A duhet të shkojnë muslimanët shqiptarë për të luftuar në Siri?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

A duhet të shkojnë muslimanët shqiptarë për të luftuar në Siri?

Teolog, gjuhëtar dhe përkthyes

Përgjigje:

Jo. Jo, sepse për një konflikt të tillë Kurani Famëlartë nuk ka dhënë si zgjidhje që besimtarët e botës të shkojnë individualisht e t’i japin dorën luftëtarëve të palës që e përkrahin.

Konflikti i Sirisë, në radhë të parë, nuk është xhihad në rrugën e Allahut. Xhihadi, në formë lufte, në rrugën e Allahut bëhet atëherë kur besimi vihet në rrezik dhe bëhen sulme  të vazhdueshme agresive për të asgjësuar fenë Islame, rrethanë e cila nuk ekziston në këtë kohë në botë, pasi muslimanët janë të lirë të praktikojnë fenë e tyre kudo në botë. Kurani Famëlartë, duke përmendur lejen që u ishte dhënë muslimanëve për të luftuar kundër mohuesve, thotë:

 “Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi. Në të vërtetë Allahu është i Fuqishëm që t’i ndihmojë ata, që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre padrejtësisht, vetëm se thanë: “Zoti ynë është Allahu.” Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njeri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Vërtet, Allahu e ndihmon atë që e ndihmon Allahun. Allahu është vërtetë i Fortë dhe i Plotfuqishëm” . (Kurani Famëlartë 22:40-41)

Ndërsa, konflikti i Sirisë nisi si pjesë e së ashtuquajturës “Pranvera arabe”për ta rrëzuar pushtetin e një diktatori, në të cilin, më vonë, janë pleksur një sërë faktorësh politikë. Zgjidhja e këtij konflikti, sipas Islamit është ajo që paraqitet në ajetin si vijon:

“Nëse dy grupe besimtarësh bëjnë luftë me njëri-tjetrin, pajtojini ata. Por, nëse njëri  grup sulmon tjetrin, atëherë luftoni kundër dhunuesit, derisa të kthehet në urdhrat e Allahut. Por, nëse kthehet, atëherë pajtojini ata me drejtësi dhe paanësi, sepse me të vërtetë Allahut i do ata që veprojnë me drejtësi”. (Kurani Famëlartë 49:10)

Ky ajet jep zgjidhjen më të mirë të mundshme të rasteve ku ka konflikte. Është interesante që gjatë kohës kur zbriti ky ajet, nuk ekzistonin rrethanat që mund të shkaktonin konflikte të tilla midis grupeve muslimane, sepse të gjithë ishin bashkuar në një grup, në Xhematin e Profetit Muhammed s.a.. Realisht, ky ajet paraqet një kartë të qartë që do të mbetej si udhëzim jo vetëm për muslimanët, por për të gjitha shtetet e botës, qofshin muslimane apo jomuslimane. Parimet që përmend kjo kartë, janë:

1. Nëse dy shtete apo grupe muslimane hyjnë në konflikt a luftë me njëri-tjetrin, atëherë gjithë shtetet muslimane  e kanë për detyrë të bashkohen për ta ndaluar luftën. Ato duhet të negociojnë me të dyja grupet për të realizuar pajtimin midis tyre. Është e nënkuptuar që këtë lloj pajtimi nuk mund të bëjnë individët, pra, besimtarët në mënyrë individuale nga vende të ndryshme. Kjo detyrë dhe përgjegjësi, që përmendet në këtë ajet, është e shteteve.

2. Por, nëse ndonjëri prej dy grupeve, nuk pajtohet dhe e vijon sulmin, atëherë, të gjitha shtetet së bashku duhet të marrin masa ushtarake kundër sulmuesit, derisa sulmuesi të heqë dorë nga dhuna.

3. Kur sulmuesi të kthehet dhe pajtohet për të hequr dorë nga lufta, atëherë shtetet muslimane pajtuese duhet të realizojnë një marrëveshje midis të dyja palëve për paqen.

4. Gjatë këtij pajtimi, ato janë të detyruar të vendosin me drejtësi e paanësi, sepse Allahu i do ata që veprojnë me drejtësi.

Të gjitha këto pika, aplikohen jo mbi individët, por mbi shtetet e organizuara. Mjerisht, vetë shtetet muslimane nuk janë të bashkuara sot, prandaj, nuk e kryejnë dot këtë detyrë në rastin e Sirisë. Por, kjo në asnjë mënyrë nuk u hap shteg gjithë muslimanëve, individë të botës, që të nisen për në fushëbetejë.

Muslimanët shqiptarë nuk mund të shkojnë në luftën e Sirisë edhe për arsye se shteti shqiptar, si shumë shtete të tjera, ka ndaluar shtetasit e tij të marrin një nismë të tillë. Për një musliman, ky urdhër është i mjaftueshëm për të mos ndërmarrë nisma të tilla, sepse Kurani Famëlartë i obligon muslimanët që t’u binden edhe autoritarëve të caktuar mbi ta. Kurani thotë:

“O ju që besuat! Binduni Allahut, të Dërguarit dhe autoritarëve tuaj! Por, nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë (me autoritarët tuaj), atëherë kthejeni atë çështje tek Allahu dhe i Dërguari, nëse besoni në Allahun dhe në ditën e fundit. Kjo është (mënyra) më e mirë që ka edhe përfundim të mirë”. (Kurani Famëlartë 4:60)

Përfundimisht, muslimanët shqiptarë nuk duhet të shkojnë në luftën e Sirisë sepse një gjë e tillë u është ndaluar edhe fetarisht, edhe ligjërisht.

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp