Sprovat në jetën e besimtarit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Sprovat në jetën e besimtarit

Sprovat në jetën e besimtarit

﴾﴿وَلَنَبْلُوَنَّكُم بِشَيْءٍ مِّنَ الْخَوْفِ وَالْجُوعِ وَنَقْصٍ مِّنَ الْأَمْوَالِ وَالْأَنفُسِ وَالثَّمَرَاتِ ۗ وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ ﴿﴾ الَّذِينَ إِذَا أَصَابَتْهُم مُّصِيبَةٌ قَالُوا إِنَّا لِلَّـهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ

Ne patjetër që do t’ju sprovojmë, duke ju përballur me pak frikë, me pak uri, me pak humbje të pasurisë, të njerëzve e të vjelave. Jepu lajm të gëzueshëm durimtarëve. Të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi, thonë: “Sigurisht, jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi”.[1]

Shumë njerëz në këtë botë nuk e kuptojnë Zotin dhe planet e Tij. Ata nuk i njohin atributet e Tij e as nuk kanë idenë se çfarë raporti duhet të ketë Zoti me krijesën e Tij. Shumëkush ankohet se atyre nuk u përgjigjen lutjet ose shpreh pakënaqësinë pasi janë rrethuar me lloj-lloj sprovash dhe mjerimesh.

Jeta e kësaj bote është pasqyrimi i botës shpirtërore. Për të na aftësuar ta përjetojmë këtë botë shpirtërore, Zoti na ka lënë gjithashtu mjaft shenja dhe shembuj të mirëfilltë, të cilat na orientojnë të kuptojmë paqëndrueshmërinë e kësaj jete dhe përkohshmërinë e çdo gjendjeje gëzimi a hidhërimi. Ngjarjet që na ndodhin, na nxisin të jetojmë në atë mënyrë që i përgjigjet thirrjes së Zotit dhe t’i bindemi Atij ashtu siç Ai pret prej nesh.

Ajeti i sipërm tregon se Allahu sprovon njeriun për të nxjerrë në pah gjendjen e tij të brendshme me anë të mirësive dhe nganjëherë me anë të vështirësive. Sipas Kuranit Famëlartë, duke sprovuar robin Zoti në përgjithësi synon dy qëllime:

  1. Ai e sprovon atë, i cili gjendet në një shkallë të lartë shpirtërore. Si shembull kemi rastin e Ibrahimit a.s.[2]. Në këtë mënyrë, Ai e bën atë njeri të rrezatojë si një shembull mirësie, devotshmërie dhe pastërtie.
  2. Ai gjithashtu sprovon atë njeri, i cili akoma nuk ka arritur një shkallë të lartë shpirtëtore.[3] Në këtë mënyrë Ai ia dëfton atij mangësitë dhe të metat, të cilat i duhet të ndreqë për të përparuar shpirtërisht. Ndonëse, sprovat dhe fatkeqësitë përmbajnë dhimbje dhe vuajtje të mëdha, ato gjithashtu i japin njeriut një mundësi të artë për t’u ngritur shpirtërisht dhe për të pastruar veten nga dobësitë e karakterit. Ato shërbejnë për të forcuar besimin dhe premtojnë shpërblime dhe dhunti të mëdha tek Allahu.

Në këtë ajet Allahu ka përmendur pesë mjete për ta realizuar këtë sprovë:

  1. Frika: Në këtë gjendje shqetësimi a ankthi, frika e rrethon njeriun nga të gjitha anët ndërsa armiku i kanosej me lloj-lloj rreziqesh dhe pasojash.
  2. Uria: Në këtë gjendje të mungesës së ushqimit, armiku jo vetëm ia pret të gjitha lidhjet me botën e jashtme por e qarkon atë duke e izoluar plotësisht pa ushqim apo mjete të tjera.
  3. Humbja e pasurisë dhe pronës
  4. Humbja e njerëzve të dashur
  5. Humbja e vjelave: Kjo gjithashtu nënkupton dështimin e përpjekjes (mosarritja e frutit), humbjen e fitimit nga ndonjë burim apo shkatërrimin e tregtisë etj.

Në këtë ajet Allahu gjithahtu ka bërë të qartë që sjellja e Tij ndaj robit i ngjan raportit që ekziston midis dy shokëve. Derisa respektohen të drejtat e ndërsjella midis tyre, miqësia vijon të forcohet, por momentin që njëri prej tyre i hap telashe dhe probleme si borxhe etj. shokut tjetër, miqësia prishet. Asnjë miqësi në këtë botë nuk mund të mbijetojë, nëse njëri prej tyre e ruan vetëm për shkak të interesave dhe fitimeve personale.

P.sh. kur ai është zhytur në borxh apo ka ndonjë hall tjetër, dhe shkon te shoku i vetë dhe i kërkon ndihmë. Por, sa çlirohet nga barra e borxhit apo i largohet halli, ai harron këtë mirësi dhe tregohet mosmirënjohës. Një miqësi e tillë, nuk mund të quhet në asnjë mënyrë, një miqësi e sinqertë dhe e vërtetë. Miqësia e sinqertë bazohet në interesat reciproke, dhe një miqësi që synon të arrijë vetëm interesat e njëri palë, është destinuar të prishet. Zoti i Madhërishëm ka përshkruar sjelljen e Tij ndaj robit me shembullin e kësaj miqësie. Në njërën anë Ai u drejtohet robërve të Tij dhe thotë:

وَقَالَ رَبُّكُمُ ادْعُونِي أَسْتَجِبْ لَكُمْ ۚ

Zoti juaj ka thënë: “Lutuni Mua, se do t’ju përgjigjem![4]

Pra Zoti ka përmbushur pjesën që i takonte Atij në këtë miqësi. Ai në njëfarë mënyrë i thotë robit: Shiko, unë jam kujdesur për ty, duke plotësuar nevojat e tua. Unë të kam mundësuar gjithçka që të nevojitej për të jetuar dhe njëkohësisht të kam mbështetur në çdo situatë. Tani, shprehu para Meje dhe tregomë hallin tënd dhe Unë do të të përgjigjem lutjes. Por, Zoti gjithashtu manifeston dashurinë e Tij ndaj robit, e cila është më e fort se dashuria e nënës ndaj fëmijës së saj.

Ndonjëherë, për ta provuar dashurinë dhe besnikërinë e robit ndaj Tij, Zoti gjithashtu e sprovon atë me anë të vështirësive të ndryshme pasi ato janë të domosdoshme dhe të dobishme për robin e Tij. Para se të trajtohej një plagë apo të vihet balsami për të lehtësuar dhimbjen, njeriu duhet të ndërmarrë një ndërhyrje kirurgjike për të trajtuar plagën. Në të njëjtën mënyrë Zoti deklarton që Unë sprovoj robërit e Mi me këto vështirësi.

Njeriu është i prirë të sillet në përgjithësi me mosmirënjohje. Siç tregon ky ajet kuranor:

وَإِذَا أَنْعَمْنَا عَلَى الْإِنسَانِ أَعْرَضَ وَنَأَىٰ بِجَانِبِهِ ۖ وَإِذَا مَسَّهُ الشَّرُّ كَانَ يَئُوسًا

Kur i japim një të mirë njeriut, ai largohet dhe e mban anën e tij dhe kur e prek e keqja, mbetet shumë i dëshpëruar.[5]

Kur gjithçka shkon mbarë me njeriun dhe ai gëzon shëndetin, harmoninë dhe mirësitë e Zotit, vjen koha që ai nuk merakoset më për Krijuesin e Tij. E tillë është natyra njerëzore, siç e përshkruar Allahu në një vend tjetër:

وَإِذَا أَنْعَمْنَا عَلَى الْإِنسَانِ أَعْرَضَ وَنَأَىٰ بِجَانِبِهِ وَإِذَا مَسَّهُ الشَّرُّ فَذُو دُعَاءٍ عَرِيضٍ

Kur i dhurojmë dhuntitë Tona njeriut, ai largohet dhe na kthen kurrizin, mirëpo, kur atë e godet e keqja, ai lutet gjerë e gjatë.[6]

Ndërkohë, besimtari pavarësisht situatës në të cilën ndodhej, qoftë në gëzime a në hidhërime, në mbarësi po ashtu në mjerim, pra në çdo gjendje mundohet të ruajë këtë miqësi me Zotin.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu ka përshkruar këtë sjellje të besimtarit:

عَنْ صُهَيْبٍ، قَالَ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم

‏ “‏ عَجَبًا لأَمْرِ الْمُؤْمِنِ إِنَّ أَمْرَهُ كُلَّهُ خَيْرٌ وَلَيْسَ ذَاكَ لأَحَدٍ إِلاَّ لِلْمُؤْمِنِ إِنْ أَصَابَتْهُ سَرَّاءُ شَكَرَ فَكَانَ خَيْرًا لَهُ وَإِنْ أَصَابَتْهُ ضَرَّاءُ صَبَرَ فَكَانَ خَيْرًا لَهُ ‏”‏ ‏.‏

Suhejbi r.a. Transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “E çuditshme është çështja e besimtarit. Çdo gjendje që ai kalon, mban mirësi për të dhe kjo i ndodh vetëm besimtarit dhe askujt tjetër. Nëse i qëllon diçka e mirë, ai e falënderon (Allahun) dhe kjo i sjell dobi, dhe nëse e godet e keqja ai tregohet i durueshëm dhe kështu (edhe) kjo i sjell dobi”.[7]

عَنْ أَنَسِ بْنِ مَالِكٍ، عَنْ رَسُولِ اللَّهِ ـ صلى الله عليه وسلم ـ أَنَّهُ قَالَ ‏ “‏ عِظَمُ الْجَزَاءِ مَعَ عِظَمِ الْبَلاَءِ وَإِنَّ اللَّهَ إِذَا أَحَبَّ قَوْمًا ابْتَلاَهُمْ فَمَنْ رَضِيَ فَلَهُ الرِّضَا وَمَنْ سَخِطَ فَلَهُ السُّخْطُ ‏”‏ ‏.‏

Enesi ibn Maliku r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Shpërblimet më të mëdha vijnë bashkë me sprovat e mëdha. Nëse Allahu e do ndonjë popull, ai e vë në sprovë. Ai që pajtohet me atë, ia tërheq kënaqësinë Allahut, ndërsa ai që tregohet i pakënaqur, ia tërheq zemërimin”.[8]

عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ، قَالَ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم ‏ “‏ مَا يَزَالُ الْبَلاَءُ بِالْمُؤْمِنِ وَالْمُؤْمِنَةِ فِي نَفْسِهِ وَوَلَدِهِ وَمَالِهِ حَتَّى يَلْقَى اللَّهَ وَمَا عَلَيْهِ خَطِيئَةٌ ‏”‏ ‏.‏

Ebu Hurejra r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Për aq kohë që besimtari dhe besimtarja do të vijojnë të rëndohen nga sprovat në veten, fëmijët dhe pasurinë e tyre, saqë e takojnë Allahun, ata nuk do të kenë asnjë mëkat me vete”.[9]

Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë:

“Njerëzit që nuk marrin asnjë pjesë nga hidhërimet dhe brengat e kësaj bote, e konsiderojnë veten të mbarë dhe fatlumë. Ata janë të paditur e të panjohur nga të fshehtat dhe të vërtetat e Alahut të Madhërishëm. … Natyra njerëzore është e tillë që për të arritur përsosmërinë, ajo kërkon të kalojë përmes dhimbjes. Nëse Allahu i Madhërishëm e vë dikë në sprovë, ai duhet ta shikojë atë si mirësi dhe favor prej Tij. Sprovat i forcojnë njeriut durimin dhe aftësinë për të qenë i kënaqur me caktimin e Allahut.

… Allahu i Madhërishëm është i Plotëfuqishëm mbi çdo gjë, por çfarë ndodh me ata që nuk sprovohen nga vështirësitë a fatkeqësitë. Ata janë të përhumbur pas kësaj bote me gjithë dëshirat e saj. Ata kurrë ngrejnë kokën lart dhe nuk e kujtojnë Zotin as nga harresa. Ata që thonë se nuk kanë kaluar asnjë sprovë, janë fatkeq, sepse duke pasur gjithmonë rehati e gëzime, ata bëjnë një jetë shtazore.

… Përmes kësaj dukurie, e cila gjendet e gërshëtuar në natyrën e njeriut, Allahu i Madhërishëm manifeston realitetin e kësaj dynjaje, me lloj-lloj gjëmash e fatkeqësish. Edhe lutjet shfaqin shenja dhe rezultate të çuditshme në kohë sprovash”.[10]

Ai gjithasthu shkruan:

“Të dini se ka dy rrugë për të arritur mirësinë e Allahut. E para kalon përmes ibadetit, vetëmohimit dhe përpjekjeve ndërsa e dyta kalon përmes kaderit dhe caktimit. Rruga e përpjekjeve është mjaft e mundimshme, sepse për këtë robi vetë duhet të lëndojë e të dobësojë trupin e tij. Në përgjithësi, natyra njerëzore është e prirë të mos e çojë veten qëllimisht para vështirësive, ndërsa ngjarjet dhe fatkeqësitë që e godasin njeriun përmes kaderit dhe caktimit, ndodhin papritmas. Kur ato e godasin njeriun, ai nuk ka qare dhe i duhet të përballojë ato medoemos, dhe kështu kjo bëhet shkas për pastrimin e tij shpirtëror”.[11]

Allahu na mundësoftë ta kuptojmë e të forcojmë këtë lidhje miqësore që ekziston midis Zotit dhe robit. Allahu na mundësoftë të pranojmë çdo vështirësi e sprovë me kënaqësi dhe ta bëjmë atë si një mjet për të përparuar drejt Tij! Amin
Image: Freepik


[1] Kurani Famëlartë 2:156-157
[2] Kurani Famëlartë 2:125
[3] Kurani Famëlartë 29:3
[4] Kurani Famëlartë 40:60
[5] Kurani Famëlartë 17:84
[6] Kurani Famëlartë 41:60
[7] Sahihu i Muslimit, #2999
[8] Sunen Ibni Maxha, #4031
[9] Xhami’ at-Tirmidhi, # 2399
[10] Melfuzat, vëll. 2, f. 146-147
[11] Gazeta el-Bedr, vëll. 3, numër 13, 16 gusht 1904, f. 3,4

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp