A ishte përhapur Islami nëpërmjet shpatës dhe dhunës?
Përgjigje:
Jo. Po të aplikonin muslimanët strategjinë e dhunës për të përhapur Islamin, u duhej t’i kundërviheshin një porosie shumë të qartë të Kuranit Famëlartë:
“Nuk ka dhunë në fe. Tashmë është e dalluar e drejta nga e shtrembra…”
(Kurani Famëlartë 2:257)
Veç kësaj, atyre gjithashtu u duhej t’i kundërviheshin modelit të Themeluesit të fesë Islame, Profetit Muhammed s.a., i cili gjithmonë zgjodhi strategjinë më paqësore e të drejtë në çdo situatë. Shembulli i paqes dhe i faljes që ai vendosi, është i pakundshoq.
Një shembull i njohur i jetës së tij për të vendosur paqe është ai i triumfit mbi Mekën. Dhjetë mijë muslimanë në formë ushtrie, nën udhëheqjen e Profetit Muhammed s.a., kur hynë në Mekë kishin mundësinë më optimale për t’u hakmarrë ndaj mizorive çnjerëzore që mekasit ushtruan përgjatë 20 vjetësh ndaj tyre. Vetë Profetit i ishin vrarë të afërm të ngushtë, shokë e miq. Bashkëshortja e tij e dashur Hatixhja dhe xhaxhai i tij Ebu Talibi kishin ndërruar jetë, pasi përjetuan urinë dhe vështirësi të tjera të skajshme për tri vjet gjatë bojkotimit në Mekë. Xhaxhanë e tij Hamzanë, mekasit jo vetëm që e kishin vrarë, por edhe e kishin deformuar trupin e tij. Duke ditur të gjitha torturat që kishin bërë, vetë mekasit ishin të frikësuar duke menduar sesi do të ishte hakmarrja e Profetit Muhammed dhe e muslimanëve ndaj tyre. Por, kur Profeti Muhammed hyri në Mekë, edhe pse kishte forcë e fuqi për t’u hakmarrë, por shpalli falje të përgjithshme duke njoftuar:
“Sot, nuk do t’ju bëhet asnjë qortim. Të gjithë jeni të lirë!”
Jo vetëm kaq. Pikërisht në këtë ditë faljeje, ai gjithashtu i la të lirë mekasit të pranonin fenë që donin. Ky ka qenë modeli i Profetit Muhammed s.a.
Është e vërtetë se Kurani udhëzon që çdo musliman të marrë përsipër përhapjen e mesazhit të Islamit në mënyrën më të mirë të mundshme me anë të argumentit dhe logjikës, por Kurani gjithashtu i bën të qartë që nuk ka asnjë vend për forcë apo dhunë në ushtrimin e kësaj detyre. Ai thotë:
“Thirr drejt rrugës së Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë; argumento me ta në mënyrën që është më e mira. Me të vërtetë, është Zoti yt Ai që di më së miri se kush devijohet nga rruga e Tij dhe është po Ai që di më së miri se kush janë të udhëzuar”.
(Kurani Famëlartë 16:126)
Sërish, Kurani Famëlartë i bëri të qartë edhe Profetit Muhammed s.a. duke thënë se misioni i tij ishte vetëm të përcillte mesazhin e Islamit ndërsa njerëzit ishin të lirë ta pranonin apo ta refuzonin mesazhin e tij, sepse, sipas Kuranit, njerëzit për çështjen e fesë do t’i japin llogari vetëm Zotit, e jo njeriut.
Sa i qartë është Kurani në këtë ajet:
“Nëse ata do të kthehen shpinazi, atëherë Ne nuk të dërguam si mbikëqyrës mbi ta. Detyra jote është vetëm përcjellja e mesazhit”.
(Kurani Famëlartë 42:49)
Ky ajet qartazi tregon se detyra e muslimanit, për sa i përket përhapjes së Islamit, është vetëm që të përcjellë mesazhin e tij, njëkohësisht largon tej e tutje çdo dyshim për përdorimin e forcës a dhunës.
Është interesante të vërejmë se sot vendi me popullsinë më të madhe muslimane, është Indonezia, ku Islami kishte ardhur nëpërmjet dialogut të bërë nga muslimanë tregtarë e të shenjtë në një kohë të hershme. Vendi i dytë me popullsinë muslimane në botë është India, që nuk numërohet si vend islamik, pasi aty shumica janë hindo. Ndërsa në kohët tona, Islami është feja që po përhapet me shpejtësinë më të madhe në Evropë, edhe pse nuk përdoret as dhunë e as forcë në përhapjen e saj. Islami thekson kërkimin e diturisë dhe argumentit. Profeti Muhammed s.a. thotë:
“Boja e dijetarit është më e shtrenjtë sesa gjaku i dëshmorit”.
(Buhariu, Kitabul Ilm)