dy njerëz në diçka që është e sajuar. Prandaj, fakti që kaq shumë popuj dhe vende kanë pasur besimin në një Zot, pa pasur mundësi për shkëmbimin e ideve, është dëshmi e vërtetësisë së këtij besimi dhe është dëshmi që atyre u ishte kumtuar ky besim përmes një metode të panjohur, të cilën e ka sqaruar Islami (në Kuranin Famëlartë).

Historianët pajtohen se kur një informacion është pohuar nga kronistët e popujve të ndryshëm [antikë], ai duhet të konsiderohet autentik. Prandaj, kur miliona njerëz bashkohen për këtë besim themelor, pse nuk duhet pranuar që ata ta kenë pranuar për shkak të një manifestimi Hyjnor?!


[1]  Kurani Famëlartë 87:15-20.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp