Arshi i Tij është mbi ujë - Komentim i Kuranit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Arshi

Ai është që krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë. Arshi i tij është mbi ujë, që Ai t’ju sprovojë se cili prej jush është më i miri në vepra. Dhe nëse do t’u thuash: “Ju përnjëmend do të ringjalleni pas vdekjes”, mohuesit me siguri do të të thonë: “Ky është vetëm një mashtrim i hapur!” (Kurani Famëlartë 11:8)

Komentim:

Zoti thotë se shikoni sesi Ai ka sistemuar krijimin botës dhe përparimin shkallëzor të saj, për të krijuar më në fund njeriun! A nuk tregon kjo që qëllimi i krijimit të kësaj bote është njeriu? Mendoni një herë se përse njeriu duhet të ishte qëllimi kryesor i krijimit? Pa dyshim, për shkak të aftësive të tij shpirtërore. Si mundet atëherë që Allahu i Madhërishëm t’i shmangë këto aftësi të tij, duke mos krijuar asnjë mjet për zhvillimin e tyre?

Arshi (Froni) i tij është mbi ujë: Kurani Famëlartë, në ajete të ndryshme, pohon se uji është baza e jetës. Siç thotë:

“A nuk ju kemi krijuar nga një ujë i pavlerë?!”[1]

“Prandaj, le të shohë njeriu se me çfarë është krijuar. Ai është krijuar me një ujë shpërthyes”.[2]

“Ai është që krijoi njeriun prej ujit dhe bëri për të (familje) të trungut atëror dhe të trungut të bashkëshortes”.[3]

“A nuk kanë parë ata se qiejt dhe toka kanë qenë të mbyllura fort, pastaj Ne i çamë ato dhe çdo gjë krijuam me ujë?! A nuk besojnë ata?!”[4]

Kështu, Kurani Famëlartë në mënyrë të përsëritur ka pohuar se jeta është krijuar nga uji. Prandaj, fjalët “Arshi i Tij është mbi ujë” nënkuptojnë se atributet e përsosure të Zotit janë shfaqur përmes krijimit të jetës. Pa dyshim, manifestimi i atributeve të Zotit për ne është bërë përmes krijimit të njeriut, i cili është hallka e fundit të jetës. Këtë e vërtetojnë edhe fjalët “që Ai t’ju sprovojë se cili prej jush më i miri në vepra”. Arshi po të ishte në ujë të zakonshëm, çfarë lidhjeje do të kishte kjo me testimin e veprave të njeriut? Kurse sipas kuptimit që është parashtruar më sipër, të dyja pjesët e ajetit ndërthuren natyrshëm. Manifestimin e atributeve të Tij, Zoti i Madhërishëm e lidhi me gjallesat (kryesisht njeriun), që të nxjerrë në pah se kush prej njerëzve do të përparojë, duke përfituar nga atributet e Tij.

Pohimi “që Ai t’ju sprovojë se cili prej jush është më i miri në vepra” gjithashtu nënkupton se njeriu është krijuar që të bëhet pasqyrë e atributeve të Zotit. Ky pikërisht mund të jetë kuptimi i këtij pohimi, për sa kohë që përpara tij thuhet se Arshi i Tij gjendet mbi ujë”. Pra, me një fjalë, Zoti thotë se Unë shfaq vetitë e Mia që ju të veproni sa më mirë, duke i imituar ato.

Arshi i Tij gjendet mbi ujë” gjithashtu nënkupton një mesazh që Zoti i jep njeriut: Për sa kohë që Sundimi im shtrihet në çdo hallkë të jetës sate, si mund të dalësh jashtë tij?

Një kuptim tjetër të “Arshi i Tij gjendet mbi ujë”, është që manifestimin e atributeve të Tij, Zoti i Madhërishëm e bën përmes shpalljes ose fjalës së Tij. Kurani Famëlartë disa herë përmend ngjashmërinë e fjalës hyjnore me ujin. Prandaj, mundet që, në këtë ajet, uji nënkupton fjalën hyjnore dhe kështu, Zoti u tha njerëzve: Unë manifestoj atributet e Mia me anë të fjalës Sime, që ju t’u kushtoni vëmendje veprave të mira. Bashkë me zhvillimin shpirtëror, po të mos bëhej edhe zhvillimi lëndor dhe material, shumë njerëz do të privoheshin nga përparimet shpirtërore. Prandaj, Zoti i Madhërishëm ka lënë si praktikë:

“Allahu ka vendosur që Unë dhe të dërguarit e Mi, do të ngadhënjejmë patjetër”.[5]

Kështu që, atyre që u zbret fjala e Zotit, ata dhe popujt e tyre me kalimin e kohës gëzojnë edhe epërsinë materiale, në mënyrë që të dalë në pah se si veprojnë pas pranimit të fjalës hyjnore.

Ky ajet tregon edhe konceptin e evolucionit nga këndvështrimi i Islamit. Allahu i Lartësuar thotë se Arshin e Tij e ka lënë mbi ujë, domethënë mbi vazhdimësinë e jetës, në mënyrë që gjallesat të garojnë me aftësitë e tyre dhe në fund të provohet se cila prej tyre është destinuar si qëllimi primar i jetës. Pra, qëllimi i krijimit të jetës në këtë botë ishte që të krijohej një qenie, e cila të ishte e aftë për të shfaqur format më të larta të jetës. Është e qartë, pra, se njeriu është krijuar në periudhën e fundit të një serie etapash të krijimit. Kështu që, Islami nuk e pranon konceptin se njeriu gjoja është specie e përparuar e dalë nga majmuni apo nga ndonjë gjallesë tjetër, por pa dyshim që pranon se jeta ka nisur rrugëtimin e saj nga faza e parë dhe shkallazi ka arritur në fazën e fundit, atë të krijimit të njeriut, ndonëse, që nga fillimi, synohej krijimi i njeriut.

Fjalët: Dhe nëse do t’u thuash: “Ju përnjëmend do të ringjalleni pas vdekjes …”, theksojnë se ky lloj krijimi qartazi tregon se njeriu do të ketë një jetë tjetër pas vdekjes, sepse krijimi i gjithësisë së pakufishme dhe jeta e njeriut në të, janë dëshmi që e gjithë kjo ka një arsye. Kur e shohim jetën e kësaj bote, na duket se ajo qenka një botë sprovash, dhe vendi i sprovës gjithmonë është i përkohshëm, ashtu siç salla e provimit nuk e mban studentin përgjithmonë, por vetëm deri sa të përfundojë provimi. Po ashtu, vendin e sprovës e mbizotëron e padukshmja ose fshehtësia, kurse vendin e shpërblimit e mbizotëron shfaqja, sepse kështu duhet. Edhe jetën e kësaj bote e mbizotëron e padukshmja, aq shumë saqë shumë njerëz e mohojnë edhe ekzistencën e Zotit. Kjo tregon qartë se dikush duhet ta nxjerrë njeriun nga ky vend i sprovave e të shpie në një vend shpërblimesh. Allahu i Madhërishëm thotë se shiko sa e çuditshme është kjo: kur u thua njerëzve se Zoti e ka krijuar universin në mënyrë të shkallëzuar dhe përfundimisht e ka krijuar njeriun dhe atë e ka bërë qëllimin e krijimit të gjithësisë, ata e pranojnë këtë fakt (teorinë e evolucionit e pranojnë edhe ateistët), por kur ua tregon edhe përfundimin logjik se jeta e njeriut nuk mund të përfundonte vetëm me jetën e kësaj bote, madje do të vazhdonte edhe pas vdekjes së tij, ata e refuzojnë këtë!

(Mirza Mahmum Ahmed, “Tefsir-e-Kebir”, vëll. 3, f. 148-150;
botimi i parë 1948; botimi aktual shkurt 2004)


[1] Kurani Famëlartë 77:21.
[2] Kurani Famëlartë 86:6-7.
[3] Kurani Famëlartë 25:55.
[4] Kurani Famëlartë 21:31.
[5] Kurani Famëlartë 58:22.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp