1. Epërsia e lartë e Kuranit të Shenjtë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
miresia e kuranit kurani i shenjte

Kam dëgjuar se disa prej jush nuk i besojnë fare hadithet. Gabojnë rëndë ata që bëjnë një gjë të tillë. Ky nuk është mësimi im. Besimi im është që Zoti ju ka dhënë tri gjëra për udhëzimin tuaj:

Më së pari është Kurani, i cili flet për njëshmërinë, madhështinë e rëndësinë e Zotit, dhe vendos për mosmarrëveshjet mes hebrenjve e të krishterëve. Njëra syresh është edhe mosmarrëveshja dhe gabimi i tyre se gjoja Isai biri i Merjemes u vra përmes kryqëzimit, u cilësua i mallkuar dhe se nuk u ngrit sikur Profetët e tjerë.

Në të njëjtën mënyrë, në Kuran është bërë e ndaluar të adhurosh diçka tjetër përveç Zotit, qoftë njeri, qoftë kafshë, qoftë dielli, qoftë hëna, apo ndonjë yll, qofshin mjetet apo qoftë vetvetja. Andaj, jini vigjilentë dhe mos hidhni asnjë hap kundër mësimit të Zotit dhe udhëzimit të Kuranit. Sinqerisht ju them të vërtetën, ai që shpërfill qoftë edhe një urdhër të vogël prej shtatëqind urdhërimeve të Kuranit, me dorën e tij mbyll derën e shpëtimit të vet. Rrugët e shpëtimit të vërtetë e të përsosur i ka çelur Kurani, kurse gjithë të tjerët ishin hijet e tij. Prandaj, studioni Kuranin duke u thelluar në të dhe duajeni kaq shumë atë, siç nuk keni dashur askënd tjetër, sepse Zoti m’u drejtua mua dhe më tha:

ٲلْخَیْرُ کُلُّہٗ فِی الْقُرْاٰنِ۔

E gjithë mirësia është në Kuran. Kjo pikërisht është e vërteta. Keqardhje për ata që i japin përparësi diçkaje tjetër mbi Kuranin. Burimi i gjithë shpëtimit dhe i suksesit tuaj është në Kuran. Nuk ka asnjë nevojë fetare tuajën që nuk gjendet në Kuran. Vërtetuesi ose përgënjeshtruesi i besimit tuaj ditën e gjykimit do të jetë Kurani. Përveç Kuranit nuk ka asnjë libër nën kupën e qiellit, që pa u lidhur me Kuranin, të mund t’ju udhëzojë. Zoti ju ka bërë mirësi të madhe që ju dhuroi një Libër si Kurani.

Sinqerisht ju them të vërtetën, Libri që ju është lexuar juve, nëse do t’u lexohej të krishterëve, ata nuk do të shkatërroheshin dhe ky bekim e udhëzim që ju është dhënë juve, po t’u jepej hebrenjve në vend të Tevratit, disa sekte të tyre nuk do të bëheshin mohues të ahiretit. Prandaj, çmojeni bekimin që ju është siguruar juve. Kurani është një bekim shumë i bukur, një pasuri shumë e vyer. Po të mos vinte Kurani, e gjithë bota do të ishte si një copëz e pistë mishi. Kurani është Libri para të cilit të gjitha udhëzimet e tjera janë asgjë. …

Kurani mund të pastrojë njeriun brenda një jave, nëse ai e ndjek edhe me fjalë, edhe me kuptim. Kurani mund t’ju bëjë porsi Profetët, nëse ju vetë nuk i largoheni atij. Cili Libër përveç Kuranit u ka mësuar lexuesve të vet që në fillim të tij, një lutje të tillë si kjo, njëherësh duke u dhënë një shpresë si kjo:

اِہۡدِ نَا الصِّرَاطَ الۡمُسۡتَقِیۡمَ ۙ﴿۶﴾ صِرَاطَ الَّذِیۡنَ اَنۡعَمۡتَ عَلَیۡہِمۡ

Ihdinas-sirātal-mustekīm. Sirātal-ledhīne en‘amte ‘alejhim.
“Na udhëzo në rrugën e drejtë; në rrugën e atyre që i bekove.” (El-Fatiha 1:6-7)

Na trego rrugën e atyre bekimeve që ua dhe edhe të parëve. Dhe këta të parët ishin profetë, të dërguar, të vërtetë, dëshmorë dhe të dëlirë. Prandaj, merrni guximin dhe mos e refuzoni ftesën e Kuranit, se ai dëshiron t’ju japë bekimet që u janë dhënë të parëve. …

Zoti dëshiron t’ju bekojë edhe më shumë se ata. Zoti ju ka bërë trashëgimtarë të pasurisë së tyre shpirtërore e fizike, por dikush tjetër nuk do të jetë trashëgimtari juaj, deri së të vijë kiameti. Zoti kurrsesi nuk do t’ju privojë ju nga bekimi i shpalljes (vahji), i diktimit (ilham), i diskursit dhe i komunikimit me Të. Ai do t’ju plotësojë të gjitha bekimet që ua kishte dhënë edhe të parëve.

Por ai që shkel dhe trillon gënjeshtër mbi Zotin dhe thotë “më erdhi shpallja e Zotit”, ndërkohë që nuk i ka ardhur, ose thotë “unë gëzova bekimin e komunikimit dhe të diskursit me Zotin”, ndërkohë që nuk e ka gëzuar, atëherë unë po ju them duke sjellë dëshmitar Zotin dhe engjëjt e Tij, ai do të shkatërrohet, sepse mashtroi dhe trilloi gënjeshtër mbi Krijuesin e tij. …

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp