Jeta e Hazret Maulvi Hakim Nurudinit r.a., Kalif i Parë i Mesihut të Premtuar a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Jeta e Hazret Maulvi Hakim Nurudinit r.a., Kalif i Parë i Mesihut të Premtuar a.s.

Gazetar
sahabet e Mesihut

Fëmijëria dhe rinia e tij

Hazret Hakim Maulvi Nurudin r.a. lindi në vitin 1841 në qytetin e lashtë të Bera-s, në Penxhab, të Indisë. Babai i tij Hafiz Ghulam Rasul dhe nëna Nur Bakht, kishin një dashuri të papërshkrueshme për Kuranin duke u bërë shembull perfekt për fëmijët e tyre. Hazret Maulvi Nurudini r.a. ishte i 34-ti brez në vijë të drejtë me Hazret Omerin r.a.  Kalifin e Profetit të Shenjtë s.a.v.s., kështu nga babai ai ishte një kurejshij.

Ai ushqeu dashurinë ndaj dijes dhe librave që në fëmijëri dhe madje ai shprehet në autobiografinë  e tij:

“Unë isha i magjepsur pas koleksionit të librave. Kur isha fëmijë unë mblidhja libra të bukur, por kur arrita moshën e pjekurisë unë përdorja libra të zgjedhur.”

Gjatë fëmijërisë së tij mësoi urdu, arabisht, persisht dhe gjuhën e tij penxhabisht. Leximin e Kuranit e kishte mësuar nga nëna dhe vetëm në moshën 16 vjeç, ai filloi të mblidhte përkthimet dhe komentimet e Kuranit. Kështu filloi dashuria e tij ndaj Kuranit dhe epërsia e këtyre mësimeve në gjithë jetën e tij. Pasi u diplomua dhe kur ishte vetëm 21 vjeç ai u vendos drejtor në një shkollë, post që e mbajti për katër vjet.

Jeta para Kalifatit

Hazret Maulvi Nuruddini r.a. qëndroi për disa vjet në Laknau ku mori mësimet e mjekësisë nga mjeku më i njohur i asokohe. Në qytetin Bopal (Bhopal) kishte fituar pak para nga profesioni i tij prej mjeku dhe me këto para shkoi në Mekë për Haxh.

Mrekullia e lutjes kur sheh Qaben

Hazret Maulvi Nurudini r.a. kishte dëgjuar se lutja e parë pasi të kesh parë Qaben, pranohet tek Allahu, andaj bëri këtë dua:

“O Zoti im! Jam pëherë nevojtar Yti. Ç’lutje të të bëj atëherë! Andaj, të përgjërohem, që kurdoherë të kërkoj diçka që më nevojitet, plotësoma lutjen!”[1]

Ai thotë:

“Për hadithologët nuk është aq e qartë vërtetësia e këtij hadithi, [hadithi që flet për lutjen pasi ta shohësh Qaben për herë të parë], por përvoja ime tregon se mua kjo lutje m’u pranua. Në të ardhmen, do të përballesha në debate me natyralistë, filozofë dhe ateistë të shquar dhe gjithmonë falë lutjes arrita sukses, gjë që më shtoi vazhdimisht besimin.”[2]

Gjatë qëndrimit të tij në Mekë dhe në Medinë me dijetarë të shquar të asaj kohe, ai bëri studimin e librave të hadithit.

Mjek i shquar bamirës

Me t’u kthyer në Bera (Bhera), ai u martua. Më pas, filloi të ushtronte profesionin e tij si mjek. Me dashamirësinë, mirësjelljen dhe zotësinë e tij, arriti të fitojë zemrat e njerëzve. Ai nuk bënte dallime mes të pasurit dhe të varfërit. Gjatë gjithë jetës së tij, asnjëherë nuk kërkoi gjë si shpërblim, por kënaqej me atë që i jepnin pacientët. Ai nuk mburrej asnjëherë më atë që kishte arritur dhe ushqehej me një besim të pluhatshëm tek Zoti si burim i të gjitha mirësive.

Hakim Maulvi NurudinFama e tij u dëgjua gjithandej saqë Mbreti i shtetit të Kashmirit e caktoi mjek në oborrin e tij. Nuk kaloi shumë kohë kur ai u caktua mjeku i oborrit mbretëror të këtij shteti. Gjatë qëndrimit të tij te mbreti, ai filloi t’i mësonte atij mësimet e Islamit dhe kurdo herë që dilte nevoja të mbrohej nderi dhe dinjiteti i fesë Islame, ai e bënte me argumente të forta e të pathyeshme.

Hafiz i Kuranit

Ai kishte një memorie të jashtëzakonshme. Njëherë tek shkonte në një dasmë hipur në elefant, udhëtim i cili zgjati një muaj, filloi të mësonte Kuranin përmendësh. Ai arriti që gjatë këtyre 30 ditëve udhëtimi të mësonte përmendësh 14 xhuze [pothuajse gjysmën e Kuranit).[3] Nuk kaloi shumë kohë që falë dashurisë së tij për Kuranin ai të arrinte të mësonte të gjithë Kuranin përmendësh duke fituar kështu edhe titullin Hafiz.

Në kërkim të njeriut të Zotit

Hakim Maulvi Nurudini r.a., edhe pse kishte marrë mësime nga dijetarë të shquar, gjithmonë ishte në kërkim të një mësuesi të mirëfilltë që të arrinte të fitonte vlera të larta shpirtërore e morale. Ai shikonte që një pjesë e dijetarëve pëlqente vetminë ndërsa një pjesë tjetër i jepte më shumë rëndësi pamjes sipërfaqësore sesa thelbit dhe vlerave shpirtërore. Islami po sulmohej nga besimet e tjera.

Hazret Nurudini r.a e dinte mirë nga premtimet e Zotit në Kuran dhe në hadithe, se besimtarët do të jenë mëkëmbës (kalifë) në tokë. Ai Gjithashtu e dinte profecinë e Profetit Muhammed s.a.v.s. se Allahu do të vendoste në fillim të çdo shekulli një reformator  për ripërtëritjen e fesë Islame. Kështu ai shikonte nga Zoti për një shenjë hyjnore. Pikërisht në këtë gjendje, ai mësoi për Hazret Mirza Ghulam Ahmedin r.a., përmes një njoftimi të bërë prej tij. Ai vetë e rrëfen këtë duke thënë:

“Që kur jam informuar mbi ligësitë në të cilat janë zhytur bashkëkohësit e mi dhe kam vëzhguar ndryshimet që kanë ndodhur në fe dhe në njerëzit fetarë, unë kam qenë i etur dhe i jam lutur Allahut të Lartësuar që të më prijë drejt atij personi që do të ringjallë fenë Islame dhe i cili do të mposhtë kundërshtarët e fesë Islame dhe njerëzit e ligë me sulme shpirtërore…”

… isha ndër ata që e prisnin me padurim shfaqjen e mëshirës së Tij, dhe për këtë qëllim udhëtova në atë vend ku u shfaqën dritat e së vërtetës dhe të bindjes, në shtëpinë e shenjtë të Allahut. Kalova përmes pyjeve dhe kapërceva shkretëtira duke e kërkuar atë ndër njerëzit e shenjtë… Nuk gjeta asnjë dijetar të angazhuar në përhapjen e mesazhit të vërtetë të Islamit…

Në këtë situatë, mora lajmin e mirë të atij personazhi të lavdëruar, të atij të dëlirit të ditur, i cili është reformator i këtij shekulli, Mehdiu e Mesihu i kësaj kohe, autori i veprës Berahin-e-Ahmedia.

Unë nxitova ta shikoja atë vetë dhe kuptova menjëherë se ai ishte gjykatësi i premtuar dhe ishte ai, i cili ishte caktuar nga Allahu i Lartësuar për ripërtëritjen e besimit. Menjëherë iu përgjigja thirrjes së Allahut dhe rashë në sexhde në shenjë mirënjohje ndaj kësaj mirësie të madhe.”[4]

Hazret Maulvi Nurudini r.a., ishte 43 vjeç kur u takua për herë të parë me Mesihun e Premtuar a.s dhe pastaj mbeti deri në fund të jetës së tij i përkushtuar dhe i bindur ndaj tij. Ai e ndiqte Mesihun e Premtuar në çdo çështje, sado e vogël të ishte ajo. Gjatë kësaj kohe, sipas porosisë së Mehsiut të Premtuar a.s., ai hartoi një libër me 4 vëllime në përgjigjie të akuzave të ngritura nga një kundërshtar i fesë Islame.

Konsiderata të larta të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. për të

Vetë Mesihu i Premtuar a.s. kishte konsiderata të larta për Hazret Maulvi Nurudinin. Njëherë kur Hazret Nurudini r.a. u sëmur, Meshu i Premtuar a.s. udhëtoi deri në qytetin Xhamu për ta viziuar atë. Mesihu i Premtuar a.s., shpreh vlerësimet ndaj tij duke shkruar:

“Që kur unë jam caktuar nga Allahu i Lartësuar… unë jam lutur ditën dhe natën … O Zot, jam i vetëm dhe pa mbështetje, kush do të jetë ndihmësi dhe përkrahësi im?” Kur duart e mia u ngritën vazhdimisht në lutje dhe hapësira e qiellit u mbush me përgjërimet e mia atëherë, Allahu i Lartësuar m’i dëgjoi lutjet dhe mëshira e Tij u m’u shfaq dhe më dhuroi një shok të sinqertë e besnik, i cili është syri i shokëve të mi dhe esenca e atyre që janë përkrahësit e mi për hirë të besimit. Emri i tij, si cilësitë e tij të ndritura, është Nurudin (Drita e besimit )…

… ai është ndër njerëzit e Zotit. Unë vërej se urtësia rrjedh nga buzët e tij dhe drita hyjnore zbret mbi të. Kur ai fillon të shpjegojë Librin e Allahut, zbulon burimet e fshehura dhe bën që gurrat e diturisë të shpërthejnë dhe të hapin thesare të mrekullueshme të urtësisë që deri tani ishin të mbuluara.”[5]

Mesihu i Premtuar a.s Shkruan në një poezi të tij :

“Sa mirë do të jetë nëse çdo anëtar do të bëhej si Nurudini,
por mund të ndodhë nëse çdo zemër do të mbushet nga besimi i vërtetë”

Ahmediani i parë që bëri bejatin në dorën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Më 23 mars 1889  Hazret Mesihu i Premtuar a.s., filloi të merrte bejatin (besëlidhje) nga pasuesit e tij dhe Hazret Maulvi Nurudini r.a kishte nderin që të bënte i pari bejatin në dorën e tij.

Model i bindjes ndaj Imamit të kohës

Pas vdekjes së mbretit të Kashmirit, Hazret Maulvi Nurudini r.a. u shpërngul në vendlindjen e tij Bera, dhe vendosi të ndërtonte një qendër mjekësore si dhe shtëpinë e vet. Pasi filloi punimet, i duhej të shkonte në Lahor për të siguruar disa materiale ndërtimi, por meqenëse Kadijani ishte afër Lahorit ai vendosi të shkojë edhe atje që të takojë Mesihun e Premtuar a.s. dhe kështu bëri.

Mesihu i Premtuar a.s. i tha se meqenëse ai nuk ishte i zënë në punë, le të rrinte në Kadijan për disa ditë. Pastaj i tha të merrte edhe gruan në Kadijan. Hazret Nurudini r.a. i shkroi një letër gruas së tij dhe i tha të ndalonte punimet që kishin nisur pasi ai nuk ishte më në Bera dhe se duhej të shkonte edhe ajo atje. Më vonë ai mori edhe bibliotekën e tij në Kadijan.

Pas kësaj, një ditë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i tha:

“Heqeni nga mendja Beranë, vendlindjen tuaj.”

Hazret Maulvi Nurudini r.a. thoshte – Kisha frikë se si do ta realizoja këtë dëshirë të Huzurit, pasi nuk është e vështirë për mua të mos kthehem asnjëherë atje, por si mund ta kontrolloj zemrën, që të mos më bie në mend vendi im?! Ai shton:

“Zoti është i Madh dhe Çudibërës! Më pas, as nuk më ra në mend, madje, as në ëndërr, të shkoja në vendlindje. U bëra tërësisht i Kadijanit.”[6]

Bindja dhe nënshtrimi i Hazret Maulvi Nurudinit r.a. ndaj Mesihut të Premtuar a.s., nuk mbaronte me kaq. Njëherë Hazret Maulvi Nurudini r.a i kërkoi leje Hazret Mesihut të Premtuar a.s. për të shkuar në qytetin në Batala që të vizitonte një pacient atje. Para se të nisej, Hazret Mesihu i Premtuar a.s i tha – Shpresoj të ktheheni në darkë.

Ai shkoi në Batala dhe ndërsa po vizitonte të sëmurin filloi të binte një shi shumë i fortë. Arriti të mbarojë me pacientin, i cili i kërkoi të mos kthehej atë natë pasi shiu ishte shumë i fuqishëm dhe se natën rruga nuk ishte aspak e sigurtë. Por ai në atë stuhi shiu dhe në atë rrugë të pasigurt, u nis dhe mbërriti në namazin e sabahut, vetëm sepse ashtu i kishte porositur Mesihu i Premtuar a.s..

Dashuria e pashembullt ndaj Kuranit të Shenjtë

Dashuri e tij ndaj Kuranit ishte e pashembullt. Ai shkruan:

“Nëse Allahu është i Pafund, ashtu janë edhe kuptimet e Kuranit Famëlartë”.

Ai kishte grumbulluar dorëshkrime nga më të hershmet dhe më të çmuarat të Kuranit dhe kohën e tij, e kalonte duke dhënë mësimet e Kuranit. Një herë një vizitor vjen në Kadian dhe shkon në një xhami ku gjen një person i cili shpjegonte në mënyrë të pashembullt disa ajete të Kuranit. Ai u mahnit nga kjo gjë dhe pyet se kush është ky person. Ai mëson se ky dijetar ishte një nga pasuesit e Mesihut të Premtuar a.s dhe ai thotë:

“Nëse ky është një pasues, si do të jetë dituria e Mesihut të Premtuar a.s.?!”

Në Kadian shumicën e kohës e kalonte në shërbim të Xhematit ku kishte hapur një klinikë për t’u kujdesur për të varfërit. Ai gjithashtu jepte mësim të Kuranit dhe të hadithit.

Hazret Maulvi Nurudini u zgjodh Kalifi i Partë i Mesihut të Premtuar

Më 26 maj të vitit 1908, Hazret Mesihu i Premtuar alejhiselam ndërroi jetë. Vdekja e tij ishte e papërballueshme për Xhematin. Anëtarët ishin të dërrmuar shpirtërisht dhe të gjithë u angazhuan në lutje.

Ndjekësit e tij më të shquar dhe më në zë unanimisht kërkuan që Hazret Nurudini r.a. të ishte Kalifi i Xhematit, udhëheqës shpirtëror dhe administrativ. Ai u angazhua në lutje dhe mbajti një fjalim ku ndër të tjerat tha:

“Shikoni jetën time të kaluar. Unë kurrë nuk kam lakmuar për të qenë në krye … nuk kam dashur asgjë nga kjo dynja. Gjithçka që kam dashur është që Zoti im të kënaqet prej meje… Është një përgjegjësi shumë e madhe e cila mund të përmbushet vetëm nga dikush që është caktuar nga Zoti, i cili gëzon premtime të mira të ndihmës Hyjnore që e mbështesin atë përballë vështirësive të mëdha… Unë marr përsipër këtë përgjegjësi vetëm për hir të Zotit.”

Kështu pas marrjes së kësaj detyre, ai iu përkushtua tërësisht realizimit të misionit të Mesihut të Premtuar r.a..

Detyra kryesore e Mesihut të Premtuar a.s ishte vendosja e epërsisë së vlerave të vërteta të Islamit. Prandaj edhe Kalifi I r.a. u angazhua në ngulitjen e këtyre vlerave tek anëtarët. Shumicën e kohës ai e kalonte duke ilustruar thesaret e vërteta të fesë Islame. Ai përkrahu fuqimisht Medresenë “Ahmedia”, që synonte përgatitjen e dijetarëve që do të ngarkoheshin me detyrën e shenjtë të përhapjes së Islamit të vërtetë kudo në botë.

Për t’iu përgjigjur nevojave financiare të xhematit themeloi një zyrë që merrej me financën, e cila quhej “Bejtul-Mal”, siç ka qenë në kohën e Hazret Omerit r.a..

Ai gjithashtu ndërtoi një spital dhe kontribuoi bujarisht në të. Gjatë kohës së tij u hodhën themelet për shkollën e parë të xhematit. Po ashtu, gjatë Kalifatit të tij u themelua gazeta “Al-Fazl”, e cila vazhdon të shërbejë edhe sot si një organ i rëndësishëm informues për Xhematin.

Allahu i kishte thënë Mesihut të Premtuar a.s. – Unë do të çoj mesazhin tënd deri në skajet e botës. Përmbushja e parë  kësaj shpalljeje u pa në vendosjen e misionit të Xhematit në Angli dhe pastaj në vende të tjera.

Hazret Maulvi Nurudini r.a. ndoqi të gjithë këshillat e Mesihut të Premtuar a.s., me një angazhim të pashoq deri në ditët e fundit të jetës së tij. Me kalimin e kohës ai shkroi një testament në të cilin jepte porosi të çmuara për anëtarët e Xhematit dhe familjen e tij. Në këtë testament, ndër të tjerat, ai shkroi:

“Fëmijët e mi janë të vegjël dhe unë nuk kam para, por atyre nuk duhet t’u jepet asgjë nga fondi i jetimëve apo i të varfëve. Pasardhësi im duhet të jetë ai që është i devotshëm, i ditur dhe me morale të larta. Unë kam qenë mirëdashës ndaj secilit dhe kështu duhet të jetë edhe ai…”

Hazret Hakim Maulvi Nurudinr r.a. ndërroi jetë më 13 mars 1914, gjashtë vjet pas Hazret Mesihut të Premtuar a.s., duke lënë pas tij thesare diturie dhe shembuj bujarie, devotshmërie dhe përuljeje ndaj Allahut dhe Profetit të Tij të pashoq. Ai ishte dhe do të jetë një fener i artë i fesë Islame dhe Ahmediatit në veçanti.

Përveç Kalifatit të tij gjashtë vjeçar, ai la pas një thesar veprash si në fushën e mjekësisë, ashtu edhe në dijet Kuranit të Shenjtë. Ndër të tjera, mund të përmendim:

  • “Bajad-e-Nuruddin”,
  • “Tasdik Berahin-e-Ahmedia”,
  • “Faslul-Khitab”,
  • “Hakaikul-Furkan” (komentim i Kuranit prej 4 vëllimesh), etj.

Allahu na mundësoftë edhe ne të jemi ndër ata që do të përfitojnë nga shembulli i tij, të kemi pak pjesë nga ajo dritë që ai shëmbëllente gjatë gjithë jetës së tij dhe mundësoftë të plotësohet edhe për ne dëshira e Mesihut të Premtuar a.s. , shkruar në poezinë e tij me këto fjalë:

“Sa mirë do të jetë nëse çdo anëtarë bëhej si Nurudini
por mund të ndodhë nëse çdo zemër do të mbushet nga besimi i vërtetë”

LEXONI:


[1] Abdul-Kader Saudagarmel, “Hajat-e-Nur”, Botues: Nazarat Nashr-o-Isha’at, Qadian, 2003, f. 52.
[2] Po aty.
[3] Po ai, f. 104.
[4] Po ai, f. 109 – 112.
[5] A’inah’-e-Kamalat-i-Islam, Rruhani Kheza’in, vëll.V,  f.581-582.
[6] Abdul-Kader Saudagarmel, “Hajat-e-Nur”, Botues: Nazarat Nashr-o-Isha’at, Qadian, 2003, f. 185.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp