Gjendja e sotme për besimin në Zot
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Në fillim desha të shprehja pikëllimin dhe brengën time për gjendjen e sotme të njerëzve për besimin në Zot, në përgjithësi. Sa për të thënë, të gjitha fetë që janë në botë, besojnë në qenien e Zotit. Njerëzit që u përkasin feve të ndryshme, thonë se janë besimtarë të Tij, përveç një pjese të vogël që e mohojnë kategorikisht Zotin. Por, nëse do të vështrosh në thellësi dhe ta studiosh gjendjen e tyre të besimit, atëherë do të shohësh se ky besim është vetëm një trashëgim traditash që nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën. Ngaqë fetë e tyre u mësojnë dogmën se “ju keni një Zot” dhe po ashtu ata, brez pas brezi, e dëgjojnë thënien se “kemi një Zot” edhe vetë ata e ndiejnë që duhet të jemi të bindur në fenë tonë, sa të mos shthuret gërshetimi i shoqërisë; për më tepër atyre u ngjallet herë pas herë zëri i instinktit të tyre që u thotë se ndoshta në të vërtetë ne kemi një Zot, ndaj ata nuk guxojnë ta mohojnë kategorikisht Zotin dhe e quajnë veten besimtarë. Por në të vërtetë ata nuk besojnë në Zot dhe zemrat e tyre janë boshe për nga besimi, ashtu si një shtëpi e braktisur nga njerëzit e saj.

Unë nuk e them këtë për ndonjë popull të caktuar ose për njerëzit e ndonjë feje të caktuar, por e them për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha fetë e botës. Sepse unë shoh që ndjekësit e feve të ndryshme, d.m.th. zorastrianët, budistët, hindutë, hebrenjtë, krishterët, myslimanët etj, të gjithëve u është futur thellësisht ky helm, i cili mund të quhet “helmi i mosbesimit”. Erërat përvëluese të materializimit s’kanë lënë asnjë kopsht të besimit pa e zhuritur. Nëse dikush më kërkon prova për mendimin tim atëherë, me bekimin e Zotit, mund të nxjerr mjaft arsye që nuk mund t’i mohojë ndonjë i mençur. Por, këtu unë dua t’ia shtroj pyetjen atyre që dyshojnë në këtë se; a mund të thonë ata me sinqeritet, pasi të kenë shqyrtuar zemrat e tyre dhe të kenë analizuar njerëzit që jetojnë rreth tyre, se a besojnë ata në Zot në të vërtetë? Nuk flas për besim ritual, të trashëguar nëpërmjet gojëdhënave, por e kam fjalën për besimin e vërtetë dhe të gjallë. Qenia e Zotit, a është aq e ndjeshme dhe e dëshmuar për ta, ashtu siç i shikojnë dhe i dëshmojnë gjërat materiale të kësaj bote? Domethënë a besojnë ata në Zot ashtu siç kanë besim, për shembull, se ky është dielli, kjo është hëna, ky është mali, ky është lumi, kjo është shtëpia jonë, këta janë prindërit tanë, ky është miku im? Nëse ata nuk kanë besim të tillë atëherë duhet të kuptosh se ky s’është besim, por është vetëm një lloj dyshimi dhe kjo është sikur ata kanë përqafuar një të vdekur dhe të kalbur duke menduar atë si të gjallë.

Nëse thoni se ky nivel i besimit është niveli më i lartë, të cilin shumë pak njerëz e arrijnë dhe ata janë njerëz të zgjedhur, atëherë unë ju them se edhe kjo është një dëshmi për paditurinë tuaj. Sepse niveli më i lartë i besimit është ai, shijen e të cilit nuk e dini fare dhe ndoshta shumë prej jush as nuk mund ta imagjinoni. Niveli i besimit që kam përmendur më lartë, që duhet të besosh në Zot në mënyrë të atillë siç beson në gjërat materiale të kësaj bote, faktikisht është një nivel mesatar. Në një Hadith (thënie e Profet Muhammedit s.a.v.s.) që një nga dukuritë e përgjithshme të besimit është se besimtarit i pëlqen të hidhet në zjarr dhe të digjet, por nuk e lë besimin e tij. Por unë ju them se nëse ju jeni larg prej kësaj dukurie, atëherë dua t’ju pyes vetëm kaq: më thoni sinqerisht se a ndikon besimi juaj si diçka e vërtetë dhe e gjallë mbi jetën tuaj të përditshme? A e ndieni në të vërtetë dashurinë ndaj Zotit dhe frikën e zemërimit të Tij? A ju nxit realisht besimi juaj për të mirën dhe a ju largon nga e keqja? Në të gjitha çështjet, a  keni besim të vërtetë tek Zoti apo te mjetet materiale?

Nuk e kam fjalën që a ndieni ndonjë lidhje në zemrën tuaj ndonjëherë me Zotin, apo kujtimi i Tij, ndonjëherë, ju ndalon nga mëkatet dhe ju nxit për vepra të mira, ose nëse kur bindja juaj shkon te Zoti duke mos menduar për mjetet materiale? Sepse ndodhi të tilla ngandonjëherë, nuk mund të thuhet se janë pasojë e besimit. Në një gjendje të tillë mund të bie edhe ai, që jo vetëm që nuk e mohon Zotin, dhe herë pas here i shkon mendja se “ndoshta në të vërtetë ka një Zot, që më ka krijuar mua dhe që drejton tërë sistemin e gjithësisë, para të Cilit unë duhet të paraqitem një ditë”. Një njeri i tillë, deri në një farë mase, sigurisht do të ndiejë një lidhje me përfytyrimin e Zotit, i krijuar nga vegimi i tij, i cili nganjëherë e largon atë nga mëkatet dhe e nxit rrallëherë për të mirën, dhe shikimi i tij disa herë i kapërcen edhe mjetet materiale dhe shkon te Zoti dhe ai fillon të mendojë se qenia më e besueshme është qenia e Zotit. Kjo nuk është gjendja e besimit, por mund të quhet vetëm një gjendje dyshimi, e cila e bën të lëkundet si lavjerrës. Besimi i vërtetë është vetëm ai që bëhet një pjesë e pakëputshme e jetës së njeriut, bëhet ushqimi i shpirtit të tij dhe që vepron si një fener udhëzimi, që gjithmonë e largon nga rrugët e zymta të mëkateve, nëpërmjet këtij feneri, para syve të tij, shfaqen rrugët e veprave të mira dhe të gjitha mjetet materiale nuk i vlejnë asgjë për të, d.m.th. të mos ketë besimin e vërtetë në ato, por ta ketë vetëm në qenien e Zotit të Madhërishëm që është krijuesi i të gjitha mjeteve. Dhe pastaj zjarri i dashurisë ndaj Zotit gjithmonë të jetë i ndezur në zemrën e tij, si dhe frika e zemërimit të Tij ta ndalojë atë nga rrugët e këqija.

A gjeni një besim të këtillë në zemrat tuaja? Nëse jo, dhe ka shumë mundësi që jo, atëherë duhet të turpëroheni që të quani veten besimtarë, andaj nisuni në kërkim të atij besimi që zbret nga qielli dhe si një llambë e ndritshme i ndriçon edhe skajet më të errëta të zemrës suaj. Atëherë, qenia e Zotit nuk mbetet si një idhull i përfytyruar, i krijuar nga mendja juaj, por Ai do t’ju shfaqet i Gjallë, i Përjetshëm, Sundues i Gjithëfuqishëm por edhe i Gjithëmëshirshëm dhe Dashamirës, mbretëria e të Cilit do t’ju duket shumë më e besueshme se mbretëritë e kësaj bote.

Pra, ky realitet nuk mund të mohohet që besimi i vërtetë në këtë kohë mungon në botë. Ai mungon jo vetëm në zemrat e njerëzve të thjeshtë, por edhe në zemrat e atyre që quhen klerikët e feve dhe që kujtojnë se janë kujdestarë të besimit të njerëzve, pra edhe ata janë bërë pre e ateizmit. Ata, ose po e mashtrojnë botën, ose vetë janë të mashtruar, sepse fjalët e tyre janë të pasura, por zemrat janë të zbrazëta.  Sot, në të vërtetë, bota është e kapluar nga një errësirë e thellë në lidhje me besimin, dhe nuk duket asnjë dritë e dobët në ndonjë skaj të botës, që mund t’i ndriçojë disi rrugën ndonjë udhëtari të lëkundur. A nuk do të ishte e nevojshme, që në një kohë të tillë të errët, sipas praktikës së hershme të Zotit të Mëshirshëm, dielli i paraqitjes së Tij të lindej nga horizonti i zemrës së ndonjë robi të Tij të pastër dhe ta ndriçonte botën? O të dashurit e mi! Zgjohuni, dhe vendoseni ballin tuaj të përulur para pragut të Zotit, se Ai e pa gjendjen tuaj dhe e ka ngritur diellin e Tij shpirtëror nga Lindja për ju. Tani, hapni dritaret e zemrës suaj dhe lini këto rreze shpirtërore të futen në to, sa t’i largojnë errësirat e dyshimeve nga zemrat tuaja dhe sa të shndërrohet nata juaj në ditë.

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp