
ISLAMI
Ligjëratë e shkruar nga Hazret Mirza Ghulam Ahmed, kryetar i Kadijanit, dhe lexuar nga i nderuari Mauvli Abdul Kerim Sijalkoti në “D’herm Mahotsav”, në Konferencën e Madhe të Feve, në Lahor, më 27 dhjetor të vitit 1896.
بِسْمِ اللہِ الرَّحْمٰنِ الرَّحِیْمِ نَحْمَدُہٗ وَ نُصَلِّیْ عَلیٰ رَسُوْلِہِ الْکَرِیْمِ
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit
Atë e lavdërojmë dhe i dërgojmë salavate të Dërguarit të Tij fisnik
Pohimi dhe argumenti duhet të jenë nga Libri i Shenjtë
Sot, në këtë konferencë të bekuar, qëllimi i së cilës është që folësit e saj të tregojnë të mirat e feve të tyre, duke iu përmbajtur pyetjeve të përcaktuara, unë do të tregoj bukuritë e fesë Islame. Para se të nis fjalimin tim, e shoh të udhës t’ju tregoj se për çdo gjë që paraqes këtu, kam ndjekur parimin që t’i referohem Kuranit Famëlartë, Fjalës së Pastër të Zotit të Madhërishëm. Sepse, sipas meje është shumë e domosdoshme që ai që ndjek një libër, të cilin e quan Hyjnor, të përgjigjet duke iu referuar vetëm atij dhe kompetencën në mbrojtje të Librit ta ushtrojë duke mos u zgjeruar aq shumë sa të lërë përshtypjen se po harton një libër të ri.
Kështu që, jam caktuar të tregoj bukuritë e Kuranit Famëlartë e të shfaq meritat e tij, andaj, është mirë të paraqes çdo pohim në përputhje me shenjat, shpjegimet ose ajetet e tij, në mënyrë që pjesëmarrësit të mund ta kenë të lehtë ta krahasojnë atë me fetë e tjera.
Duke qenë se çdo folës do t’i përmbahet Librit të shpallur që beson dhe do të tregojë vetëm gjërat që janë përmendur në Librin e tij të shenjtë, edhe unë, në këtë mbledhje, nuk do të sjell hadithe.[1] Sepse të gjitha hadithet e vërteta burojnë pikërisht nga Kurani Famëlartë, i cili është Libri më i përsosur që përmbledh të gjithë librat e tjerë. Pra, sot është dita kur do të shfaqet madhështia e Kuranit dhe i lutem Zotit që Ai të më ndihmojë në këtë punë. Amin!
[1] Hadithet janë thëniet e Profetit Muhammed, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të.