9) Shpallja hyjnore dëshmon fuqishëm ekzistencën e Zotit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
Kurani shpallja profecia el fatiha

ARGUMENTI I NËNTË

Argumenti i nëntë për ekzistencën e Zotit që tregon Kurani Famëlartë është shpallja (vahji dhe ilhami). Këtë argument po e paraqes të nëntin, por realisht ky është një prej argumenteve më të fuqishme për çështjen në fjalë. Prandaj Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë thotë:

Allahu u jep qëndrueshmëri atyre që besuan përmes fjalës së qëndrueshme në jetën e kësaj bote dhe në ahiret.[1]

Pra, Zoti i Madhërishëm përderisa në çdo kohë komunikon me robërit e Tij, si mund të mohohet ekzistenca e Tij?! Ai komunikon jo vetëm me profetët dhe të dërguarit e Tij, por edhe me njerëzit e tjerë të Tij të dashur (evlijatë). Disa herë mëshiron edhe ndonjë rob të Tij të thjeshtë dhe i drejtohet edhe atij për ta qetësuar. Kështu, edhe me mua Ai ka komunikuar duke e provuar me argumente të fuqishme Qenien e Tij.

Madje, nganjëherë Ai komunikon edhe me njerëzit më të papastër dhe më të ligj për të vulosur mbi ta argumentin përfundimtar të vërtetësisë së Tij. Kështu që, nganjëherë, edhe njerëzit e ulët dhe të mbrapshtë të shoqërisë përjetojnë ëndrra dhe zbulesa, origjina hyjnore e të cilave mund të njihet nga fakti se ato shoqërohen me lajme për të fshehtën që përmbushen në kohën e caktuar, duke treguar qartë se ato nuk buronin nga procese mendore apo nga dispepsia.

Njerëzve të Tij të zgjedhur, disa herë Zoti u tregon ngjarje që do të ndodhin shekuj më vonë, që të mos thotë njeri se rastësisht pa në ëndërr ngjarjet e kohës duke u ndikuar nga situata. Kështu që, Tevrati dhe Kurani Famëlartë në kohën e tyre parashikuan shprehimisht dhe me detaje përparimin e jashtëzakonshëm të popullit të krishterë, fakt për të cilin sot e gjithë bota është e habitur. Madje, Kurani Famëlartë e parashikoi duke numëruar një nga një ngjarjet që do të ndodhnin. Për shembull, në një ajet thotë:

Dhe kur devetë me barrë dhjetë muajsh, do të braktisen.[2]

Profeti Muhammed s.a.v.s. e shpjegoi këtë ajet në një hadith që gjendet në Sahihun e Imam Muslimit, ku thotë:

Devetë do të dalin jashtë përdorimit dhe askush nuk do të hipë mbi to.[3]

Në kohën e sotme kjo profeci është përmbushur me shpikjen e transportit hekurudhor. Thëniet e tjera të Profetit Muhammed s.a.v.s. ju tregojnë thuajse pamje të plotë të trenave, saqë bindeni se fjala profetike e parashikoi një metodë të re të transportit me avull, duke lënë pas një mal me tym, do të mbartte si një gomar barrë të rënda mbi vete dhe do të krijonte zhurmë gjatë lëvizjes, etj..

E dyta:

Kur librat do të publikohen dhe do të shpërndahen.[4]

Masiviteti në publikimin dhe përhapjen e librave që shohim sot për shkak të shpikjes së shtypshkronjave, nuk do shpjegim.

E treta:

Kur njerëzit do të bashkohen.[5]

Marrëdhëniet njerëzore dhe lehtësia e komunikimit janë më të dukshme në këtë epokë sesa në çdo kohë tjetër të mëparshme.

E katërta:

Ky ajet[6] tregon se tërmete të fuqishme do ta dredhin tokën vazhdimisht, profeci e cila gjithashtu u përmbush dhe vijon të përmbushet në këtë kohë.

E pesta:

Nuk ka vendbanim që përpara ditës së kiametit Ne të mos e shkatërrojmë atë ose të mos e ndëshkojmë me një ndëshkim të rëndë.[7]

Në përputhje me këtë, njerëz të panumërt po vdesin nga murtaja, tërmete, furtuna, vullkane dhe luftëra të përgjakshme. Shkaqet e vdekjes së njerëzve që janë shtuar në këtë kohë, nuk mund t’u gjeni shembuj në të kaluarën.

Islami është feja që në çdo shekull solli njerëz, të cilët patën bekimin e komunikimit me Zotin dhe shfaqën shenja të jashtëzakonshme, që patjetër tregojnë ekzistencën e një Zoti të Plotfuqishëm dhe Planifikues. Kështu që, edhe Imamit të kësaj kohe, ndërsa ai po jetonte në një fshat të largët, pa asnjë ndjekës, Zoti i Madhërishëm i dërgoi shpallje duke premtuar:

Njerëzit do të të vijnë nga çdo rrugë e thellë (dhe) e largët. Burra të cilëve Ne do t’u shpallim prej qiellit do të të ndihmojnë. Mos u trego i ashpër ndaj atyre që do të të vizitojnë ty dhe nuk duhet të lodhesh nga numri i madh i njerëzve.[8]

Një njeri që jetonte në një fshat të largët, të cilin nuk e njihte askush nga bota e zhvilluar, bën një deklaratë të tillë. Më pas, pavarësisht nga kundërshtimi i ashpër dhe nga pengesat e pakapërcyeshme, bota dëshmon që atij i vijnë njerëz nga Amerika, Afrika dhe nga çdo vend tjetër i botës. Numri i vizitorëve shtohet kaq shumë saqë një njeri i zakonshëm as nuk mund të ketë fuqi për t’i përshëndetur dhe për t’i takuar të gjithë ata. Më pas, një grup i konsiderueshëm njerëzish me ndikim shpërngulen nga vatanet e tyre për t’u vendosur pikërisht këtu dhe kështu ky vend që quhet Kadijan shquhet në të gjithë botën. Vallë, a është e vogël dhe e papërfillshme kjo shenjë?!

Në shembullin e dytë mund të paraqesim atë që ndodhi me një të krishterë nga Amerika e që quhej Dovi [Alexander Dowie], i cili deklaroi të ishte profet dhe botoi këtë deklaratë të pahijshme:

I lutem Zotit që Islami të zhduket nga faqja e dheut sa më shpejt. O Zot! Pranoma lutjen! O Zot! Shkatërroje Islamin![9]

Atëherë ishte vetëm Udhëheqësi dhe Imami ynë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s., ai që u ballafaqua me të dhe botoi një njoftim duke i thënë:

O ti që deklaron të jesh profet! Eja dhe bëj mubahalanë[10] me mua. Përballja jonë do të jetë përmes lutjes. Ne të dy do t’i lutemi Zotit të Madhërishëm: të vdesë e të shkatërrohet i pari, ai që është gënjeshtar mes ne të dyve![11]

Por ai u tregua kryeneç dhe tha:

A mendoni se unë do t’u përgjigjem këtyre mushkonjave dhe mizave?… Do t’i mbysja tërësisht po t’i kisha shkel me këmbët e mia.[12]

Por Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kishte pohuar dhe po në njoftimin e botuar më 23 gusht 1903 kishte thënë se Dovi edhe sikur të merrte rrugën e arratisë nga sfida, një gjëmë e madhe së shpejti do t’i binte gjithë folesë së tij të Zionit. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u lut:

O Zoti im i Plotfuqishëm! Vendos shpejt dhe tregoju njerëzve gënjeshtrën e Dovit!

Dhe të nderuar lexuesit e mi, më lejoni t’ju them se çfarë ndodhi më pas. Njeriu që jetoi jetën si një princ dhe që zotëronte një pasuri të madhe të kushtuar prej 70 milionë monedha të kohës, iu bënë armiq gruaja dhe i biri. Babai i tij botoi një njoftim duke deklaruar se i biri ishte një fëmijë i jashtëligjshëm. Kurse vetë Dovin e zuri paraliza dhe u çmend nga brengat. Përfundimisht, në fund të marsit të vitit 1907, në gjendje tejet të mjerueshme ai vdiq, mu sipas asaj që i kishte shpallur Zoti i Madhërishëm të zgjedhurit të Tij, dhe pikërisht ashtu siç kishte parashikuar Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në njoftimin e tij të botuar më 20 shkurt 1907. Ai shkroi se Zoti i kishte thënë:

Unë do të shfaq një Shenjë të freskët që do të sjellë fitore të madhe. Kjo shenjë do të jetë për të gjithë botën.[13]

Vdekja e Dovit pa dyshim ishte shenjë e ekzistencës së Zotit. Kjo ishte një fitore që i ishte siguruar Hazret Mesihut të Premtuar a.s. mbi rendin e vjetër dhe të ri të botës së krishterë.

Në shembullin e tretë le të kalojmë tek arjët, që dominojnë në këtë shtet [Indi] dhe të cilët dikur udhëhiqeshin nga Lekh Ram. Në libërthin e tij të titulluar “Kerāmātus-Sādikīn” të botuar në muajin safer të vitit 1311 hixhri, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shënoi profecinë e mëposhtme, të cilën, ai thotë se ia dha Zoti i Madhërishëm si shenjë e pranimit të lutjes së tij:

Zoti më ka zbuluar se brenda gjashtë vitesh që nga data e sotme, ky njeri do të bjerë në një ndëshkim të madh për shkak të fyerjeve të tij ndaj Profetit Muhammed, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të.

Më pas në një njoftim tjetër të botuar më 22 shkurt 1893, ai parashikoi mënyrën e vdekjes së tij:

Që do të thotë se Lekh Rami është një trup viçi samaritan që pëllet dhe që është i zbraztë nga spiritualiteti, prandaj ai do të ndëshkohet ashtu siç ishte ndëshkuar viçi samaritan.

Të gjithë e dimë se viçi samaritan ishte copëtuar, ishte djegur e më pas ishte hedhur në lumë.

Pas kësaj, më 2 prill 1893, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. pa në ëndërr një njeri të fuqishëm dhe të ashpër, sikur të ishte jo njeri, por një engjëll i shkatërrimit dhe që pyet:

Ku është Lekh Rami?[14]

Sërish, në vargjet e mëposhtme të librit “Kerāmātus-Sādikīn” parashikoi edhe ditën e ndëshkimit të tij:

Ajo do të ndodhë një ditë pas ditës së festës, që do të thotë e shtunë.[15]

Gjithashtu:

[O Lekh Ram! Përse shan Profetin Muhammed s.a.v.s.? Pse nuk i frikësohesh shpatës së tij që do të të copëtojë ty?][16]

Kështu që, pesë vjet përpara ndodhisë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. përshkroi si do të vritej Lekh Rami. Përfundimisht, Lekh Rami u vra më 6 mars të vitit 1897 dhe të gjithë njerëzit njëzëri pohuan se profecia u përmbush në kuptimin e plotë dhe të qartë dhe njëherësh ajo ishte një provë vendimtare për ekzistencën e Zotit.

Shkurt, komunikimi Hyjnor është një argument kaq i pathyeshëm, saqë mohimi i ekzistencës së Zotit edhe pas dëshmimit të kësaj prove, është thjesht mungesë sinqeriteti dhe paturpësi.


[1] Kurani Famëlartë 14:28.
[2] Kurani Famëlartë 81:5.
[3] Sahih Muslim, f. 78, Riyadh, 2000, nr. i hadithit 243. [Botuesi]
[4] Kurani Famëlartë 81:11.
[5] Kurani Famëlartë 81:8.
[6]“Ditën kur do të dridhet dridhësja (toka), të cilën do ta pasojë (dridhja) e dytë.” (Kurani Famëlartë 79:7-8). [Botuesi]
[7]  Kurani Famëlartë 17:59.
[8] “Berahin-e-Ahmedia” pj. III, “Ruhani Khazain” vëll. 1, f. 267. [Botuesi]
[9] “Leaves of Healing”, 19 dhjetor 1903. [Botuesi]
[10] Mubahala është një lutje duele sipas porosisë së Kuranit: “Ejani të thërrasim bijtë tanë e bijtë tuaj, gratë tona e gratë tuaja, njerëzit tanë e njerëzit tuaj dhe të lutemi me përgjërim që mallkimi i Allahut të bjerë mbi gënjeshtarët!” (Kurani Famëlartë 3:62). [Botuesi]
[11] “The Telegraph” 5 korrik 1903. [Botuesi]
[12] “Leaves of Healing”, dhjetor 1903. [Botuesi]
[13] “Tadhkirah”, botimi 2009, f. 920. [Botuesi]
[14] “Barakatud-Dua”, “Ruhani Khazain” vëll. 6, f. 33. [Botuesi]
[15] “Zoti im më dha sihariqin dhe tha: Do të njohësh ditën e gëzimit, që do të jetë afër ditës së festës.” (Tadhkirah, botimi 2009, f. 314) [Botuesi]
[16] Tadhkirah, botimi 2009, f. 293-294. [Botuesi]

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp