
O dijetarë të Islamit! Mos u nxitoni në mohimin tim, sepse ka shumë sekrete të tilla që njeriu nuk i kupton dot përnjëherë. Mos u tregoni të gatshëm ta refuzoni mesazhin sapo ta dëgjoni, se kjo nuk është rrugë e takvasë. Po të mos kishit disa gabime, po të mos kishit keqkuptuar disa hadithe, do të ishte e kotë të vinte Mesihu i Premtuar me cilësinë e Hakam-it (gjykatës). …
Përveç kësaj, sipas besimeve tuaja, misioni për të cilin do të vijë Mesihu është që t’i bashkohet Mehdiut dhe të bëjë luftë për t’i kthyer me dhunë njerëzit e tjerë në muslimanë. Ky besim i tillë e njollos Islamin. Ku është e shkruar në Kuranin e Shenjtë që lejohet dhuna për fenë?! Përkundrazi, Allahu i Madhërishëm, në Kuranin e Shenjtë, thotë:
لَاۤ اِکۡرَاہَ فِی الدِّیۡنِ
“Nuk ka imponim në fe.”[1]
Atëherë Mesihu Biri i Merjemes si do të marrë të drejtën për të përdorur dhunë? … Në cilin ajet, në cilin xhuz[2] dhe në cilën sure të Kuranit të Shenjtë përmendet ky mësim? I gjithë Kurani në mënyrë të përsëritur po thotë – nuk ka imponim në fe – dhe qartazi tregon se luftërat që Profeti Muhammed s.a.v.s. bëri kundër disave, nuk ishin për ta përhapur me imponim fenë, përkundrazi, ishin për disa arsye të tjera:
së pari, ishin për të ndëshkuar ata që masivisht kishin vrarë muslimanë dhe kishin dëbuar me mizori të madhe nga vatrat e tyre disa të tjerë. Siç e thotë Allahu i Madhërishëm:
اُذِنَ لِلَّذِیۡنَ یُقٰتَلُوۡنَ بِاَنَّہُمۡ ظُلِمُوۡا ؕ وَ اِنَّ اللّٰہَ عَلٰی نَصۡرِہِمۡ لَقَدِیۡرُ
U lejohet përballja atyre muslimanëve, kundër të cilëve po luftojnë mohuesit, për shkak se u është bërë padrejtësi. Dhe Zoti është i Plotfuqishëm t’i ndihmojë ata.[3]
Së dyti, ato luftëra ishin për vetëmbrojtje ndaj atyre që kishin si mision asgjësimin e Islamit ose që e luftonin me dhunë përhapjen e tij në vendin e tyre. Muslimanët kishin të drejtën për t’u vetëmbrojtur.
Arsyeja tjetër ishte se luftërat e muslimanëve ishin për të vendosur lirinë në vend.
Përveç këtyre tri arsyeve, Profeti Muhammed s.a.v.s. dhe Kalifët e tij të shenjtë nuk luftuan për asnjë motiv tjetër. Madje, Islami e duroi kaq shumë dhunën e popujve të tjerë, aq sa nuk mund t’ia gjeni shembullin në popujt e tjerë. Tani, çfarë do të jenë Isa Mesihu dhe zotëri Mehdiu, të cilët, me të mbërritur në tokë, do të fillojnë vrasjen e njerëzve?!
LEXONI:
- Vdekja e Isait a.s. – argumente të pathyeshme nga Kurani Famëlartë
- “Përhapni Islamin me dashuri, e jo me forcë dhe imponim”