Kurani — Zgjerimi i Universit, Big Bengu, Vrima e Zezë, Vrima e bardhë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Kurani dhe kozmologjia Pj.1 — Zgjerimi i universit, Big Bangu, Vrima e Zezë, Vrima e bardhë

Kalifi i Katërt i Mesihut të Premtuar r.a.
universi ne zgjerim big bangu vrima e zeze

(Në vijim ju sjellim një nga kapitujt e librit fenomenal të Hazret Mirza Tahir Ahmedit, Kalifit të Katërt të Xhematit Musliman Ahmedia, të titulluar “Revelation, Rationality, Knowledge & Truth” (Zbulesa, arsyeja, dija dhe e vërteta), të botuar për herë të parë në vitin 1998.)

Në kohën kur u shpall Kurani i Shenjtë, botëkuptimi i njerëzve për kozmosin, për natyrën dhe për lëvizjet ose moslëvizjet e trupave qiellorë ishte tepër primitiv dhe i mangët. Sot nuk është e njëjta gjendje, pasi në epokën tonë dija e njeriut për universin është avancuar dhe zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme.

Big Bengu dhe koncepti i zgjerimit të universit

Disa nga teoritë në lidhje me krijimin e universit, tanimë janë verifikuar si fakte, ndërsa disa të tjera ende janë duke u eksploruar. Koncepti se universi është duke u zgjeruar, i përket kategorisë së parë dhe është pranuar botërisht nga komuniteti shkencor si ‘fakt’. Për herë të parë ky zbulim u bë nga Edvin Hubble në vitet 1920. Megjithatë, rreth trembëdhjetë shekuj para kësaj, kjo përmendej qartazi në Kuran:

big bangu vrima e zeze kuraniDhe qiellin e krijuam Ne me fuqinë Tonë [ejdin] dhe Ne vazhdimisht e zgjerojmë atë.[1]

Duhet mbajtur parasysh se koncepti i zgjerimit të vazhdueshëm të universit është ekskluziv i Kuranit. Asnjë shkrim i Shenjtë Hyjnor nuk e ka përmendur atë, qoftë tërthorazi ose me shenjë. Zbulimi se gjithësia vazhdimisht po zgjerohet është me rëndësi të madhe për shkencëtarët, sepse ndihmon për të krijuar një kuptim më të saktë se si universi u krijua fillimisht. Gjithashu, shpjegon qartazi procesin fazë pas faze të krijimit, në atë mënyrë që përputhet me konceptin e Big Bengut. Kurani shkon më tej dhe përshkruan gjithë ciklin e fillimit dhe të fundit të universit, madje edhe të rikthimit të tij përsëri në një fillim të ngjashëm si më parë. Hapi i parë i krijimit siç përmendet në Kuran, është pikërisht ai që quhet Big Beng. Kurani i Shenjtë pohon:

big bangu vrima e zeze kuraniAta që mohuan a nuk kanë parë se qiejt dhe toka kanë qenë të mbyllura (retkan) dhe Ne i hapëm ato (fetakna) dhe çdo gjë të gjallë krijuam përmes ujit?! A nuk besojnë?![2]

Është domethënëse që ky ajet u drejtohet veçanërisht jobesimtarëve, ndoshta duke nënkuptuar, se zbulimi i sekretit të përmendur në këtë ajet do të bëhej nga ata, duke u siguruar kështu një shenjë të vërtetësisë së Kuranit.

Në këtë ajet fjalët retkan (masë e mbyllur) dhe fetakna (Ne hapëm), mbajnë mesazhin qendror të të gjithë ajetit. Fjalorët autentikë të gjuhës arabe[3] japin dy kuptime të fjalës retkan, që kanë rëndësi të madhe për temën në diskutim. Një kuptim i saj është “të mbledhurit e diçkaje dhe infuzioni pasues në një entitet të vetëm” dhe kuptimi i dytë është “errësirë totale”. Të dyja këto kuptime janë të zbatueshme dhe japin domethënie thelbësore. Të marra së bashku, ato tregojnë pamje të saktë të veçorisë së një vrime të zezë.

Vrima e Zezë

VRIMA E ZEZË është një masë me madhësi kolosale, e shembur për shkak të gravitetit. Ajo fillon me shembjen e yjeve masive që mund të jenë 15 herë më të mëdha se dielli, ose edhe më shumë. Përmasa gjigante e tërheqjes së gravitacionale të saj me drejtim nga brenda, bën që yjet të shemben në madhësi shumë të vogla. Tërheqja gravitacionale me drejtim nga brenda përqendrohet më tej duke rezultuar shembjen e mëtejshme të të gjithë lëndës në një supernova. Në këtë fazë, tullat themelore të materies, siç janë molekulat, atomet etj., fillojnë të shtypen në një masë të papërshkrueshme të energjisë. Kështu krijohet ai moment në kohë-hapësirë, i cili quhet horizont kufi (ang. event horizon). Tërheqja gravitacionale e vrimës së zezë bëhet aq e fuqishme, saqë tërheq të gjitha format e rrezatimit, duke mos lënë as dritën të shpëtojë. Ajo që pason është një errësirë ​​totale, e cila i jep asaj emrin vrimë e zezë. Kjo na kujton njërin prej kuptimeve të fjalës retkan që ka përdorura Kurani që është pikërisht “errësirë totale”. Ky quhet singularitet, i cila qëndron përtej horizont kufirit.

Një vrimë e zezë kur krijohet, rritet me shpejtësi sepse fillon t’i tërheqë edhe yjet e largëta me përqendrimin progresiv të energjisë gravitacionale të saj. Është llogaritur se masa e një vrime të zezë mund të rritet deri në njëqind milionë herë më shumë se masa e diellit. Ndërsa fusha e saj e gravitetit zgjerohet, më shumë lëndë nga hapësira tërhiqet drejt saj me një shpejtësi të afërt me atë të dritës. Në vitin 1997 një provë vëzhguar sugjeronte se në galaktikën tonë ekziston një vrimë e zezë prej 2.000.000 masa diellore. Por llogaritjet e tjera tregojnë se në universin tonë mund të ketë shumë vrima të zeza me madhësi deri në 3.000.000.000 masa diellore.[4] Në një përqendrim kaq të fuqishëm të tërheqjes gravitacionale edhe yjet e largëta lëkunden dhe humbin ankorimin e tyre për t’u gllabëruar nga një grykës i një magnitude të tillë. Kështu procesi i kuptimit retkan përfundon duke rezultuar në sigularitetin që është edhe i mbyllur plotësisht, dhe që është edhe errësirë totale.

Vrima e bardhë

Në përgjigje të pyetjes se si universi u krijua fillimisht, dy teoritë më të fundit janë dy teori të ndryshme për Big Bengun. Ato pretendojnë se universi ishte nisur nga një singularitet, i cili papritmas shpërtheu duke çliruar masën e bllokuar, duke shkaktuar përsëri në krijimin e një universi të ri nga horizont kufiri. Ky agim drite që mbin nga horizont kufiri, quhet vrimë e bardhë.[5],[6]. Një nga dy teoritë në lidhje me zgjerimin e universit parashikon që universi i krijuar në këtë formë do të vazhdojë të zgjerohet përgjithmonë. Kurse tjetra pretendon se zgjerimi i universit, në një pikë të caktuar kohe, do të përmbyset sepse tërheqja gravitacionale e brendshme do të mbizotërojë. Përfundimisht, e gjithë lënda do të tërhiqet përsëri për të formuar ndoshta një vrimë të zezë gjigante. Me sa duket, Kurani mbështet pikëpamjen e dytë.

Duke folur për krijimin e parë të universit, Kurani përshkruan qartë përfundimin e tij në një tjetër vrimë të zezë, duke lidhur fundin me fillimin dhe duke kompletuar kështu gjithë ciklin e historisë së kozmosit. Kurani deklaron:

big bangu vrima e zeze kuraniDitën kur Ne do ta palosim qiellin, siç dorëshkrimet palosen rrotull (boshtit).[7]

Mesazhi i qartë i këtij ajeti është se universi nuk është i përjetshëm. Ai flet për një të ardhme kur qiejt do të palosen, në një mënyrë të ngjashme siç papiruset palosen rrotull boshtit. Përshkrimet shkencore që ilustrojnë krijimin e një vrime të zezë, ngjajnë shumë me atë që Kurani paraqet në ajetin e mësipërm. (Shihni fig. 1).

vrima e zeze

UNIVERSI DUKE U FUNDOSUR
یَوۡمَ نَطۡوِی السَّمَآءَ کَطَیِّ السِّجِلِّ لِلۡکُتُبِ
Ditën kur Ne do ta palosim qiellin, siç dorëshkrimet palosen rrotull (boshtit). (Kurani i Shenjtë 21:105)
Vrima e zezë përfundimtare – Ilustrim grafik
Imazhi në këtë faqe ilustron pikëpamjen shkencore se si vrima e zezë përfundimtare mund të gllabërojë gjithçka që mund të ketë mbetur në univers. Lënda e mbetur nga çdo anë, siç i afrohet horizont kufirit, ngjeshet në një formë shiriti, ku, përpara se të zhytet në gropë, rrotullohet rreth saj, sepse rrotullohet edhe vetë gropa. Kjo ju krijon në mendje pamjen e personit që rrotullon papirusin ose pergamenë rreth boshtit, siç përmendet në ajetin e cituar.

Sa më shumë që lënda nga hapësira bie në një vrimë të zezë, siç është e përshkruar më sipër, ajo shtypet për t’u kthyer në një formë çarçafi, nën presionin e madh që krijohet nga forcat gravitacionale dhe elektromagnetike. Ngaqë epiqendra e vrimës së zezë rrotullohet vazhdimisht rreth vetes, edhe çarçafi i lëndës masive, sapo t’i afrohet, fillon të mbështillet rreth saj, para se të zhduket përfundimisht në sferën e së panjohurës.

I njëjti ajet i Kuranit vazhdon:

big bangu vrima e zeze kurani… Ashtu siç e nisëm krijimin e parë, Ne do ta përsërisim atë. Është një premtim që kemi marrë përsipër. Ne patjetër do ta bëjmë këtë.[8]

Pas shembjes përfundimtare të universit në një vrimë të zezë, ajeti i mësipërm sjell premtimin e një fillimi të ri. Zoti do të rikrijojë universin, siç Ai e ka bërë më parë. Universi i shembur do të dalë në dritë sërish nga errësira e vet dhe i gjithë procesi i krijimit do të fillojë përsëri (shih fig. 2). Kjo palosje dhe shpalosje e universit duket të jetë një fenomen i vazhdueshëm, sipas Kuranit të Shenjtë.

vrima e bardhe big bangu

UNIVERSI DUKE RILINDUR
کَمَا بَدَاۡنَاۤ اَوَّلَ خَلۡقٍ نُّعِیۡدُہٗ ؕ وَعۡدًا عَلَیۡنَا ؕ اِنَّا کُنَّا فٰعِلِیۡنَ 
… Ashtu siç e nisëm krijimin e parë, Ne do ta përsërisim atë. Është një premtim që kemi marrë përsipër. Ne patjetër do ta bëjmë këtë.
(Kurani i Shenjtë 21:105)
Në pjesën e mbetur të ajetit të cituar më sipër, Zoti shpall që universi që u zhyt në vrimën e zezë patjetër do të rilindë. Imazhi në këtë faqe tenton të japë një pamje se si universi do të rilindë përmes një vrime të bardhë, duke shpërthyer në një ditë të re. Vrima e bardhë është një term shkencor që aplikohet pikërisht për një ndodhi të tillë. (RONAN, C.A :, (1991) Historia Natyrore e Universit. Transworld Publishers Ltd., Londër.)
Prezantimi mund të mos jetë aq i saktë nga ana shkencore, por kemi dhënë një pamje piktoreske për të krijuar idenë e një universi duke rilindur.

Koncepti Kuranor i fillimit dhe i fundit të krijimit, pa dyshim, është i jashtëzakonshëm. Nuk do të ishte më pak e habitshme nëse kjo zbulesë do t’i shpallej një personi shumë të arsimuar të epokës sonë bashkëkohore, por do të habiteni nga fakti se kjo dije shkencore kaq e avancuar, në lidhje me fenomenin e përsëritur të krijimit, iu zbulua një njeriu të pashkolluar në shkretëtirën arabe, më shumë se katërmbëdhjetë shekuj më parë nga sot.

DIKU TJETËR NË KËTË KAPITULL, kemi folur për mundësinë e një vrime të zezë gjigande gjithëgllabëruese, e cila arrin të tërheqë gjithë lëndën e universit në singularetitin e saj.

Kështu që, kemi konkluduar se sipas Kuranit çështja e universit është një çështje që hapet e mbyllet. Në momentin e Big Bengut gjithësia filloi të zgjerohej pothuajse me shpejtësinë e dritës. Në fund, ajo përsëri do të tërhiqet në një gropë, të cilën e quajmë vrimë të zezë.

Për sa i përket konceptit të një vrime të zezë të fundit universale, ai bazohet në teorinë e Big Bengut, që mbështetet plotësisht edhe nga Kurani. Sidoqoftë, disa shkencëtarë propozojnë rastin e një universi të hapur. Ata besojnë se universi do të vazhdojë të zgjerohet pafundësisht, derisa lënda hapësinore të bëhet e hollë, e rrallë dhe të largohet aq shumë, saqë do të kapërcejë fushën gravitacionale të qendrës së universit. Ky skenar nuk lë hapësirë ​​që universi të rikrijohet dhe të ribëhet. Kurani e refuzon kategorikisht këtë koncept dhe pohon fuqishëm se universi shpërtheu nga një singularitet, dhe po në një singularitet tjetër, ai do të fundoset përsëri. Uniteti i Zotit dhe shpërthimi i gjithë krijimit dhe kthimi i krijimit përsëri tek Uniteti i Zotit, nuk mund të shprehej më bukur sa vijon:

big bangu vrima e zeze kuraniInnā lil-lāhi ve innā ilejhi rāxhi’ūn
Sigurisht, jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi. [9]

LEXONI NË VAZHDIM

Referencat

[1] Kurani i Shenjtë 51:48.
[2] Kurani i Shenjtë 21:31.
[3] LANE, E.W. (1984) Arabic—English Lexicon. Islamic Text Society, William & Norgate, Cambridge.
[4] Space Telescope Science Institute. (1997) Press release no. STScI-PR97-01, Baltimore, Maryland, USA.
[5] RONAN, C. A. (1991) The Natural History of the Universe. Transworld Publishers Ltd., London.
[6] Reader’s Digest Universal Dictionary. (1987) The Reader’s Digest Association Limited. London.
[7] Kurani i Shenjtë 21:105.
[8] Kurani i Shenjtë 21:105.
[9] Kurani i Shenjtë 2:157.

(Përktheu nga anglishtja: Samad Ahmed Ghori)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp