Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Dashuri dhe nderim ndaj Kuranit Famëlartë

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Dashuri dhe nderim për Kuranin Famëlartë

Para disa ditësh, dikush më tregoi një videoklip të vogël, në të cilin një hoxhë nga Afrika, ua mësonte Kuranin të rriturve. Por, për çdo gabim ai i rrihte keq me shkop, edhe pse arabishten e kishin gjuhë të huaj dhe ishin në moshë të rritur. Pra, dikush në shtatëmbëdhjeta apo tetëmbëdhjeta nuk mund të artikulojë alfabete arabe sikur recitues të rregullt. Si rezultat, një pjesë e konsiderueshme prej muslimanëve joarabë frikësohen nga recitimi i Kuranit dhe nuk dinë ta lexojnë atë. Andaj, nëse dikush dëshiron t’ua mësojë Kuranin të tjerëve, atëherë i duhet të përdorë ato metoda që ngjallin tërheqje dhe interes.

Para pak ditësh një grua japoneze, e cila kohët e fundit është anëtarësuar në xhemat dhe jeton këtu, erdhi për të më takuar. Ajo më tregoi se brenda tri viteve kishte përfunduar së lexuari Kuranin dhe donte të më tregonte diçka. Kur e lejova, ajo recitoi ajetin e Kursisë me një mallëngjim dhe dashuri të tillë, saqë mbeta i mahnitur. Kështu që ajo që është e nevojshme është që Kurani të recitohet me dashuri dhe përmallim. Recitimi i tij vetëm për syefaqëzi, duke nxjerrë tinguj të vështirë nga fundi i fytit nuk është objektivë. Allahu ka porositur për ta recituar atë me tertil, d.m.th. dalëngadalë, duke shqiptuar sa më drejtë. Nëse themi se edhe ne mund të recitojmë sikur arabët, sigurisht është sfidë e vështirë. Drejtshqiptimi i disa fonemave mund të bëjnë vetëm arabët, apo ata që janë rritur në mjedise të tilla. Edhe populli japonez ka të vështirë të shqiptojë disa tinguj të caktuar. Për shembull, edhe kjo zonjë nuk dallonte dot shqiptimin e خ-së nga shqiptimi i ح-së, sepse kur shqiptonte خ-në i ngjante tingullit ح . Duke dëgjuar recitimin e asaj zonje, mendova se nëse jo të gjithë, pjesa dërrmuese e japonezëve do të kenë të vështirë të artikulojnë disa fonema arabe sipas normave të drejtshqiptimit. Megjithatë, çështja më thelbësore mbetet përftimi i një dashurie të sinqertë me fjalën e Zotit dhe përpjekje të dëlira për të shqiptuar sa më të drejtë Kuranin, e jo të imitojnë recitues të Kuranit dhe të marrin pjesë për sy e faqe nëpër gara. Dashuria e të Dërguarit të Allahut sas ndaj fjalës es’hedu, në vend të esh’hedu të Bilalit ishte aq e madhe, saqë nuk mund të krahasohet me recituesin më të mirë të kohës sonë.

Tashmë, edhe jomyslimanët po pranojnë Islamin përmes Xhematit Musliman Ahmedia. Shumica e muslimanëve nuk dinë të lexojnë Kuranin dhe misionarët tanë, veçanërisht në Afrikë duhet të fillojnë mësimin e Kuranit nga e para. Ata duhet të realizojnë mësimin e tij, në atë mënyrë që i ushqen nxënësit e Kuranit me dashurinë ndaj tij. Allahu e shpërbleftë edhe atë grua pakistaneze, e cila jo vetëm që ia kishte mësuar Kuranin kësaj zonje japoneze, por e kishte ushqyer me dashurinë e Kuranit.

Pra, qëllimi kryesor nuk është që Kurani të lexohet me aq mjeshtëri si e këndojnë recituesit e mirëfilltë, dhe nëse nuk arrihet ky nivel, atëherë të lihet tërësisht. Leximi i Kuranit është i nevojshëm, dhe duhen bërë përpjekje për ta përmirësuar atë, por vetëm frika se hasim vështirësi në shqiptimin e disa fonemave, nuk duhet të na shtyjë për të lënë Kuranin tërësisht. Çdo musliman ahmedian duhet të jetë i kujdesshëm në leximin e përditshëm të Kuranit, megjithatë, siç kam nënvizuar, duhet të ketë një dëshirë të sinqertë dhe të vazhdueshme për ta shqiptuar atë në mënyrë sa më të drejtë të mundshme.

Kalifi IIra ka shtruar këtë çështje në një vend dhe ka thënë se nuk duhet të përpiqemi gjithmonë për të imituar recituesit e Kuranit, sepse duke qenë joarab, na mungon kjo aftësi artikulimi. Ai thotë se bashkëshortja ime e ndjera Umi Tahir kishte treguar se babai i saj kishte shumë dëshirë të mësonte Kuranin, dhe t’ua mësonte të tjerëve. Ai kishte prenotuar një mësues që u mësonte Kuranin fëmijëve të tij. Mësuesi ishte mjaft i rreptë dhe i dënonte për çdo gabim. Ai fuste lapsa midis gishtërinjve tanë, dhe i shtypte fort gishtat vetëm për arsyen se nuk shqiptonim dot disa alfabete në mënyrën e duhur. Mënyra e të folurit tonë si penxhabi, është e tillë që nuk mund të recitojmë arabishten si arabë. Kalifi IIra ka rrëfyer edhe ngjarjen e atij arabi, që ju kam treguar në hutben e kaluar, se ai kishte ardhur për të takuar Mesihun e Premtuaras . Kur Mesihu i Premtuaras përdori dy-tri herë alfabetin ض (duad), ai e kritikoi duke thënë se si mund të jeni Mesihu i Premtuaras kur nuk mund të artikuloni mirë alfabetin ض (duad). Ai arab kishte vepruar keq sepse çdo vend ka të folmen e vet, ndërsa arabët vetë mëtojnë se janë ناطقین بالضاد d.m.th. folësit e duadit, dhe indianët nuk mund ta shqiptojnë atë. Indianët e shqiptojnë atë ose si dad ose si zad, edhe pse vendi i formimit të këtyre fonemave është krejtësisht ndryshe, dhe derisa arabët krenohen se vetëm ata janë ناطقین بالضاد pra, vetëm ata mund të shqiptojnë fonemën ض atëherë nuk mbetet asnjë vend për kritikë drejtuar të tjerëve.

Prandaj, edhe arabët ahmedian duhet ta kenë parasysh këtë gjë. Përgjithësisht, vihet re elementi i krenarisë te disa persona. Një grua pakistaneze, e martuar me një arab, duke artikuluar fonema të forta nga fyti, kujton se ka shqiptuar drejt, edhe pse nuk është ashtu. Nëse, ajo mendon këtë për veten atëherë nuk ka asnjë problem e as unë nuk kisha arsye t’i referohesha asaj, por kam mësuar se ka përmendur këtë publikisht duke u tallur se pakistanezët nuk mund të shqiptojnë disa fonema, apo s’dinë të lexojnë Kuranin apo s’dinë të lexojnë mirë arabishten.  Pra, qëndron në shoqëri me disa arabë dhe flasin për tallje këtë çështje. Nuk besoj se të gjithë arabët veprojnë në këtë mënyrë, ama mundet se vetëm ata, ku është martuar ajo, të jenë përfshirë në këtë tallje.

Ne duhet të fitojmë zemrat e çdo kombi dhe populli. Nuk mjafton vetëm sa t’i njohim ata me bukurinë e Fjalës së Allahut, por duhet të ushqejmë me dashuri për leximin e saj. Çdo popull ka tipare specifike të të folurit që e dallojnë atë nga të tjerët. Duke u frymëzuar nga kjo dashuri, secili përpiqet ta lexojë sa më mirë Kuranin. Sigurisht, rregullat e drejtshqiptimit duhet të jenë në qendër të vëmendjes sonë, madje ata që i dinë mirë, duhet t’u vijnë në ndihmë të tjerëve për ta kapërcyer këtë vështirësi, por në asnjë mënyrë nuk mund të lejohet të vihen në shënjestër të talljes.

Ata që dinë të lexojnë me drejtshqiptim gjuhën arabe, duhet të jenë shumë të kujdesshëm në këtë aspekt. Dua t’ju rrëfej edhe disa ngjarje nga Kalifi IIra .

Duke folur për rënien dhe katandisjen e gjendjes së muslimanëve, ai tha se na ishte njëherë një njeri frikacak, por vetja i dukej shumë trime. Njëherë shkoi për të bërë një tatuazh, meqë në kohën e lashtë luftëtarët dhe mundësit sipas traditës bënin figura të ndryshme në trupin e tyre sipas karakterit dhe tipareve të tyre. Në Evropë, kjo traditë është përhapur mjaft. Ai kërkoi tatuazhin e luanit. Kur mjeshtëri filloi të vizatonte luanin, shpoi gjilpërën. Sa u prek nga gjilpëra, frikacaku u tmerrua nga dhimbja, dhe e pyeti çfarë po bën? Ai i tha se po vizatoj luanin? Ai e pyeti: Cilën pjesë të luanit do të vizatosh? Artisti iu përgjigj se bishtin e luanit. Frikacaku e pyeti: Po t’ia heqim bishtin luanit, a mbetet luani apo jo? Artisti i tha: Sigurisht, ai prapë luani quhet. Mirë atëherë, lëre bishtin, bëje pjesën tjetër. Artisti e shpoi prapë gjilpërën, frikacaku u dridh nga dhimbja, dhe e pyeti: mirë, çfarë po bën tani? Artisti i tha: tani do të vizatoj këmbën e djathtë të luanit. Frikacaku i tha: po nëse luani është cunguar në luftë apo në ballafaqim, pra nëse i mungon këmba e djathtë, a nuk mbetet më luan? Artisti tha, prapë luan mbetet ai. Mirë atëherë, lëre këmbën, vizato diçka tjetër, e porositi frikacaku. Kur deshi të fillonte këmbën e majtë, apo kokën apo gjoksin, për çdo gjë frikacaku ia kërkonte të linte. Në fund, artisti u ul dhe e ndërpreu punën. Frikacaku e pyeti, përse nuk bën tani? Artisti i tha: çfarë të bëj tani, kur nuk më ka mbetur asgjë nga luani.

Kalifi IIra  thotë se e tillë është gjendja e Islamit, dhe ashtu veprojnë ulematë dhe prijësit muslimanë me të. Ata llafosin shumë, por nuk bëjnë asnjë vepër. Nganjëherë, ata u predikojnë të tjerëve ndalimin dhe largimin e mjaft gjërave, që nuk parashikon as Islami.

Duke shtjelluar këtë aspekt me një shembull, Kalifi IIra tregon se gjyshi im nga e ëma Mir Nasir Nevab sahibi më tregonte se ai ka qenë shumë i lëvizshëm dhe i shkathët në fëmijëri. Ai ka qenë nipi i Mir Dard sahibit dhe ishte banor i Delhisë. Kur vinte sezioni i mangove, unë i ndaja mangot e ëmbla dhe i ruaja mënjanë, kurse të tjerët haja me nënën time dhe familjen time. Për të vërtetuar se është e thartë apo e ëmbël, duhet provuar njëherë mangoja. Kështu që ai e provonte dhe pastaj thoshte se nuk qenka e ëmbël. Kur mbaronin mangot e tjera, u thosha se nuk jam ngopur akoma kurse nuk ka më mango të ëmbla. Mirë atëherë, le të ha këto të tharta, dhe kështu i haja të gjithat. Njëherë, vëllai im i madh, i cili më vonë trashëgoi detyrën e gjyshit tim, tha se edhe ai ishte i uritur, dhe të hante po ato mango të tharta. Mir Nasir Nevab sahibi tregoi se unë i thashë mjaft, por ai nuk pranoi. Kur i provoi ato, tha se këto janë shumë të ëmbla. Ti më kot i quaje të tharta. Tani kuptova, pse i veçoje mango të ëmbla duke i cilësuar si të tharta, dhe në fund t’i haje edhe ato duke thënë se s’je ngopur.

Kalifi IIra thotë se e tillë është gjendje e muslimanëve sot. Ata që ngulmojnë për zbatimin e sheriatit, me të vërtetë janë njerëz më larg Islamit. Ata nuk dinë asgjë nga Islami. Ata me dredhi lejojnë shumë gjëra për veten, kurse lëshojnë urdhra ndalimi për muslimanë të tjerë.

Ulematë e sotëm krijojnë hapësirë për vetveten për lejimin e disa gjërave. Kjo situatë e dhimbshme gjendet kudo në botë, dhe kjo është fatkeqësia e madhe për umetin musliman. Dijetarët dhe të tjerët po bëjnë kërdi dhe grabitje në emër të Islamit. Dijetarët e tillë kanë themeluar edhe organizata aq të tmerrshme që realizojnë aktet më barbare e mizore në emër të Islamit. Allahu pastë mëshirë për muslimanë të tillë.

Duke na tërhequr vëmendje ndaj reformës në gjendjen tonë, për të shtuar besimin dhe për t’u lidhur me Zotin, Kalifi IIra këshillon duke iu drejtuar xhematit se nëse ju veproni duke synuar dëlirësinë dhe pastërtinë shpirtërore, nëse përkushtoheni lutjes, angazhoheni në përkujtimin e Zotit, falni rregullisht namazin e tehexhudit dhe dërgojini vazhdimisht selavate të Dërguarit të Allahut, atëherë Zoti do t’ju bekojë me ëndrra të vërteta dhe me shpalljen e Tij të bekuar. Muxhiza dhe mrekulli të vërteta janë ato, që njeriu provon personalisht. Sigurisht mrekullitë e Ibrahimitas, të Muaitas dhe të Isaitas kanë qenë madhështore dhe të mahnitshme, por për njeriun mrekullia më e madhe është ajo që shfaqet para tij. Njerëzit edhe tani pyesin sesi mund të arrijnë të dëshmojnë mrekullitë e Zotit. Përgjigjja është e thjeshtë, ata duhet të lidhen me Zotin.

Duke shtruar rritjen e besimit dhe përvojën personale, Kalifi IIra jep shembullin e Sahibzada Abdul Latif Shehid sahibit. Kur ai pranoi xhematin, dhe pas disa ditë qëndrimi në Kadijan u kthye në vatanin e tij Kabul, e thirri guvernatori dhe e kërkoi që të pendohej. Sahibzada sahibi iu përgjigj sesi mund të pendohem, kur duke u nisur nga Kadijani, kisha parë në ëndërr se do të prangosem. Si mund të guxoj as për të përfytyruar që t’i heq prangat, kurse Zoti më kishte treguar këtë më parë. Unë do të bëj gjithçka që të plotësohet fjala e Zotit tim.

Shikoni, si ai arriti një bindje dhe vendosmëri të tillë përmes ëndrrës që kishte parë vetëm pak ditë më parë. Nëse njeriu ka arritur shkallën e lartë të besimit, dhe gëzon një lidhje të veçantë me Zotin, atëherë atë nuk e frikëson asgjë nga kjo botë.

Duke treguar edhe një shembull tjetër, Kalifi IIra tregon se Hazret Sufi Ahmed Xhan sahibi ishte njeri i shenjtë nga Ludiana, dhe konsiderohej ndër njerëz më spiritual të kohës së tij. Njëherë mbreti i principatës së Xhamus i dërgoi ftesë që të vinte tek Ai dhe të lutej për të. Por, ai ia refuzoi kërkesën dhe i tha se nëse keni nevojë për lutje, atëherë duhet të jeni ju që të vini këtu, dhe jo unë të vij tek ju. Pra, nëse njeriu bashkohet me Zotin, atëherë nuk e frikëson asgjë e kësaj bote.

Kalifi IIra duke treguar se njerëzit fillimisht i kishin shprehur një respekt dhe besnikëri të veçantë Mesihut të Premtuaras, por kur ai duke marrë urdhër prej Zotit, shpalli deklaratat e tij, dolën kundër tij. Ai thotë se duke parë famën e librit Brahini Ahmedia, ne padyshim mund të themi se qindra mijëra njerëz kishin respekt për të. Një prej dëshmitarëve ishte vetë ky Sufi Ahmed Xhan sahibi, rrëfimi rreth të cilit sapo u përmend. Ai i ishte drejtuar Mesihut të Premtuaras me një poezi kur ai ende nuk kishte shpallur deklaratën e tij për të qenë Mesih i Premtuar. Ky varg është si më vijon:

سب مریضوں کی ہے تمہیں پہ نظر

تم مسیحا بنو خدا کے لیے

d.m.th. të gjithë të sëmurit kanë varur shpresë me ju, andaj bëhuni Mesih për hir të Zotit.

Kjo ishte largpamësia dhe shikimi i kulluar i një evliaje të Allahut. Sufi Ahmed Xhan sahibi ishte një prej evliave të Allahut, i cili, pavarësisht se Mesihu i Premtuaras ende nuk kishte shpallur deklaratën e tij, përmes shikimit të tij shpirtëror kishte parandier se triumfi i Islamit varej prej përpjekjeve të Mesihut të Premtuaras. Megjithatë, kur iu dha arma e fitores, e cila mund të mbizotëronte kundërshtarin, dhe kur iu dha uji jetëdhënës, i cili do të ripërtërinte gjendjen e muslimanëve, atëherë përkrahësit e tij të mëdhenj u larguan prej tij, duke thënë se ne e morëm për flori, kurse ky doli bakër. Pra, menjëherë qindra mijëra njerëz nga përkrahësit u bënë kundërshtarët e tij, madje kur deklaroi për fillimin e besëlidhjes, në ditën e parë ishin vetëm 40 persona, të cilët bënë bejt në dorën e tij. Pra, ishte një kohë kur qindra mijëra njerëz i premtonin për ndihmë dhe përkrahje, ulema të mëdhenj shkruanin lëvdata duke thënë se vetëm ai mund t’i shërbente Islamit dhe dërgonin njerëz pranë tij. Molvi Thenuallahu shkruan se kur u botua Brahine Ahmedija kam shkuar me këmbë deri në Kadijan, për ta takuar Mirza sahibin. Molvi Muhammed Husejn Betalvi i cili më vonë kushtoi gjithë jetën kundërshtimit të misionit të Mesihut të Premtuaras, në fillim kishte shkruar se askush gjatë trembëdhjetë shekujve nuk i kishte shërbyer Islamit aq shumë sa kishte bërë Mirza sahibi. Disa dijetarë edhe tani kur dalin nëpër të ashtuquajtura kanale televizive Islame, thonë se ajo kohë kërkonte shërbimin e Islamit dhe Mirza sahibi iu përgjigj kësaj nevoje, por më vonë u ai rrëshqiti nga vija. Në fakt, këta njerëz të verbër nga sytë shpirtëror, nuk dinë të dallojnë floririn nga bakri. Në vend që të shohin prova të fuqishme prej Zotit që u shfaq përmes ndihmës së Tij, ata kanë pëlqyer të mbyten nëpër errësira, dhe vijojnë të disinformojnë muslimanë të thjeshtë. Allahu i udhëzoftë.

Njëherë në vitin 1931, gjatë mbledhjes së këshilltarëve të xhematit, u diskutua çështja e shtëpisë së besëlidhjes në Ludiana. Kalifi IIra iu drejtua delegatëve të pranishëm duke thënë se ajo ishte një çështje mjaft e rëndësishme dhe Mesihu i Premtuaras i ka dhënë shumë rëndësi asaj shtëpie, ndërsa e ka quajtur qytetin Ludiana bab ludd, vendi ku sipas haditheve, Imam Mehdiu do të vriste dexhalin. Xhemati duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë kësaj banese, ku Mesihu i Premtuaras kishte shkuar për të pranuar bejtin e anëtarëve. Kur Kalifi Ira i kishte thënë Mesihut të Premtuaras për t’ia pranuar bejtin, ai kishte thënë se ceremonia e bejtit do të bëhet në Ludiana e jo në Kadijan, dhe kështu ai shkoi në Ludiana për këtë qëllim.

Pir Ahmed Xhan sahibi nga Ludiana ishte prej atyre personave, të cilët kishin pranuar Mesihun e Prematuaras, kur ai akoma nuk kishte shpallur deklaratën e tij. Para se të ndërronte jetë, Pir Ahmed Xhan sahibi kishte mbledhur të gjithë fisin e tij, dhe u kishte thënë se Mirza sahibi do të deklarojë se është Mesihu i Premtuar, dhe ju të gjithë duhet ta pranoni atë. Kështu që, kur Mesihu i Premtuaras bëri deklaratë, kjo familje e pranoi atë. Pir Menzur Muhammed sahibi dhe Pir Iftikar Ahmed sahibi janë bijtë e tij, ndërsa bashkëshortja e Kalifit Ira  ishte vajza e tij.

Kalifi IIra gjithashtu kishte shprehur dëshirë se duhej përgatitur harta e atij vendi, ndërsa vendi ku është bërë bejti, duhet shënuar veçanërisht, si dhe duhen gdhendur emrat e dyzet personave të cilët kishin bërë bejt në dorën e Mesihut të Premtuaras. Alhamdulilah, kjo banesë është në pronësinë e xhematit. Nuk kam dijeni se deri në çfarë mase janë realizuar këto plane, dhe për çfarë shërben ajo sot. Sigurisht, bëhen përgatitje për ta mbrojtur dhe restauruar këtë monument.

Pastaj, duke folur për Ludianën dhe profecinë rreth Birit të Premtuar, ai tregon se i Dërguari i Allahut sas kishte parë se i është sjellë një bistak rrushi, pastaj iu tha se ai ishte për Ebu Xhehlin. Kuptimi i kësaj ëndrre ishte e tillë se Ikrama, biri i Ebu Xhehlit, do të fitojë xhenetin. Kjo ëndërr u plotësua, dhe Zoti bëri Ikramën aq të dëlirë saqë arriti të bënte sakrifica të mëdha për hir të fesë. Gjatë një lufte, muslimanët u përballën me një situatë shumë të vështirë, dhe shigjetarët e ushtrisë të krishterë i gjuanin shigjeta në sytë e ushtarëve muslimanë, duke i martirizuar sehabët. Ikrama nuk duroi këtë situatë, dhe i kërkoi leje komandantit të ushtrisë muslimane që të hidhej në sulm kundër ushtrisë kundërshtare. Ai mori gjashtëdhjetë ushtarë dhe ia mësyju armikut mu në zemër të ushtrisë. Sulmi ishte aq i beftë dhe i befasishëm, saqë kryekomandanti i tyre u arratis, dhe ushtria u shpërnda i hallakatur. Këta trima luftuan aq heroikisht, saqë kur mbërriti ushtria muslimane, shumica prej tyre kishin rënë martir apo ishin plagosur rëndë. Ikramara gjithashtu kishte marrë plagë të rënda. Një ushtar iu afrua me ujë, dhe deshi t’i ofronte ujë, por duke parë se Suhejl bin Ymer gjithashtu shikonte nga ujë, ai i tha ushtarit që së pari t’i jepte ujë atij, sepse nuk mund të duronte të pinte ujë, ndërkohë vëllai i tij të mbetej paujë. Ushtari me shpejtësi iu afrua Suhejlit, por pranë tij rënkonte Harith bin Hashami. Suhejli i tha ushtarit që t’i jepte ujë Harithit. Kur ushtari mbërriti te Harithi, ai kishte dhënë shpirt. Ushtari u kthye te Suhejli, por edhe ishte ndarë nga jeta dhe në fund kur erdhi te Ikrama, shpirti i tij gjithashtu i ishte afruar Zotit. Pra, i tillë ishte statusi i birit të Ebu Xhehlit.

Nëse dikush është i lig, pafe apo mashtrues, ne s’mund të themi se edhe fëmija e tij do të jetë i tillë. Megjithatë, fjala e Allahut mban ato dëshmi të qarta që provojnë vërtetësinë e saj, ndërsa fjala së cilës i mungojnë prova, nuk mund të jetë e pranueshme. E rëndësishme është plotësimi i profecive, sepse vetë përmbushja e tyre është provë e mjaftueshme se ato janë prej Zotit. Tani duke u kthyer te ngjarja e mëparshme, i Dërguari i Allahutsas kur e pa Ebu Xhehlin, duke ngrënë veshulë rrushi, ai u çudit se si mundet që Ebu Xhehli të jetë në xhenet, dhe unë po i jap një veshul rrushi. Pra, kuptimi ishte se djemtë e tij do të pranonin Islamin dhe do të jepnin sakrifica të jashtëzakonshme për hir të Islamit.

Kalifi IIra thotë se edhe profecia rreth Birit të Premtuar, ashtu sikurse profeci të tjera, mban prova të mjaftueshme për vërtetësinë e saj. Kur Mesihu i Premtuaras publikoi këtë profeci, ishte aq i panjohur saqë as banorët e Kadijanit nuk e njihnin. Disa nga pleqtë e Kadijanin tregonin se ata nuk kishin ditur se Mirza Ghulam Murteza sahibi, pra babai i Mesihut të Premtuaras, kishte dy djem. Ata kujtonin se ai kishte vetëm një djalë që quhej Mirza Ghulam Kadir. Pra, një njeri aq i panjohur dhe i padëgjuar, të cilin nuk e njihnin as bashkëfshatarët e tij, kur shpalos një profeci të tillë, se Allahu do ta bekojë me fëmijë, të cilët do të jetojnë gjatë, një prej bijve të tij, do të jetë i tillë që fama e tij do të mbërrijë deri në skajet e fundit të botës. Nëpërmjet tij, do të përhapet edhe mesazhi i tij. Kush mund të trillojë një profeci të tillë? Pastaj ai deklaroi se ky djalë do të kthejë tretën në të katër. Përveç kuptimeve të tjera që ka kjo fjali, kjo gjithashtu paralajmëronte se ai do të lindë në vitin e katërt pas profecisë. Mesihu i Premtuaras bëri këtë profeci në vitin 1886, ndërsa unë, pra thotë Kalifi IIra, kam lindur më 12 janar 1889. Ndërsa bejtin e parë, Mesihu i Premtuaras pranoi më 23 mars 1889 në Ludiana. Kjo profeci është mjaft e njohur jo vetëm brenda Xhematit por edhe jashtë tij.

Në përgjithësi shtrohet pyetja se kush është ai djalë? Kalifi IIra tregon se sipas fjalëve të profecisë, ai do të quhet Mahmud, e prandaj Mesihu i Premtuaras për mbarësi ma vuri emrin Mahmud. Meqë emri i tij ishte edhe Bashir II, andaj ai quajti Bashirudin Mahmud Ahmed. Ndonëse, Mesihu i Premtuaras, kishte edhe fëmijë të cilët gëzuan jetë të gjatë, por bota akoma priste se kush është ai biri i premtuar, për të cilin lajmëron profecia? Prandaj, kam ardhur këtu në Ludiana. Xhemati Musliman Ahmedia ka lidhje të veçantë me këtë qytet. Mesihu i Premtuaras pranoi bejtin për herë të parë po në këtë qytet. Pastaj, Hazret Molvi Nurudin sahibi, i cili u zgjodh Kalifi i tij i Parë, u martua po në këtë qytet me vajzën e Pir Ahmed Xhan sahibit. Edhe bashkëshortja e Mesihut të Premtuaras e cila do të lindte këtë djalë të mbarë, ka jetuar për një kohë të gjatë në këtë qytet. Kalifi IIra tregon se edhe ai, kur ishte shumë i vogël, ka qëndruar në atë qytet. Ai ka qenë 2 vjeç e gjysmë, dhe në përgjithësi nuk na mbetet asgjë në kujtesën tonë prej kohës së vogëlisë, por Kalifi IIra se atij i kujtohet vetëm një ngjarje. Shtëpia e tyre ishte buzë rrugës, ndërsa rruga ishte e drejtë. Njëherë kur dola nga shtëpia, një djalë i vogël po vinte nga krahu përballë. Kur m’u afrua, ai hodhi një hardhucë të ngordhur drejt meje. Unë u tremba aq keq, saqë vrapova brenda në shtëpi duke qarë me dënesë. Unë akoma mbaj mend atë treg, ndonëse nuk mund të dalloj tani. Unë kam kaluar disa muaj të fëmijërisë sime këtu.

Kështu që edhe ky qytet ka lidhje me Xhematin Ahmedia. Kalifi IIra pastaj thotë se megjithatë, fjalët dhe profecitë e Allahut, gjithmonë përballen me reagime të ashpra dhe tallëse. Pra, ishte e sigurt që edhe kjo profeci të përballej me kundërshtime të forta. Para se të organizohej ky tubim këtu në Ludiana për të deklaruar se unë jam Biri i Premtuar, i cili ishte premtuar në profecinë e Mesihut të Premtuar, kemi bërë tubime të mëdha në Lahor dhe Gurdaspur, por pa pasur asnjë incident apo protestë nga kundërshtarët. Ndërsa tani, kur kemi ardhur këtu në Ludiana, dhe po kalonim në qytet, aty afër kalonte protesta e kundërshtarëve duke ngritur slogane se vdiq Mirzai, vdiq Mirzai etj. Pra, sigurisht, kjo nuk na bën asnjë përshtypje. Ata ndjekin rrugën e kundërshtimit dhe përbuzjes, duke harruar mësimet e Profetit Muhammedsas. Por, profecia e Mesihut të Premtuaras është vërtetuar katërçipërisht. Kalifi IIra në fund është lutur edhe për banorët e Ludianës duke thënë: O Allah! Mundësoji banorët e Ludianës që të pranojnë Mesihun e Premtuar dhe nëse sot ata dalin në protestë duke ngritur slogane kundër nesh, dashtë Zoti ata të ngrenë slogane në mbështetjen tonë. Amin

Kalifi IIra duke treguar besnikërinë dhe bindjen e sehabëve të Mesihut të Premtuaras, tregon një ngjarje. Mijan Abdullah Sanori sahibi kishte një lidhje besnikërie me Mesihun e Premtuaras . Njëherë duke marrë leje prej punës, ai erdhi në Kadijan dhe qëndroi pranë tij. Mesihu i Premtuaras  i dha një detyrë për t’u realizuar. Kur i përfunduan ditët e lejes, ai i kërkoi leje Mesihut të Premtuaras, por ai i tha të qëndronte edhe pak. Kështu që ai dërgoi kërkesë për shtyrjen e lejes, por i erdhi përgjigje negative se nuk mund t’i jepen më leje. Mijan Abdullah Sanori e njoftoi Mesihun e Premtuaras për refuzimin e lejes, por ai i kërkoi të qëndronte në Kadijan derisa të përfundonte detyrën. Kështu që Mijan Abdullah Sanori sahibi shkroi një letër tjetër dhe njoftoi se ai nuk mund të kthehej tani. Kur e mori këtë letër, drejtori publike, ku ishte punësuar ai, e largoi nga puna. Mijan Abdullah Sanori sahibi qëndroi afro 4 apo 6 muaj në Kadijan, dhe kur përfundoi detyrën e tij, u kthye në vendlindje. Kur mbërriti atje, mësoi se personi i cili kishte marrë vendim për ta pushuar atë nga puna, nuk kishte kompetencë për të ndërmarrë këtë masë, kështu që u rrëzua ky vendim dhe ai filloi sërish punën atje, madje mori edhe pagën e atyre muajve që kishte kaluar në Kadijan.

Kalifi IIra ka treguar edhe ngjarjen e Munshi Zafar Ahmed sahibit të Kapurtalës. Kalifi IIra tregon se ai po udhëtonte drejt Dalhozisë, dhe Avokat  Mijan Atuallah ia kishte rrëfyer këtë ngjarje. Por, meqë tashmë ajo është botuar edhe në gazetën el-Hakem gjatë vitit 1934, prandaj do t’u referohem fjalëve të Munshi Zafar Ahmad sahibit, që ai ka treguar vetë. Kur u punësova pranë gjykatës dhe punoja gjatë seancave gjyqësore, njëherë pas përpilimit të dosjeve, u nisa për në Kadijan. Ditën e tretë i kërkova leje Mesihut të Premtuaras për t’u kthyer, por ai më tha: Jo, qëndroni edhe pak. Pastaj, nuk pëlqeva ta pyesja, dhe prita sa të më thoshte vetë ai. Kaloi një muaj. Dosjet e gjykatës ishin në shtëpinë time dhe u ndërpre puna e gjykatës. Më vinin letra të ashpra, ndërsa duke qenë në shoqërinë e Mesihut të Premtuaras unë nuk i merrja ato letra aspak në konsideratë. Mendova, nëse vijnë, le të vijnë letrat, pra harrova çdogjë. Shoqëria e Mesihut të Premtuaras kishte një kënaqësi dhe tërheqje, saqë nuk më shqetësonin as largimi nga puna e as masat e mundshme disiplinore kundër meje. Por, një ditë më erdhi një letër mjaft e rreptë, dhe unë atë letër ia tregova Mesihut të Premtuaras. Ai e lexoi, dhe tha se shkruani se s’mund të kthehem tani. Unë ashtu siç dëgjova, i shkrova fjalë të Mesihut të Premtuaras. Kështu kaloi edhe një muaj. Një ditë ai më pyeti sesa ditë kanë kaluar. Madje numëroi vetë dhe pastaj më tha se tani mund të shkoni. Unë mbërrita në Kapurtala dhe shkova në banesën e gjykatësit Lala Harçand Das. Meqë punoja në gjykatën e tij, prandaj mendova ta pyes njëherë, a më ka hequr nga puna apo kanë gjobitur etj. Kur hyra në shtëpi, ai më pyeti: Munshi sahib! Sigurisht Mirza sahibi duhet t’ju ketë ndaluar në Kadijan? Unë i thashë: Po, ashtu është. Atëherë më tha: Fjala e tij ka më shumë peshë.

Kalifi IIra tregon se në rrëfimin e Avokatit Mijan Atuallah janë disa fjalë shtesë. Sipas tij, kur Mesihu i Premtuaras i tha se: “Shkruani se nuk mund të vij tani”, dhe ai shkroi po ato fjalë.

Kalifi IIra tregon se ai ishte një grup, i cili shfaqi dashurinë e pashembullt. Duke u kthyer në historinë e profetëve të kaluar, ne nuk mund të turpërohemi. Nëse ndjekësit e Musaitas apo dishepujt e Isaitas paraqiten para nesh për shembullin e tyre, ne mund t’ua parashtrojmë edhe modelin e sehabëve të Mesihut të Premtuaras. Nëse dishepujt e Isaitas do të tregojnë arritjet dhe sakrificat e tyre në ditën e Kijametit, atëherë edhe ne me krenari mund të tregojmë shembujt e sehabëve të Mesihut të Premtuaras, të atyre personave të zgjedhur, rreth të cilëve i Dërguari i Allahutsas kishte njoftuar se umeti im dhe pasardhësit e Mehdiut nuk do të kenë asnjë dallim. Këta njerëz ishin të këtillë që u ngjanin shembujve të shkëlqyer të sehabëve besnikë të Profetit Muhammedsas si Ebu Bekri, Umeri, Osmani, Aliu dhe sehabëve të tjerë (Qoftë Allahu i Kënaqur me ta), dhe gjithmonë garonin me njëri-tjetrin për të dhënë sakrificat dhe ishin të gatshëm për të përballuar çdo vështirësi dhe mundim në rrugën e Allahut.

Shikoni shembullin e Kalifit Ira. Meqë Zoti i dha një vend të dalluar e të posaçëm në këtë xhemat, andaj unë e përmenda emrin e tij, ndryshe ngjarjet e sakrificës së tij janë të çuditshme. Kur erdhi në Kadijan, klinika e tij punonte në Bhera, dhe ai shërbente atje dhe kjo punë po bëhej në përmasa të mëdha. Kur ai i kërkoi leje Mesihut të Premtuaras, ai i tha: Pse duhet të shkoni, rrini këtu. Mandej, Kalifi Ira nuk u kthye as për t’i marrë plaçkat dhe gjërat e tij, madje dërgoi dikë tjetër që t’i sillte gjërat e tij në Kadijan.

Këto janë sakrificat që e dallojnë dhe lartësojnë xhematin në sy të Allahut. Kjo është ajo pozitë e gradë që duhet të synojë çdo besimtar. Një besim i thatë e teorik nuk i shërben njeriut. Njeriut i shërben vetëm ajo bindje që shoqërohet me sherbetin e dashurisë dhe besnikërisë. Filozofi sado të mëtojë për dashurinë e tij, ato nuk çmohen më shumë se deklarata apo argumente, sepse ai e ka parë të vërtetën jo nga syri i zemrës, por nëpërmjet prizmit të logjikës. Ndërsa, njeriu që e njeh të vërtetën dhe shenjat e Zotit jo me anë të arsyes, por me syrin e zemrës, nuk mund të mashtrohet prej askujt. Kjo ndodh sepse mendja i drejtohet filozofisë e arsyes, ndërsa zemra i drejtohet dashurisë.

Allahu na mundësoftë të njohin Imamin e Kohës me anë të syrit të zemrës, dhe na bëftë të qëndrueshëm në të. Allahu na bëftë prej atyre që dallojnë shenjat e Zotit dhe mos u mashtrofshim kurrë nga intrigat e shejtanit. Amin