Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Islami a është në luftë me Perëndimin?

Përgjigje:

Islami nuk është në luftë me Perëndimin. Islami praktikohet lirisht në Perëndim, në disa aspekte, më lirisht sesa të ashtuquajtura vende muslimane, sepse disa vende muslimane lejojnë vetëm atë lloj Islami, që përfaqësohet nga shumica e popullsisë së tyre. Në dekadën e fundit është rritur ndjeshëm numri i xhamive në Amerikën Veriore dhe në Evropë. Muslimanët janë të lirë të ndjekin besimin e tyre dhe të publikojnë literaturën e tyre, të organizojnë debate të hapura rreth çështjeve fetare me njerëzit e të gjitha feve, duke përfshirë edhe ata që nuk ndjekin ndonjë fe. Mësimi i Kuranit Famëlartë këshillon që njerëzit të jetojnë me butësi dhe të mbajnë marrëdhënie të mira me çdo popull. (Kurani 60:9; 4:37)

Nga ana tjetër, asnjë komb nuk mund të pretendojë ta monopolizojë Islamin, sepse ai është një fe universale, e synuar për mbarë njerëzimin që nga fillesat e saj. Arabët kanë një raport të veçantë me Islamin për shkak të rëndësisë historike dhe gjuhësore të Islamit e të Kuranit. Duke u nisur nga kjo, dikujt mbase mund t’i krijohet bindja se për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve arabe dhe atyre perëndimore mund të ketë edhe konflikt midis Islamit e Perëndimit. Një mendim a përfundim i tillë absolutisht nuk mund të jetë i drejtë, pasi mosmarrëveshjet e tilla janë politike, e jo fetare. Historia dëshmon se konflikte të tilla kanë pasur edhe shtetet e krishtera midis tyre. Drita e Islamit, siç pohon Kurani Famëlartë nuk i përket as Lindjes e as Perëndimit, por Zotit të gjithë botëve. (Kurani Famëlartë 24:36)