
Le të shohim në vijim se çfarë argumentesh të bukura e të përsosura ka dhënë Kurani Famëlartë për ekzistencën e Zotit. Në një ajet të tij, ai thotë:
رَبُّنَا الَّذِیۡۤ اَعۡطٰی کُلَّ شَیۡءٍ خَلۡقَہٗ ثُمَّ ہَدٰی 1
Zoti ynë është Ai që çdo gjë që krijoi i dha aftësitë e duhura, më pas e udhëzoi drejt përsosmërive të saj.
Nisur nga ky ajet, nëse studiojmë të gjitha gjallesat ujore e tokësore, si dhe shpendët dhe format e tyre, na del në pah krijimtaria e Zotit, dhe se forma e çdo gjëje përputhet me natyrën dhe gjendjen e saj. Lexuesit le ta përsiatin vetë këtë temë, sepse ajo është shumë e gjerë.
Argumenti i dytë që jep Kurani Famëlartë për ekzistencën e Zotit është se Ai është shkaku i të gjitha shkaqeve, siç e thotë:
وَ اَنَّ اِلٰی رَبِّکَ الۡمُنۡتَہٰی 2
Pra, thotë se fundi i gjithë zinxhirit të shkaqeve e të pasojave është te Zoti yt. Nëse thellohemi pak në këtë argument, mësojmë se të gjitha gjërat janë të lidhura me një zinxhir shkak-pasojë. Për këtë arsye kanë dalë lloj-lloj dijesh në botë, sepse asgjë nuk është jashtë sistemit të krijesave. Disa prej tyre janë trungje dhe disa të tjera janë degë. Dihet që shkaku ose lind vetvetiu, ose varet nga një shkak tjetër, dhe ky i fundit nga një tjetër e kështu me radhë. Gjithashtu, nuk mundet që në këtë botë të kufizuar, zinxhiri i shkaqeve dhe i pasojave të mos ketë një fund. Andaj, diku do të përfundojë ky zinxhir. Pikërisht ky fund është Zoti. Lexoni me vëmendje se si ajeti:
وَ اَنَّ اِلٰی رَبِّکَ الۡمُنۡتَہٰی 3
“Dhe sigurisht, te Zoti yt është fundi.”, me shumë pak fjalë ju parashtron këtë argument.
Duke dhënë një argument tjetër të ekzistencës së Tij, Zoti i Madhërishëm thotë:
لَا الشَّمۡسُ یَنۡۢبَغِیۡ لَہَاۤ اَنۡ تُدۡرِکَ الۡقَمَرَ وَ لَا الَّیۡلُ سَابِقُ النَّہَارِ ؕ وَ کُلٌّ فِیۡ فَلَکٍ یَّسۡبَحُوۡنَ 4
Dielli nuk mund ta kapë hënën dhe as nata që është pasqyra e hënës, nuk mund të ketë kontroll mbi ditën, që është pasqyra e diellit. Pra, asnjë prej tyre nuk del jashtë kufijve të vet. Po të mos ishte një Planifikues mbrapa tyre, gjithçka do të rrokullisej.
Ky argument është shumë i dobishëm për ata që studiojnë kozmosin, sepse trupat qiellorë që janë të panumërt dhe madhështorë, edhe sikur të pësonin qoftë edhe një shtrembërim të vogël, e gjithë bota do të shkatërrohej. Çfarë fuqie i mban ata që të mos përplasen me njëri-tjetrin, që të mos ndryshojnë shpejtësinë për asnjë fije dhe të mos konsumohen duke punuar prej kaq shumë kohe?! Pa pasur një Mbrojtës sipër, a mund të punojë gjithë ky sistem kaq madhështor për kaq shumë kohë?! Duke treguar pikërisht këtë urtësi, në një ajet tjetër Zoti i Madhërishëm thotë:
اَفِی اللّٰہِ شَکٌّ فَاطِرِ السَّمٰوٰتِ وَ الۡاَرۡضِ 5
A mund të ketë dyshim në Qenien e Zotit, që krijoi qiej të tillë dhe Tokë të tillë?! Duke dhënë edhe një argument të bukur, Ai thotë:
کُلُّ مَنۡ عَلَیۡہَا فَانٍ ﴿ۚۖ۲۷﴾ وَّ یَبۡقٰی وَجۡہُ رَبِّکَ ذُو الۡجَلٰلِ وَ الۡاِکۡرَامِ ﴿ۚ۲۸﴾ 6
Çdo gjë është e vdekshme dhe vetëm Zoti që zotëron madhështinë dhe nderin është Ai që mbetet.
Le të përfytyrojmë Tokën të thërrmohet dhe edhe trupat e tjerë qiellorë të copëtohen dhe të fryjë një erë e tillë, që të zhdukë çdo shenjë të tyre. Prapëseprapë, logjika pranon, madje ndërgjegjja e pastër e konsideron të domosdoshme, që pas gjithë këtij asgjësimi, diçka duhet të mbetet si e pavdekshme dhe e patjetërsueshme, e njëjtë me gjendjen e saj të mëparshme. Ky pikërisht është Zoti, që solli në dritë çdo gjë të vdekshme, kurse Vetë është i paprekshëm nga vdekja.
Duke dhënë një argument tjetër të ekzistencës së Tij në Kuranin Famëlartë, Ai thotë:
اَلَسۡتُ بِرَبِّکُمۡ ؕ قَالُوۡا بَلٰی 7
Unë i pyeta shpirtrat: A nuk jam Zoti juaj? Ato thanë: Patjetër që po.
Në këtë ajet, Zoti i Madhërishëm paraqet në formë tregimi vetinë që Ai ka lënë në shpirtrat, në gjenezën e tyre, dhe sipas kësaj vetie asnjë shpirt nuk mund ta mohojë Zotin e Madhërishëm. Kurse ata që e mohojnë, e mohojnë për shkak se nuk gjejnë ndonjë argument të ekzistencës së Tij sipas mendimit të tyre. Por pavarësisht nga mohimi, ata besojnë se çdo gjë që është e krijuar, ka nevojë për një krijues. Nuk ka njeri në botë me mendje të shëndoshë, që kur i shfaqet ndonjë sëmundje në trup, të ngulmojë se ajo i ka dalë pa asnjë shkak. I gjithë ky sistem po të mos ishte i lidhur me një zinxhir shkak-pasojë, do të ishte e pamundur të parashikonim kohën e përmbytjeve ose të tornadove, të eklipseve diellore ose hënore; do të ishte e pamundur të thoshim se pas kaq kohe ky i sëmurë do të vdesë, ose pasi kalon kaq kohë me këtë sëmundje, ai do të ketë sëmundjen tjetër, etj.. Kështu që, një studiues i tillë që pavarësisht se nuk beson në Zot, në një farë mënyre ai edhe ka besuar, për sa kohë që ashtu si ne, kërkon shkakun e pasojave. Edhe ky është një lloj pranimi, ndonëse jo i plotë. Përveç kësaj, një mohues të Zotit nëse me ndonjë metodë e bën pa ndjenja, në mënyrë që të shkëputet nga mendimet e ulëta dhe dëshirat tokësore dhe ai i gjithi të mbetet nën kontrollin e Qenies Supreme, ai do të pohojë përbrenda ekzistencën e Zotit dhe nuk do ta mohojë Atë, siç dëshmon përvoja e studiuesve të mëdhenj të kësaj fushe. Pikërisht për këtë gjendje flet ajeti i mësipërm dhe kuptimi i tij është se mohimi i ekzistencës së Zotit qëndron vetëm në gjendjen ku njeriu është i rrethuar me tundime, përndryshe ndërgjegjja e pastër është e mbushur me pohimin e Tij.
[1] “Zoti ynë është Ai që i dha çdo gjëje formën e saj e më pas e përudhi.” (TaHa 20:51).
[2] “Dhe sigurisht, te Zoti yt është fundi.” (En-Nexhm 53:43).
[3] En-Nexhm 53:43.
[4] “Dielli nuk ka mundësi ta kapë hënën dhe as nata nuk ka për ta parakaluar ditën. Gjithçka noton në një orbitë (të vet).” (JaSin 36:41).
[5] “A dyshoni në Allahun, Krijuesin e qiejve e të tokës?!” (Ibrahim 14:11).
[6] “Gjithçka që është mbi këtë (Tokë), do të zhduket. Dhe do të mbetet vetëm Qenia e Zotit tënd, që zotëron madhështinë dhe nderin.” (Er-Rahman 55:27-28).
[7] ““A nuk jam Zoti juaj?” Ata thanë: “Po, patjetër””. (El-A’raf 7:173).