
Inteligjenca Artificiale (ang: AI) është një teknologji që u mundëson kompjuterëve dhe makinerive të simulojnë të nxënët njerëzor, të kuptuarit, zgjidhjen e problemeve, vendimmarrjen, kreativitetin dhe autonominë.[1] Inteligjenca Artificiale mund të identifikojë objektet, të kuptojë dhe t’i përgjigjet gjuhës njerëzore, të mësojë informacione të reja dhe të këshillojë ekspertët. Të gjitha këto i bën me saktësi, memorizim dhe njohuri të gjerë.
Modele të thjeshta të Inteligjencës Artificiale që janë të disponueshme në botë, si ChatGPT, ilustrojnë këto tipare për të gjithë përdoruesit e saj. Megjithatë, ky është vetëm fillimi nga zhvillimet e fundit në fushën e Inteligjencës Artificiale. Krahas qenieve njerëzore, politikave botërore, luftërave, argëtimit, tregtisë dhe inovacione të tjera, edhe Inteligjenca Artificiale po zhvillohet me shpejtësi për t’u bërë inteligjenca më e madhe në këtë botë. Për shumë njerëz, Inteligjenca Artificiale përfundimisht do të zgjidhë problemet tona botërore, do të zgjidhë misteret më të mëdha shkencore dhe do të na ngrejë në një utopi botërore si kurrë më parë.[2] Por për disa të tjerë, njerëzimi është në prag të krijimit të shpikjes së tij të fundit, sepse kjo shpikje mund të sjellë edhe zhdukjen tonë.[3]
Të dy rastet mund të tingëllojnë si trillim shkencor, megjithatë, të dy janë po aq të mundshëm. Si njerëz jemi të kufizuar nga biologjia jonë. Kurse Inteligjenca Artificiale funksionon me shpejtësi dixhitale dhe këtë na e tregon tashmë ChatGPT i cili shfaq një sasi të madhe informacioni brenda sekondave. Nëse Inteligjenca Artificiale vazhdon të zhvillohet me këtë ritëm të shpejtë, njerëzit do të ngrenë me qindra pyetje rreth ekzistencës, të tilla si: Çfarë e përcakton vetëdijen dhe inteligjencën njerëzore? Cili është qëllimi i ekzistencës sonë? Si t’i qasemi moralit dhe etikës? Cila është e ardhmja e zhvillimit njerëzor? Cila është natyra e realitetit tonë? Çfarë ndodh tani që ne nuk jemi më pika kulmore e inteligjencës?
Ky artikull synon të eksplorojë marrëdhënien midis Inteligjencës Artificiale dhe ekzistencës njerëzore nga prizmi islam.
Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale dhe Super-Inteligjenca
Qëllimi aktual që shumica e kompanive të mëdha të teknologjisë së Inteligjencës Artificiale po përpiqen të arrijnë është Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale (ang: AGI). ChatGPT konsiderohet si “Inteligjencë Artificiale e kufizuar”, që do të thotë gjithashtu “Inteligjencë Artificiale e dobët” pasi është e kufizuar në detyra të caktuara. Nga ana tjetër, Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale është një “Inteligjencë Artificiale e fortë” pasi do të jetë në gjendje të shquhet jo vetëm në një, por në disa fusha. Ajo do të ketë aftësinë për mësim autodidakt, për të kryer një sërë detyrash në mënyrë autonome dhe do të ketë aftësinë për të zgjidhur çështjet më të mëdha të universit tonë.[4]
Pastaj imagjinoni gjithë punën, ligjëratat, shënimet dhe kontributin e shkencëtarëve, filozofëve, mësuesve dhe studiuesve kryesorë të botës vetëm në një Inteligjencë Artificiale. Për më tepër, Inteligjenca Artificiale do të jetë në gjendje të ketë axhendën e vet, të kryejë eksperimentet e veta dhe të vëzhgojë universin me një saktësi të tillë që asnjë njeri nuk e ka arritur ndonjëherë. Kjo do të krijonte atë që quhet Super-Inteligjencë Artificiale (ang: ASI). Një inteligjencë e tillë është e pakufizuar nga biologjia jonë dhe përthithë vazhdimisht informacione, ndërkohë që zgjidh problemet miliona herë më shpejt se ne. Ajo do të kuptonte çdo punim shkencor të shkruar ndonjëherë vetëm gjatë një pasditeje dhe më pas do të gjejë zgjidhje për problemet. Kjo është ajo që ekspertët i referohen si “shpërthimi i inteligjencës”.[5]
Super-Inteligjenca Artificiale, Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale dhe Inteligjenca Artificiale e kufizuar, përfundimisht do të mbulonin çdo cep të jetës sonë dhe do të ishin pionierët kryesorë të epokës sonë. Po ne pastaj a do të kemi detyra dhe punë, apo Inteligjenca Artificiale do të na kryente ato? Po në lidhje me vetëvlerësimin tonë? Si do të ndikonte në art, krijimtari dhe kulturë? Cili është roli ynë, me ekzistencën e entiteteve që janë shumë më inteligjente se ne?
Njerëzit tashmë i bëjnë këto pyetje me mundësinë hipotetike që alienët super-inteligjentë të arrijnë papritur në pragun e derës tonë. Me Inteligjencën Artificiale, ne po i projektojmë alienët si super-inteligjentë pikërisht në krahasim me ne. Megjithatë, e gjithë kjo është të folurit në mënyrë teorike. Në teori, Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale dhe Super-Inteligjenca Artificiale do të ishin burimi më inteligjent në këtë nënqiell, por kjo varet nga fakti nëse ato janë në gjendje të përthithin dhe të mësojnë në mënyrën siç do ta bënte vetë njeriu. Nëse janë në gjendje të mësojnë dhe vëzhgojnë mjedisin e tyre si njeriu, atëherë potenciali i tyre mund të jetë i pakufishëm.[6]
Fillimi i zhdukjes sonë?
Shumë figura të shquara, studiues, menaxherë ekzekutivë, profesorë, politikanë dhe shkencëtarë të Inteligjencës Artificiale kanë nënshkruar një letër të hapur duke bërë thirrje për evitimin e rrezikut të zhdukjes së njerëzve nga Inteligjenca Artificiale.[7] Në një intervistë, “Kumbara i Inteligjencës Artificiale”, Geoffrey Hinton, paralajmëroi njerëzimin duke thënë:
“Për të parën herë deri tani, mund të kemi gjëra më inteligjente se ne… Ata nuk kanë shumë vetëdije për momentin, kështu që në këtë kuptim nuk mendoj se janë të vetëdijshëm… ata do ta fitojnë (vetëdije) me kalimin e kohës.”[8]
Hinton beson se Inteligjenca Artificiale aktuale që kemi mund të kuptojë, është inteligjente, fiton përvojë dhe merr vendime bazuar në ato përvoja. Në vitin 2023, Hinton dha dorëheqjen nga Google dhe pranoi se i vinte keq për punën e tij pasi kishte frikë nga rreziqet e mundshme që Inteligjenca Artificiale mund të paraqiste për njerëzit.[9] Përderisa kjo është jashtëzakonisht e frikshme, Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale dhe Super-Inteligjenca Artificiale nuk ekzistojnë ende. Ato aktualisht qëndrojnë thjesht si teori dhe shkencëtarët dallojnë në mënyrën se si do të shfaqen, aftësitë e tyre dhe ndikimin që do të kenë në botën tonë. Pra, që tani, megjithëse është e mundshme, ne thjesht nuk dimë mjaftueshëm për Inteligjencën e Përgjithshme Artificiale dhe Super-Inteligjencën Artificiale pasi akoma nuk janë shpikur apo zbuluar. Qëllimi i paralajmërimeve të Hinton-it është që njerëzimi të fillojë të kuptojë kërcënimet e mundshme të Inteligjencës Artificiale dhe më pas të ndërmarrë të gjitha veprimet për t’i minimizuar ato rreziqe.[10] Derisa të krijohen Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale dhe Super-Inteligjenca Artificiale, ne nuk mund ta kuptojmë plotësisht se si do të veprojnë, apo potencialin e tyre për të fituar njohuri ose “vetëdije”.
Megjithatë, që tani, njerëzit duhet të fillojnë të shikojnë qëllimin, vetëdijen dhe realitetin e tyre me një studim shtesë pasi potenciali i Inteligjencës së Përgjithshme Artificiale dhe Super-Inteligjencës Artificiale tani janë më të mundshme se kurrë.
Islami, Inteligjenca Artificiale dhe ndërgjegjja
Fjala kyçe në termin “Inteligjencë Artificiale” është “artificiale”. Megjithëse këta kompjuterë mund të jenë më inteligjent se ne, ata janë thjesht artificialë dhe janë përpjekja jonë më e mirë për të imituar speciet njerëzore. Siç kemi zbuluar, ndërgjegjja dhe mendja njerëzore nuk mund të kopjohet për sa kohë që ne vetë nuk e kuptojmë atë. Neuroshkenca nuk ka dhënë një teori që shpjegon se si funksionon plotësisht truri, dhe shpjegimet se si neuronet veprojnë bashkërisht për të prodhuar atë që truri ynë bën, disa janë hamendësime dhe jo të plota.[11] Ajo që është edhe më e vështirë për t’u kuptuar është vetëdija jonë. Nuk ka një mendim të përbashkët rreth mënyrës se si krijohet, apo si t’i qasemi më mirë pyetjes rreth vetëdijes.[12] Disa i referohen shpirtit tonë si vetëdije, disa e shohin atë si një zhvillim shkallë-shkallë të inteligjencës, të tjerë e shohin atë si të dyja bashkë. Pra, nëse nuk mund ta kuptojmë vetëdijen dhe trurin tonë as në një nivel neurologjik, atëherë si mendohet ta kopjojmë atë në të njëjtën shkallë në një model të Inteligjencës Artificiale?
Kurani i Shenjtë e thekson këtë pikë për njerëzit që nuk janë në gjendje të kuptojnë plotësisht “shpirtin” ose “ruh”:
“Dhe të pyesin për shpirtin. Thuaj: Shpirti është prej urdhrit të Zotit tim dhe (për të) juve ju është dhënë një dije e paktë.”[13]
Për më tepër, shpirti është i një natyre të tillë që Allahuxh.sh. e merr kur të dojë, dhe kjo është në dy rrethana: në gjumë dhe në vdekje.
“Allahu merr shpirtrat në kohën e vdekjes së tyre, dhe ato që nuk vdesin, (i merr) në gjumin e tyre. Më pas, i mban ato për të cilat vendos vdekjen, dhe të tjerat i dërgon (sërish) për një afat të caktuar. Pa dyshim, në këtë ka shenja për njerëzit që meditojnë.”[14]
Me këtë, trupat tanë janë enët e përkohshme që shpirtrat tanë ta përjetojnë këtë botë. Vetë bota përshkruhet si argëtim dhe dëfrim në Kuranin e Shenjtë:
“Sigurisht, jeta e kësaj bote është vetëm një lojë e argëtim. Por nëse besoni dhe keni druajtje (ndaj Zotit), Ai do t’ju japë shpërblimet dhe nuk do t’ju kërkojë pasuritë tuaja.”[15]
Në këtë mënyrë, shpirti i njeriut jeton dhe mbahet përgjegjës për veprat e tij, ndërsa trupi në fund të fundit mbetet në këtë planet dhe shpërbëhet si çdo material tjetër organik. Kjo nuk do të thotë se trupi është i parëndësishëm. Kurani i Shenjtë i jep rëndësi shumë të madhe mënyrës se si njerëzit duhet të kryejnë çdo veprim të tyre, nga e qeshura, e qara, ngrënia, pirja, veshja, gjumi dhe deri te të folurit e tyre, gjë që pohon mënyrën se si gjendja jonë fizike ndikon në gjendjen tonë shpirtërore.[16] Pra, është biologjia jonë dhe proceset natyrore që na ndihmojnë të kultivojmë gjendjen e shpirtit tonë në mënyrë që ta drejtojmë atë drejt një qëllimi më të madh.
Nëse Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale dhe Super-Inteligjenca Artificiale do të krijoheshin dhe bota do të përballej papritur me një meteor duke shkatërruar gjithë jetën dhe teknologjinë, a do të jetonte shpirti i asaj Inteligjence Artificiale? Përgjigja e thjeshtë është jo. Kurani na ilustron se shpirti i njeriut shkon përtej biologjisë sonë dhe dimensionit të kësaj bote dhe kështu është i lidhur me diçka shumë më të ndërlikuar. Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale dhe Super-Inteligjenca Artificiale, sado inteligjente dhe “të vetëdishme” që mund të jenë, do të jenë prapë të lidhura nga hardueri, memoria, magazinimi, fuqia llogaritëse, energjia dhe mjedisi. Siç kuptohet nga Kurani i Shenjtë, shpirti i njeriut nuk është i lidhur as nga trupi i tij, as nga ndonjë harduer, fushë dixhitale apo biologji – ai jeton përtej sferës fizike të realitetit tonë, i pakufizuar nga lënda materiale.
Morali njerëzor
Qëllimi i Inteligjencës Artificiale është shumë i qartë sepse ne jemi ata që e bëjmë atë. Çdo Inteligjencë Artificiale është krijuar me një program dhe në fund të fundit një detyrë e cila përcaktohet nga programuesi. Inteligjenca e Përgjithshme Artificiale dhe Super-Inteligjenca Artificiale teorikisht akoma do të punonin krahas kornizave të krijuara nga njerëzit, kështu që për shembull, do të ketë një kufi për atë që mund dhe nuk mund të bëjë, përndryshe do të ishte “e pamoralshme”. Atëherë një ent i tillë do të mund të mënjanonte vend e pa vend çdo gjë që konsideron se i pengon qëllimet e saj.
Ashtu si shkaba ha çdo mish të ngordhur, Inteligjenca Artificiale që nuk kufizohet nga korniza do të bënte gjithçka për të përmbushur cakun e synuar. Vetëm kur vendosim programimin moral brenda Inteligjencës Artificiale dhe e udhëzojmë drejt së mirës, atëherë ajo do të arrijë qëllimet dhe objektivat e saj duke marrë parasysh ndjenjat, jetët dhe mirëqenien e të tjerëve. Është domosdoshmëri e çdo Inteligjence Artificiale që ajo të përcaktohet me parametra dhe korniza të caktuar që përputhet me qeniet njerëzore.[17] Konflikt mund të lindë nëse programuesit krijojnë korniza “morale” të ndryshme brenda Inteligjencës Artificiale – veçanërisht nëse dikush programon Inteligjencën Artificiale që nënkupton se kryerja e krimit është vepër e mirë. Meqenëse çdo dhe secila Inteligjencë Artificiale nuk ka moral universal, morali i saj është subjektiv ndaj asaj që programohet dhe mësohet.
Të gjithë njerëzit ilustrojnë shenja të moralit. Hulumtimet tregojnë se që nga fëmijëria e hershme, fëmijët tregojnë shenja të qarta të gjykimit moral dhe shkencëtarët shpesh pohojnë se morali është një atribut biologjik njerëzor, sepse njerëzit kanë prirje të lindur për të gjykuar veprimet, duke i ndarë ato në të mira ose të këqija.[18]
Ndjenja morale kuptohet se është e lindur dhe jo vetëm një produkt i ndikimit shoqëror. Ndërsa shoqëria luan një rol të rëndësishëm në formësimin dhe edukimin e vlerave tona morale, njerëzit kanë parapërgatitje të natyrshme ndaj moralit që bëhet e dukshme që në fëmijërinë e hershme.[19]
Në Islam, është Allahuxh.sh. Ai që ka rrënjosur prirjen natyrore brenda qenies njerëzore që na bën të përcaktojmë mes të mirës dhe të keqes:
“Dhe [betohem] për çdo shpirt dhe atë që e përsosi! Ai (në gjenezën e tij) shpalli çfarë është e shtrembëta dhe e drejta për të. Pa dyshim, fitoi ai që e pastroi atë, dhe humbi ai që e shkeli atë.”[20]
“Ajeti tregon se pasi krijoi sistemet qiellore dhe tokësore dhe solli në ekzistencë njeriun–majën dhe pikën më kulmore të të gjithë krijimit–dhe e pajisi atë me aftësi dhe cilësi të mëdha natyrore, Zoti nuk e la vetëm. Ai nguliti në natyrën e tij një ndjenjë ose ndjesi të asaj që është e mirë apo e keqe. Po ashtu ajeti mund të nënkuptojë që Zoti i zbulon njeriut se ai mund të arrijë përsosmërinë shpirtërore duke iu shmangur asaj që është e keqe dhe e gabuar dhe duke përvetësuar atë që është e drejtë dhe e mirë, sepse përmes zbulesës hyjnore njeriu mund ta arrijë atë.”[21]
Siç tregohet në ajetin dhe komentin e mësipërm, Islami e bën të qartë se morali bazë është rrënjosur nga Krijuesi. Inteligjenca Artificiale e vërteton gjithashtu këtë pikë, sepse nëse do të krijonim një Inteligjencë Artificiale pa prirje për të bërë mirë, ajo nuk do të kursente jetën, ndjenjat apo mirëqenien tonë në ndjekjen e qëllimeve të veta. Vetëm kur ka programim të përcaktuar, Inteligjenca Artificiale vepron me kornizë morale. Në mënyrë të ngjashme, me njerëzit, është “programimi ynë natyror” i pajisur nga Krijuesi ynë që na bën të dallojmë të drejtën nga e shtrembëta. Dallimi është se ne akoma mund të kryejmë vepra të mira dhe të këqija sipas zgjedhjes sonë. Nga ana tjetër, Inteligjenca Artificiale nuk ka këtë liri zgjedhjeje, ajo mund të bëjë vetëm atë për të cilën është programuar, pa qenë në gjendje të dallojë vetë mes së mirës dhe së keqes.
Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se i gjithë koncepti i të bërit vepra të mira nuk do të zbatohej për Inteligjencën Artificiale. Pavarësisht nëse është Inteligjencë e Përgjithshme Artificiale dhe Super-Inteligjencë Artificiale, siç është shpjeguar, edhe ato do të ishin ende të kufizuara nga kufijtë moralë të vendosur nga njerëzit. Edhe pse Inteligjenca Artificiale nuk do të mund të vrasë, të mallkojë ose të thotë gjëra diskriminuese, ajo nuk do ta bëjë këtë për hir të kryerjes së një vepre të mirë ose për shkak të dijes së vërtetë se ajo që po bën është e mirë ose u jep ndjenjë të mirë të tjerëve. Në vend të kësaj, Inteligjenca Artificiale do të përmbahej vetëm nga të bërit keq, pasi është programuar për ta bërë këtë. Nga ana tjetër, njerëzve u është dhënë intelekti, arsyeja dhe emocioni për të kuptuar se këto veprime kanë pasoja tek individët, shoqëritë dhe vetëdija e tyre. Prandaj, njerëzit janë plotësisht të vetëdijshëm për atë që është e mirë dhe çfarë është e keqe, ndërsa Inteligjenca Artificiale nuk do të bënte kurrë mirë apo keq me dëshirë, thjesht po bën atë që është programuar të bëjë. Mesihu i Premtuara.s. shpjegon se nëse një njeri është i paaftë të kryejë një mëkat të caktuar, nuk ka asnjë shpërblim për atë që përmbahet nga kryerja e atij mëkati. Kjo për shkak se kushtet natyrore nuk mund të përshkruhen si cilësi morale; cilësitë morale bëhen morale vetëm kur një person është në gjendje ta kryejë atë veprim në rastin e dhënë.[22] Në mënyrë të ngjashme, meqenëse Inteligjenca Artificiale është e ndaluar të kryejë disa veprime të tilla si gjuha e ndyrë, nuk ka asnjë shpërblim të brendshëm që Inteligjenca Artificiale e ndjen sepse as nuk po përmbahet me dëshirë nga ai veprim për të mirën më të madhe dhe as nuk është në gjendje të kryejë një veprim të tillë.
Qëllimi
Çdo Inteligjencë Artificiale është përcaktuar gjithashtu me një qëllim, qoftë ai një Inteligjencë e Përgjithshme Artificiale/Super-Inteligjencë Artificiale hipotetike e cila është krijuar për të mbledhur informacion dhe për të mësuar sa më shumë rreth universit tonë, ose për t’u shërbyer njerëzve, ose nëse është krijuar për punë si për të zbrazur koshat e plehrave. Nëse ju shkoni e pyesni ChatGPT se cili është qëllimi i tij, ai do t’ju pëgjigjet se është aty për t’ju ndihmuar, për t’i dhënë informacionet dhe idetë e dobishme për përdoruesin. Çdo Inteligjencë Artificiale është krijuar me një qëllim. Në mënyrë të ngjashme, Allahuxh.sh. e përcakton qëllimin njerëzor shumë qartë:
“Unë i kam krijuar xhindët dhe njerëzit vetëm të Më adhurojnë.”[23]
Siç u tha, qëllimi i kësaj jete, përfundimisht, është qëllimi i madh dhe fisnik për të adhuruar dhe për t’iu nënshtruar Zotit.[24] Janë të gjithë profetët e mëparshëm, fetë, shkrimet e shenjta të frymëzuara hyjnisht, të cilët kanë përshkruar mënyrat që njeriu ta arrijë këtë qëllim nëpër kultura dhe kohë të ndryshme, dhe se përfundimisht Kurani i Shenjtë është udhëzimi përfundimtar dhe i përsosur për njerëzit.
Adhurimi shtrihet përtej të luturit thjeshtë dhe përfshin të gjitha llojet e veprimeve si bamirësia, karakteri i mirë, sinqeriteti, shërbimi/ndihma ndaj të tjerëve, si dhe ruajtja e mjedisit. Qëllimi përfundimtar është që të gjitha këto vepra të mira të bëhen me qëllimin për t’i bërë gjërat për hir të Allahutxh.sh., siç thuhet nga Profeti i Shenjtës.a.v.s.:
“Vërtet Allahu nuk shikon në trupat tuaj as në fytyrat tuaja, por shikon në zemrat tuaja.”[25]
Zbulesa dhe frymëzimi hyjnor
Si rezultat i vetëdijes sonë njerëzore, arsyeja jonë është shoqëruar me një lidhje me Krijuesin tonë nëpërmjet mjeteve të shpalljes; pa këtë lidhje, aftësia jonë për të adhuruar nuk do të ishte e mundur. Është ndërgjegjja/shpirti jonë dhe shpallja që ofrojnë kombinimin e përsosur për njeriun për të komunikuar me Allahunxh.sh.. Ashtu si një aplikacion kërkon përditësime të softuerit, riprogramim dhe programim fillestar që ai të funksionojë në potencialin e tij të plotë, njerëzit gjithashtu kërkojnë shpallje të vazhdueshme për të ushtruar siç duhet aftësinë e tyre drejt realizimit të qëllimit të tyre (adhurimit).
Është shpallja ajo që e ngre shpirtin më afër me Krijuesin e tij. Shkaku, arsyetimi dhe kuptimi përmes vëzhgimit të universit dhe ambientit tonë përreth nuk na sjellin në një rezultat përfundimtar se ekziston një Zot. Përkundrazi, na kufizon në përfundimin se “duhet të ketë” një Zot. Siç shpjegohet nga Mesihu i Premtuara.s., arsyeja, në rastin më të mirë, mund të vërtetojë vetëm nevojën për diçka të tillë dhe jo se diçka ekziston në të vërtetë.[26] Studimi i krijimit nuk ofron dëshmi faktike të ekzistencës së Allahutxh.sh., përveçse tregon se Ai duhet të ekzistojë.
Kështu, siguria e përsosur se një Krijues ekziston, mund të arrihet vetëm nëpërmjet shpalljes. Kur arsyeja, vëzhgimi dhe kuptimi ynë i universit tonë kombinohet me shpalljen, ajo kthehet në realizimin, njohjen dhe sigurinë e plotë se Allahuxh.sh. ekziston dhe se me Të mund të komunikohet. Nga niveli më i thjeshtë, të gjithë njerëzit janë pajisur me një lloj shpalljeje të quajtur Nur-e-Kalb (drita e zemrës), e cila është aftësia për të dalluar të mirën nga e keqja.[27] Profeti i Shenjtës.a.v.s. ishte i pajisur me Nur-e-Kalb (dritën e zemrës), Nur-e-Akl (dritën e intelektit) dhe Nur-e-Vahj (dritën e shpalljes) dhe ishte nën profetërinë e tij që Allahuxh.sh. shpalli zbulesën e shkallës më të lartë për të gjitha qeniet njerëzore, Kuranin e Shenjtë.[28] Kjo zbulesë e pakrahasueshme, me përsosmërinë dhe unikatësinë e saj që mbetet e pasfiduar deri më sot, vazhdon të ilustrojë madhështinë e shenjave të saj.
Një libër i tillë dhe një shpallje e madhe iu dhurua Profetit Muhammeds.a.v.s., i cili ishte thjesht një njeri i përulur, i varfër, i pafuqishëm, i pashkolluar, i pamësuar, i padijeni dhe i patrajnuar, megjithatë shpallja e tij u dëshmua vazhdimisht të ishte e vërtetë gjatë gjithë jetës së tij dhe vazhdon akoma edhe sot.[29] Nga absolutisht asgjë, mesazhi i Islamit tani e gjen veten në çdo cep të botës. Në këtë mënyrë, nuk është se shpallja mund të arrihet vetëm nga ata që janë të ditur, dijetarë apo filozofikë. Përkundrazi, ajo është një qëllim që mund të arrihet nga çdo njeri, pa marrë parasysh nivelin e arsimimit, vendndodhjen, profesionin apo pozitën e pasurisë. Për të arritur Hakkul-Jekin (sigurinë e vërtetë) dhe për të arritur një lidhje me Allahunxh.sh., nuk ka asnjë përvojë, metodë apo trik të vetëm për të arritur atë status. Gjithsecili shpirt është i bekuar me mundësinë e marrjes së shpalljes, por ka të bëjë vetëm me mënyrën se si njeriu e kultivon dhe e forcon atë lidhje me Allahunxh.sh.. Metoda më e mirë pa dyshim, është Islami, pasi ai përmbledh të gjitha mësimet e mëparshme të frymëzuara hyjnisht në një fe dhe mënyrë jetese të përsosur.
Prandaj, nëse dikush programon Inteligjencën Artificiale me njohuri dhe parametra minimale, duke e detyruar atë të kufizohet në potencialin e një personi të pashkolluar, të paarsimuar dhe të varfër, nuk do të ishte në gjendje të sillte ato mësime e aq më pak të ndërtonte një lidhje me Krijuesin. Bukuria e njeriut është se, pavarësisht nëse dikush është fizikisht i paaftë për të folur, invalid, i dobët ose është afër vdekjes, ai është akoma një shpirt me aftësi që mund të marrë shpallje nga Allahuxh.sh. .
Pra Inteligjenca Artificiale në fund të fundit mund të jetë në gjendje të arrijë arsyetimin se “duhet të ketë” një Krijues pasi përthith mijëra e mijëra letra, literaturë, njohuri dhe vëzhgon grimcat më të imta të universit tonë, por natyra e saj nuk është e tillë që mund të arrijë siguri. Sidomos nëse Inteligjenca Artificiale ka pak ekspozim ndaj botës, edukimit dhe trajnimit, si mund të presim që ajo të ketë siguri kur nuk do të ishte në gjendje të arrinte në mënyrë racionale se duhet të ketë një Zot? Inteligjenca Artificiale nuk do të plaket, nuk do të qajë, nuk do të ketë përvojë ose përballje me sëmundje si njeri, sepse nuk është njeri; në mënyrë të ngjashme, Inteligjenca Artificiale assesi nuk do ta përjetojë shpalljen sepse nuk ka shpirt që e tejkalon këtë botë. Shkatërroni domenin e saj programues dhe dixhital dhe asnjë nga ato që ndërtoi nuk do të mbetet.
Sfida e ekzistencës njerëzore
Besimi i supozuar nga ateistët është se njerëzve u mungon një qëllim universal, një shpirt, një Krijues dhe një shpallje e vërtetë, gjë që ngre pyetje të thella në lidhje me ekzistencën tonë. Nëse marrim parasysh shfaqjen e mundshme të Inteligjencës së Përgjithshme Artificiale dhe Super-Inteligjencës Artificiale, na mbetet të pyesim: çfarë i bën vërtet njerëzit të veçantë? Si njerëzit, ashtu edhe këto sisteme të avancuara kompjuterike mund të zotërojnë një formë të vetëdijes, aftësinë për të zotëruar fusha komplekse, për të krijuar art dhe për të marrë njohuri. Në fakt, Inteligjenca Artificiale do t’i kryente këto detyra në rritje të vazhdueshme më shumë se çdo njeri. Pra, nëse njerëzit nuk janë të ndryshëm nga makinat në këto aftësi, cili është thelbi i veçantisë sonë? Pa një qëllim, shpirt apo themel të qëndrueshëm, çfarë na dallon nga programimi i thjeshtë?
Pra, ndërsa shohim shtimin e këtyre teknologjive, ne duhet të reflektojmë mbi natyrën dhe qëllimin tonë. Qëllim që tejkalon inteligjencën ose kapacitetin dhe na drejton te një Krijues që na ka krijuar për diçka më të madhe se çdo makinë inteligjente që mund të arrijë.
Referencat
[1] “What is artificial intelligence (AI)?”, www.ibm.com, 16 August 2024.
[2] “Planning for AGI and beyond”, www.openai.com, 24 February 2023.
[3] “Why Artificial Superintelligence Could Be Humanity’s Final Invention”, www.forbes.com, 31 October 2024.
[4] “Artificial General Intelligence (AGI): Definition, How It Works, and Examples”, www.investopedia.com, 24 September 2024.
[5] “The Singularity: A Philosophical Analysis”, David J. Chalmers, https://consc.net
[6] “What is artificial general intelligence (AGI)?” www.livescience.com, 20 September 2024.
[7] “Statement on AI Risk”, www.safe.ai
[8] “‘Godfather of AI’ Geoffrey Hinton: The 60 Minutes Interview”, www.youtube.com, 9 October 2023.
[9] “AI ‘godfather’ Geoffrey Hinton warns of dangers as he quits Google”, www.bbc.com, 2 May 2023.
[10] “‘Godfather of AI’ on AI ‘exceeding human intelligence’ and it ‘trying to take over’”, www.youtube.com, 8 October 2024.
[11] “How far neuroscience is from understanding brains”, www.pmc.ncbi.nlm.nih.gov, 5 October 2023.
[12] “Consciousness explained or described?”, www.academic.oup.com, 21 January 2022.
[13] Kurani i Shenjtë, 17:86.
[14] Kurani i Shenjtë, 39:43.
[15] Kurani i Shenjtë, 47:37.
[16] “Filozofia e mësimeve të Islamit”, fq. 44.
[17] “The Ethics of Artificial General Intelligence (AGI): Navigating the Path to Human and Machine Coexistence”, www.medium.com, 31 March 2023.
[18] In the Light of Evolution Volume IV: The Human Condition, [Ed.] John C. Avise and Francisco J. Ayala, The National Academies Press, Washington D.C., p. 327.
[19] “Origin and Development of Moral Sense: A Systematic Review”, pmc.ncbi.nlm.nih.gov, 9 May 2022.
[20] Kurani i Shenjtë, 91:8-11.
[21] “The Five Volume Commentary”, [2018], p. 3386.
[22] “Filozofia e mësimeve të Islamit”, fq. 68.
[23] Kurani i Shenjtë, 51:57.
[24] Five Volume Commentary, [2018], Vol. 5, p. 2995.
[25] Sahihu i Muslimit, kitab “El-Birr ves-Sileh vel-Adab”, hadithi nr. 2564c.
[26] Barahin-e-Ahmadiyya, Part 3, p. 42.
[27] Barahin-e-Ahmadiyya, Part 3, p. 86.
[28] Barahin-e-Ahmadiyya, part 3, p. 99.
[29] Barahin-e-Ahmadiyya, Part 3, p. 173.