Përgjegjësia e emigrantëve muslimanë ahmedianë | Alislam.al
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Përgjegjësia e emigrantëve ahmedianë

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Spanja është një ndër vendet perëndimore, megjithatë për sa i përket qëndrueshmërisë fiskale, konsiderohet ndër vendet më pak të konsoliduara. Edhe pse mundësitë e punës, të ardhurat dhe standardi i jetës janë më të ulëta se vendet e tjera evropiane si Francë, Gjermani apo Angli, gjendja socio-ekonomike është më e lartë se Pakistani. Kjo është arsyeja përse një numër i madh njerëzish vijnë këtu nga Pakistani për të gjetur punë apo për aktivitetet tregtare. Ndërsa ahmedianët e Pakistanit që shkojnë në kurbet kanë vetëm dy arsye që i shtyjnë ata për t’u larguar nga atdheu i tyre. Arsyeja kryesore është vendosja e sanksioneve në praktikën e besimit dhe mungesa e lirisë fetare, ndërsa arsyeja e dytë është përmirësimi i gjendjes ekonomike.

Shumica e të ardhurve, të cilët kërkojnë azil politik apo vizë të përhershme në këto vende tregojnë se ata nuk kanë mundësi të deklarojnë veten si muslimanë sipas bindjeve të tyre fetare, apo të kryejnë lirisht ritualet fetare. Disa prej këtyre azilkërkuesve rrëfejnë vetëm realitetin, por ka edhe të tillë që e ekzagjerojnë atë për t’iu përshtatur qëllimit të tyre. Unë kam tërhequr vëmendje disa herë ndaj kësaj çështjeje që ata duhet të tregojnë vetëm të vërtetën dhe të përshkruajnë sesi nëpërkëmben të drejtat tona në Pakistan në emër të fesë. Edhe nëse ata shprehin vetëm kaq se kanë të pamundur të jetojnë në këto rrethana përballë një trysnie e torture të vazhdueshme psikologjike, jam i bindur që administrata apo gjykatësit mirëkuptojnë vuajtjen e tyre. Sinqeriteti i tyre i ndihmon ata për të fituar mbështetjen dhe dhembshurinë e gjykatësve. Prandaj, azilkërkuesit ahmedianë nuk kanë nevojë t’i ekzagjerojnë faktet thjesht duke iu bindur avokatëve apo personave të tjerë. Po kështu, të gjitha dëshmitë apo ngjarjet që dokumentohen në procesverbal duhet të jenë në një linjë, pa asnjë ndryshim apo kontradiktë. Askush nuk duhet të ndryshojë dëshminë, duke u ngjallur dyshime autoriteteve.

Allahu i Madhërishëm ka krahasuar gënjeshtrën me idhujtarinë. Nuk pritet assesi që një ahmedian të bëjë shirk, prandaj ai duhet t’i shmanget gënjeshtrës në çdo situatë. Nuk mundet që robi i cili dëshmon se i bindet plotësisht njëshmërisë së Zotit, i nënshtrohet rrugës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe i beson Mesihut të Premtuar, të mos i shmanget gënjeshtrës, e cila është ndër mëkatet më të mëdha. Prandaj, çdo musliman ahmedian duhet të analizojë veten se a mos vallë po bën një veprim thjesht për t’i fituar interesat personale, i cili na bën fajtor në sy të Zotit. Përderisa kemi lënë vendin tonë vetëm për të mbrojtur besimin dhe për t’iu përmbajtur dispozitave fetare, atëherë ne duhet t’u japim epërsi urdhrave të Zotit mbi çdo gjë tjetër. Duhet të shohim se cilat janë prioritetet tona duke qenë muslimanë ahmedianë? Nëse prioritetet tona nuk përputhen me urdhrat e Zotit, atëherë kemi humbur qëllimin e këtij emigrimi. Por nëse përparësitë dhe interesat tona të përgjithshëm përkojnë me vullnetin e Zotit, atëherë kemi arritur jo vetëm objektiven e këtij mërgimi, por edhe mirësitë e Zotit. Nëse ne mbështetemi në gënjeshtër dhe dynjanë e kemi bërë qëllimin e jetës sonë, atëherë ne kurrë nuk mund të gëzojmë favoret e Allahut. Ata që besojnë në njëshmërinë e Allahut, e adhurojnë Atë, dhe kanë kuptuar qëllimin e jetës së tyre, synimi i tyre parësor është të fitojnë pëlqimin e Tij. Ne s’duhet të harrojmë që kjo botë me shkëlqimet e saj nuk është objektivi i përpjekjeve tona dhe ajo assesi nuk mund të jetë qëllimi i ekzistencës së një besimtari. Nëse përpjekjet tona sillen rreth pëlqimit të Zotit dhe ne synojmë të arrijmë qëllimin e jetës, atëherë suksesi ynë është i garantuar. Ata që i afrohen Zotit, fitojnë të mirat shpirtërore e materiale. Zoti nuk i privon robërit e Tij të sinqertë nga të mirat materiale, për derisa ata synojnë pëlqimin dhe kënaqësinë e Tij nëpërmjet veprave të tyre. Allahu vetë na ka porositur që t’i drejtohemi Atij duke kërkuar mirësitë e dynjasë dhe të ahiretit. Ai thotë:

رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا حَسَنَةً وَفِي الْآخِرَةِ حَسَنَةً وَقِنَا عَذَابَ النَّارِ

O Allah! Dhurona mirësi në këtë botë dhe mirësi në ahiret dhe mbrona nga dënimi i zjarrit. (Kurani Famëlartë 2:202)

Hazret Mesih i Premtuar a.s. ka thënë:

“Njeriut i lipsen dy gjëra për t’ia gjetur lumturinë vetes. Së pari, të ruajë veten nga çfarëdo sprovash dhe vështirësish që has në këtë jetë kalimtare. Së dyti, t’u shmanget ligësisë, prapësive dhe sëmundjeve të tjera shpirtërore që e largojnë atë nga Zoti. Pra, dy janë sfidat: sprovat dhe vështirësitë e kësaj jete apo sprovat dhe vështirësitë shpirtërore. Mirësia e kësaj bote është që të ruajë veten nga çdo sprovë, shthurje apo poshtërsi qoftë fizikisht apo shpirtërisht. Allahu ka thënë رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا حَسَنَةً Këtu fjala rrabana është treguese ndaj pendimit. Njeriu kur i nënshtrohet Zotit me bindje të plotë, atëherë i drejtohet duke thënë رَبَّنَا Zoti ynë. Kjo tregon se ai është zhgënjyer dhe ka humbur besim në zota të tjerë, që kishte sajuar përpara, dhe tashmë i është afruar Zotit të vërtetë. Kjo fjalë nuk mund të burojë nga zemra, derisa njeriu nuk përjeton mallëngjim dhe përshpirtshmëri të vërtetë. Në të vërtetë, njeriu sajon zota të ndryshëm. Ai beson fuqimisht në dredhitë dhe intrigat e veta sikur janë zota për të. Nëse krenohet për njohurinë apo fuqinë, ato bëhen perëndi për të, ndërsa nëse mburret për bukurinë apo pasurinë, atëherë, ato bëhen zota për të. Janë një sërë elementesh që janë ngjitur me të, por derisa nuk heq dorë prej tyre, e derisa nuk përkulet para Atij Zoti të Vetëm e të Pashoq, i Cili është i Vërtetë dhe Absolut, dhe derisa nuk bie në pragun e Tij duke lëshuar thirrjen رَبَّنَا Zoti ynë me një zë mallëngjyes e të thekshëm, njeriu ende nuk e ka njohur Zotin e vërtetë. Kur njeriu pendohet duke pranuar të gjitha mëkatet e tij me një mallëngjim e keqardhje të thellë, dhe i drejtohet duke thënë “O Zoti ynë! Vetëm Ti ishe zoti i vërtet dhe Absolut, por unë sorollatesha në humbësirë për fajin tim. Unë kam hequr dorë nga të gjithë zotat e rremë dhe perënditë false, dhe të nënshtrohem vetëm Ty me sinqeritet dhe përkulem para Teje”.

Mesihu i Premtuar a.s. dëshiron që ne ta arrijmë këtë shkallë të nënshtrimit ndaj Zotit, adhurimit të Tij dhe të ndërgjegjësimit ndaj qëllimit të jetës sonë. Duke adhuruar Zotin dhe duke iu lutur Atij në këtë mënyrë, do të fitojmë mirësitë e kësaj jete por edhe të ahiretit. Në këtë shkallë, robi kërkon të mirat e kësaj jete me qëllim që të arrijë të mirat e paskësajme. Për shembull, nëse gëzon shëndet, njeriu mund të adhurojë Zotin në mënyrë më të mirë. Nëse posedon pasuri, ai mund ta sakrifikojë atë për hir të fesë së Zotit si dhe në dobi të njerëzimit.

Ne gjithmonë duhet të dimë që çdo përpjekje e sinqertë në këtë drejtim varet nga përkushtimi ynë për t’iu përgjigjur qëllimit të jetës. Allahu ka thënë:

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ

… Unë kam krijuar xhindin dhe njeriun vetëm të më adhurojnë Mua. (Kurani Famëlartë 51:57)

Nëse vështrojmë porositë e Zotit, të gjitha ato njëra-pas-tjetrës na vetëdijësojnë për njohjen e Zotit. Punët e përditshme nuk duhet të na pengojnë nga kujtimi i Allahut e as që dëshirat tona të bëhen qëllimi i jetës sonë. Mesihu i Premtuar a.s. shtjellon këtë çështje në një vend tjetër. Ai shkruan:

“Allahu ka thënë “Unë kam krijuar xhindet dhe njeriun me qëllim që ata të më njohin dhe të adhurojmë Mua”. Ky ajet tregon se qëllimi i vërtetë i jetës së njeriut është adhurimi, njohja dhe nënshtrimi ndaj Zotit. Dihet që njeriu nuk mund t’i caktojë vetes qëllimin e jetës, sepse ai as nuk lind me dëshirë e as nuk vdes me dëshirë. Ai është thjesht një krijesë. Ndërsa Ai që e krijoi njeriun, dhe i dha aftësitë më të mira dhe më të veçanta në krahasim me krijesat e tjera, dhe e quajti krijesën më të dalluar, i caktoi një qëllim në jetë. Njeri daç e kupton, daç nuk e kupton, padyshim qëllimi i jetës njerëzore është vetëm adhurimi, njohja dhe nënshtrimi ndaj Zotit.

Kur njeriu ndërgjegjësohet për këtë qëllim, ai bëhet besimtar i vërtet dhe të mirat e kësaj jete i shërbejnë si mjet për ta arritur këtë qëllim. Duhet që aftësitë mendore, fuqia fizike, mirëqenia materiale, shpikjet bashkëkohore nuk duhet të devijojnë njeriun nga qëllimi i tij. Pra, shëndeti, pasuria, aftësitë tona dhe shkëlqimi i kësaj jete nuk duhet të na shkallojnë nga mendtë që të harrojmë misionin tonë në jetë.

Siç kam thënë, shumica e ahmedianëve kanë ardhur këtu për shkak të besimit dhe mungesës së lirisë fetare në vendlindjen e tyre. Çdo musliman ahmedian nuk duhet të harrojë që jemi ata të cilët deklarojnë që Mesihu i Premtuar, në kohën e të cilit duhet të lindte dielli i Islamit pas një periudhe të errët, dhe i cili duhet të shpinte muslimanët nga errësira e bidateve drejt dritës së Islamit të vërtetë, ka ardhur.

Çdo musliman ahmedian që vjen në këto vende, ka obligim që të bëjë gjithçka që është e mundur për ta përmbushur këtë detyrë të rëndësishme. Çfarë është kjo detyrë? Çdo musliman ahmedian, kudo që ndodhet, duhet të informojë të tjerët përqark tij se çfarë është Islami i vërtetë? Veprat, morali dhe bindja ndaj Zotit të çdo ahmediani duhet të jenë shembullore, që të tërheqin dhe të tjerët ndaj Islamit. Këta shembuj jo vetëm që do të dallojnë ahmedianët nga të tjerët por kjo do të kontribuojë në çeljen e rrugëve të reja të promovimit të mesazhit tonë. Çdo musliman ahmedian jo vetëm që duhet të kuptojë qëllimin e jetës së tij, por ai gjithashtu duhet të nxisë dhe të tjerët ndaj këtij vetëdijesimi. Ne duhet të sensibilizojmë botën që të mirat e kësaj bote, nuk duhet të shërbejnë për të distancuar njeriun prej Zotit, por si mjet për ta afruar më pranë Zotit. Ne duhet t’u themi që të sillen me vetëpërmbajtje, përndryshe i pret shkatërrimi. Para 4 apo 5 vjetësh, askujt nuk i shkonte mendje për një shkatërrim me përmasa globale, madje ata nuk donin të pranonin një kërcënim të tillë. Ndërsa sot, rrethanat kanë ndryshuar kryekëput. Vendet Perëndimore kujtojnë se zhvillimi i tyre material, do t’i mbrojë ato nga pasojat e këtij shkatërrimi. Ata mendojnë që edhe nëse pasojnë diçka, ata do të jenë në gjendje për të dalë nga situata, por ky është gabimi i tyre. Pas luftërave, vendet e zhvilluara dhe të konsoliduara do të përqendrohen në rimëkëmbjen e ekonomisë së tyre. Ndërsa, ato vende që janë relativisht të dobëta nga ana ekonomike, mund të kalojnë në një situatë akoma më të rëndë.

Muslimanët ahmedianë duhet të tërheqin pëlqimin e Zotit me anë të lutjeve dhe veprave konkrete. Është vetëm mirësia e Allahut, që mund të ruajte botën nga shkatërrimi, dhe për të tërhequr mirësinë e Allahut, ne duhet të ndjekim dhe të zbatojmë porositë e Tij.

Çdo musliman ahmedian duhet të kuptojë se vetëm pranimi i Mesihut të Premtuar a.s. nuk e bën atë të denjë për të fituar mirësitë e kësaj jete apo të ahiretit, apo ta mbrojë atë nga dënimi i zjarrit. Besimi në Mesihun e Premtuar a.s. na ngarkon me përgjegjësinë për t’iu përmbajtur pëlqimit të Allahut. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka shkruar:

Mbani mend që vetëm bejt (anëtarësimi në xhemat) nuk vlen e Allahu nuk kënaqet prej tij derisa ne nuk përmbushim qëllimin e tij. Ju duhet të bëni çdo përpjekje për të arritur qëllimin kryesor të bejtit. Çfarë është qëllimi i tij kryesor? Duhet të përvetësoni druajtje. Lexoni Kuranin Famëlartë me vëmendje, reflektoni mbi porositë e tij dhe zbatoni ato. Allahu nuk kënaqet kurrë thjesht nga fjalët dhe llafet boshe. Për të fituar pëlqimin e Allahut, lipset të ndiqen porositë e Tij dhe të respektohen ndalimet e Tij. Kjo është e kuptueshme, sepse edhe njeriu nuk kënaqet me llafet e kota, por ndihet i lumtur nga shërbimi. Këtu qëndron dallimi midis muslimanit të sinqertë dhe të rremë. Muslimani i rremë merret me pallavra, por nuk bën asgjë, ndërsa muslimani i vërtetë bën vepra dhe nuk merret me fjalë të zbrazëta. Kur Allahu vështron robin e Tij, duke adhuruar Atë, duke treguar dhembshuri ndaj krijesës së Tij, Zoti i zbret engjëjt dhe kështu dallon të vërtetin nga i rremi.

Prandaj, secili nga ne duhet të bëjë përpjekje të sinqerta për t’u bërë një musliman i vërtetë. Duhet të marrim dobi nga mirësitë dhe dhuntitë e kësaj bote, që të na shërbejnë për të fituar mirësitë e ahiretit. Allahu i bëftë adhurimet tona të denjë në sy të Tij. Nëse jemi detyruar të mërgojmë nga atdheu ynë për shkak të shtrëngimeve, tashmë duke ardhur në këto vende, duhet të zbatojmë këto dispozita fetare në mënyrën më të pëlqyeshme. Allahu na mundësoftë dhe na ndihmoftë. Amin

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp