Leximi i Kuranit - Etika dhe rëndësia e leximit të Kuranit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Leximi i Kuranit – Etika dhe rëndësia e leximit të Kuranit

leximi i kuranit recitimi kurani

(Ky material është një përmbledhje nga hutbja e Hazret Kalifit të Pestë të Xhematit Musliman Ahmedia (a.b.a.), të mbajtur më 21.10.2005.)

Kurani Famëlartë, siç e dimë, ka një lidhje të veçantë me muajin e Ramazanit. Kurani filloi të zbritej pikërisht në këtë muaj. Zoti i Madhërishëm i dëgjoi përgjërimet dhe lutjet Profetit Muhammed s.a.v.s., dhe hapi portat e mëshirës së Tij, duke e caktuar si udhëzues për tërë njerëzimin Profetin s.a.v.s., njeriun që mbetej tejet i shqetësuar nga papastërtia dhe idhujtaria ku ishte e zhytur bota, dhe duke i dhënë Librin e Tij përfundimtar. Ky Sheriat vijoi të zbritej për 23 vite të ardhshme.

Çdo Ramazan Xhibraili a.s. bënte leximin e Kuranit përpara Profetit a.s.

Në çdo Ramazan, Xhibraili vinte te Profeti s.a.v.s. dhe lexonte Kuranin e zbritur deri atëherë. Dhe në Ramazanin e fundit të jetës së tij, pra, në vitin kur ishte kompletuar Kurani së zbrituri, Xhibraili a.s. bëri dy herë leximin e Kuranit të Shenjtë përpara Profetit Muhammed s.a.v.s..

Ky është suneti i Profetit s.a.v.s., të cilin besimtari duhet ta vijojë. Sidomos gjatë Ramazanit, të paktën një herë ose dy herë, duhet të kryejë leximin e Kuranit nga fillimi deri në fund. Ata që gjejnë mundësi, e lexojnë edhe më shumë, por nuk duhet nxituar gjatë leximit të Kuranit. Leximi i Kuranit duhet bërë duke kuptuar fjalët dhe domethëniet e tij.

Në sa kohë duhet ta përfundosh leximin e Kuranit?

Për sahabët e Profetit s.a.v.s. Kurani i Shenjtë ishte në gjuhën mëmë të tyre. Edhe atyre Profeti s.a.v.s. u tha:

“Ai që përfundoi leximin e Kuranit në më pak se tri ditë, nuk ka kuptuar asgjë nga Kurani.”[1]

Kurse në një rrëfim tjetër përmendet edhe për shtatë ditë. Pra, Profeti s.a.v.s. u jepte porositë sahabëve në bazë të kapacitetit të tyre. Dhe qëllimi edhe në porosinë në fjalë është që të lexoni Kuranin, të thelloheni në kuptimet, që më pas t’i bëni ato pjesë të jetës. Nëse nuk lexoni Kuranin në këtë mënyrë, nuk ka ndonjë dobi.

Sahabët e Profetit s.a.v.s. e kuptuan shumë mirë këtë pikë për sa i përket leximit të Kuranit. Për këtë arsye, Vetë Zoti i Madhërishëm ka dëshmuar për ta në Kuranin Famëlartë që ata e kryenin në mënyrë të denjë obligimin e leximit të këtij Libri të Shenjtë. Siç e thotë:

اَلَّذِیۡنَ اٰتَیۡنٰہُمُ الۡکِتٰبَ یَتۡلُوۡنَہٗ حَقَّ تِلَاوَتِہٖ ؕ اُولٰٓئِکَ یُؤۡمِنُوۡنَ بِہٖ ؕ وَ مَنۡ یَّکۡفُرۡ بِہٖ فَاُولٰٓئِکَ ہُمُ الۡخٰسِرُوۡنَ۔

“Ata që u kemi dhënë Librin, që e lexojnë ashtu siç duhet lexuar ai, me të vërtetë besojnë në të. Kurse ata që e mohojnë atë, gjithsesi janë të humbur.”[2]

Pra, këta ishin ata, të cilët Profeti Muhammed s.a.v.s. i shndërroi përmes këtij Libri dhe përmes fuqisë bekuese të tij, në njerëz, pastaj në adhurues të Zotit e më pas në njohës të Zotit. Vallë, çfarë detyre kishin kryer ata për sa i përket leximit të Kuranit? A mjaftoheshin vallë, vetëm me leximin sipërfaqësor të tij? Jo.

Koha dhe mënyra për të lexuar Kuranin

Duke treguar rëndësinë e leximit të Kuranit në kohën e sabahut, Zoti i Madhërishëm tha:

وَقُرْاٰنَ الْفَجْر

“Përmbaju leximit të Kuranit në sabah.”

Dhe më pas thotë:

اِنَّ قُرْاٰنَ الْفَجْرِکَانَ مَشْھُوْدًا

“Vërtet, leximi i Kuranit në sabah (është një vepër që) dëshmohet.”

Prandaj, besimtarët duhet ta lexojnë Kuranin sidomos gjatë sabahut. Por sërish, e rëndësishme është që ta lexojnë duke e kuptuar. Për këtë arsye, Profeti Muhammed s.a.v.s. porositi sahabin e tij ‘Abdullah ibni Omerin r.a., duke thënë:

“Lexo Kuranin e Shenjtë nga fillimi deri në fund gjatë një muaji.”[3]

Një tjetër porosi e Kuranit pikërisht për leximin e tij është ai ku Zoti thotë:

وَرَتِّلِ الْقُرْاٰنَ تَرْتِیْلًا

“Lexoje Kuranin duke e zbukuruar atë.”[4]

Hazret Kalifi i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia thotë:

“Unë isha në një udhëtim me një person dhe po bënim dedikim të përkohshëm. Një ditë pas namazit të sabahut përfundova leximin e Kuranit. Ai më tha:

– Nuk shpresoja kështu prej teje!

U shqetësova se çfarë gabimi mund të kem bërë. – Çfarë ndodhi?, e pyeta.

– Shoh prej dy tri ditësh që ti kur lexon Kuranin, e lexon shumë ngadalë, gjë që do të thotë se nuk ditke ta lexosh rrjedhshëm dhe ngecke gjatë leximit, m’u përgjigj ai.

I thashë: – Jo, unë nuk ngec gjatë leximit, por kështu e kam shprehinë për leximit të Kuranit. E lexoj ngadalë-ngadalë Kuranin e Shenjtë.

Unë atëherë nuk e dija referencën e këtij hadithi e as nuk më erdhi në mendje ajeti i Kuranit Famëlartë që e citova më lart. Megjithatë, i thashë se unë di ta lexoj edhe shpejt, madje le të bëjmë garë për leximin e shpejtë, por unë e lexoj Kuranin siç më pëlqen mua.

Pra, e kam fjalën që disa njerëz për të treguar dijen e tyre, insistojnë të lexosh shpejt, kurse Allahu dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. po thonë se duhet ta lexosh duke kuptuar dhe kjo pikërisht është më e mira. Përveç kësaj, çdo njeri ka aftësi të ndryshme të të perceptuarit të gjërave. Prandaj, secili ta lexojë Kuranin duke e kuptuar atë, sipas ritmit që mund ta ndjekë ai. Edhe nëse e dini përkthimin e Kuranit, prapëseprapë, duhet ta lexoni ngadalshëm aq saqë të jeni duke kuptuar domethënien e tij.”

Rëndësia për ta kuptuar Kuranin gjatë leximit të tij

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Lexoni Kuranin Famëlartë me vëmendje dhe thellohuni në të. Në këtë libër është gjithçka. Aty janë shpjeguar mirësitë dhe ligësitë, janë parashikime për të ardhmen etj.. Kuptojeni mirë se Kurani paraqet një fe, e cila nuk mund të kundërshtohet, sepse jep frutat bekimet e saj në çdo kohë.

Ungjilli nuk e paraqet fenë në mënyrë të përsosur. Mësimi i tij mund të ketë qenë i përshtatshëm për kohën e vet, por nuk mund të jetë i tillë për çdo kohë. Kjo krenari është vetëm e Kuranit Famëlartë.

Në Kuran Allahu i Madhërishëm ka lënë shërim për çdo sëmundje, dhe edukim për çdo aftësi. Çdo ligësi që ka vënë në dukje, Kurani ka treguar edhe metodën për ta larguar atë. Prandaj, lexoni shpesh Kuranin Famëlartë dhe lutuni. Përpiquni që të përshtatni sjelljen tuaj sipas mësimeve të tij.”[5]

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. gjithashtu tha:

“Lexoni Kuranin e Shenjtë duke e medituar dhe duke e përsiatur. Në hadith thuhet:

رُبَّ قَارٍ یَلْعَنُہُ الْقُرْاٰنُ

“Ka plot recitues të Kuranit, të cilët Kurani i mallkon”.

Ai që lexon Kuranin dhe e praktikon atë, Kurani i Shenjtë e mallkon atë. Gjatë leximit të Kuranit, kur hasni ajete që flasin për mëshirën e Zotit, aty kërkojini mëshirë Zotit. Dhe aty ku hasni ajete që flasin për ndëshkimin mbi ndonjë popull, kërkojini me përulësi Zotit mbrojtjen nga ndëshkimi i Tij. Pra, Kuranin lexojeni me vëmendje, që ta praktikoni atë.”[6]

Hazret Abdullah ibni Mes’udi r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

“Ai që lexoi qoftë një shkronjë të Kuranit, atij do t’i shkruhet shpërblim për një mirësi, dhe kjo mirësi do t’i sjellë dhjetë mirësi të tjera.”

Më pas, Profeti a.s. tha:

“Nuk them se Elif.Lam.Mim është një shkronjë, por elifi, lami dhe mimi llogariten nga një shkronjë veç e veç.”[7]

Po Abdullah ibni Mes’udi r.a. rrëfen:

“Ai që lexon 50 ajete të Kuranit gjatë natës, nuk do të llogaritet ndër njerëzit e pavëmendshëm.”[8]

Duke porositur të lexojmë Kuranin Famëlartë rregullisht në shtëpi, I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

“Lexoni shpesh Kuranin e Shenjtë në shtëpi. Pa dyshim, shtëpia në të cilën nuk lexohet Kurani, ka mbarësi më pak dhe prapësi më shumë. Ajo shtëpi bëhet e ngushtë për banorët e saj.”[9]

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

“Adhurimi qëndron në recitimin e Fjalës së Zotit, sepse i dashuruari i vërtetë patjetër gëzohet dhe çmallet kur lexon ose dëgjon Fjalën e të Dashurit.”[10]

Hazret Ebu Amama Bahli r.a. rrëfen:

“E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë: Lexoni shpesh Kuranin e Shenjtë, sepse Ditën e Gjykimit ai do t’i ndërmjetësojë lexuesit e vet.”

Profeti s.a.v.s. gjithashtu tha:

“Lexoni shpesh suren El-Bekare, sepse praktikumi mbi të ju sjell bekime dhe heqja dorë nga ai ju shkakton dëshpërime. Asnjë kundërshtar nuk mund ta rrëzojë dot atë.”[11]

Hazret Meishu i Premtuar a.s. tha:

“Një mësim i rëndësishëm për ju është që të mos e lini Kuranin Famëlartë si të braktisur, sepse pikërisht në të gjendet jeta juaj. Ata që nderojnë Kuranin, do të nderohen në qiell. Dhe ata që Kuranit i japin përparësi mbi çdo hadith dhe mbi çdo thënie tjetër, atyre do t’u jepet përparësi në qiell. Nuk ka më libër tjetër në faqen e dheut për njerëzimin, përveç Kuranit. Dhe nuk ka më ndërmjetësues tjetër për të gjithë bijtë e Ademit, përveç Muhammedit të Zgjedhur sallall-llahu alejhi ve sel-lem.”[12]

Ai gjithashtu tha:

“Sinqerisht ju them të vërtetën, nëse nuk i shmanget Kuranit, as fjalës së tij e as kuptimit të tij, Allahu i Madhërishëm vendos një dallim (furkan) mes atij dhe të tjerëve; ai do të ketë besim dhe bindje të përsosur në Zotin e Madhërishëm; ai do të shohë çudirat e krijimtarisë së Zotit; atij do t’i shtohet njohja ndaj Zotit; shpesh do t’i pranohen lutjet; atij do t’i dhurohen aftësitë dhe ndjesitë, me të cilat ai arrin të zbulojë sekretet e krijimtarisë së Zotit që të tjerët nuk arrijnë t’i zbulojnë dhe ai do të fillojë të dëgjojë atë që të tjerët nuk kanë haber për të.”[13]

MË SHUMË:


[1] Tirmidhi, Ebuabul-kira’et, bab ma xha’ enzelel-Kur’ana ‘ala sab’ati ahrufin.
[2] Kurani Famëlartë 2:122.
[3] Buhariu, Kitabul-fadailil-Kur’an, bab fi kem jekraul-Kur’an.
[4] Kurani Famëlartë 73:5.
[5] “Malfuzat”, vëll. 5, f. 102.
[6] “Malfuzat”, vëll. 5, f. 157.
[7] Tirmidhi, Fadailul-Kur’an bab ma xha’a fi men kera’ harfen minel-Kur’an.
[8] Sunen Ed-Darimi, Kitabul-fadail, bab men kera’ khamsine ajah.
[9] Kanzul-umal, Adabul-mu’bar, el-fasluth-thani fi adabil-bejti vel bina’, nr. i hadithit 41496, botuar nga Mektabah Et-turathul-Islamij, Haleb.
[10] “Surma Çashma-e-Arje”, “Ruhani Khazain” vëll. 2, f. 283.
[11] Muslimi, Kitab Fadailil-Kur’an, bab fadli kir’atil-Kur’an ve suratil-Bakarah.
[12] “Kishti-e-Nuh”, “Ruhani Khazain”, vëll. 19, f. 13.
[13] Gazeta “El-Hakam” 17 gusht 1905, f. 5.

Share via