5) A u krijua i gjithë ky univers rastësisht?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
Universi rastësia Krijuesi

ARGUMENTI I PESTË

Edhe pse i ngjashëm me argumentin e mëparshëm, argumenti i pestë që paraqet Kurani Famëlartë për ekzistencën e Zotit është shumë më i fuqishëm sesa i katërti. Ai thotë:

Zotëruesi i bekimit është Ai, në dorën e të Cilit është Sundimi dhe Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë që dëshiron. Ai që krijoi vdekjen dhe jetën, që t’ju sprovojë se cili prej jush është më i miri në vepra. Dhe Ai është Triumfuesi, Falësi. Ai që krijoi shtatë qiej shkallë-shkallë; ti s’mund të shohësh asnjë të metë në krijimin e të Gjithëmëshirshmit. Andaj, vështroje mirë e mirë! A sheh ndonjë të metë? Vështroje edhe një herë! Shikimi yt i dështuar do të kthehet te ti dhe do të jetë i lodhur..[1]

Disa njerëz thonë se i gjithë ky univers u krijua rastësisht, ku materia rastësisht u bashkua dhe po në këtë mënyrë gjithçka filloi të krijohej. Të tillët përpiqen ta provojnë teorinë e tyre edhe nëpërmjet shkencës duke pohuar se bota mund të krijohet vetvetiu pa pasur nevojë për ndonjë planifikues.

Në ajetet e mësipërme Zoti i Madhërishëm argumenton duke thënë se gjërat që lidhen me rastësi, asnjëherë nuk kanë ndonjë sistem a renditje, përkundrazi, janë të çrregulluara. Piktura krijohet me bashkimin e ngjyrave të ndryshme, por a mund të bëhet ajo nëse thjesht do të hidhni ngjyra në një letër, pa një synim?! Muri ndërtohet me bashkimin e tullave, por a mund të ngrihet ai vetëm me tulla të hedhura grumbull?!

Edhe sikur të besojmë për një çast se disa herë disa gjëra ndodhin edhe rastësisht, prapëseprapë duke parë universin askush nuk mund të thotë se i gjithë ky sistem të mund të jetë krijuar rastësisht. Le të besojmë se Toka u krijua vetvetiu me bashkimin e materies, po ashtu le ta besojmë se edhe njeriu erdhi në jetë krejt rastësisht, por duhet të ndalemi pak për të menduar se si mund të krijohet një sistem kaq i përsosur.

Duke parë një kryevepër, ne njohim krijuesin e saj. Kur shohim një pikturë të mahnitshme, menjëherë na shkon mendja te dora e ndonjë piktori të madh që mund ta ketë bërë atë. Duke lexuar një kryevepër letrare, kuptojmë se duhet ta ketë shkruar ndonjë shkrimtar i njohur. Sa më shumë renditje dhe përsosuri shohim në veprën e tij, aq më shumë mahnitemi nga madhështia e autorit. Atëherë përse të besojmë se një univers kaq i përsosur të jetë krijuar rastësisht dhe vetvetiu?!

Mendoni pakëz që njeriu nga njëra anë ka forcën për të përparuar, nga ana tjetër është i pajisur edhe me mendjen për të sendërtuar idetë e tij. Ngaqë njeriut i duhet të punojë e të sigurojë jetesën, Zoti e krijoi me një trup të përshtatshëm që të lëvizë në Tokë dhe të realizojë dëshirat e tij. Pemën që nuk lëviz, e pajisi me rrënjët që të marrë ushqim direkt nga toka. Luanit i caktoi mishin si ushqim dhe i dha kthetrat dhe dhëmbët e përshtatshme për të zënë gjahun e tij. Ndërsa kalin dhe lopën i la të hanë bar, kështu që ua zgjati qafën që ata të kulloten lehtësisht. Devesë i caktoi të jetojë në shkretëtirë duke ngrënë gjethe dhe gjemba, andaj i dha qafë akoma më të gjatë. E gjithë kjo vallë, a mund të ketë ndodhur rastësisht?! Si mund të ketë zbuluar rastësia se devesë do t’i duhej një qafë e gjatë, luanit një palë kthetra të fuqishme, pemës rrënjët dhe njeriut këmbët?! Si mund të shpjegohet se diçka që ndodh rastësisht, të jetë e sistemuar me kaq përsosmëri?!

Po të vijojmë me të tjerë shembuj, shohim që nga njëra anë njeriut i dha mushkëri dhe nga ana tjetër krijoi ajrin; e bëri të varur me ujin, kështu që sistemoi ciklin e ujit përmes diellit dhe reve që ai të gjejë ujë gjatë gjithë kohës; i dha sytë, kështu që i mundësoi edhe dritën e diellit që sytë të arrijnë të shohin; i dha veshët, kështu që krijoi edhe tinguj të bukur që t’i dëgjojë; i dha gojën, kështu që i mundësoi edhe ushqime të shijshme; i dha hundën, dhe i siguroi edhe aroma të këndshme.

Pra, nëse rastësia mund të krijonte mushkëritë e njeriut, si mund të sajonte edhe ajrin që i duhej?! Nëse ajo mund të krijonte edhe sytë, kush është ai që lindi një diell miliona kilometra larg, që sytë të kishin mundësinë e të parit?! Nëse rastësia krijoi veshët, kush i krijoi tingujt?! Nëse besojmë për një çast që qentë dhe arinjtë polarë kanë lindur vetvetiu, kush u siguroi një gëzof të përshtatshëm që të jetojnë në zona të ftohta?! Vallë, rastësia krijoi mijëra sëmundje, dhe po ajo paska krijuar edhe ilaçin e tyre?! Vallë, rastësia lindi barin që ju shkakton kruajtje nëse e prekni, dhe po ajo paska krijuar edhe spinaqin që t’ju sjellë shërimin?!

Është e çuditshme “rastësia” e ateistëve! Gjërave të cilat asgjësohen ose vdesin, u paska lënë sistemin e riprodhimit, kurse gjërave të cilat nuk asgjësohen, nuk ua ka lënë këtë sistem! Kështu, nëse njeriu nuk do të vdiste pas një moshe të caktuar, bota do të merrte fund shumë shpejt, për këtë arsye, edhe njeriu vdes. Kurse dielli, hëna, toka as nuk lindin të reja dhe as nuk vdesin.

Po ky sistem tjetër vallë, a ju duket më pak i çuditshëm që toka dhe dielli kanë gravitet, por ata janë mbajtur mjaftueshëm larg që të mos përplasen me njëri-tjetrin?! Të gjitha këto, a nuk tregojnë se ka një Krijues i cili jo vetëm është i ditur, por i Gjithëdijshëm?! Ligjet e caktuara prej Tij janë të rregulluara deri në përsosmërinë maksimale dhe nuk kanë asnjë përplasje me njëra-tjetrën. Unë, edhe te gishtat e mi shoh një provë të ekzistencës së Zotit. Mua si njeri më dha dije, dhe në vend të gishtave nëse do të më jepte kthetrat e luanit, a mund të shkruaja me to?! Pra, luanit që nuk i dha dijen, i dha kthetrat ndërsa mua që më dha dije, më dha gishtat që të shkruaj me ta.

Shtetet e mëdha punësojnë mijëra shkencëtarë dhe ekspertë që punojnë natë e ditë për të përmirësuar qeverisjen e tyre. Prapëseprapë vërejmë që ata bëjnë gabime që u sjellin dëme kolosale shteteve të tyre dhe nganjëherë deri në shkatërrim. Por nëse qeverisjen e universit po e mban vetëm rastësia, si shpjegohet që mijëra ekspertë mund të gabojnë dhe kjo rastësi nuk gabuaka asnjëherë. E vërteta është që universi e ka një Krijues që është Sundues dhe i Plotfuqishëm, pa të cilin nuk mund të funksiononte gjithë ky sistem.

Tani, hidhni vështrimin në çdo kah, sipas asaj që thotë Kurani Famëlartë, shikimi juaj do të kthehet i dështuar dhe i molisur, pa zbuluar asnjë cen në sistemin e universit dhe në çdo gjë të tij, ju do të shihni një renditje të plotë. Të mirët marrin shpërblimet e tyre dhe të ligjtë ndëshkimin e vet. Çdo gjë brenda universit po funksionon sipas detyrës që i është përcaktuar, pa u treguar e ngathtë për asnjë moment. Kjo temë është shumë e gjerë, por po e mbyll këtu. Të mençurve u mjafton vetëm një shenjë për të kuptuar.


[1] Kurani Famëlartë 67:2-5.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp