Mënyra dhe lutja për të mësuar Kuranin përmendsh
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Mënyra dhe lutja për të mësuar Kuranin përmendsh

Kurani përmendsh

Hazret Abdullah Ibni Abasi r.a. tregon se në një takim me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., Hazret Aliu r.a. iu ankua se shpesh e harronte Kuranin që kishte mësuar përmendsh. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha:

“O babai i Hasanit! A të të tregoj disa fjalë që do të ta ngulitin Kuranin që ke mësuar përmendsh?”

Pastaj duke ia treguar metodën i tha të falte namaz vullnetar (nafil) në pjesën e fundit të natës së xhumasë (pasi ajo është kohë e veçantë për pranimin e lutjes). Edhe Hazret Jakubi a.s. duke pritur pikërisht këtë kohë ishte shprehur:

“Së shpejti do t’i kërkoj Zotit tim falje për ju” (Kurani Famëlartë 12:99).

Nëse nuk mund të çoheni në pjesën e fundit të natës, mund ta bëni këtë në mesnatë ose në pjesën e parë të natës. Duhet të falni katër rekate namaz. Në rekatin e parë, pas sures El-Fatiha të recitoni suren 36 Jasin; në rekatin e dytë, pas sures El-Fatiha të recitoni suren 44 Ha.Mim.Ed-Duhan; në rekatin e tretë pas El-Fatihas të recitoni suren 32 Alif.Lam.Mim Tenzil Es-Sexhde dhe në rekatin e katërt, pas sures El-Fatiha, të recitoni suren 67 El-Mulk. Në rekatin e fundit kur qëndroni të ulur, pasi të keni thënë teshehudin, lavdërojeni Allahun, dërgojini salavatet Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe profetëve të tjerë të Zotit, kërkojini falje Zotit për besimtarët dhe më pas bëni lutjen e mëposhtme. Kështu praktikoni të paktën tri të premte, por nëse keni mundësi, praktikoni pesë ose shtatë të premte. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. thotë:

“Nëse veproni kështu, lutja juaj do të pranohet. Pasha Atë që më ka dërguar, lutja e besimtarit të vërtetë nuk refuzohet”.

Hazret Abdullah Ibni Abasi r.a. tregon se Hazret Aliu, pasi e kishte praktikuar këtë udhëzim pesë a shtatë herë, u takua me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut! Dikur ishte koha kur nuk mund të mbaja mend as katër ajete të Kuranit, kurse tani jam në gjendje të mësoj përmendsh dyzet ajete përditë. Madje, kur i mësoj mirë, më duket sikur Kurani është vendosur përpara syve të mi. E njëjta situatë ishte me të mbajturit mend të thënieve të të Dërguarit të Allahut dhe shumë shpejt i harroja, por tani mund të rrëfej thuajse të plotë çdo gjë që dëgjoj prej jush”.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

“Pasha Zotin e Qabes! Babai i Hasanit është besimtar i vërtetë”.

Ajo lutje është:

KuraniKuraniO Allah! Gjersa të më mbash gjallë, më mëshiro që të heq dorë nga mëkatet! Më mëshiro kur bëj me vetëdije gjëra të padobishme! Më dhuro pikëpamje të bukur, në të cilën Ti të jesh i Kënaqur me mua! O Allah, Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, zotërues i madhështisë, bujarisë dhe i nderit që nuk mund të tejkalohet, Ty të kërkoj, o Allah, o i Gjithëmëshirshëm, në saje të madhështisë Sate e të dritës së Fytyrës Sate, më lidh zemrën që ta mësojë librin Tënd, ashtu siç Ti më ke mësuar dhe më mundëso ta recitoj atë në atë mënyrë, që Ti pëlqen prej meje! O Allah! Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, zotërues i madhështisë, bujarisë dhe i nderit që nuk mund të tejkalohet.

Ty të kërkoj, o Allah, o i Gjithëmëshirshëm, që në saje të madhështisë Sate e të dritës së Fytyrës Sate, m’i ndrit sytë me librin Tënd, më liro gjuhën me anë të tij, më hap zemrën me anë të tij, më zgjero kraharorin me anë të tij dhe më pastro trupin me anë të tij, sepse për të pasur të vërtetën, askush nuk mund të më ndihmojë përveç Teje, askush nuk mund të ma japë atë, përveç Teje, sundim dhe fuqi s’ka askush tjetër përveç Allahut, të Lartësuar, të Madhërishëm.[1]


[1]. Xhāmi‘u et-Tirmidhī, kitāb: “Ed-Da’vāt”, bāb: “Fī du‘āil-hifdh”, hadithi nr. 3570.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp