Nëse Zoti ekziston, pse nuk duket?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

 Tani, para së të filloj temën kryesore, dua të heq një dyshim që zakonisht lind në zemrat e njerëzve: nëse ka Zot, atëherë pse nuk duket? Faktikisht ky dyshim nuk është i sotëm, por atë mund ta gjejmë në çdo kohë. Kështu që, në Kuranin e Madhërishëm është përmendur se edhe ateistët e shkretëtirës së Arabisë, i kishin bërë të njëjtën pyetje Hazret Muhammedits.a.v.s. (Beni Isra’il, 17: 93) dhe i kishin kërkuar: “Nëse na tregon Zotin, atëherë do ta besojmë”. Por unë gjithnjë kur e dëgjoj këtë pyetje, ose e lexoj diku, më vjen shumë keq për ata që e shtrojnë atë. Pikëllim! Kur njeriu fillon të lëkundet, për shkak të perdes që mbulon mendjen e tij, ai nis të mohojë edhe gjërat shumë të qarta. Kjo pyetje nëse shtrohej në kohët e kaluara të hershme, ndonëse është e palogjikshme dhe e rreme, mund të ngatërronte përkohësisht njerëz të pamend, por në kohën tonë të shtrohet kjo pyetje është shumë e habitshme. Madje unë çuditem për gjendjen mendore të atij njeriu, që përpiqet të ndiejë kënaqësi duke bërë një pyetje të tillë. Sipas mendimit tim pyetje të tilla mund t’u shkojnë përshtat vetëm fëmijëve ose  atyre që janë me të meta mendore. Megjithatë, ngaqë kjo quhet një pyetje e zakonshme prandaj edhe duhet sqaruar. Unë shkurt do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje dhe pastaj do të kthehem në temën kryesore.

Lexoni: 10 argumente të qarta për ekzistencën e Zotit

Ne kemi mjete të ndryshme, për të njohur gjëra të ndryshme. Për shembull ka shumë gjëra që mund t’i njohim duke i parë, duke i dëgjuar, duke i shijuar, duke i nuhatur ose duke i prekur ato. Të gjitha këto mjete janë njësoj të besueshme. Nuk kemi të drejtë të themi për një gjë të caktuar të cilën mund ta njohim vetëm nga një shqisë e caktuar, në mënyrë këmbëngulëse të kërkojmë ta njohim prej një shqise tjetër. Për shembull ngjyrat mund t’i dallojmë vetëm duke i parë, aromën mund ta njohim vetëm duke e nuhatur, po ashtu për zërin kemi veshët. Do të jetë budallallëk nëse do të thuash se nuk do ta besoj këtë ose atë aromë derisa të mos e shoh; ose derisa të mos e nuhas ndonjë ngjyrë ose derisa të mos e prek ndonjë zë nuk do të besoj në të. Ai që bën pyetje të tilla do të quhet i pamend dhe nëse nuk do të shtrohet në çmendinë, ai do të mbetet si qesharak për njerëz çapkënë. Por, është shumë e habitshme që njerëzit shpesh herë bëjnë pyetje të tilla edhe për Zotin, prapë këta mbahen si të mençur në shoqëri. Pse asnjë rob i Zotit nuk i pyet këta, se cili është shkaku i kësaj çmendurie! Vallë, a vetëm qenia e Zotit ka mbetur për t’u tallur me një përbuzje të këtillë?!

Deri këtu unë i kam përmendur vetëm ato gjëra të cilat mund t’i dallojmë me anë të shqisave. Por, në këtë botë, ka gjëra të panumërta të cilat ne nuk mund t’i dallojmë me anë të tyre, por prapë ne besojmë në to mu ashtu, siç besojmë në gjërat e tjera që mund t’i dallojmë me anë të shqisave. Për shembull fuqinë magnetike, as nuk mund ta shihni me sy, as nuk mund ta dëgjoni, as nuk mund ta nuhasni, as nuk mund ta shijoni dhe as nuk mund ta prekni atë me dorë. Por a ka njeri prej jush që do të guxojë ta mohojë këtë fuqi? Unë patjetër them se jo. Sepse ju e shihni veprimin dhe rezultatet e saj, edhe pse nuk mund ta konceptoni këtë fuqi drejtpërdrejt me anë të ndonjë shqise. Asnjëherë nuk ju shkon mendja që “ngaqë nuk e kemi parë këtë fuqi, as nuk e kemi dëgjuar e as nuk e kemi nuhatur apo shijuar, por edhe nuk e kemi prekur atë, prandaj nuk mund ta besojmë”. Në mënyrë të ngjashme është edhe fuqia elektrike, e cila nuk duket fare, por mbizotëron në jetët tuaja. Pra edhe këtë nuk mund ta mohoni, ndonëse s’mund të dëshmoni asgjë për të nëpërmjet asnjërës prej shqisave tuaja, por ju besoni në qenien e saj ashtu siç besoni, për shembull, në diell, në hënë, në mal etj.

Mendoni edhe për ndjenjën e dashurisë. A ka ndonjë që mund ta ketë parë, dëgjuar, nuhatur apo prekur atë? Unë nuk e di nëse ndër lexuesit e këtij libri, ka ndonjë prej tyre që e ndien fort dashurinë; nëse ka, atëherë unë do ta pyesja se a nuk e sheh ai që një zemër kaq e vogël, që ndoshta nuk mund të peshojë as një çerek kile, mban një oqean të pafundmë të dashurisë, e cila kur arrin të dallgëzohet, mbase, bëhet më e fuqishme ndër të gjitha krijesat e Zotit të Madhërishëm. Është dashuria, ajo që një njeriu të dobët dhe të paaftë i jep një fuqi të tillë që ai, për dashurinë e tij, sfidon edhe male të larta, kalon shkretëtirat, bëhet gati të ndeshet edhe me egërsirat ose të hidhet i gjallë në zjarr dhe me furi përballon edhe dallgët e fuqishme të detit, por nuk dorëzohet. Ai kalon netët pagjumë dhe ditën bredh si i çmendur; dhe gjakun e tij e derdh duke e shndërruar në lot, por nuk këputet. A ka njeri në botë që mund të pretendojë se kjo fuqi nuk ekziston? Por kush e ka parë këtë fuqi? Kush e ka dëgjuar? Kush e ka nuhatur? Kush e ka shijuar ose kush e ka prekur? Të ngjashme janë edhe ndjenjat e tjera të fuqishme si për shembull, mëshira, zemërimi, epshi, etj. të cilat ekzistojnë, edhe pse nuk i keni dëshmuar drejtpërdrejtë nëpërmjet ndonjërës nga shqisat. Është një mendim fëmijësh, të kërkosh një gjë të caktuar me anë të një shqise të caktuar. Qëllimi është që ta perceptosh atë, me anë të çfarëdo lloje shqise. … Sa dëshpërim i madh! “Vëma Kadarullaha Hakka Kadrihi”Njerëzit nuk e vlerësuan Zotin ashtu siç duhej vlerësuar”. (El-Haxh, 22:75)

Miqtë e mi të dashur! Duhet të kuptojmë se sa më e trupëzuar të jetë një gjë, aq më lehtë mund të kapet me anë të shqisave dhe sa më e patrupëzuar të jetë, aq më i vështirë është perceptimi i saj me anë të tyre. Pikërisht për këtë arsye, kur përpiqemi të mësojmë për gjërat e patrupëzuara, ne duhet të mbështetemi në cilësitë dhe veprimet e tyre më shumë sesa në vëzhgimin e drejtpërdrejtë.

Si është e mundur atëherë që Zoti që është Qenia më e patrupëzuar (El-Letif) dhe gjithashtu Krijuesi i çdo gjëje të patrupëzuar të perceptohet nga sytë tanë fizikë? Kundërshtimi i kritikëve është absurd, që thonë se nuk do të besojmë në Zot përderisa nuk mund ta shikojmë Atë me sytë tanë. Kjo do të nënkuptonte se këta kritikë ose besojnë se Zoti është një qenie e trupëzuar, ose së paku dëshirojnë që Zoti të marrë një trup tillë, të cilin ata ta shikojnë me sytë e tyre.

Por, problemi është se në këtë botë ka miliona njerëz të verbër. Atëherë edhe ata kanë të drejtë të kërkojnë që Zoti duhet të marrë një formë tjetër fizike, e cila mund të preket, nuhatet ose shijohet. A nuk arrin kjo deri në atë shkallë sa të tallemi me Zotin? Sa e turpshme për një njeri që pretendon se ka mendje dhe zemër e që thotë se ne nuk mund ta besojmë Zotin përderisa të mos shohim gjithçka. Mbajeni mend se nëse Zoti do të shihet nga sytë e dikujt, atëherë nuk do t’ia vlente të besoje në Të. Për shembull, Zoti është i patrupëzuar, por në këtë rast Ai do të bëhej i trupëzuar. Zoti është i pakufizuar, por në këtë rast do të bëhej i kufizuar. Për më tepër nëse Zoti do të merrte pamje trupore dhe të kufizuar për botën tuaj, atëherë cila do të ishte garancia se ju nuk do ta kundërshtonit Atë, duke thënë se ju nuk besoni në një Zot të trupëzuar dhe të kufizuar?

O Zot im! Sa të përsosura dhe të patëmeta janë vetitë e Tua! Çdo veti Jote siguron përsosmërinë e vetisë tjetër. … I mjerë është ai që nuk e kupton këtë të vërtetë, sepse është në prag të shkatërrimit.

Shkurt, madhështia e Zotit qëndron në patrupëzimin dhe pakufizimin e Tij nga shikimi fizik i njeriut. Dhe s’ka vend të dyshohet për qenien e Tij nëse ne nuk e shikojmë, pasi ka edhe mënyra të tjera më të sigurta dhe më bindëse, nëpërmjet të cilave ne mund ta njohim Atë. Pra, o miq të dashur! A do të ndiqni ata njerëz të cilët kanë besuar në fuqinë magnetike, në energjinë elektrike, që u dorëzuan para fuqisë së kohës e të hapësirës dhe u nënshtruan para epsheve ose ndjenjave të tjera, edhe pse nuk i kanë parë me sy, por nuk u bënë gati që ta adhuronin Zotin dhe të përuleshin para Tij. Jo! Ju nuk do të bëni gjëra të tilla!!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp