Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Mjeti për të gjetur afrimin me Zotin është istigfari

Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu a.s.
lutja bekimi dua lutje

Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Udhëheqësi i Xhematit Musliman Ahmedia, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, në hytben e tij të xhumasë, të mbajtur më 14 maj të vitit 2004, thotë:

Mesihu i Premtuar a.s. thotë: Për ta mbajtur të lulëzuar kopshtin shpirtëror, njeriu duhet t’i kërkojë Burimit të jetës së vërtetë ujë fuqidhënës. Pikërisht këtë, Kurani Famëlartë me fjalë të tjera e quan istigfar[1]. Për t’u mbrojtur nga çdo papastërti, për të vepruar sipas porosive të Zotit të Madhërishëm, për të gjetur afrimin me Të dhe për të krijuar spiritualitet në veten tuaj, keni nevojë të bëni istigfar vazhdimisht….

Një njeri i kërkoi Mesihut të Premtuar a.s. që të lutej për të duke thënë: “Jam i zhytur në borxhe! lutuni që të më jepet mundësia t’i laj ato”. Mesihu i Premtuar a.s. iu përgjigj:

“Bëni istigfar vazhdimisht! Ky është mjeti për njeriun për t’u larguar nga hallet. Po ashtu, istigfari është edhe çelësi i sukseseve”.[2]

Pra, Mesihu i Premtuar a.s. thotë se për t’u larguar nga çdolloj shqetësimi, madje edhe për të larë borxhet, pikërisht istigfari është mjeti kryesor. Por, Mesihu i Premtuar a.s. e sqaron edhe në vende të tjera që Istigfari nuk duhet bërë vetëm me fjalë boshë, duke i përsëritur pa menduar. Kur bëni istigfar është e domosdoshme që t’i analizoni dobësitë tuaja e të bëni përpjekje të vazhdueshme për t’i larguar ato. Atëherë do t’ju hapen dyert e suksesit, inshallah.

Në të njëjtin libër përmendet:

Një njeri i kërkoi Mesihut të Premtuar a.s. duke thënë: “Hazur! Lutuni për mua që të kem fëmijë”. Ai iu përgjigj: “Bëni istigfar shumë, sepse me të jo vetëm që do t’ju falen mëkatet, por Allahu i Madhërishëm do t’ju japë edhe fëmijë. Mbani mend! Besimi (jekini) është një gjë shumë e madhe. Ai që është i përsosur në besim, Zoti i Madhërishëm kujdeset për të”.[3]

Shumë njerëz më shkruajnë edhe mua që të lutem për ta për të pasur fëmijë dhe për shqetësime të tjera. Desha t’u them se edhe ata duhet ta aplikojnë këtë metodë. Por, kryesorja është ajo që thashë pak më parë, që nuk duhet të përdorni vetëm fjali të mësuara përmendsh. Istigfari duhet të burojë nga thellësia e zemrës suaj. Bëni Istigfar në këtë mënyrë dhe përpiquni t’i zbatoni edhe porositë e tjera të Zotit të Madhërishëm.

Si duhet ta bëni istigfarin? Lidhur me këtë, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Vazhdimisht bëni istigfar. Njeriu duhet të jetë vetëm në dy gjendje: ose të mos bëjë mëkat, ose Allahu i Madhërishëm ta shpëtojë atë nga mëkati që ka bërë. Prandaj, duke bërë istigfar, robi duhet t’i ketë parasysh të dyja këto kuptime. Pra, së pari, ai duhet t’i kërkojë Zotit të Madhërishëm falje e mbulim të mëkateve që ka bërë dhe së dyti, t’i kërkojë mundësinë që në të ardhmen të jetë i mbrojtur nga mëkatet. Por, istigfari nuk plotësohet vetëm me fjalë goje, por me zemrën. Lutuni në namaz edhe në gjuhën tuaj! Kjo është e rëndësishme”.[4],[5]


[1] Istigfar do të thotë t’i kërkosh falje Zotit të Madhërishëm.

[2] “Melfuzat” vëll 1, f. 442.

[3] “Melfuzat” vëll 1, f. 444.

[4] “Melfuzat” vëll 1, f. 525.

[5] Marrë nga e përditshmja “Alfazl” 10 gusht 2004, f. 2.