
Në fazën e tretë të zhvillimit të njeriut, Kurani Famëlartë synon që njeriu të kridhet në dashurinë dhe pëlqimin e Krijuesit të tij të Vërtetë, derisa e gjithë qenia e tij të bëhet e Zotit. Feja e muslimanëve është quajtur islam nga Zoti pikërisht për të kujtuar këtë nivel të lartë, sepse fjala islam do të thotë t’i nënshtrohesh Zotit, të bëhesh tërësisht i Tij, derisa të mos mbetet asgjë për vete. Allahu i Madhërishëm, në Kuranin Famëlartë, thotë:
بَلٰی ٭ مَنۡ اَسۡلَمَ وَجۡہَہٗ لِلّٰہِ وَ ہُوَ مُحۡسِنٌ فَلَہٗۤ اَجۡرُہٗ عِنۡدَ رَبِّہٖ ۪ وَ لَا خَوۡفٌ عَلَیۡہِمۡ وَ لَا ہُمۡ یَحۡزَنُوۡنَ 1
قُلۡ اِنَّ صَلَاتِیۡ وَ نُسُکِیۡ وَ مَحۡیَایَ وَ مَمَاتِیۡ لِلّٰہِ رَبِّ الۡعٰلَمِیۡنَ ﴿۱۶۳﴾ۙ لَا شَرِیۡکَ لَہٗ ۚ وَ بِذٰلِکَ اُمِرۡتُ وَ اَنَا اَوَّلُ الۡمُسۡلِمِیۡنَ 2
وَ اَنَّ ہٰذَا صِرَاطِیۡ مُسۡتَقِیۡمًا فَاتَّبِعُوۡہُ ۚ وَ لَا تَتَّبِعُوا السُّبُلَ فَتَفَرَّقَ بِکُمۡ عَنۡ سَبِیۡلِہٖ 3
قُلۡ اِنۡ کُنۡتُمۡ تُحِبُّوۡنَ اللّٰہَ فَاتَّبِعُوۡنِیۡ یُحۡبِبۡکُمُ اللّٰہُ وَ یَغۡفِرۡ لَکُمۡ ذُنُوۡبَکُمۡ ؕ وَ اللّٰہُ غَفُوۡرٌ رَّحِیۡمٌ 4
Kuptime: I shpëtuar është ai që paraqet tërë qenien e vet si një kurban për hir të Zotit në rrugën e Tij, dhe jo vetëm me synimin, por edhe me veprat e mira e vërteton besnikërinë e tij. Ai që e bën një gjë të tillë, e pret shpërblimin te Zoti. Njerëzit e tillë nuk do të kenë as frikë e as pikëllim. Thuaj:
“Namazi im, sakrifica ime, jeta ime dhe vdekja ime janë për Atë Zot, që është Mbajtësi i të gjitha botëve. Askush dhe asgjë nuk shoqërohet me Të. Krijesat nuk kanë asnjë lloj ortakërie me Të. Unë kështu jam urdhëruar dhe jam i pari për t’iu përmbajtur kuptimit të Islamit e për t’u sakrifikuar në rrugën e Zotit. Kjo është rruga ime. Pra, ejani dhe ndiqeni rrugën time dhe mos merrni rrugë tjetër kundër saj, sepse do të largoheni nga Zoti”.
Thuaju:
“Nëse kërkoni dashurinë e Zotit, më ndiqni mua! Ndiqeni rrugën time, që t’ju dojë Zoti edhe ju dhe t’jua falë mëkatet. Me të vërtetë, Ai është shumë Mëkatfalës dhe shumë Mëshirëbërës”.
[1] “Jo! E vërteta është se kushdo që ia dorëzon veten Allahut dhe është mirëbërës, do ta ketë shpërblimin e tij te Zoti i tij. Njerëzit e tillë nuk do të kenë as frikë e as nuk do të pikëllohen.” (El-Bekare 2:113)
[2] “Thuaju: Sigurisht, namazi im, sakrificat e mia, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka ortak. Unë për këtë jam urdhëruar dhe jam i pari nga të nënshtruarit (muslimanët).” (El-En’am 6:163-164)
[3] “(Porositi gjithashtu): Sigurisht, kjo është rruga ime e drejtë, andaj këtë ndiqni dhe mos ndiqni rrugë të tjera, sepse ato ju largojnë nga rruga e Tij.” (El-En’am 6:154)
[4] “Thuaj: Nëse e doni Allahun, më ndiqni mua, Allahu do t’ju dojë dhe do t’ju falë gjynahet tuaja. Allahu është shumë Falës, Mëshirëbërës.” (Al Imran 3:32)