O Zoti im! Populli im e ka braktisur këtë Kuran!
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
kurani

renia e muslimaneve“Dhe i dërguari tha: O Zoti im! Populli im e ka lënë të braktisur këtë Kuran!” (Kurani i Shenjtë 25:31)

Një njeriu kur i vjen një letër nga një i dashur i tij, ose nga një autoritet i lartë i shtetit, ai në daç i shkolluar, në daç analfabet, lë çdo punë për të ditur mesazhin e letrës dhe mandej vepron sipas porosive që mund të jenë aty.

Në tregti nganjëherë një dokument bëhet kaq i vlefshëm, saqë tregtarët harxhojnë miliona lekë për ta marrë atë. Pavarësisht nga rreziqet që nuk dihet se si mund t’i vijnë tregtarit, kur i vjen lajmi se në filan vend shitet më shumë malli i tij, ai bën ç’mos për të shkuar ose për të dërguar mallin e tij atje, përpara se të shkojë ndonjë tregtar tjetër.

Por sa e çuditshme është që muslimanëve u ka ardhur një letër nga Ai që është Burimi i mirësive dhe i bukurive, nga Ai që është Gjykatësi i Madh dhe më i Mëshirshmi nga të gjithë mëshiruesit, dhe postieri është vetë udhëheqësi ynë, Vula e Profetëve, i Dërguari i Allahut Hazret Muhammedi s.a.v.s., më i miri i Profetëve dhe më i miri i njerëzve, e prapëseprapë ka muslimanë që nuk e përfillin këtë letër.

Ata e kanë Kuranin e Shenjtë në shtëpi, por vetëm në rafte. Në kohë epidemie, e kalojnë Kuranin sipër bagëtive ose sipër pasurisë, për të gjetur shpëtimin, ose shkruajnë ndonjë ajet të tij, e shkrijnë në ujë për t’i dhënë të sëmurit. Nëpër gjykata e marrin në dorë për të dhënë dëshmi të rreme. Edhe sikur ta mësojnë, e mësojnë për ta kënduar gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, sepse do të gjejnë disa lekë bakshish, ose, nëse fitojnë titullin hafiz, do të shpëtojnë nga taksat në Kabul.

Keqardhje për musilmanë të tillë, të cilët sa shumë orvaten, vallë, për të gjetur një vend pune! Studiojnë katërmbëdhjetë vjet për t’u diplomuar si baçelor e master. Detyrohen të shesin, nganjëherë gjithë pasurinë, për të paguar shpenzimet e shkollave, pa qenë të ditur në e arrijnë ta kryejnë apo jo shkollën, dhe edhe nëse e arrijnë, në gjejnë ndonjë punë apo jo. Por, kanë vetëm një libër që nuk lexojnë, Kuranin e Shenjtë; kanë vetëm një libër që nuk kuptojnë, Kuranin e Shenjtë; kanë vetëm një libër që nuk zbatojnë, Kuranin e Shenjtë, të cilin nëse e ndjekin, sigurisht dhe sigurisht do të arrijnë lumturinë e dynjasë dhe të ahiretit!

Ka shembuj të panumërt që tregojnë se si njerëzit kanë gëzuar perandori duke zbatuar Kuranin e Shenjtë, dhe njëherësh, duke siguruar një shtëpi të paqes në xhenetin Firdeus. Qoftë i bekuar ai që lexon fjalët e kësaj zemre të thyer, dhe fillon t’i kushtojë vëmendje Kuranit të Shenjtë![1]

“Dhe i dërguari tha: O Zoti im! Populli im e ka lënë të braktisur këtë Kuran!”

Profeti ynë Hazret Muhammedi s.a.v.s. do t’ia paraqesë Zotit pikërisht këtë arsye të rënies së Islamit, që muslimanët kanë hequr dorë nga të praktikuarit ndaj Kuranit të Shenjtë. Për shembull, Zoti na jep një parim në Kuran:

renia e muslimaneve“Nëse falënderoni, Unë patjetër do t’ju shtoj”[2].

Ka plot muslimanë që veprojnë kundër këtij mësimi. Njëherë një grua më pagoi një qindarkë. E mora dhe e falënderova duke menduar se nëse këtë shumë do ta shpenzoj në rrugë të Zotit, Ai ka fuqi ta shumëfishojë atë, sepse përmes një fare të vetme, Ai nxjerr shumë kallinj e secili kalli me nga shtatë fara. Ose nëse do ta shpenzoj për të bërë një recetë të re (mjekësore), ndoshta dhjetë mijë njerëz të varfër do të përfitojnë prej saj. Përfitova shumë nga ai falënderim.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte në shpirt falënderimin. Veshjen, për shembull, vishte atë që kishte duke qenë mirënjohës. Por ka disa njerëz që nuk bëhen mirënjohës ndaj bekimeve të Zotit dhe rrjedhimisht gjithë jetën mbeten në brenga. I kisha dhënë një njeriu tre mijë rupi. – Nuk më dalin këto – më tha ai. – Po tregohesh mosmirënjohës, i thashë – dhe me të vërtetë nuk do të dalin ty. E kështu ndodhi. Gjitha rupitë i shkuan kot.[3]

Ju them nga përvoja. Nuk ka libër që të qetëson shpirtin më shumë sesa Kurani i Shenjtë dhe studimi i tij. Por, ah! E them me shumë dhimbje në zemër: pikërisht këtë libër qetësues të shpirtit sot e kanë braktisur!

“Dhe i dërguari tha: O Zoti im! Populli im e ka lënë të braktisur këtë Kuran!”

Unë e dua kaq shumë Kuranin, saqë përmendjen e tij të vazhdueshme e ndiej si ushqimin tim, dhe pikërisht për shkak të kësaj dashurie dhe të kësaj vëmendjeje, ende nuk ju kam thënë gjë në lidhje me temën. Ndoshta për këtë arsye disa njerëz nuk e pëlqejnë mënyrën time të të predikuarit. Por çfarë të bëj! Jam i detyruar. Për shkak të dashurisë sime, ndiej kënaqësi sa herë që e përmend të dashurin tim. Andaj, vijoj ta përmend atë.[4]

(Marrë nga “Hakaikul-Furkan”, Komentim i Kuranit nga Kalifi i Parë,
botuesi: “Nazarat Nashr-o-Isha’at Qadian”, 2005, vëll. 3,  f. 246 – 248)

LEXONI:


[1] Gazeta “Tesh’hidhul-Adh’han” vëll. 6, nr. 11, f. 438 – 439.
[2] Ibrahim 18:8.
[3] Gazeta “Damima Akhbar Bedër, Kadijan, 14 korrik 1910.
[4] Gazeta “Al-Hakam”, 10 prill, 1904, f. 17.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp