Parisi, San Bernardino, Brukseli, Orlando, Jemeni dhe Stambolli. Kur do të marrë fund kjo?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Parisi, San Bernardino, Brukseli, Orlando, Jemeni dhe Stambolli. Kur do të marrë fund kjo?

Kryeredaktor Alislam.org / Zv.Amir i Xhematit në SHBA
terrorizmi

Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm është komplekse. Fakti se ekstremizmi i dhunshëm vazhdon, tregon se mënyrat tona të luftimit kundër tij nuk kanë funksionuar. Në një shoqëri globale, ekstremizmi i dhunshëm nuk mund të bombardohet, nuk mund të burgoset dhe nuk mund të ndëshkohet.

Veç kësaj, është e vështirë të mposhtësh një popull, që është i gatshëm të vdesë për ideologjinë e tij. Ne nuk kemi nevojë t’i gjunjëzojmë njerëzit e tillë, por kemi nevojë t’i fitojmë ata me anë të një ideologjie më të mirë. Siç Abraham Linkolni tha: “A nuk i shkatërroj unë armiqtë e mi, kur i bëj miq?”

Ekstremistët dhe terroristët që krijohen në vendet e veta, janë njerëz që janë në kërkim të një drejtimi e frymëzimi në jetën e tyre. Ata janë tërhequr nga ISIS-i dhe të tjerë të ngjashëm për shkak të drejtimit dhe veprimtarisë së tyre, pa marrë parasysh se sa të gabuar janë. Njerëzit e tillë shohin hipokrizi tek udhëheqësit e tyre politikë dhe fetarë, kurse tek ekstremistët gjejnë “ndershmëri” në qëllimin e tyre, që përqafojnë një ideologji të zhdukjes së “të keqes”.

Udhëheqja ka rëndësi. Një udhëheqje që ka frikë ndaj Zotit, që është shpirtërore dhe politike! Udhëheqës me kurajë morale dhe politike për të thënë e për të bërë gjënë e duhur!

Zgjidhja është që ta kapërcejmë ideologjinë ekstreme përmes ideologjisë së Profetit Muhammed. Krejtësisht kundër pretendimeve të ekstremistëve, Muhammedi përdori dashurinë, dhembshurinë, arsimin, durimin dhe lutjet për të fituar zemrat e njerëzve. Të bashkuar, ne mund të trajtojmë ideologji të gabuara vehabiste, selefiste dhe mevdudiste, dhe mund t’i dëbojmë ato jo me legjislacion, por me neveri popullore.

Kjo kërkon që në të gjitha rrethanat, ne duhet të ngrihemi për të vendosur të vërtetën, druajtjen ndaj Zotit, marrëdhëniet e ndershme dhe drejtësinë. Kemi nevojë të fitojmë zemrat e njerëzve. Ky është edhe versioni i vërtetë i Islamit dhe është atu kundër të gjitha ideologjive të rravguara që çojnë në sjellje të neveritshme dhe mizore dhe që janë kundër të qenit njeri.

Si për Perëndimin, ashtu edhe për muslimanët, kjo do të thotë që ne të identifikojmë e të mbështesim muslimanët që shfaqin mësimet e vërteta islame, që përkrahin moderimin dhe drejtësinë në të gjitha çështjet. Shtypi dhe media duhet të edukojë veten e saj dhe të mos vjellë propagandë injorante e të rreme. Kjo do të jetë një luftë e dhimbshme dhe do të kërkojë edukim, lutje, njerëz që kanë druajtje ndaj Zotit, që veprojnë me ndershmëri e drejtësi.

Ne perëndimorët kemi qenë mundësues dhe ndihmës të diktatorëve, tiranëve dhe despotëve me mbështetjen tonë. Kur CIA trajnonte Osama bin Ladenin, nuk i është kushtuar vëmendje se çfarë mësimesh i jepeshin masës në vendet me shumicë muslimane. Kjo ideologji e çoroditur tani është pjesë e gjeneve të tyre. Ajo mori dekada për t’u rrënjosur te ta dhe do të kërkojë një strategji afatgjatë për t’u hequr. Plani afatshkurtër: duhet ta frenojnë e ta përmbajmë atë me forcë. Plani afatgjatë: duhet të edukojmë udhëheqësit dhe masën në lidhje me ideologjinë e vërtetë të Islamit, që predikon virtytshmëri në diskursin shoqëror dhe politik.

Po kështu, kritikët e fesë duhet të përmbahen nga përgjithësimet naive për njerëzit e besimit. E njëjta Bibël që urdhëron hebrenjtë “ta duash të afërmin tënd si veten tënde” (Levitiku 19:18), edhe i nxit: “vrit burra dhe gra, fëmijë dhe foshnja gjiri, lopë e dhen, deve dhe gomarë” (1 i Samuelit 15:3). I njëjti Jezu Krishti që u tha dishepujve të vet “të kthejnë faqen tjetër” (Mateu 5:39), u tha gjithashtu: “nuk erdha të sjell paqen, por shpatën” (Mateu 10:34), dhe se “kush nuk ka shpatë, le të shesë rrobën e vet e ta blejë një.” (Luka 22:36).

Kishës Katolike iu deshën shekuj për t’u evoluar si një Institucion i civilizuar. Është e vërtetë që shumë vende me shumicë muslimane kanë një pikëpamje të shtrembëruar të Sheriatit që kufizon të drejtat dhe lirinë. Liderët e këtyre vendeve islamike mashtruan masën për të besuar se Islami i vërtetë është në pasjen e qeverisë me versionin e tyre të Sheriatit dhe imponuan ligjet fetare. Sipas tyre, duhet të vendoset një kalifat dhe përmes tij një hegjemoni politiko-fetare. Këta udhëheqës të korruptuar përdorin Sheriatin si një mbulesë për barbarinë dhe pushtimin e tyre dhe për të përhapur mënyrat e tyre të gabuara.

Por, ndërsa është e lehtë për të dënuar zellin ekstremist, do të duhen revolucione të shumta për ta mposhtur atë. Këto revolucione do të kërkojnë që shumica e njerëzve të botës arabe muslimane, në njërën anë, dhe njerëzit e Perëndimit në anën tjetër, të heqin ambivalencën e tyre dhe të ndalin të luajnë lojëra. Muslimanët duhet të dalin përpara. Ne duhet të kërkojmë besimin tonë të vërtetë duke u dhënë pas mësimeve të Profetit Muhammed.

Koha për të vepruar është tani. Përndryshe ky kërcim drejt fanatizmit, ekstremizmit dhe vetasgjësimit do të vazhdojë të përshpejtojë në një pikë pa kthim.

(Dr. Nasim Rehmatullah është Zëvendëspresident i Xhematit Musliman Ahmedia të ShBA-ve. Ky artikull është publikuar në gazetën “The Daily Caller”, më 05.07.2016.)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp