Kush ishte Adami (Ademi)? Profeti apo njeriu i parë në Tokë?
Profeti Adem a.s. jetoi rreth 6000 vite më parë. Shpesh njerëzit mendojnë se ai ishte njeriu i parë në Tokë që ka krijuar Zoti. Sidoqoftë, kjo pikëpamje është e gabuar. Bota ka kaluar në disa epoka të ndryshme të krijimit dhe të civilizimit, dhe Hazret Ademi (paqja qoftë mbi të), paraardhësi i qenies njerëzore, ka qenë i pari vetëm për epokën që po jetojmë, por jo njeriu i parë i krijuar nga Zoti.
Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se raca që ka jetuar para Ademit (paqja qoftë mbi të) qe zhdukur plotësisht para se ai të lindte. Me shumë mundësi kishin mbetur akoma qenie njerëzore nga raca e vjetër, ndër të cilët bënte pjesë edhe Hazret Ademi. Zoti më pas e zgjodhi Ademin a.s. që ai të ishte paraardhës i një epoke të re dhe pararendës i një civilizimi të ri, civilizim i cili do të ndërtohej nën udhëzimin Hyjnor. Me ardhjen e tij në jetë si profeti i parë për njerëzimin, kur të gjithë të tjerët ishin të vdekur shpirtërisht, ai shënoi fillimin e një epoke të re të jetës. Kurani Famëlartë thotë:
وَ اِذۡ قَالَ رَبُّکَ لِلۡمَلٰٓئِکَۃِ اِنِّیۡ جَاعِلٌ فِی الۡاَرۡضِ خَلِیۡفَۃً ؕ قَالُوۡۤا اَتَجۡعَلُ فِیۡہَا مَنۡ یُّفۡسِدُ فِیۡہَا وَ یَسۡفِکُ الدِّمَآءَ ۚ وَ نَحۡنُ نُسَبِّحُ بِحَمۡدِکَ وَ نُقَدِّسُ لَکَ ؕ قَالَ اِنِّیۡۤ اَعۡلَمُ مَا لَا تَعۡلَمُوۡنَ“Dhe kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të vë një mëkëmbës në Tokë”. Ata thanë: “A do të vësh dikë që do të bëjë çrregullime në të dhe do të derdhë gjak, ndërkohë që ne të përkujtojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe përmendim shenjtërinë Tënde?” Ai tha: “Unë e di atë që ju nuk e dini”.”[1]
Ky është ajeti i parë në Kuranin Famëlartë që flet për Hazret Ademin a.s., i cili hedh dritë mbi disa fakte:
- Para se gjithash qartazi tregon se lindja e Ademit a.s. nuk u bë në parajsë, diku në qiell, por pikërisht në Tokë. Po, vendi ku ai jetonte u quajt parajsë (xhenet) në Kuranin e Shenjtë, për shkak se ishte i pastër nga ligësia, për aq kohë sa Hazret Ademi a.s. zbatonte të gjitha porositë e Zotit.
- Gjithashtu, vlen të përmendet që në ajetin e mësipërm, Zoti ka përdorur fjalën “kalif” për Ademin (paqja qoftë mbi të). Kalif në arabisht do të thotë pasardhës. Pra, kjo tregon se njerëzimi ka ekzistuar dhe ka jetuar në Tokë edhe para Adamit (paqja qoftë mbi të), për të cilët ai do të bëhej Kalif i Zotit.
- Me pak fjalë, Kurani i Shenjtë flet për atë Adem (paqja qoftë mbi të) i cili u emërua si Kalif i Zotit, pra Profeti i parë i Zotit, dhe që u vendos të udhëhiqte njerëzimin. Zoti e caktoi atë profet, i dha diturinë që nuk mund ta kishin të tjerët duke përfshirë këtu edhe engjëjt, dhe e bëri udhëheqës të njerëzimit.
Disa ajete më poshtë, pasi tregon se për shkak të shkeljes së porosive të Zotit, parajsa e ndërtuar në Tokë nuk kishte mbetur më e përshtatshme për të qëndruar, Zoti i Madhërishëm porositi Ademin, gruan e tij dhe të tjerët që ishin me ta, të dilnin nga ky vend:
قُلۡنَا اہۡبِطُوۡا مِنۡہَا جَمِیۡعًا ۚ فَاِمَّا یَاۡتِیَنَّکُمۡ مِّنِّیۡ ہُدًی فَمَنۡ تَبِعَ ہُدَایَ فَلَا خَوۡفٌ عَلَیۡہِمۡ وَ لَا ہُمۡ یَحۡزَنُوۡنَ“Ne u thamë: “Dilni të gjithë nga këtu! Kur t’ju vijë ndonjë udhëzim prej Meje, ata që do ta ndjekin udhëzimin Tim, nuk do të kenë as frikë e as nuk do të pikëllohen”.”[2]
Për kategorinë e numrit, gjuha arabe ka numrin njëjës, numrin për dy veta dhe numrin shumës, kurse këtu dhe në sure të tjera ku u përmend kjo temë, Kurani Famëlartë përdor numrin shumës, gjë që tregon se aty ishin më shumë se dy veta. Pra, sipas Kuranit Famëlartë, të pranishmit gjatë kësaj ngjarjeje nuk ishin vetëm Hazret Ademi dhe gruaja e tij, por edhe njerëz të tjerë.
Duke iu drejtuar njerëzve, Allahu i Madhërishëm në një ajet tjetër të Kuranit përmend edhe më qartë se së pari u krijuan njerëzit, ata u sollën në formë e pastaj u krijua Ademi si profet:
وَ لَقَدۡ خَلَقۡنٰکُمۡ ثُمَّ صَوَّرۡنٰکُمۡ ثُمَّ قُلۡنَا لِلۡمَلٰٓئِکَۃِ اسۡجُدُوۡا لِاٰدَمَ ٭ۖ فَسَجَدُوۡۤا اِلَّاۤ اِبۡلِیۡسَ ؕ لَمۡ یَکُنۡ مِّنَ السّٰجِدِیۡنَ “Sigurisht, Ne ju kemi krijuar, pastaj ju dhamë formën, pastaj u thamë engjëjve: Bëni sexhde për Ademin! Ata e bënë sexhden, përveç Iblisit; ai nuk u bë nga ata që bëjnë sexhde.”[3]
Hazret Mirza Ghulam Ahmed, që ka ardhur si shërbëtor i vërtetë i Kuranit dhe i Profetit Muhammed s.a.v.s. në këtë kohë, thotë:
“Me ajetin “Unë do të vë një kalif në Tokë” mund të nxjerrim kuptimin se edhe përpara kësaj ekzistonte një popull. Në një ajet tjetër Allahu i Madhërishëm thotë: “Dhe xhindët (xhann) i krijuam më parë prej zjarrit të erës së nxehtë.”[4] Kjo tregon se përpara Ademit ekzistonte një popull i cilësuar si xhann. Një hadith i Sahihut të Buhariut thotë se Zoti i Madhërishëm gjithmonë ka qenë Krijues dhe pikërisht kjo është e vërtetë, sepse nëse nuk beson Zotin si Krijues të përhershëm, Qenia e Tij (me’adhalla) vihet në pikëpyetje dhe detyrohesh të besosh se përpara Ademit, Zoti i Madhërishëm ishte i papunë. Por ngaqë Kurani Famëlartë tregon se cilësitë e Zotit janë të përhershme, edhe ky hadith është i saktë. Gjithashtu, edhe ndërtimi i fjalisë në ajetin e Kuranit tregon përsëritjen e cilësive të Krijuesit. Pra, edhe sipas rregullave gjuhësore ky ajet tregon se nuk është Ademi kur filloi i gjithë krijimi.”[5]
Ai gjithashtu thotë:
“Ne nuk besojmë dhe as nuk ndjekim Tevratin në çështjen ku ai thotë se bota ka filluar prej 6 a 7 mijë vitesh, pra që kur lindi Ademi, dhe se përpara kësaj asgjë nuk ekzistonte, me demek atëherë Zoti ishte i papunë. Madje, ne as nuk themi se e gjithë raca njerëzore që ekziston sot anekënd botës janë vetëm bijtë e Ademit të fundit. Ne besojmë se edhe përpara këtij Ademi kanë ekzistuar njerëz, siç tregojnë fjalët e Kuranit ku Zoti thotë: “Unë do të vë një kalif në Tokë”. Kalif do të thotë pasardhës. Kjo qartazi tregon se edhe përpara Ademit kanë qenë njerëz. Prandaj, për popujt e Amerikës apo të Australisë apo të ndonjë vendi tjetër ne nuk mund të themi nëse janë bijtë e Ademit të fundit apo të ndonjë Ademi tjetër.”[6]
LEXONI:
Sipas Kuranit, cila është prejardhja e njeriut? A ka lindur njeriu prej majmunit?
[1] Kurani Famëlartë 2:31.
[2] Kurani Famëlartë 2:39.
[3] Kurani Famëlartë 7:12.
[4] Kurani Famëlartë 15:28.
[5] Gazeta “El-Bedr”, e datës 3 korrik 1903; Komentim i Kuranit, vëll 2, f. 124.
[6] Gazeta “El-Hakam”, e datës 30 maj 1908; Komentim i Kuranit, vëll 2, f. 125.