Dera e shpalljes është e hapur edhe tani
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
dera porta

Mos mendoni se shpallja e Zotit nuk vjen më dhe se ka mbetur vetëm në të kaluarën[1] dhe se Shpirti i Shenjtë nuk zbret dhe se ka zbritur vetëm në kohërat e mëparshme. Sinqerisht ju them të vërtetën, çdo derë mbyllet, por dera nga e cila zbret Shpirti i Shenjtë kurrë nuk mbyllet. Hapni dyert e zemrave tuaja, që ai të hyjë në to. Ju largoheni vetë nga Ai Diell, në momentin kur mbyllni dritaren nga e cila mund të hyjë rrezja e Tij. O i pamend! Çohu dhe hape këtë dritare! Atëherë, Dielli vetvetiu do të hyjë brenda teje. Derisa Zoti nuk jua mbylli rrugët e bekimeve tokësore në këtë kohë, përkundrazi jua shtoi edhe më shumë, a mendoni që Ai ju paska mbyllur rrugët e bekimeve qiellore, të cilat ju duheshin shumë në këtë kohë? Kurrsesi jo. Madje, ju është hapur me shumë qartësi.

Dhe tani që Zoti juaj hapi derën e të gjitha bekimeve të mëparshme, mu sipas Fjalës së Tij që Ai ju ka mësuar në suren El-Fatiha, ju vetë pse nuk pranoni t’i merrni ato? Jini të etur për këtë burim, që t’ju arrijë uji vetvetiu. Qani si foshnjë, që të dalë qumështi vetvetiu prej gjirit për ju. Bëhuni të denjë për t’u mëshiruar që të mëshiroheni. Shfaqni dhimbjen, që të gjeni karar. Lëshoni klithmat vazhdimisht, që një Dorë t’ju kapë për dore. Sa e vështirë është kjo rrugë, që është rruga e Zotit! Por ajo u bëhet e lehtë atyre që hidhen për “të vdekur” në këtë gropë të thellë, sepse ata e kanë vendosur me zemër se pranojnë zjarrin e digjen për të Dashurin e tyre. Por, si përfundim, zjarri ku ata hidhen qenka një parajsë! … Ata që për hir të Zotit hidhen në këtë zjarr, do të shpëtojnë.

Kurse ai që për shpirtin am-marah[2] të tij ndjek rrugën e zjarrit, zjarri do ta gllabërojë atë. Të bekuar janë ata, të cilët luftojnë shpirtin e keq të tyre për hir të Zotit, dhe fatligë janë ata që luftojnë Zotin për hir të shpirtit të tyre të keq dhe nuk afrohen me Të. Ai që anashkalon urdhrin e Zotit për hir të shpirtit të tij, kurrsesi nuk do të pranohet në qiell. Prandaj, përpiquni të mos dëshmojë kundër jush qoftë një fjalë a një pikë e Kuranit Famëlartë, që të mos ndëshkoheni pikërisht për atë pikë. Sepse, edhe një ligësi e vogël është e ndëshkueshme. Pak kohë keni dhe jetës nuk i dihet. Nxitohuni, sepse po afrohet nata. Kontrollojeni mirë atë që keni për t’ia paraqitur, në mos ju mbetet ndonjë gjë e mangët; në mos keni marrë diçka të dëmshme, ose gjithçka e juaja në mos është e pistë dhe e kotë, apo e padenjë për t’u paraqitur në oborrin Mbretëror.


[1] Sheriati u mbyll me ardhjen e Kuranit Famëlartë, por jo shpallja, sepse ajo është shpirti i fesë së vërtetë. Feja që nuk ka shpallje të vazhdueshme, është e vdekur dhe Zoti nuk është me të. (Autori)
[2] Shpirti a nefsi që nxit fort për të keqen. (Përkthyesi)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp