
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
O Zot! Lartësoje Muhammedin dhe popullin e tij, ashtu siç e lartësove Ibrahimin dhe popullin e tij! Me të vërtetë, Ti je i Lavdëruar, i Nderuar!
O Zot! Bekoje Muhammedin dhe popullin e tij, ashtu siç e bekove Ibrahimin dhe popullin e tij! Me të vërtetë, Ti je i Lavdëruar, i Nderuar!
Kurani i Shenjtë, Fjala e pastër e Zotit të Madhërishëm, i shpallur në zemrën e çiltër të Profetit Muhammed, paqja dhe bekimet e Allahut gjithmonë qofshin mbi të, i ruajtur dhe i mbartur gjer më sot në formën origjinale të tij, është Libri i Shenjtë i të gjithë besimtarëve muslimanë dhe do të mbetet i tillë deri në Ditën e Gjykimit. Sipas Kuranit, Zoti i Madhërishëm dërgoi Profetët e tij te çdo popull, po kështu, disa Libra të tjerë përpara Kuranit, duke u kujdesur për zhvillimin shpirtëror, moral dhe shoqëror të njeriut. Libri përfundimtar prej Tij u zbrit në formën e Kuranit, dhe për këtë arsye, Ai krijoi mundësi e rrethana, të cilat nuk lejojnë asnjë ndërhyrje në të. Për shembull, Kurani u shkrua sure më sure e ajet më ajet, tek po zbritej.
Kurani që në kohën e Profetit s.a.v.s., me porosinë Hyjnore, filloi të recitohej në gjuhën origjinale në namazet e pesë vakteve. Që gjatë jetës së Profetit qindra sahabë vijuan ta mësonin përmendsh gjithë Kuranin, traditë kjo që vijon edhe sot e kësaj dite. Sot në botë mund të gjeni miliona muslimanë që e dinë gjithë Kuranin përmendsh. Zoti, përveçse siguroi mbrojtjen tekstuale të Kuranit, i dha edhe mbrojtje kuptimore, duke ngritur në krye të çdo shekulli të Islamit nga një reformator (muxheddid),[1] i cili i udhëzoi muslimanët që të mos e keqinterpretonin Kuranin. Kështu premtimi i Zotit:
“Sigurisht, Ne e zbritëm këtë Këshillë dhe sigurisht, Ne do ta mbrojmë atë.” (15:10),
sa vjen e bëhet më madhështor.
Emra të ndryshëm të Kuranit të Shenjtë
Kurani ka emra të ndryshëm të përmendur në Kuran dhe në hadithe. Disa prej tyre që janë përmendur edhe në Kuran, janë:
- Kuran (50:2),
- Furkan (dallues) (25:2),
- Dhikr (këshillë ose kujtesë) (15:10)
- Adhim (i madhërishëm) (15:88),
- Kerim (i nderuar) (56:78),
- Burhan (argument),
- Nur (dritë) (4:175),
- Rahmeh (mëshirë),
- Shifa (shërim) (17:83),
- Hudā (udhëzim) (41:45) etj..
Historiku i zbritjes së Kuranit
Kurani i Shenjtë filloi të zbritej në muajin e Ramazanit (2:186), i cili në kalendarin islam është muaji i nëntë. Pra, në njërën prej ditëve të këtij muaji të bekuar, Profetit Muhammed s.a.v.s. i erdhi shpallja e parë Kuranore në shpellën Hira, që ndodhet në afërsi të Mekës. Më pas, për 23 vitet e ardhshme, Kurani do të zbritej, pak nga pak, për të përfunduar gjatë jetës së Profetit s.a.v.s.. Sipas kalendarit gregorian, kjo periudhë i përket gjysmës së parë të shekullit VII.
Suret e para të Kuranit, sipas renditjes kronologjike, janë:
Ajeti i parë dhe ajeti i fundit sipas kohës së zbritjes
Ajeti i parë i Kuranit që iu zbrit Profetit në shpellën Hira, është nga surja 96 El-Alek: “Lexo me emrin e Zotit tënd që krijoi.” (96:2)
Kurse ajeti i fundit është nga surja 5 El-Maideh: “… Sot, kam përsosur fenë tuaj për ju dhe jua kam plotësuar bekimin Tim dhe kam pëlqyer Islamin për ju si fe…” (5:4)
Suret dhe ajetet në Kuranin e Shenjtë
Kurani ndahet në kapituj që quhen sure. Suret përbëhen nga vargje që quhen ajete. Emrat e sureve janë vendosur që gjatë jetës së Profetit s.a.v.s.. Madje, disa sure kanë më shumë se një emër. Kurani ka gjithsej 114 sure. Për sa i përket numrit të ajeteve, ka mendime të ndryshme. Por kjo nuk do të thotë se kopje të ndryshme të Kuranit kanë ajete të ndryshme. Jo. Ndryshimi është vetëm në përcaktimin e numrit të ajeteve, gjë që vjen për disa arsye.
Për shembull, disa “Bismil-lahin…” që vjen në krye të çdo sureje, nuk e llogarisin si ajet të parë të çdo sureje, por vetëm të sures El-Fatiha, kurse disa të tjerë, duke përfshirë edhe Xhematin Musliman Ahmedia, e llogarisin atë si ajet të parë të çdo sureje, me argumentin se ai është pjesë e Kuranit. Për këtë, lexoni 2:1. Kështu, numri i ajeteve të Kuranit duke përfshirë Bismil-lahin si ajet të parë, është 6,348.
Suret mekase dhe ato medinase
Siç dihet që pas profetërisë, Profeti Muhammed s.a.v.s. jetoi 13 vite në Mekë, më pas, për shkak të persekutimeve të ashpra të mekasve, mërgoi në Medinë, ku do të jetonte edhe 10 vite të tjera. Nisur nga kjo ndarje historike e jetës së tij, edhe suret ndahen në dy kategori:
- mekase dhe
- medinase.
Kështu, numërohen 86 sure të zbritura në Mekë dhe për këtë arsye quhen mekase, kurse 28 sure të tjera janë zbritur pas mërgimit në Medinë dhe për këtë arsye quhen medinase. Megjithatë, ka edhe sure, të cilat pjesërisht janë zbritur në Mekë dhe pjesërisht në Medinë.
Renditja e Kuranit
Ndërsa Kurani po zbritej në bazë të zhvillimeve që ndodhnin gjatë jetës së Profetit s.a.v.s., Profeti s.a.v.s., me udhëzim Hyjnor, i rendiste suret ndryshe, në bazë të tematikës së tyre. Prandaj, ka shumë sure që janë zbritur në vitet e para, por që ndodhen në pjesën e fundit në Kuran. Ashtu siç ka sure, që janë zbritur në periudhën medinase, por që ndodhen në pjesët e para të Kuranit. Renditja aktuale e Kuranit nuk është arbitrare, përkundrazi, lidhjet e sureve shpalosin tematika nga më të larmishmet.
Kurani u shkrua që në kohën kur u zbrit
Çdo herë kur zbriteshin ajete të caktuara, Profeti i porosiste sahabët që dinin shkrim e këndim, t’i shkruanin ato. Atëherë Kurani shkruhej nëpër degë hurme, nëpër gurë,[2] në shpatulla devesh, kuajsh a delesh etj..[3] Ndër sahabët e parë që shkruan Kuranin sipas porosisë së Profetit Muhammed s.a.v.s., ishin Hazret Zejd bin Thabiti r.a., Hazret Ebu Bekri r.a., Hazret Osmani r.a., Hazret Omeri r.a., Hazret Aliu r.a. etj..
Mbledhja dhe kopjet e para të Kuranit
Kurani ishte shkruar nëpër sende të ndryshme. Hazret Ebu Bekri r.a., gjatë Kalifatit të tij, porositi Hazret Zejd bin Thabitin r.a. t’i mblidhte ato dhe t’i bënte një libër. Gjatë Kalifatit të Hazret Osman bin Affanit r.a., Kalifi i kohës përgatiti disa kopje të këtij libri dhe i dërgoi ato në vende të ndryshme muslimane. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe, kishte me qindra muslimanë, të cilët e dinin gjithë Kuranin përmendsh. Në këtë mënyrë, Kurani i Shenjtë në arabisht që ekziston në botë, është identik me Kuranin që na ka dhënë Allahu i Madhërishëm përmes të Dërguarit të Tij s.a.v.s.. Më shumë për këtë temë, lexoni te 15:10.
Ndarja sasiore e Kuranit për lehtësinë e lexuesit
Përveç ndarjes në sure (kapituj) dhe ajete (vargje), e cila është një ndarje semantike dhe që u bë gjatë kohës së Profetit s.a.v.s., Kuranit iu bënë edhe disa ndarje të tjera, të cilat janë sasiore dhe u bënë më vonë. Ndër to janë menzilë, xhuze, ruku ose hizbë etj.. I gjithë Kurani është i ndarë në 7 menzilë dhe 30 xhuze, në mënyrë që një lexues që dëshiron ta lexojë Kuranin brenda 30 ditëve, lehtësisht mund t’i përmbahet ndarjes së xhuzeve, kurse ai që dëshiron ta lexojë brenda 7 ditëve, mund t’i ndjekë menzilët. Xhuzet më tej janë ndarë në ruku ose hizb. Rukuja është relativisht më e vogël se hizbi. Kështu, rukutë janë 558, dhe hizbët 60, por çdo hizb ndahet në 4 nënndarje të tjera. Në këtë botim, ne kemi ndjekur sistemin e rukuve.
Recitimi dhe studimi i Kuranit të Shenjtë
Kurani i Shenjtë duhet recituar dhe studiuar vazhdimisht dhe me vëmendje. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
“Ai që përfundoi leximin e të gjithë Kuranit brenda tri ditëve, nuk kuptoi asgjë prej tij.”[4].
Po kështu, ai tha:
“Kushdo që lexon qoftë një shkronjë të Kuranit, Allahu i Madhërishëm e shpërblen atë dhjetëfish; dhe unë nuk them se elif.lam.mim përbëjnë një shkronjë, por elifi është një shkronjë, lami është një shkronjë dhe mimi është një shkronjë.”[5]
Metoda më e mirë për recitimin dhe studimin e Kuranit të Shenjtë është që, më së pari, sipas porosisë së Allahut (16:99), duhet t’i kërkosh mbrojtjen Allahut nga djalli i mallkuar, pra të lutesh me fjalët “E‘ūdhu bil-lāhi minesh-shejtānirr-rraxhīm”. Pas kësaj, ta fillosh me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit, pra, të thuash “Bismil-lāhirr-Rrahmānirr-Rrahīm”. Po kështu, Kurani që në fillim pohon se ai është udhëzim për ata që kanë druajtje (2:3), pra për ata që kanë turp të refuzojnë të vërtetën, të hyjnë në mëkat dhe që vazhdimisht përpiqen të pastrohen shpirtërisht.
Pas kësaj përgatitjeje, Kuranin duhet ta lexosh në atë mënyrë që kudo që vjen ndonjë lutje, edhe ti të lutesh; kudo që lexon për mëshirën e Zotit, t’ia kërkosh atë; kudo që sheh se po flitet për ndëshkimin e keqbërësve, t’i kërkosh mbrojtje Zotit nga vepra të tilla etj..
Mrekullia e elokuencës së Kuranit të Shenjtë
Në shumë ajete të tij, Kurani sfidon mohuesit që, nëse ata dyshojnë në vërtetësinë e këtij Libri, të sjellin një libër të ngjashëm me të, ose ndonjë sure si suret e tij, ose ndonjë ajet si ajetet e tij. Ai gjithashtu pohon se mohuesit, edhe sikur të bashkohen që të gjithë, nuk mund të sjellin dot ndonjë shembull të tij. Duke përshkruar disa nga mrekullitë e gjuhës së Kuranit, Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s. i Kadianit, shërbëtori i përsosur i Profetit Muhammed s.a.v.s., thotë:
“Kurani i Shenjtë ka disa cilësi të paarritshme, si për shembull:
1) Elokuenca dhe shprehësia e tij, që është krejt e veçantë nga shprehësia njerëzore. Shprehësia e njeriut është e ngushtë, dhe për këtë arsye, ajo nuk mund të quhet e përsosur pa pasur trillime, sajesa e gjëra të panevojshme.
2) Mrekullia e dytë e paarritshme e Kuranit është që të gjitha historitë, që janë përmendur në të, përbëjnë edhe profeci, gjë për të cilën vetë Kurani herë pas here e ka shprehur.
3) Mrekullia e tretë e paarritshme e Kuranit të Shenjtë është që mësimi i tij ka të gjithë potencialin e nevojshëm për ta përsosur natyrën dhe karakterin e njeriut dhe se i ka të gjitha argumentet që janë të nevojshme për njeriun për ta arritur shkallën më të lartë të bindjes.
4) Mrekullia e katërt shumë e madhe e Kuranit është që ai e afron ndjekësin e përsosur të tij me Zotin, aq shumë saqë Zoti e bekon atë me komunikimin Hyjnor; ndjekësi arrin pastrimin shpirtëror dhe qëndrueshmërinë e besimit në nivelin më të lartë sipas kapacitetit të tij, dhe Zoti përmes tij shfaq shenja të qarta. Megjithatë, është një pikë me rëndësi që na tregon Kurani, se ky bekim që gëzon njeriu i përsosur përmes Kuranit, nuk është vlerë e tij personale, por një dhuratë prej Zotit, dhe për këtë arsye, edhe ndjekësi i përsosur nuk e quan këtë si arritje të tij personale. Vlera e besimtarit të përsosur është deri te druajtja e tij ndaj Zotit, pastërtia e tij shpirtërore dhe qëndrueshmëria e tij në besim. Për shembull, nëse një mur pasqyron dritën e diellit, drita nuk quhet veti e murit. Vetia e murit është pastërtia e tij dhe se po qëndron i palëkundur në baza aq të forta, të cilat mund të mbajnë mbi supe një pallat të tërë.”[6]
Komentimi i Kuranit të Shenjtë
Zoti i Madhërishëm thotë në Kuranin e Shenjtë:
“Dhe për çdo gjë Ne kemi thesaret e saj dhe Ne nuk e zbresim atë, përveçse në një sasi të përcaktuar.” (15:22).
Kështu, Zoti ua shpalos edhe kuptimet e Kuranit robërve të Tij të zgjedhur në kohë të ndryshme, në bazë të nevojave shpirtërore të njeriut. Në lidhje me këtë, Ai pohon në Kuran:
“… interpretimin e tyre nuk e di askush, përveç Allahut dhe të thelluarve në dije (që) thonë: “E besuam; gjithçka është prej Zotit tonë”.” (3:8).
Në shumë hadithe të Profetit Muhammed s.a.v.s. gjejmë komentim të një sërë ajetesh të Kuranit të Shenjtë. Robërit e sinqertë të Zotit e komentojnë Kuranin e Shenjtë në dritën e fjalëve të Profetit s.a.v.s.. Për këta robër të Tij, të cilëve Zoti ua mëson Kuranin, Ai thotë:
“Sigurisht, ky Kuran është i nderuar; (i ruajtur) në një Libër të fshehtë. Asnjë nuk e prek dot, përveç të pastërve.” (56:78-80)
Duke e shpjeguar këtë ajet, Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia, Mesih i Premtuar dhe Imam Mehdi a.s. thotë:
“Kuptimi i këtyre ajeteve është që Zoti u zbulon të vërtetat e Kuranit vetëm atyre, që janë të pastër shpirtërisht. Kjo për arsye se njeriu me zemër të pastër ka një ngjashmëri me Kuranin e Shenjtë dhe për shkak të kësaj ngjashmërie, njohuritë e Kuranit shpalosen në zemrën e tij të pastër dhe ai arrin t’i njohë ato, t’i nuhasë ato, dhe zemra e tij e pohon – ja, kjo është e vërteta. Pra, drita e zemrës së tij bëhet një kriter i përshtatshëm për ta peshuar të vërtetën. Derisa njeriu nuk krijon ngjashmëri me Kuranin dhe nuk bëhet i gatshëm për të kaluar në rrugën e ngushtë ku kanë kaluar Profetët, paqja qoftë mbi ta, ai nuk duhet të bëhet komentues i Kuranit, sepse do të ndjekë rrugën e mosrespektimit dhe të vetëpëlqimit, dhe në një gjendje të tillë, ai do të bëjë vetëm komentim nga vetja, nga e cila i Dërguari i Allahut s.a.v.s. na ka ndaluar duke thënë – gaboi ai që komentoi Kuranin nga vetja, edhe pse në mendjen e tij e komentoi bukur[7].”[8]
Kurani i Shenjtë të siguron edhe argumente të logjikshme e shkencore
“Dy gjëra që duken se janë zbatuar në Kuranin e Shenjtë, nga fillimi deri në fund: (1) janë argumentet e tij të logjikshme dhe (2) janë dëshmitë Hyjnore. Të dyja këto aspekte rrjedhin si dy lumenj paralelisht në të gjithë Kuranin, duke ndikuar dhe duke mbështetur njëri-tjetrin. Rrjedha e argumenteve të logjikshme i thotë lexuesit – kështu duhet të jetë. Kurse rrjedha tjetër, ajo e dëshmive të shpalljeve, si një lajmëtar fisnik dhe i besueshëm ia qetëson zemrën duke thënë – pikërisht kështu ndodhi.”[9]
“Kurani siç e qetëson një njeri të pashkolluar, në të njëjtën mënyrë i jep përgjigje bindëse edhe një filozofi që kërkon argumente të logjikshme.”[10]
“Besimi ynë është që, sa më shumë që do të zhvillohet shkenca, aq më fort do të vendoset në botë madhështia e Kuranit të Shenjtë.”[11]
Për më shumë rreth kësaj teme, u sugjerojmë lexuesve të lexojnë “Introduction to the Study of the Holy Quran” të Kalifit të Dytë të Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmed r.a..
Disa nga veçoritë e këtij botimi
Për hir të lexuesit, është e udhës të shënohen shkurtimisht disa nga veçoritë e këtij përkthimi të Kuranit të Shenjtë.
Besnikëri ndaj Origjinalit në përkthimin e ajeteve të Kuranit
Së pari, është bërë përpjekje që përkthimi në shqip i ajeteve të Kuranit të jetë sa më pranë Origjinalit, pra tekstit në arabisht, dhe çdo fjalë e shtuar për hir të përkthimit, është vënë në kllapa. Fjalët në kllapa janë vendosur në atë mënyrë që fjalia edhe pa to të ketë kuptim, në mënyrë që lexuesi të ketë një pamje të qartë se çfarë është thënë në fjalët origjinale të Kuranit të Shenjtë. E gjithë kjo, në disa vende, mund ta ketë bërë rrjedhën e fjalisë edhe të vrazhdë, megjithatë, në një drejtim me Origjinalin.
Parathëniet e sureve
Çdo sure është shoqëruar me një parathënie të shkurtër, e cila jo vetëm që zbulon këndshëm kuptime të fshehta të sures, por edhe e ndihmon lexuesin për të krijuar lidhje mes sureve. Parathëniet e sureve janë nga Kalifi i Katërt i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Tahir Ahmed, Allahu e mëshiroftë, të cilat ai i ka shkruar në përkthimin e tij të Kuranit të Shenjtë në gjuhën urdu, “Kuran-e-Kerim”, që u botua për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2000.
Komentim i shkurtër
Ky botim gjithashtu sjell shpjegim dhe komentim të shumë ajeteve, që janë bërë nën dritën e haditheve (thënieve) të Profetit Muhammed s.a.v.s., e që shpalosin domethënie të thella të Kuranit, lidhjen mes ajeteve të tij dhe tematikën e larmishme që ka ky Libër madhështor. Këto shpjegime, sa të mbushura me spiritualizëm, aq edhe të pasura me argumente të logjikshme dhe shkencore, janë marrë nga burimet si vijon:
- Hazret Mirza Ghulam Ahmed, Mesih i Premtuar, Imam Mehdi, paqja qoftë mbi të: (1) Përmbledhja e veprave të tij, që titullohet “Ruhani Khazain”, është botuar në 23 vëllime. (2) “Malfuzat”, thëniet dhe fjalimet e tij që janë në 10 vëllime.
- Hazret Hafiz Maulvi Hakim Nurudin r.a., Kalif i Parë i Xhematit Musliman Ahmedia: (3) Komentim i Kuranit, i titulluar “Hakaikul-Furkan” në 4 vëllime.
- Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmed r.a., Kalif i Dytë i Xhematit Musliman Ahmedia: (4) “Tefsir-e-Sagir”, përkthim me komentim të shkurtër të Kuranit në gjuhën urdu, i botuar për herë të parë në dhjetor 1957. (5) “Tefsir-e-Kebir”, komentim i gjerë i Kuranit, i botuar në 10 vëllime (rreth dhjetë mijë faqe), që përbën një thesar të paçmueshëm të dijeve të Kuranit të Shenjtë. (6) “The Holy Quran – Arabic Text with English Translation and Short Commentary”, i botuar për herë të parë në 1967 në Pakistan, me shpjegime të ajeteve nga dy burimet e fundit të përmendura më lart. (7) “Five-Volume Commentary of the Holy Quran”, i botuar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 1988, që është përmbledhje në anglisht e komentimit të gjerë në urdu, të titulluar “Tefsir-e-Kebir”.
- Hazret Hafiz Mirza Nasir Ahmed, Kalif i Tretë i Xhematit Musliman Ahmedia r.a.: (8) Komentim i Kuranit, i botuar në 3 vëllime, i titulluar “Envarul-Kuran” që përbëhet nga fjalimet e tij.
- Hazret Mirza Tahir Ahmed, Kalif i Katërt i Xhematit Musliman Ahmedia r.a.: (9) Nga përkthimi i tij i Kuranit në gjuhën urdu, i titulluar “Kuran-e-Kerim”, përveç parathënieve të sureve, janë marrë edhe shpjegimet e ajeteve. (10) Disa komente janë marrë edhe nga libri i tij fenomenal “Revelation, Rationality, Knowledge and Truth”, i botuar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar, në 1998. (11) Po kështu, disa edhe nga ligjëratat e tij për përkthimin e Kuranit, të njohura si “Tarjamatul Quran Class”, që gjenden në portalin alislam.org.
- Hazret Mirza Masrur Ahmed, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, Allahu e ndihmoftë fuqimisht: (12) Disa komente janë marrë edhe nga hutbet e tij të të xhumave.
Burimet e përmendura më sipër janë mijëra faqe, që përbëjnë një oqean të pafundmë të dijeve për Kuranin e Shenjtë, kurse në këtë përkthim të Kuranit në gjuhën shqipe, kemi sjellë vetëm disa pika, për të cilat, në burimet e cituara janë studiuar vetëm shpjegimet e ajeteve të përzgjedhura, dhe jo e gjithë literatura nga fillimi deri në fund. Megjithatë, përzgjedhja e tyre ka qenë një detyrë jo e lehtë, pasi ishte e vështirë të zgjidheshin qoftë edhe kaq pak shënime prej tyre, të cilat të mund të sillnin larmi në tema, por edhe librit të mos i shtohej një vëllim i dytë.
Librat e haditheve, fjalorët, tefsiret (komentimet) e mëparshme të Kuranit, enciklopeditë etj., që janë cituar në shpjegimet e ajeteve të Kuranit, janë pasqyruar në bibliografi në fund të librit.
Indeksi i disa prej temave të Kuranit të Shenjtë
Duke përfituar nga indeksi i “The Holy Quran – Arabic Text with English Translation and Short Commentary”, si dhe i “Kuran-e-Kerim” i Hazret Mirza Tahir Ahmed, Kalif i Katërt i Xhematit Musliman Ahmedia r.a., në fund të librit është paraqitur një indeks i gjerë i disa prej temave të Kuranit të Shenjtë, që, në dashtë Allahu, do të jetë në dobi jo vetëm të lexuesve të zakonshëm, por edhe të atyre që synojnë një studim më të thelluar të Kuranit.
Temat e Kuranit janë të pafundme
Duhet theksuar se, as parathëniet e as komentimet nuk janë të vetmet shpjegime e as shteruese të temave të Kuranit. Temat e Kuranit janë të pafundme, siç theksohet edhe në parathënien e sures 108, duke shpjeguar emrin Keuther:
“Një kuptim tjetër i keutherit është edhe Kurani i Shenjtë. Realisht, sihariqi më i madh që Allahu i ka dhënë Profetit s.a.v.s. është pikërisht Kurani i Shenjtë, temat e të cilit nuk do të shterojnë kurrë, dhe ky Libër do të vijojë t’i sjellë dobi njerëzimit deri në Kiamet. Askush nuk do të mund t’i përmbledhë temat e këtij Libri të Shenjtë.” (f. 1180).
Botuesi
Bibliografia
[1]. Ebu Davud, nr. 4291.
[2]. Buhari, nr. 4986.
[3]. Ebu Bekr ibn Ebi Davud, “Kitab el-Mesahif”, f. 14.
[4]. Tirmidhi, nr. 2949.
[5]. Tirmidhi, nr. 2910.
[6]. “Çeshm-e-ma’rifet”, “Ruhani Khazain”, vëll. 23, 2009, Mbretëria e Bashkuar, f. 268.
[7]. Tirmidhi, nr. 2952.
[8]. “Berekatud-dua”, “Ruhani Khazain”, vëll. 6, 2009, Mbretëria e Bashkuar, f. 19.
[9]. “Berahin-e-Ahmedia” pj. II, “Ruhani Khazain”, vëll. 1, 2009, Mbretëria e Bashkuar, f. 19.
[10]. “Mubahathe Lud’hiana”, “Ruhani Khazain”, vëll. 4, 2009, Mbretëria e Bashkuar, f. 110.
[11]. “Malfuzat”, vëll. 2, 1984, f. 87.