Përse bismil-lahi vjen para çdo sureje? Ja, pesë arsye
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e Allahut
  2. Shqiptimi dhe përkthimi
  3. Përse kapitujt e Kuranit quhen sure?
  4. Nëntë emrat e sures El-Fatiha
  5. Bibla bën profeci suren e parë të Kuranit, El-Fatiha, deri në detaje
  6. Emrat e sures El-Fatiha tregojnë tema të ndryshme të saj
  7. Bekimet e sures El-Fatiha
  8. Shtatë parime të pranimit të lutjes, të përmendura në El-Fatiha
  9. Surja më e madhe e Kuranit për nga kuptimi
  10. Zbritja e sures El-Fatiha
  11. Surja El-Fatiha është pjesë e Kuranit
  12. Surja El-Fatiha të thuhet në çdo rekat të çdo namazi
  13. Përmbledhje e komentimit të Sures El-Fatiha
  14. Kuptime leksikore të ajetit Bismil-lāhirr-Rrahmānirr-Rrahīm
  15. Bismil-lahi në krye të çdo sureje është shpallje e Zotit
  16. Argumente që bismil-lahi është pjesë dhe ajet i çdo sureje
  17. Përse bismil-lahi vjen para çdo sureje? Ja, pesë arsye
  18. Rëndësia e bismil-lahit
  19. Rreth bismil-lahit në Librat e mëparshëm dhe përgjigjja e një akuze
  20. Emri Allah është i përveçëm
  21. Përse është shtuar fjala “emër” në ajetin bismil-lah “në emër të Allahut”?
  22. Kuptime leksikore të ajetit: El-Hamdulil-lāhi Rabbil-‘ālemīn
  23. Komentim i ajetit: El-hamdulil-lāhi rabbil-ālemīn
  24. Komentim i ajetit: Err-Rrahmānirr-Rrahīm
  25. Komentim mbresëlënës i ajetit: Māliki jeumid-dīn – Sunduesi i Ditës së Gjykimit
  26. Renditje kuptimplote e katër emrave të Zotit të përmendura në El-Fatiha
  27. Kuptime leksikore të ajetit: Ijjāke na‘budu ve ijjāke neste‘īn
  28. Komentim i ajetit: Ijjāke na‘budu ve ijjāke neste‘īn
  29. Kuptime leksikore të ajetit: Ihdinas-sirātal-mustekīm
  30. Komentim i ajetit: Ihdinas-sirātal-mustekīm
  31. Kuptime leksikore të ajetit: Sirātal-ledhīne en‘amte ‘alejhim
  32. Komentim i ajetit: Sirātal-ledhīne en‘amte ‘alejhim – Një synim madhor për muslimanët
  33. Renditje shumë e bukur e ajeteve të sures El-Fatiha
Related Contents from Topics
bismilahi el-Fatiha

Arsyeja e parë – Kurani Famëlartë është një thesar

Bismil-lahi vjen para çdo sureje, sepse Kurani Famëlartë pohon se ai është një thesar, të cilin njeriu nuk mund ta hapë pa i kërkuar leje Allahut të Madhërishëm:

لَّا یَمَسُّہٗۤ اِلَّا الۡمُطَہَّرُوۡنَ

Atë nuk mund ta prekë askush, përveç atyre që janë të pastruar”.[1]

Pra, përveç atyre që i ka zgjedhur Zoti i Madhërishëm, të tjerët nuk mund t’i zbulojnë sekretet e Kuranit Famëlartë. Allahu i Madhërishëm gjithashtu thotë:

یُضِلُّ بِہٖ کَثِیۡرًا ۙ وَّ یَہۡدِیۡ بِہٖ کَثِیۡرًا

Ai, nëpërmjet Kuranit, shumë njerëz i devijon dhe shumë të tjerë i udhëzon”.[2]

Pra, në shkrim dhe në fjalë Kurani është njësoj për të gjithë, por në efekte është ndryshe. Lind pyetja: Çfarë duhet të bëjmë për ta zbuluar këtë thesar, për të pasur efekt pozitiv të tij dhe për t’iu shmangur efektit të tij negativ? Përgjigjen e jep vetë Kurani, duke na porositur:

فَاِذَا قَرَاۡتَ الۡقُرۡاٰنَ فَاسۡتَعِذۡ بِاللّٰہِ

Kur të recitoni Kuranin kërkojini mbrojtjen Allahut”[3],

dhe gjithashtu, duke vënë Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim para çdo sureje. Kjo do të thotë se para se të recitojmë Kuranin, së pari duhet t’i lutemi Zotit që të na mbrojë nga sulmet e djallit dhe së dyti, t’i kërkojmë ndihmë nëpërmjet atributeve të tij, I Gjithëmëshirshëm (Rrahman) dhe Mëshirëbërës (Rahim). Në këtë mënyrë ne do të shpëtojmë nga devijimi dhe do të gjejmë udhëzimin.

Arsyeja e dytë – argumentim ndaj hebrenjve dhe të krishterëve

Ka edhe një arsye tjetër që tregon se përse Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim vjen para çdo sureje, e cila është që në Bibël përmendet një profeci për ardhjen e një profeti të ngjashëm me Musain a.s., ndaj të cilit Zoti do të kishte një sjellje të veçantë. Bibla thotë:

“Unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t’u thotë atyre të gjitha ato që unë do t’i urdhëroj. Dhe do të ndodhë që, nëse dikush nuk i dëgjon fjalët e mia që ai thotë në emrin tim, unë do t’i kërkoj llogari”.[4]

Sipas kësaj profecie, për të ngjashmin e Musait a.s. ishte caktuar që sa herë që ai do të sillte fjalët e Allahut të Madhërishëm, do të pohonte shprehimisht “Unë këtë po jua them në emër të Zotit të Madhërishëm dhe jo nga ana ime”. Pra, kjo profeci kërkonte që çdo sure e Kuranit të fillonte me bismil-lahin, në mënyrë që të përmbushej profecia e Hazret Musait a.s. në njërën anë dhe, në anën tjetër, t’u jepej argument hebrenjve dhe të krishterëve se ata që nuk do ta dëgjonin këtë libër, sipas shpalljes së Musait a.s., do të tërhiqnin ndëshkimin e Zotit.

Arsyeja e tretë – vërtetësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.

Arsyeja e tretë se përse ky ajet është vendosur para çdo sureje, është përsëri një thënie e Biblës, që thotë:

Por profeti që pretendon të thotë në emrin tim një gjë për të cilën unë nuk e kam urdhëruar ta thotë, ose që flet në emër të perëndive të tjera, ai profet do të vritet”.[5]

Sipas këtij vargu biblik, çdokush që gënjen në emër të Zotit duke thënë se është i dërguar, Zoti do ta shkatërrojë atë. Me bismil-lahin para çdo sureje, hebrenjtë dhe të krishterët në veçanti dhe të gjithë të tjerët në përgjithësi ballafaqohen me argumentin se suksesi dhe përparimi i Profetit Muhammed s.a.v.s. edhe pas ekzistencës së një ligji të tillë të Zotit, tregon se çdo gjë që tha ai, ishte prej Zotit të Madhërishëm. Përndryshe, ai duhej shkatërruar. Shkurt, duke sjellë bismil-lahin para çdo sureje, sidomos hebrenjtë janë cilësuar plot 114 herë si fajtorë, dhe po aq herë Profeti Muhammed s.a.v.s. është cilësuar si profet i vërtetë. Po të ishte bismil-lahi vetëm në fillim të Kuranit, nuk do të sigurohej ky përfundim.

Arsyeja e katërt – udhëzim për lexuesit e Kuranit

Arsyeja e katërt e vendosjes së bismil-lahit para çdo sureje është reformuese. Lexuesi i Kuranit duhet të jetë në njërën prej tri gjendjeve: ai mund të jetë krejtësisht në padijeni, ose mund të ketë provokuar zemërimin e Zotit të Madhërishëm për shkak të ligësive që ka bërë dhe si i tillë mund të jetë i privuar nga ndonjë shtytje për t’i kërkuar bekimin Allahut, ose mund të jetë sakrifikues në rrugën e besimit.

Që të tre duhet të kenë ndjesi të ndryshme para se të lexojnë Kuranin. I pari mund të jetë i hutuar, i dyti i zhgënjyer dhe i treti mund të mburret për atë që ka bërë. I pari do të jetë i hutuar sepse nuk do të kuptojë se ku mund të gjejë të vërtetën. I dyti do të jetë i zhgënjyer dhe i brengosur sepse nuk do të ketë fytyrë t’i kërkojë Zotit. Dhe i treti mund të jetë i ndikuar nga mendimi se ka arritur gjithçka që kishte për të arritur.

Të tria këto gjendje të zemrës, e privojnë njeriun që të përfitojë nga Kurani. Prandaj, në krye të çdo sureje është vendosur Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim, në mënyrë që i padituri të udhëzohet se ekziston një Zot që bekon njerëzit, pa pasur në këmbim ndonjë vepër prej tyre. I humburi për shkak të veprave të liga që ka bërë, të ngushëllohet se nuk ka nevojë të zhgënjehet, sepse Ai Zot që ka zbritur këtë sure, është i gatshëm t’i falë të gjitha mëkatet. Kurse të tretit, që është krenar për sakrificat e tij, i është tërhequr vërejtja që thesaret e mëshirës së Zotit janë të pakufishme dhe se ai si kërkimtar, nuk duhet të ndalet në asnjë vend, sepse edhe përparimet janë të pakufishme.

Kuptimet e Kuranit që mund t’ju hapen pas një reforme të tillë të zemrës, nuk mund t’ju vijnë përpara saj. Andaj, duke e vendosur këtë ajet para çdo sureje, Zoti i Madhërishëm na mundësoi një mjet shumë të fuqishëm për të zbuluar kuptimet e Kuranit.

Arsyeja e pestë – çelësi i çdo sureje

Arsyeja e pestë se përse ky ajet është vendosur përpara çdo sureje është sepse ky është çelësi i çdo sureje. Të gjitha çështjet fetare e shpirtërore vërtiten rreth dy atributeve të Zotit, që janë i Gjithëmëshirshëm (Rrahman) dhe Mëshirëbërës (Rrahim). Mundësia e keqkuptimit ekziston në dy rrafshe: 1) keqkuptimi që del nga shpjegimi dhe 2) keqkuptimi që del nga përmbledhja. Ndaj, Zoti i Madhërishëm përpara çdo sureje ka vendosur bismil-lahin, në mënyrë që për çdo kuptim që nxjerr lexuesi, ta analizojë atë nëse përputhet me atributet “i Gjithëmëshirshëm” dhe “Mëshirëbërës” apo jo. Nëse kuptimi që nxjerr lexuesi, përputhet me këto dy atribute, le ta pranojë, e nëse jo, le ta refuzojë. Në këtë mënyrë, bismil-lahi është përmbledhja dhe surja është shpjegimi i tij dhe të dyja bashkërisht, i japin lexuesit një vizion të qartë për kuptimet e tyre.


[1] El-Vakia 56:80.
[2] El-Bekare 2:27.
[3] En-Nahl 16:99.
[4] Ligji i Përtërirë 18:18-19. Bibla, Dhjata e Vjetër, përkthyes dhe botues: “Shoqata Shqiptare e Biblës (The Albanian Bible Society)”, Tiranë, korrik 1995, fq. 202.
[5] Ligji i Përtërirë 18:20. I njëjti botim.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp