Lexoni:
- Kurani dhe kozmologjia pj. 1 (Zgjerimi i universit, Big Bangu, Vrima e Zezë, Vrima e bardhë)
- Kurani dhe kozmologjia pj. 2 (Lëvizja dhe rrotullimi i Tokës, e përmendur në Kuran)
Kurani i Shenjtë gjithashtu deklaron se të gjithë trupat qiellorë janë duke lëvizur në mënyrë të pandërprerë dhe se asnjëri prej tyre nuk qëndron i palëvizshëm: Ai thotë:
Secili noton në një orbitë (të vet).[1]
Kjo deklaratë gjithëpërfshirëse mbulon të gjithë universin, ku edhe sistemi ynë diellor nuk bën përjashtim. Përveç kësaj, ka shumë ajete të tjera që flasin për lëvizjen eliptike të të gjithë trupave qiellorë. Por njëkohësisht ato përmendin edhe lëvizjen e tyre drejt fundit të tyre të përcaktuar. Më poshtë janë disa nga ajetet që mbulojnë të dyja temat:
Allahu është Ai që ngriti qiejt pa ndonjë shtyllë që mund ta shihnit, më pas u vendos mbi Fron, dhe vuri në shërbim diellin dhe hënën. Çdo gjë lundron për një afat të caktuar. Ai planifikon çështjen (dhe) shpjegon shenjat që ju të bindeni për takimin me Zotin tuaj.[2]
A nuk ke parë që Allahu fut natën në ditë; fut ditën në natë, dhe nënshtroi diellin dhe hënën. Secili lundron drejt një afati të caktuar. Sigurisht, Allahu është i Gjithinformuar për gjithçka që bëni?![3]
Ai fut natën në ditë; fut ditën në natë, dhe nënshtroi diellin dhe hënën. Secili lundron drejt një afati të caktuar. Ky është Allahu, Zoti juaj; i Atij është sundimi. Kurse ata që thirrni ju në vend të Allahut, nuk zotërojnë as sa një cipë të farës së hurmës.[4]
Ai krijoi qiejt dhe tokën me vërtetësi. Ai bën natën të mbulojë ditën dhe e bën ditën të mbulojë natën. Ai nënshtroi diellin dhe hënën. Secili lundron për një afat të caktuar. Dëgjoni! Ai është i Plotfuqishmi, Falësi.[5]
Lëvizja e veçantë e diellit, e përmendur në Kuran
Le t’i drejtohemi një zbulese tjetër mahnitëse të Kuranit në lidhje me një lëvizje specifike të diellit, e cila nuk përmendet askund tjetër. Ajeti i 39-të i sures së 36-të deklaron:
Dielli lundron për te ndalesa e tij përfundimtare. Ky është caktimi i të Plotfuqishmit, të Gjithëdijshmit.[6]
Ky ajet qartazi flet për një pikë në hapësirë që do jetë vendi i pushimit përfundimtar të diellit. Ndonëse ky ajet flet vetëm për lëvizjen e diellit, ajetet vijuese të së njëjtës sure, përfshin tërë universin në të njëjtin drejtim specifik:
Dielli lundron për te ndalesa e tij përfundimtare. Ky është caktimi i të Plotfuqishmit, të Gjithëdijshmit. Edhe hënës i kemi përcaktuar stacione, derisa ajo bëhet si degë e hollë e një hurme të vjetër. As diellit nuk i lejohet ta parakalojë hënën dhe as natës ta parakalojë ditën.[7]
Sikur të ishte vetëm dielli që lëvizte në një drejtim të caktuar, ajeti pasues nuk do të pohonte që dielli dhe hëna ruajnë me përpikëri distancën e tyre të ndërsjellë. Ata as nuk do të afrohen kurrë dhe as do të largohen nga njëri-tjetri. Ky caktim është i pandryshueshëm deri në kohën e tyre të përcaktuar. E gjithë kjo tregon qartë se si dielli ashtu edhe hëna po udhëtojnë në një drejtim.
Sërish, kjo lëvizije nuk është vetëm e diellit dhe e hënës. Të gjithë trupat qiellorë, siç përshkruan Kurani, lundrojnë pa bërë zhurmë. Përveç kësaj, ka shumë ajete në Kuran që tregojnë se trupat qiellorë janë të lidhur bashkë me disa lidhje të padukshme. Prandaj, nëse njëri prej tyre bën lëvizje ndryshe nga lëvizja e tij orbitale dhe eliptike, do t’u duhet të gjithë trupave të tjerë qiellorë të ndryshojnë kursin, për të ruajtur ekuilibrin e tyre të ndërsjellë.
Dhe Ai është që krijoi natën dhe ditën, diellin dhe hënën. Secili lundron në një orbitë (të vet).[8]
As diellit nuk i lejohet ta parakalojë hënën dhe as natës ta parakalojë ditën. Dhe secili lundron në një orbitë (të vet).[9]
Ky është një stil unik i Kuranit që shënjon edhe lëvizjen e Tokës në boshtin e saj.
Njerëzit e kohës kur janë zbritur këto vargje, nuk mund të kuptonin siç duhet mesazhin themelor të tyre. Ata nuk mund të nxirnin dot përfundimin që nëse malet janë duke lëvizur, edhe Toka është duke lëvizur bashkë me to. Ata as nuk mund ta kuptonin dot idenë se nëse dielli po lëviz në një drejtim specifik, i gjithë universi gjithashtu duhet të jetë në lëvizje në të njëjtin drejtim. Vizioni që i gjithë universi është në lëvizje në hapësirë është një ide që ndoshta nuk është konceptuar plotësisht as nga shkencëtarët bashkëkohorë. Megjithatë, një studim i thelluar i Kuranit na zbulon se i gjithë kozmosi po lëviz drejt një pike të caktuar të hapësirës. Nëse kjo analizë është e saktë, atëherë nuk mbetet gjë tjetër veçse të përfytyrojmë që të gjitha 180 miliardë ose më shumë galaktika, nga të cilat sistemi ynë planetar nuk është veçse një pikë e vogël, po lëvizin sikur dielli në një drejtim të caktuar.
DIKU TJETËR NË KËTË KAPITULL, kemi folur për mundësinë e një vrime të zezë gjigande gjithëgllabëruese, e cila arrin të tërheqë gjithë lëndën e universit në singularetitin e saj.
Kështu që, kemi konkluduar se sipas Kuranit çështja e universit është një çështje që hapet e mbyllet. Në momentin e Big Bengut gjithësia filloi të zgjerohej pothuajse me shpejtësinë e dritës. Në fund, ajo përsëri do të tërhiqet në një gropë, të cilën e quajmë vrimë të zezë.
Për sa i përket konceptit të një vrime të zezë të fundit universale, ai bazohet në teorinë e Big Bengut, që mbështetet plotësisht edhe nga Kurani. Sidoqoftë, disa shkencëtarë propozojnë rastin e një universi të hapur. Ata besojnë se universi do të vazhdojë të zgjerohet pafundësisht, derisa lënda hapësinore të bëhet e hollë, e rrallë dhe të largohet aq shumë, saqë do të kapërcejë fushën gravitacionale të qendrës së universit. Ky skenar nuk lë hapësirë që universi të rikrijohet dhe të ribëhet. Kurani e refuzon kategorikisht këtë koncept dhe pohon fuqishëm se universi shpërtheu nga një singularitet, dhe po në një singularitet tjetër, ai do të fundoset përsëri. Uniteti i Zotit dhe shpërthimi i gjithë krijimit dhe kthimi i krijimit përsëri tek Uniteti i Zotit, nuk mund të shprehej më bukur sa vijon:
Innā lil-lāhi ve innā ilejhi rāxhi’ūn
Sigurisht, jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.[10]
[1] Kurani i Shenjtë 21:34.
[2] Kurani i Shenjtë 13:3.
[3] Kurani i Shenjtë 31:30.
[4] Kurani i Shenjtë 35:14.
[5] Kurani i Shenjtë 39:6.
[6] Kurani i Shenjtë 36:39.
[7] Kurani i Shenjtë 36:39-41.
[8] Kurani i Shenjtë 21:34.
[9] Kurani i Shenjtë 36:41.
[10] Kurani i Shenjtë 2:157.