Komentim i sures Lukman, surja 31 - Pjesa I
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
kurani famelarte kandili

Komentim i shkurtër i sures Lukman, surja 31

(Përmbledhur nga ligjërata e Hazret Mirza Tahir Ahmedit, Kalif i IV i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 12 nëntor 1997, ligjërata nr. 212 në serinë e ligjëratave “Terxhumetul-Kur’an”)

Ajetet e Sures Lukman që janë trajtuar në këtë pjesë:

بِسۡمِ اللّٰہِ الرَّحۡمٰنِ الرَّحِیۡمِ﴿۱﴾الٓـمّٓ ۚ﴿۲﴾تِلۡکَ اٰیٰتُ الۡکِتٰبِ الۡحَکِیۡمِ ۙ﴿۳﴾ہُدًی وَّ رَحۡمَۃً لِّلۡمُحۡسِنِیۡنَ ۙ﴿۴﴾الَّذِیۡنَ یُقِیۡمُوۡنَ الصَّلٰوۃَ وَ یُؤۡتُوۡنَ الزَّکٰوۃَ وَ ہُمۡ بِالۡاٰخِرَۃِ ہُمۡ یُوۡقِنُوۡنَ ؕ﴿۵﴾اُولٰٓئِکَ عَلٰی ہُدًی مِّنۡ رَّبِّہِمۡ وَ اُولٰٓئِکَ ہُمُ الۡمُفۡلِحُوۡنَ ﴿۶﴾وَ مِنَ النَّاسِ مَنۡ یَّشۡتَرِیۡ لَہۡوَ الۡحَدِیۡثِ لِیُضِلَّ عَنۡ سَبِیۡلِ اللّٰہِ بِغَیۡرِ عِلۡمٍ ٭ۖ وَّ یَتَّخِذَہَا ہُزُوًا ؕ اُولٰٓئِکَ لَہُمۡ عَذَابٌ مُّہِیۡنٌ ﴿۷﴾وَ اِذَا تُتۡلٰی عَلَیۡہِ اٰیٰتُنَا وَلّٰی مُسۡتَکۡبِرًا کَاَنۡ لَّمۡ یَسۡمَعۡہَا کَاَنَّ فِیۡۤ اُذُنَیۡہِ وَقۡرًا ۚ فَبَشِّرۡہُ بِعَذَابٍ اَلِیۡمٍ ﴿۸﴾اِنَّ الَّذِیۡنَ اٰمَنُوۡا وَ عَمِلُوا الصّٰلِحٰتِ لَہُمۡ جَنّٰتُ النَّعِیۡمِ ۙ﴿۹﴾خٰلِدِیۡنَ فِیۡہَا ؕ وَعۡدَ اللّٰہِ حَقًّا ؕ وَ ہُوَ الۡعَزِیۡزُ الۡحَکِیۡمُ ﴿۱۰﴾خَلَقَ السَّمٰوٰتِ بِغَیۡرِ عَمَدٍ تَرَوۡنَہَا وَ اَلۡقٰی فِی الۡاَرۡضِ رَوَاسِیَ اَنۡ تَمِیۡدَ بِکُمۡ وَ بَثَّ فِیۡہَا مِنۡ کُلِّ دَآبَّۃٍ ؕ وَ اَنۡزَلۡنَا مِنَ السَّمَآءِ مَآءً فَاَنۡۢبَتۡنَا فِیۡہَا مِنۡ کُلِّ زَوۡجٍ کَرِیۡمٍ ﴿۱۱﴾ہٰذَا خَلۡقُ اللّٰہِ فَاَرُوۡنِیۡ مَاذَا خَلَقَ الَّذِیۡنَ مِنۡ دُوۡنِہٖ ؕ بَلِ الظّٰلِمُوۡنَ فِیۡ ضَلٰلٍ مُّبِیۡنٍ ﴿٪۱۲﴾

Përkthimi i ajeteve të sures Lukman:

  1. Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
  2. Elif.Lam.Mim. Unë jam Allahu, më i Dijshmi.
  3. Këto janë ajetet e librit urtiplotë.
  4. Është udhëzim dhe mëshirë për mirëbërësit.
  5. Ata që falin namazin, japin zekatin dhe që ahiretin e besojnë bindshëm.
  6. Pikërisht këta janë në udhëzim prej Zotit të tyre dhe pikërisht këta janë të suksesshmit.
  7. Ka nga ata që zgjedhin biseda të kota në këmbim (të së mirës), që t’i devijojnë (të tjerët) nga rruga e Allahut, pa pasur dije dhe e marrin për tallje [rrugën e Allahut]. Të tillët kanë ndëshkim poshtërues.
  8. Kur atyre u lexohen ajetet Tona, ata e kthejnë shpinën duke u mburrur, sikur nuk i kanë dëgjuar ato, sikur ka dyllë në veshët e tyre. Jepu lajmin “e mirë” të një ndëshkimi të dhimbshëm.
  9. Sigurisht, ata që besuan dhe bënë të mira, kanë kopshte me plot bekime.
  10. Ata do të jetojnë në to përgjithmonë. Premtimi i Allahut është i vërtetë dhe Ai është i Plotfuqishmi, i Urti.
  11. Ai krijoi qiejt pa ndonjë shtyllë që mund ta shikoni dhe vuri male në tokë, që t’ju sigurojnë ushqim dhe në të krijoi çdolloj gjallese. Dhe Ne zbritëm ujë prej qiellit dhe nxorëm në këtë (tokë) çdolloj çifti të nderuar.
  12. Ky është krijimi i Allahut. Tani, më tregoni atë që krijuan të tjerët përveç Tij! Por të padrejtët janë në devijim të qartë.

Komentim i shkurtër i ajeteve të sures Lukman

  1. Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
  2. Elif.Lam.Mim. Unë jam Allahu, më i Dijshmi.
  3. Këto janë ajetet e librit urtiplotë.
  4. Është udhëzim dhe mëshirë për mirëbërësit.

Edhe në suren El-Bekare ku Allahu i Madhërishëm e filloi suren me Elif.Lam.Mim., flet për udhëzimin për ata që kanë druajtje (takva). Edhe këtu, nuk është thjesht një përsëritje, por vazhdimi i së njëjtës temë, duke shtuar se ky libër nuk është vetëm udhëzim për njerëzit që kanë takva, por është edhe mëshirë për mirëbërësit. Pra, pas takvasë (druajtjes ndaj Zotit), fillon tema e mirëbërjes. Dhe kjo sure flet për ata mirëbërës, të cilëve mëshira në formë Kurani u është dhënë me bollëk dhe për shkak se patën udhëzim, ata përfituan nga kjo mëshirë.

  1. Ata që falin namazin, japin zekatin dhe që ahiretin e besojnë bindshëm.

Në të njëjtën mënyrë, edhe porosia për faljen e namazit, është përmendur pasi u fol për mirëbërësit (ihsan dhe muhsinun), gjë që tregon se kjo porosi e përfshin edhe kuptimin që ka shpjeguar vetë Profeti Muhammed s.a.v.s. për ihsanin, ku ai tha:

أَنْ تَعْبُدَ اللَّهَ كَأَنَّكَ تَرَاهُ فَإِنْ لَمْ تَكُنْ تَرَاهُ فَإِنَّهُ يَرَاكَ

“(Ihsani është) që të adhurosh Allahun sikur po e sheh Atë dhe nëse nuk arrin ta shohësh, (të jeshë i vetëdijshëm se) Ai të sheh ty.”[1]

Pra, Zoti thotë se këta që lartësojnë namazin [kijamus-salah do të thotë lartësimi i namazit] janë ata që janë me ihsan, të cilët e kanë njërën prej dy gjendjeve të shpjeguara në këtë hadith. Kjo metodë u sjell besimtarëve dobi të shumëta, të cilat nuk mund t’ju tregoj me hollësi këtu. Njerëzit e tillë jo vetëm që do të kenë udhëzim, madje do t’u zbresë me bollëk edhe mëshira e Zotit.

Edhe zekatin ata e japin në gjendje të ihsanit. Pra, ata e shohin Zotin, ose janë të vetëdijshëm se Zoti i sheh ata. Kur janë duke bërë mirësi ndaj të varfërve, ata e largojnë unin ose veten e tyre dhe e marrin parasysh vetëm Zotin e Madhërishëm. Kësisoj, duke dhënë zekatin në rrugën e Zotit për të ngritur fenë e Tij, ata nuk marrin parasysh personat që grumbullojnë zekatin, por vetëm Zotin e Madhërishëm.

dhe që ahiretin e besojnë bindshëm

Të tillët edhe ahiretin e besojnë me bindje të plotë.

Fjala ahiret do të thotë “i mëvonshëm” dhe në kontekstin e Kuranit, ajo përdoret dendur për botën e përtejme. Megjithatë, një kuptim i tij është edhe përfundimi i mbarë i Islamit, i rrugës së Zotit që do të realizohet në këtë botë në kohën që është quajtur “e mëvonshme”.

  1. Pikërisht këta janë në udhëzim prej Zotit të tyre dhe pikërisht këta janë të suksesshmit.
  2. Ka nga ata që zgjedhin biseda të kota në këmbim (të së mirës), që t’i devijojnë (të tjerët) nga rruga e Allahut, pa pasur dije dhe e marrin për tallje [rrugën e Allahut]. Të tillët kanë ndëshkim poshtërues.

“Jeshteri lahvel hadith” do të thotë se ata i lënë gjërat e mira për t’i zgjedhur gjëra të keqija. Pse? Që të devijojnë të tjerët nga rruga e Zotit, edhe pse ata vetë nuk kanë dije. Kjo tregon se shumica e atyre që i largojnë të tjerët nga rruga e Zotit, i largojnë nëpërmjet kësaj metode që thotë Kurani “lahvel hadith”, kurse njerëzit e dijes nuk thonë fjalë të kota. Ky është një realitet i përhershëm që nuk mund ta ndryshojë askush. Ai që gëzon epërsinë përmes dijes, kurrë nuk përfshihet në kotësi gjatë diskutimit.

Në këtë aspekt ky ajet në radhë të parë paraqet argument të fuqishëm të vërtetësisë së Profetit Muhammed s.a.v.s., duke thënë se ka nga ata që janë të detyruar ta kthejnë dijen e tyre në tallje dhe përqeshje, sepse pa e bërë këtë ata nuk mund ta arrijnë qëllimin, largimin e njerëzve nga rruga e Zotit. Kjo ndodh sepse kundërshtarët e njerëzve të drejtë, të profetëve në radhë të parë, tentojnë t’ua ulin vlerën përpara botës.

Këtë e shohim edhe ne. Kundërshtarët tanë nuk mund të bisedojnë për Xhematin Ahmedia, pa u përfshirë në kotësi. Sepse mungesa e dijes i detyron të ndjekin rrugë jo të sinqertë. Prandaj, menjëherë pas kësaj tha:

“ve jettekhidheha huzuva”

“i marrin për tallje argumentet serioze”, sepse pa u tallur, ata nuk mund të vijojnë dot bisedën. Nga ky aspekt, mund të analizoni edhe propagandën e ulemave kundër Xhematit Musliman Ahmedia dhe do t’ju rezultojë se ajo është e mbushur me tallje dhe përqeshje. Krijojnë një “ahmediat” imagjinar dhe atë e sulmojnë, kurse ahmediatin e vërtetë nuk e sulmojnë dot. Drejtësia është që të kundërshtosh me argumente bindjen e tjetrit, të cilën ai me të vërtetë e ka deklaruar dhe e ka përhapur, jo t’ia imponosh një bindje që ai nuk e ka dhe pastaj ta kundërshtosh atë.

Kurse ne ahmedianët, sa herë që i kundërshtojmë, i kundërshtojmë bindjet e tyre të cilat ata i kanë dhe që nuk i mohojnë dot. Pra, ne i kundërshtojmë në bindjen e tyre se Hazret Isai a.s. është i gjallë. Ne i kundërshtojmë konceptin e tyre të çuditshëm të Dexhallit, sepse ata e kanë të deklaruar atë bindje. Kur u themi atyre se Dexhalli juaj nuk vjen dot, pa ardhur një gomar që do të fluturojë, do të lundrojë në det dhe do të vrapojë me shpejtësi marramendëse, ne thjesht ua citojmë besimet e tyre. Ku ka tallje këtu, për sa kohë që ne ua kundërshtojmë idenë që ata me të vërtetë e kanë?! Kjo nuk quhet tallje ose kotësi në bisedë.

Përqeshja dhe tallja nuk bëhet vetëm me Xhematin tonë. Të gjithë profetët, të paktën ata që u përmendën në Kuranin Famëlartë, u përqeshën dhe u tallën nga popujt e tyre. Por, ata profetë ishin pikërisht njerëz, të cilët përpara deklaratës së tyre asnjëherë nuk kanë qenë shënjestër e talljes, përkundrazi, mbaheshin si më të sinqertët dhe më të drejtët. Nuk ka asnjë profet, të cilin populli i tij ta ketë përqeshur përpara deklaratës së tij. Edhe kjo gjë përbën një dallim të qartë mes deklaruesve të rremë dhe profetëve të vërtetë.

Andaj, ata do të kenë një ndëshkim që e meritojnë:

“Pikërisht këta do të kenë ndëshkim poshtërues.”

Pra vetë atyre do t’u bëhet poshtërimi për shkak të veprave të tyre. Edhe kjo temë është e përhershme dhe funksionon njësoj, si më përpara ashtu edhe sot e gjithë ditën.

  1. Kur atyre u lexohen ajetet Tona, ata e kthejnë shpinën duke u mburrur, sikur nuk i kanë dëgjuar ato, sikur ka dyllë në veshët e tyre. Jepu lajmin “e mirë” të një ndëshkimi të dhimbshëm.

Pra, ata tentojnë ta bllokojnë mesazhin që nga jashtë, sikur nuk e kanë dëgjuar fare, megjithatë, fjala “sikur” tregon se përbrenda e kuptojnë se ajo pikërisht është e vërteta. Prandaj tha: bëjnë sikur nuk e kanë dëgjuar. Më pas tha:

“Fe besh-shirhu bi ‘adhabin elim”, që fjalë për fjalë do të thotë: “njeriut të tillë jepi “sihariqin” ose “lajmin e mirë” të një ndëshkimi të dhimbshëm. Pse u përdor fjala “sihariq” në këtë kontekst? Sepse ishin ata të parët që tallnin dhe përqeshnin dhe kjo ironi për ta është kundërpërgjigje e merituar.

  1. Sigurisht, ata që besuan dhe bënë të mira, kanë kopshte me plot bekime.
  2. Ata do të jetojnë në to përgjithmonë. Premtimi i Allahut është i vërtetë dhe Ai është i Plotfuqishmi, i Urti.
  3. Ai krijoi qiejt pa ndonjë shtyllë që mund ta shikoni dhe vuri male në tokë, që t’ju sigurojnë ushqim dhe në të krijoi çdolloj gjallese. Dhe Ne zbritëm ujë prej qiellit dhe nxorëm në këtë (tokë) çdolloj çifti të nderuar.

Në këtë ajet fjala “qiejt” përfshin gjithë universin, duke përfshirë edhe planetin e Tokës. Dhe tha: “krijoi qiejt pa ndonjë shtyllë që mund ta shikoni”. Kjo do të thotë se shtyllë e tillë nuk është mohuar, por vetëm tha se nuk është e dukshme për njerëzit. Në kohën e Profetit Muhammed s.a.v.s. mjafton të thuhej “pa ndonjë shtyllë”, pa i shtuar pjesën “të dukshme”, sepse çdo njeri qoftë i shkolluar apo i pashkolluar, kaq dije kishte që trupat qiellorë nuk janë të lidhura me shtylla. Atëherë pse lindi nevoja t’i shtohej edhe fjala “tereuneha” (që mund të shikoni ose e dukshme për ju). Kjo fjalë tregon qartë se këtu flet Zoti i Gjithëdishëm, përndryshe njeriu i 14-shekujve më parë as nuk mund t’i imagjinonte sekretet e universit që u zbuluan sot. Për njeriun e asaj kohe mjafton të thuhej “Zoti i ka krijuar qiejt pa ndonjë shtyllë”, por fjalët “që mund të shikoni” tregojnë se “shtylla” të tilla të padukshme ekzistojnë, dhe sot ne i njohim ato si gravitet ose si forca të tjera të padukshme. Ky ajet gjithashtu tregon se nëse nuk arrini ta shikoni “shtyllën” që e mban në këmbë gjithë universin, si mund ta shikoni dot me sytë fizikë Krijuesin e universit?!

Dhe vuri male në tokë.

Fjala “revasije” do të thotë ato që janë të ngulitura si gozhdë dhe këtu u referohet maleve. Pastaj tha: “en temide bikum”, që në përgjithësi përkthehet “që ato t’ju lëkundin”, “që t’ju shkaktojnë tërmet”. Por mendoj se nuk është i saktë ky përkthim. Çfarë ngulitje në tokë është ajo që shkakton tërmet në sipërfaqe?! Në fakt ato janë të ngulitura sepse edhe sikur të ndodhë tërmet, ato të mos lëkunden. Kështu që, fjalët “en temide bikum” kurrsesi nuk mund të përkthehet “që ato t’ju shkaktojnë lëkundje”, por duhet përkthyer nga fjala “maide” (sofër), pra “që t’ju shtrojnë sofër” ose “që t’ju furnizojnë me ushqime të llojllojshme”. Këtë kuptim e ka nxjerrë edhe Hazret Imam Fahruddin er-Razi r.a. dhe disa dijetarë të tjerë të mëparshëm, që fjala “temide” në këtë kontekst duhet përkthyer “shtrojnë sofër”. Pjesa tjetër e ajetit tregon rrjedhojë të natyrshme të kësaj “sofre”:

dhe në të krijoi çdolloj gjallese.

Pra, kjo sofër shtrohet për të gjithë jetën tokësore.

Më pas tha:

Dhe Ne zbritëm ujë prej qiellit dhe nxorëm në këtë (tokë) çdolloj çifti të nderuar.

Në të vërtetë, pikërisht malet bëhen shkak i shirave. Hiqni malet, nuk ka më shi. Edhe kjo tregon se tema e “shtrimit të sofrës”. Pa këto bekime, nuk mund të kemi asnjë lloj furnizimi. Çfarë do të lindte a mbinte nëse nuk do të binte shi prej qiellit?! Nëse “en temide bikum” do të përkthejmë “që t’ju lëkundin ju”, gjithçka do të rrokullisej, edhe kafshët, edhe bimët, edhe njerëzit.

Realisht, malet janë burim jete dhe, edhe në kuptimin shpirtëror njerëzit që komunikojmë me Zotin, Zoti i Madhërishëm i shëmbëlleu me malet. Edhe në këtë ajet, malet mbartin të dyja kuptime. Nëse nuk do të ishin malet fizike, nuk do të ishte as jeta tokësore. Gjithashtu, nuk do të kishte as jeta shpirtërore, nëse nuk do të ishin malet shpirtërore, që janë profetët, të cilëve jo vetëm që u zbret shpallja, por ata mbeten të palëkundur nga barra e përgjegjësisë së saj. Kështu, edhe profetët sjellin një sofër shpirtërore. Ky është kuptimi i zbritjes së sofrës bashkë me Hazret Isain a.s.. Në fakt, çdo profet vjen me një sofër shpirtërore, por ndjekësit e Hazret Isait a.s. donin sofrën tokësore. Atëherë Zoti i Madhërishëm bashkë me sofrën shpirtërore, ua mundësoi edhe atë tokësore, e cila ishte e kushtëzuar me ndëshkime në rast mos-zbatimi të porosive Hyjnore.

nxorëm në këtë (tokë) çdolloj çifti të nderuar.

Fjala “i nderuar” tregon arsyen e krijimit të çdo gjallese, sepse nuk ka asnjë krijesë në botë, e cila nëse studiohet, të mos ju tregojë arsyen e ekzistencës së saj dhe në këtë kuptim ajo gëzon një nder në faqen e dheut. Asnjë gjallesë nuk mund ta poshtëroni dot. Kam shkruar shumë për këtë temë [në librin “Revelation Rationality Knowledge and Truth”]. Zgjidhni cilindo çift nga gjallesat që ju mendoni se është më i pavlerë. Kur do ta studioni atë, do të habiteni dhe do të bindeni se mënyra siç është krijuar ai, meriton nderime. Nuk ka gjallesë që jeta ose prania e saj në rrethinën e vet të jetë e kotë. Ky realitet ekziston që kur ka filluar jeta në këtë planet e deri më sot. Ajeti në vijim bën sfidën:

  1. Ky është krijimi i Allahut. Tani, më tregoni atë që krijuan të tjerët përveç Tij! Por të padrejtët janë në devijim të qartë.

Ky ajet është i mjaftueshëm për t’u mbyllur gojën atyre që beson në zota të tjerë, sepse ata nuk mund të tregojnë asnjë krijim, të cilin të mund t’ia atribuojnë dikujt tjetër përveç Zotit të Vetëm. Në këtë aspekt, edhe teoria e Darvinit përputhet me temën e Kuranit Famëlartë se çdo gjallesë e ka një lidhje që manifeston unitetin në të gjithë krijimin. Në fakt, Darvini ka arritur të kuptojë vetëm unitetin në krijim, pastaj shumica e përfundimeve të tij janë të gabuara. Çdokush që studion krijimin, tema e unitetit vetvetiu do t’i shfaqet përpara. Nëse mendoni pak më thellë, tema e unitetit në krijim është një argument i fuqishëm kundër Darvinizmit, sepse dy gjallesa të ndryshme që ai shpjegon se janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe evoluojnë paralelisht, nuk mund të jenë të tilla pa pasur unitetin, kurse Darvini këtë e quan rastësi. Kjo temë është shumë e thellë dhe nuk mund t’i përgjigjem dot këtu. Mjafton të kuptoni që sfida e përmendur në pyetjen: “Çfarë krijuan të tjerët përveç Tij?, është e tillë që asnjë i ditur nuk mund ta pranojë dot, pa e pranuar së pari të vërtetën e unitetit që shpjegon ky ajet.

Por të padrejtët janë në devijim të qartë.

Por “dhalimunët”, pra ata që bëjnë padrejtësi dhe dalin nga rruga e drejtë në këtë temë ose ata që janë idhujtarë, janë në devijim të qartë. Në kritikën time ndaj Darvinit dhe darvinistëve, kam provuar se ata janë në devijm të qartë. Kështu, ky ajet jo vetëm në aspektin shpirtëror, por edhe në atë shkencor, qëndron si argument kundër atyre që pretendojnë se i gjithë krijimi është rastësi.

Folëm për të devijuarit dhe të paditurit, le të flasim tani për simbolin e urtësisë, Lukmanin. Përfundimi i parë që nxjerr Lukmani është pikërisht pavërtetësia e shirkut, [shirk, dmth. adhurimi ose barazimi i dikujt a diçkaje tjetër me Zotin e Vetëm].

  1. Sigurisht, Ne i dhamë Lukmanit urtësinë (duke thënë) se: Falëndero Allahun, dhe kushdo që falënderon, falënderon për veten e tij dhe kushdo që bëhet mosmirënjohës, (ta dijë se) Allahu pa dyshim është i Pavarur, i Lavdishëm.

(VAZHDON NË PJESËN II)


[1] Sahih El-Bukhari, Kitabul-Iman, nr. i hadithit 43.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp