
Siç është e qartë nga vetë emri i saj, temat e sures El-Fatiha janë si parathënie e Kuranit Famëlartë. Temat e Kuranit janë përmbledhur shkurtimisht në këtë sure, në mënyrë që lexuesi që në fillim të njoftohet për kuptimet e tyre.
Gjithçka fillon me bismil-lahin (me emrin e Allahut), që tregon se
(1) muslimani beson me bindje në Zotin e Madhërishëm dhe
(2) ai gjithashtu beson me bindje që Zoti i Madhërishëm nuk është siç përshkruajnë filozofët, që Ai mund të jetë thjesht shkaku kryesor i krijimit të gjithësisë, por të gjitha çështjet e botës realizohen me urdhrin e Tij, andaj ndihma e Tij është shumë e vyer për njeriun.
(3) Allahu; Rrahmani; Rrahimi: Ai nuk është thjesht një forcë sekrete, por është një qenie që ka një emër të përveçëm dhe që ka edhe atribute të ndryshme.
(4) I Gjithëmëshirshmi (Rrahmani): Ai është burimi i të gjitha përparimeve dhe zotëron të gjitha mjetet që i duhen botës për të ecur përpara.
(5) Mëshirëbërësi (Rrahimi): Ai e ka krijuar njeriun për të arritur nivele të larta. Nëse ai i përdor siç duhet mjetet që ka krijuar Zoti i Madhërishëm, do të bekohet dhe do të shohë sukses pas suksesi.
(6) Lavdia është e Allahut, Zotit të botëve (El-Hamdulil-lahi Rabbil-alemin): Të gjitha punët e Tij janë të përsosura. Ai është përmbledhje e çdo bukurie dhe përfitues i çdo lavdërimi, sepse gjithçka tjetër përveç Tij, është krijesë e Tij.
(7) Zotit të botëve (Rabbil-alemin): Askush dhe asgjë përveç Tij nuk është e tillë që nuk ka një fillim dhe një fund, madje çdo gjë prej tyre nisen nga një gjendje fillestare dhe duke u përparuar arrijnë kulmin e saj. Andaj, Zoti i Madhërishëm është Krijues i gjithçkaje dhe përveç Tij asgjë nuk është e mëvetësishme.
(8) Rabbil-alemin: Kjo botë është me larmi të pafundme llojesh dhe karakteristikash dhe Zoti i Madhërishëm trajton çdokënd a çdo gjë sipas aftësive dhe karakteristikave të tij a të saj. Andaj, për të kuptuar një gjë të caktuar, duhet të studiojmë llojin e saj dhe jo tjetër për tjetër. Kështu, nëse vërejmë dallime në sjelljen e Zotit ndaj krijesave të botës, nuk duhet të nxjerrim përfundimin duke keqkuptuar se Zoti është i padrejtë ose i pavëmendshëm, por dallimet ekzistojnë në varësi të situatës së krijesave.
(9) I Gjithëmëshirshmi (Rahmani): Zoti është shkaktari i mjeteve, andaj nuk ka gjë në botë që mund të jetë e pavarur nga ndihma e Tij.
(10) Mëshirëbërësi (Rahimi): Përveç kësaj, Zoti ka zotësi të plotë edhe mbi rezultatet që dalin nga përdorimi i mjeteve. Për shembull, Ai ka krijuar edhe njeriun, edhe bukën që do të hajë njeriu, që ai e ka të nevojshme për të jetuar. Por, përveç kësaj, edhe gjaku i mirë apo i keq që do të përftohet nga konsumi i ushqimit, gjithashtu vjen me urdhrin e Tij.
(11) Pastaj, Ai ka vendosur një rregullore edhe për shpërblim e ndëshkim. Pra, çdokush do ta shohë një ditë rezultatin e vet të përgjithshëm, në varësi të rrethanave që ai ka pasur.
Realisht, punët e njeriut japin dy lloj rezultatesh: një që mund ta quajmë të shpejtë, që vjen si shkak-pasojë e çdo veprimi që bëhet dhe një tjetër, që është rezultat përfundimtar, i cili shfaqet si pasojë e shumë faktorëve të tjerë.
Kështu, Zoti i Madhërishëm jo vetëm që ka lënë sistemin e rezultateve të shpejta siç na del nga emri Mëshirëbërës (Rrahim), por ka planifikuar që punët e njeriut të kenë edhe një rezultat të përgjithshëm dhe për këtë arsye ai quhet Sundues i kohës së gjykimit (Maliki jeumid-din).
(12) Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë (Ijjake na’budu ve ijake nes’tain): Vetëm kjo është Qenia që është e denjë për t’u adhuruar dhe për të pasur dashurinë absolute ndaj Saj.
(13) Gjithashtu, këto fjalë tregojnë se zhvillimi i njeriut varet nga dy faktorë: veprat që ai i bën prej gjymtyrëve dhe prej gjendjes së zemrës (në të dytën nënkuptohen, mendimi, besimi, vullneti etj.) Ai ka nevojë t’i përmirësojë që të dy këta faktorë dhe ky përmirësim nuk mund të bëhet pa udhëzimin e Zotit të Madhërishëm.
(14) Na udhëzo në rrugën e drejtë (Ihdinas-siratal-mustekim): Zoti Vetë dëshiron të takojë robërit e Tij dhe t’i përmirësojë ata. Ajo që është e nevojshme është dëshira e robit për t’iu përulur Atij dhe për t’i kërkuar takim me Të.
(15) Më pas, El-Fatiha tregon se, mund të të duken shumë rrugë që të çojnë drejt Zotit, por nuk është e mjaftueshme vetëm njohuria për rrugën e Tij, madje:
(a) rruga e drejtë siratal-mustekim: ajo rrugë duhet të jetë sa më e shkurtër, në mënyrë që njeriu të mos shkatërrohet vetëm gjatë rrugës.
(b) në rrugën e atyre që i bekove (Siratal-ledhine en’amte ‘alejhim): Ajo rrugë duhet të jetë e provuar, të cilën duke e ndjekur, njerëzit ta kenë arritur Zotin edhe në të kaluarën.
Robi të njoftohet paraprakisht për rreziqet që mund t’i dalin gjatë rrugës dhe për zgjidhjet e tyre, në mënyrë që të ketë qetësinë e duhur dhe të mos dëshpërohet. Gjithashtu, ai të ketë shoqërinë e mirë për këtë rrugë. Një rrugë të tillë duhet t’ia kërkosh Zotit.
(16) Jo në rrugën e atyre që tërhoqën zemërim (Gajril-magdubi ‘alejhim): Pasi të ketë arritur suksese dhe përparime, robi duhet të ruhet nga ndjenjat etnocentrike dhe vetëpëlqyese, sepse ato e shkatërrojnë sërish. Gjithashtu, përparimet e tij, të mos i marrë si mundësi për të bërë padrejtësi e dhunë, por për t’u shërbyer të tjerëve dhe për të vendosur paqe, dhe për këtë vazhdimisht t’i lutet Zotit.
(17) E as të atyre që devijuan (Veled-dal-lin): Pas përparimeve, njeriu ashtu siç mund të kalojë në padrejtësi, mundet që ai t’i japë vlerë, mëshirë dhe dashuri të tepruar dikujt a diçkaje të caktuar. Ai duhet të ruhet edhe nga kjo praktikë dhe edhe për këtë, vazhdimisht t’i lutet Zotit.