Seleksionimi natyror ose përzgjedhja natyrore siç e shpjegon Kurani
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
seleksionimi natyror perzgjedhja natyrore

[Ju paraqesim përkthimin e transkriptit të një ligjërate të Hazret Mirza Tahir Ahmedit, Kalif i Katërt i Xhematit Musliman Ahmedia, të mbajtur më 9 korrik 1997 në të cilën ai ka shpjeguar në dritën e Kuranit çështjet e seleksionimit natyror dhe të evolucionit. Kjo është vetëm një pjesë e 305 ligjëratave që Hazret Kalifi i Katërt, Allahu e mëshiroftë, ka mbajtur duke shpjeguar Kuranin e Shenjtë nga surja e parë deri tek e fundit.]

Ajetet e sures 28 El-Keses që janë shpjeguar

69) Zoti yt krijon çfarë të dojë dhe zgjedh (prej saj). Ata nuk kanë mundësinë e zgjedhjes. I pastër është Allahu nga çdo e metë dhe shumë i lartë nga ajo që ata e barazojnë me Të.
70) Dhe Zoti yt di atë çfarë fshehin kraharorët e tyre, si dhe atë që ata zbulojnë.
71) Është Ai Allahu, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij. E Atij është lavdia edhe në fillim, edhe në fund dhe Atij i përket vendimi dhe tek Ai do të ktheheni ju.
72) Thuaj: Si mendoni nëse Allahu do të zgjasë mbi ju natën pandërprerë deri në ditën e kiametit, cili i adhuruar tjetër përveç Allahut mund t’ju sjellë ndonjë dritë? A nuk dëgjoni?
73) Thuaj: Si mendoni nëse Allahu do të zgjasë mbi ju ditën pandërprerë deri në ditën e kiametit, cili i adhuruar tjetër përveç Allahut mund t’ju sjellë natë që ju të pushoni në të? A nuk shihni?
74) Prej mëshirës së Tij Ai bëri për ju natën dhe ditën, që ju të pushoni në të dhe të kërkoni bekimet e Tij dhe që të falënderoni.

Komentim i shkurtër i ajeteve 69 – 74 të sures 28 El-Keses

seleksionimi natyror69) Zoti yt krijon çfarë të dojë dhe zgjedh (prej saj). Ata nuk kanë mundësinë e zgjedhjes. I pastër është Allahu nga çdo e metë dhe shumë i lartë nga ajo që ata e barazojnë me Të.

Një prej tri parimeve të evolucionit, siç e përshkruajnë shkencëtarët e sotëm është “seleksionimi natyror” ose “përzgjedhja natyrore”. Allahu i Madhërishëm 14 shekuj më parë hodhi poshtë seleksionimin natyror të tyre duke thënë – Është Zoti yt që krijon çfarë të dojë dhe prej krijimit të Tij, Ai Vetë bën seleksionimin e duhur. Në këtë mënyrë, sipas Kuranit, nuk ekziston seleksionimi i verbër natyror, por i zgjedhur Vetë nga Krijuesi.

Pastaj, thuhet në këtë ajet – Ata nuk e kanë mundësinë e seleksionimit. Që do të thotë se vetë krijesat nuk e kanë në dorë mundësinë e përzgjedhjes.

Kjo është një temë për të cilën këto ditë unë po shkruaj një libër të ri [Shikoni Pjesën V (Part V) në librin Revelation, Rationality, Knowledge & Truth], sepse shumë nga shkencëtarët e sotëm kanë verbuar një botë të tërë duke krijuar pështjellim të madh pikërisht rreth kësaj teme, pra rreth seleksionimit natyror. Përgjigjja e çdo pyetjeje sipas tyre është seleksionimi natyror.

Por ky seleksionim natyror i tyre nuk ka as sy, as veshë e as mend. Ai mund të zgjedhë edhe “të mirën” edhe “të keqen”, por seleksionuesi nuk ka fuqinë e vendimmarrjes. Vendimmarrja sipas tyre është rastësia.

Kurse në këtë ajet Allahu i Madhërishëm ngre pyetjen – si mund të bëjë seleksionimin ai ose ata që nuk kanë rolin e vendimmarrjes?! Për seleksionimin duhet një Qenie Supreme dhe e Plotfuqishme, që të marrë vendimin se cilën ta mbajë dhe cilën ta heqë.

Ky ajet me një fjali përmbledh faktin se evolucioni patjetër që ka ndodhur, por jo i verbër siç shpjegojnë evolucionistët, përkundrazi, ishte i mbikëqyrur Vetë nga Seleksionuesi i Madh.

Gjithashtu, ky ajet pohon se nëse do të hiqni Zotin nga kjo temë, gjithë evolucioni bie poshtë. Pra, evolucioni nuk është kundër Zotit, përkundrazi, është një shprehje e mënyrës së Tij të vepruarit.

seleksionimi natyror70) Dhe Zoti yt di atë çfarë fshehin kraharorët e tyre, si dhe atë që ata zbulojnë.

Përveç kuptimit të përgjithshëm që ka ky ajet, në këtë kontekst ai sjell një analizë të goditur dhe interesante mbi evolucionistët e verbër. Pretenduesit e evolucionit të verbër gjithmonë mbyllin sytë nga çdo pjesë që bie ndesh me teorinë e tyre. Kështu, një pjesë e shfaqin, e një pjesë tjetër e fshehin.

Njësoj si ata klerikë fetarë që kanë urrejtje për të tjerët, siç ishin disa hebrenj të kohës së Profetit Muhammed s.a.v.s., që Kurani i Shenjtë përmend edhe në ajete të tjera, që ata fshihnin disa vargje duke vendosur dorën e tyre mbi to, dhe disa vargje të tjera i zbulonin, me qëllim që ta fshihnin të vërtetën e plotë.

Në të njëjtën mënyrë, edhe këtu nuk do të thotë se ajo që ata [shkencëtarët në fjalë] zbulojnë, të jetë gënjeshtër, por mund të jetë gjysmë e vërtetë. Dhe gjysma tjetër e vërtetës që ata e fshehin, shkon kundër tyre.

Ditët e fundit kam pasur një përvojë të tillë në SHBA në lidhje me këtë temë. Në Amerikë kemi disa shkencëtarë të kësaj fushe që janë edhe anëtarë të Xhematit tonë. Prej të cilëve ka nga ata që kanë mbrojtur doktoratë më shumë se një herë dhe janë mjaft të përgatitur në fushën e evolucionit. Atyre u bëra disa pyetje në lidhje me këtë. I pyeta konkretisht në lidhje me disa kafshë se çfarë studimi është bërë deri më tani për ta. Për herë të parë ata kuptuan që studimi i tillë që duhej bërë, nuk është bërë deri më tani. Kështu që, përgjigjja e tyre e parë ishte “asgjë” dhe më thanë – nuk është bërë asnjë studim i këtij lloji mbi këto kafshë, andaj, nuk mund t’ju japim dot referenca që kërkoni.

Pikërisht këtë referencë e desha – u thashë –  ju që jeni shkencëtarë duhet t’i studioni këto kafshë edhe në këtë aspekt. Shkencëtarët që mohojnë ekzistencën e Krijuesit fshehin pjesën dërrmuese të së vërtetës që duhet ta nxirrnin në dritë, sepse e dinë shumë mirë se po të flasin për këtë temë, do t’u duhet të flasin edhe për Krijuesin. Të tillët mendojnë se të vërtetën që ata po e anashkalojnë, njerëzit nuk mund të zbulojnë dot asnjëherë.

Kjo është ajo temë që ajeti i mësipërm e zbuloi, nëse ajetin e parë e shohim në kuptimin e evolucionit siç ju kam shpjeguar. Tema në kontekst është krijimi, apo jo? Atëherë në vazhdim Allahu thotë se Ai di shumë mirë ata njerëz që në lidhje me këtë temë çfarë fshehin dhe çfarë zbulojnë.

Ky ajet njëkohësisht edhe neve na jep një ide kyçe. Gjatë shpjegimit të evolucionit të kafshëve të ndryshme që bëjnë shkencëtarët, ne duhet të kërkojmë se çfarë është ajo që ata nuk e kanë shpjeguar, sepse pikërisht aty do të dallohet Dora e Krijuesit. Prandaj, duhet t’i kushtojmë vëmendje asaj që nuk gjendet nëpër librat shkencorë. Ajeti vijues pohon:

seleksionimi natyror71) Është Ai Allahu, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij. E Atij është lavdia edhe në fillim, edhe në fund dhe Atij i përket vendimi dhe tek Ai do të ktheheni ju.

Sërish, kur shohim këtë ajet siç kemi parë ajetet e mëparshme, pra si shpjeguese të procesit të krijimit, atëherë kuptimi është që ngado ta shihni krijimin, do të gjeni vetëm një përgjigje – Nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Çdo gisht do të shënjojë Krijuesin e Vetëm. Pas kësaj, nëse do të studioni fillimin e krijimit, do të shihni vetëm lavdërimin e Tij, gjithashtu, kur do të studioni fundin e krijimit, edhe aty do të gjeni vetëm lavdërimin e Tij.

Kjo që tha për fillimin dhe fundin dhe më pas pohoi “Atij i përket vendimi”, do të thotë se që nga fillimi deri në fund të krijimit, ka qenë dhe do të jetë në fuqi vetëm vendimi i Zotit. Dhe më pas, të gjithë tek Ai do të kthehen.

Kur studioni shkencëtarë të ndryshëm, shumica prej tyre mbeten të habitur edhe për fillimin e krijimit dhe për fundin e tij. Thonë se është një enigmë. Si në rastin kur e pranojnë ekzistencën e një Fuqie Supreme, ashtu edhe në rastin kur nuk e pranojnë, këto dy pjesë ata nuk mund t’i shpjegojnë dot ndryshe nga ajo që pohon ky ajet. Dy pika të lavdisë që ka vendosur i Madhi Zot, i gjeni njësoj edhe në botën e shkencës së sotme.

dijetari i islamit kalifi i katert

Hazret Mirza Tahir Ahmed r.a., Kalif i Katërt i Xhematit Musliman Ahmedia, duke mbajtur ligjëratë për komentimin e Kuranit të Shenjtë

Elementet e para të krijimit, që quhen tullat e jetës dhe që u bënë shkak i gjithë procesit të krijimit, shkencëtarët deri më sot as nuk kanë arritur t’i zbërthejnë e as t’i shpjegojnë siç duhet. Madje, sa më shumë që i shpjegojnë, aq më shumë ngecin përpara enigmave të tjera duke pohuar përfundimisht – nuk ka ndonjë shpjegim për këtë.

Ka disa shkencëtarë që mbështesin të vërtetën dhe pohojnë qartazi se krijimi i verbër është absurd dhe kontradiktor dhe se nëse përfytyrohet një Dorë Supreme, të gjitha kontradiktat asgjësohen vetvetiu. Të tillët thonë se procesi i krijimit nuk ka qenë dhe s’mund të ishte i verbër.

Elementet e para të jetës që në parim janë njësoj te të gjitha gjallesat. ADN dhe ARN në gjallesa të ndryshme ndryshojnë vetëm në strukturë, por si elementë janë në çdo gjallesë. Këto referohen si “tullat e jetës”. Kështu që, në ajetin e mësipërm, Allahu i Madhërishëm thotë – kur studioni tullën e parë të jetës, aty do të gjeni vetëm lavdërimin e Tij dhe ky lavdërim ose ky përshkrim do të jetë kaq i qartë saqë do t’ju sjellë te një Zot i Vetëm. Nëse nuk do të shkoni atje ku ajo tullë ju shënjon, do të bini në kontradikta të shumta. Pra do të detyroheni të pohoni se jeta dhe procesi i saj ka kontradikta, sikur të ishte krijuar nga zota të ndryshëm, ku secili të kishte vepruar sipas dëshirës së vet.

Të njëjtën gjë shohim kur studiojmë anatominë e njeriut. Mjafton të merrni gjakun si shembull. Nuk mund të jepni dot asnjë shpjegim si si u zhvillua gjaku përmes një evolucioni të verbër. Si u prodhua një qelizë e gjakut dhe si u evoluua më tej, nuk mund ta shpjegoni dot. Enigma vetëm thellohet akoma më shumë kur studioni sisteme të tjera të trupit, si sistemi imunitar etj.. Kjo temë është shumë e gjerë që ju kam parashtruar këtu shkurtimisht. Ajeti vijues thotë:

perzgjedhja natyrore72) Thuaj: Si mendoni nëse Allahu do të zgjasë mbi ju natën pandërprerë deri në ditën e kiametit, cili i adhuruar tjetër përveç Allahut mund t’ju sjellë ndonjë dritë? A nuk dëgjoni?

Po të ishte natë e përhershme pa pasur një rreze drite, jeta kurrsesi nuk mund të fillonte. Mund të shikoni planetë të tjerë që kanë net të gjata dhe për këtë shkak ato bëhen kaq të ftohta, saqë nuk lejojnë dot të përhapen shenjat e jetës.

Ngjashëm me këtë, ai planet që ka ditë tejet të gjatë, pra që ka dritën e diellit në mënyrë konstante, ka temperaturë kaq të lartë sa nuk mund të mbajë dot ujin dhe nuk lejon krijimin e erërave, të reve, shiun dhe shumë fenomene të tjera që janë jetike për zhvillimin e jetës. Prandaj, në këtë ajet nuk bëhet fjalë vetëm për dritën e diellit, por për rreze shpresëdhënëse për jetën.

Veç kësaj, këtu vërejmë një shprehësi të bukur nga Kurani. Duke përshkruar një atmosferë që ngjall errësirë të plotë, Zoti ngacmon shqisën e të dëgjuarit të njeriut, pasi shikimi nuk punon në errësirë, dhe e pyet – Të paktën veshët ju funksionojnë, dhe nëse ju funksionojnë, atëherë dëgjoni se ju nuk do të keni asnjë shpresë jete, nëse Zoti do t’ju zgjaste natën në mënyrë të përhershme.

perzgjedhja natyrore73) Thuaj: Si mendoni nëse Allahu do të zgjasë mbi ju ditën pandërprerë deri në ditën e kiametit, cili i adhuruar tjetër përveç Allahut mund t’ju sjellë natë që ju të pushoni në të? A nuk shihni?

Në ajetin e mësipërm, Zoti ngacmoi dëgjimin e njeriut, kurse këtu duke përshkruar ditë të gjatë, i ngacmoi shqisën e të parit.

Gjithashtu, fjalët “që ju të pushoni në të” tregojnë se derisa nuk vjen nata, jeta nuk qetësohet. Procesi i jetës dhe gjithë zhvillimi i saj realizohet për shkak se nata dhe dita alternohen.

Duke sjellë të dyja ajetet, njërin pas tjetrin, Zoti i Madhërishëm na tregoi edhe formën rrumbullake të Tokës, ku nëse njëra pjesë e saj ka dritë, tjetra është në errësirë dhe anasjelltas dhe se këto gjendje të tyre alternohen njëra pas tjetrës.

[Shikoni, me çfarë mjeshtërie Kurani Famëlartë shpalos edhe tema shpirtërore, duke zbuluar edhe fenomenet e natyrës.] Ajeti që pason e sqaron edhe më shumë këtë temë.

perzgjedhja natyrore74) Prej mëshirës së Tij Ai bëri për ju natën dhe ditën, që ju të pushoni në të dhe të kërkoni bekimet e Tij dhe që të falënderoni.

Pra Ai krijoi rrethana të tilla në Tokë që mundësojnë jetën dhe vazhdimësinë e saj në kushte të përshtatshme.

Këtu ka dy gjëra. Fakti që nata dhe dita alternohen, provon edhe formën rrumbullake të Tokës dhe të gjitha planetëve të tjerë. Por gjallesat e Tokës kanë një mëshirë shtesë, që ky alternim i natës dhe i ditës është aq i përshtatshëm në Tokë, saqë u mundëson qetësi dhe bekime të shumta të Zotit. Faqja e Tokës herë del përpara diellit dhe herë fshihet me një diapazon kaq të përshtatshëm kohor, saqë shkaktohet e gjithë gjallëria dhe qetësia në këtë planet. Kjo provon qartazi edhe lëvizjen e Tokës mbi boshtin e saj.

Ka edhe planetë të tjerë, të cilat ose e kanë shumë të gjatë ditën a natën, ose nuk e kanë fare, duke mbetur njëra pjesë e tyre tërësisht e errët dhe tjetra gjithmonë përballë diellit dhe duke mos lënë asnjë mundësi të jetës.

Lexoni edhe:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp