
اِہۡدِ نَا الصِّرَاطَ الۡمُسۡتَقِیۡمَIhdinas-sirātal-mustekīm
“Na udhëzo në rrugën e drejtë!” (El-Fatiha 1:6)
اِهْدِنَا (Ihdina) dhe tri kuptime të saj
Ihdina rrjedh nga ھَدَی “heda”. ھدہ الی الطریق do të thotë بیَّنہ لہ “ia tregoi rrugën”. ھَدَی العُرُوسَ الیٰ بَعْلِھَا do të thotë زفھا الیہ “nusen e çoi deri te dhëndri”. ھَدیٰ فُلَاناً do të thotë تَقَدَّمَہ “eci përpara tij”. جاءت الخیلُ یھدیھا فرسٌ اشْقَرُ do të thotë یَتَقَدَّمُھَا “Erdhën kuajt, atyre u printe një kalë i kuq.[1]
Kështu që, folja “heda” ka tri kuptime: (1) i tregoj dikujt rrugën, (2) përcjell dikë deri te rruga dhe (3) i prij dikujt rrugën duke ecur vetë përpara.
Fjala hidaje në Kuran, në kuptime të ndryshme
Edhe Kurani Famëlartë ka përdorur fjalën hidaje në kuptime të ndryshme:
T’i japësh dikujt aftësitë e punës dhe t’ia vësh në funksion. Për shembull, Kurani Famëlartë thotë:
اَعۡطٰی کُلَّ شَیۡءٍ خَلۡقَہٗ ثُمَّ ہَدٰی
“Është Ai që i dha çdo gjëje krijimin (trajtën dhe forcat) dhe më pas ia vuri në funksion”.[2]
Një kuptim tjetër i kësaj fjale, sipas Kuranit Famëlartë, është të thërrasësh dikë drejt udhëzimit:
وَ جَعَلۡنَا مِنۡہُمۡ اَئِمَّۃً یَّہۡدُوۡنَ بِاَمۡرِنَا
“Dhe Ne kemi bërë prej tyre dijetarë, që thërrisnin (drejt Tevratit) me urdhrin Tonë”.[3]
Kuptimi i tretë i kësaj fjale që tregon Kurani Famëlartë është që t’i prijësh dikujt për ta sjellë në një vend të caktuar:
الۡحَمۡدُ لِلّٰہِ الَّذِیۡ ہَدٰٮنَا لِہٰذَا
“Lavdia është e Allahut që na udhëzoi për këtë”.[4]
Pra, sipas këtij ajeti, besimtarët do të shprehen: të gjitha lavdërimet i takojnë vetëm Allahut, që na priu dhe na solli deri në xhenet.
Një kuptim tjetër i kësaj fjale është të krijosh dashuri në zemrën e tjetrit për rrugën e drejtë. Siç thotë Kurani Famëlartë:
وَ مَنۡ یُّؤۡمِنۡۢ بِاللّٰہِ یَہۡدِ قَلۡبَہٗ
“Atij që beson në Allah, Ai ia udhëzon zemrën”[5], pra që do të thotë krijon dashuri për udhëzimin dhe për gjërat e mira.
Folja jehdi në këtë ajet, nuk mund të ketë vetëm kuptimin e tregimit të rrugës, sepse bëhet fjalë për një njeri që tashmë ka besuar në Allah. Ai që ka besuar në Allah, e ka gjetur rrugën.
Një tjetër kuptim i kësaj fjale që na tregon Kurani Famëlartë është sukses. Duke folur për hipokritët, në suren En-Nur, Zoti i Madhërishëm thotë se hipokritët thonë se po t’u jepet urdhri i luftës, ata patjetër do të dalin për luftë, por veprat i kanë të dobëta. Të tillëve duhet t’u thuash:
Mos u betoni, por praktikisht tregoni bindje të plotë, sepse Allahu është i mirinformuar për veprat tuaja.
Pastaj thotë: O i Dërguar: Thuaju: Binduni Allahut dhe binduni të Dërguarit të Tij, e nëse e ktheni shpinën edhe pas këtij urdhri, i Dërguari ka përgjegjësinë e tij dhe ju keni përgjegjësinë tuaj, dhe mbajeni mend:
وَ اِنۡ تُطِیۡعُوۡہُ تَہۡتَدُوۡا“Nëse do t’i bindeni të Dërguarit (në këtë çështje) do të keni sukses dhe do të fitoni”.[6]
Kurani Famëlartë gjithashtu thotë:
وَ الَّذِیۡنَ اہۡتَدَوۡا زَادَہُمۡ ہُدًی“Ata që e pranojnë këtë hidajet (që Allahu ua ka sjellë dhe e përthithin në veten e tyre) Ai do t’i shtojë ata akoma më shumë në hidajet”.[7]
Nga Kurani Famëlartë gjithashtu kuptojmë se hidajet nuk i referohet një gjëje të vetme, por ai ka nivele të pafundme. Ata që njihen me bekimet e njërit nivel, Zoti ua tregon bekimet e nivelit tjetër.
صِرَاط Sirat: rrugë
Kjo fjalë shkruhet edhe me shkronjën sad, edhe me shkronjën sin. Pra, صِرَاط dhe سِرَاط do të thotë “rrugë e hapur, pa pengesa”. Në arabisht thuhet: سَرَطْتُ الطَّعَامَ, që do të thotë “hëngra ushqimin lehtësisht”. Një rruge të pastër e të sheshtë i thonë sirat, sepse ai që e përshkon një rrugë të tillë është sikur e ha atë.[8]
مُسْتَقِیم Mustekim
Vjen nga إِسْتِقَامَة istikameh. Në Mufredat thuhet:
“Istikameh i thonë rrugës që është e drejtë dhe nga kjo cilësohet edhe rruga e atij që ndjek të vërtetën. Kështu është kuptimi edhe në ajetin: “Na udhëzo në rrugën e drejtë”.[9]
[1] Sa‘īd el-Khūrī esh-Shertūnī, “Akrebul-Mevārid fī Fusahil-‘Arabijjeti vesh-Shevārid”, vëllimi i dytë, zëri: hā-dāl-jā (هدى), Kum 1403 h./ 1983, fq. 1380.
[2] TaHa 20:51.
[3] Es-Sexhde 32:25.
[4] El-A’raf 7:44.
[5] Et-Tegabun 64:12.
[6] En-Nur 24:55.
[7] Muhammed 47:18.
[8] Er-Rāgib el-Isfahānī, “Mufredāt Elfādhul-Kurān”, redaktor: Safvān Adnān Dāvūdī, botimi i katërt, boton: “Dārul-Kalem”, zëri: sīn-rā-tā (سرط), Damask, 1430 h./ 2009, fq. 407.
[9] Po aty, fq. 692.