(Një analizë për lidhjen mes mungesës së arsimimit dhe varfërisë, nga fituesi i çmimit Nobel, prof. dr. Abdus Salam, drejtues i Qendrës Ndërkombëtare për Fizikën Teorike, Trieste, Itali. Artikulli i mëposhtëm është publikuar në revistën mujore në gjuhën urdu `Tahzeebul Akhlaq’, Universiteti “Aligarh Muslim”, Indi, Janar 1986. I përkthyer në anglisht nga Zakaria Virk, Kingston, Kanada.)
Mësuesi i mirë i mbetet në kujtesë nxënësit për gjithë jetën
Në moshën 12-vjeçare u pranova në Kolegjin Jhang, Pakistan, në vitin 1983. Kalova 4 vjet aty. Në ato kohëra, edhe shkolla e mesme (klasa 9, 10, viti i parë dhe i dytë) zhvillohej në të njëjtin kolegj. Pjesa më e madhe e studentëve në kolegj ishin indianë. Kisha fatin e mirë që të merrja mësime nga disa mësuesit më të ditur dhe më të dashur.
Shaikh Ijaz Ahmed ishte mësuesi i anglishtes, Sufi Zia-ul Haq ishte mësuesi i gjuhës arabe, Khawaja Mirajud Din më mësoi gjuhën persiane, ndërsa mësuesit e matematikës dhe lëndëve shkencore ishin të feve hindu dhe sikh.
Më të dalluarit në matematikë dhe lëndët shkencore në atë kohë konsideroheshin studentët të feve hindu dhe sikh. Lala Badri Nath dhe Lala Ram Lal ishin të dalluar në matematikë, Lala Hans Raj në fizikë, ndërsa për lëndën e kimisë më i dalluari ishte Lala Naubat Rai.
Mësuesi mund të zhvillojë ose të dëmtojë nxënësin
Në atë kolegj u vendosën edhe themelet e karrierës sime akademike. Të gjitha arritjet e mia të mëvonshme ia atribuoj këtij institucioni arsimor dhe mësuesve shumë të përkushtuar. Besoj fort se afeksioni dhe vëmendja që kushton një mësues, mund të zhvillojnë ose të dëmtojnë një nxënës. Ju jap një shembull. Në vitin e parë të kolegjit, u fiksova në përdorimin e disa fjalëve anglisht që më dukeshin interesante.
Fillova t’i përdorja këto fjali çdo ditë, edhe nëse ishin jashtë kontekstit. Mësuesi i anglishtes, Shaikh Ijaz Ahmed, një njeri shumë i respektuar, më kërkoi që të mos i përdorja këto fjalë kaq të vështira, por këshilla ra në vesh të shurdhër.
Kur përfundoi semestri, mësuesi i anglishtes më penalizoi duke më hequr 5 pikë për çdo fjalë të vështirë apo të papërshtatshme që kisha përdorur. Dihet se si ishin rezultatet e provimit të anglishtes. Por, nuk mjaftoi me kaq, pasi mësuesi vendosi të nxjerrë fletën time të provimit para gjithë klasës, ku i tregoi se kisha përdorur në provim fjalë të papërshtatshme të anglishtes.
Në atë kohë nuk e vlerësoja këtë qëndrim të mësuesit ndaj meje, por kur e mendoj tani, mendoj se ishte ndëshkimi më i mirë. Si rezultat i këtij ndëshkimi, ndalova së përdoruri fjalë të vështira.
Prindërit që brumosin fëmijët e tyre duke iu bërë shembull
Edukimi që mora, në pjesën më të madhe, ishte falë mësuesve të mi, por mbi të gjitha, falë përkushtimit të pamasë të babait tim të nderuar, dhe lutjeve të tij të devotshme për mua.
Në ato kohëra, provimi i maturës në provincën e Penxhabit (Punjab) ishte më shumë si një ndeshje mundjeje. Mundës nga shkolla të ndryshme do të shfaqnin aftësitë e tyre në këtë provim, sidomos nxënësit nga shkollat Hindu, Sanatam Dharam dhe Arya, të cilët konsideroheshin si mundës të frikshëm. E kujtoj edhe tani ditën kur do të dilnin rezultatet e provimit, kur isha ulur në zyrën e babait në godinën e Gjykatës Jhang. Rezultatet e provimit ishin publikuar në gazetat e qytetit Lahore, dhe po atë ditë gazeta vajti nga koha e drekës në stacionin e trenit Jhang. Babai kishte porositur një nga nëpunësit e tij që t’ia sillte gazetën direkt, dhe menjëherë kishin filluar të vinin mesazhet telegrafike me përgëzime nga Lahore.
Siç e përmenda pak më parë, dalja e rezultateve të provimit të maturës ishte një ngjarje kombëtare në atë kohë. Kjo sepse hindutë kishin filluar në atë periudhë ta përkrahnin arsimimin në masë të gjerë. Kujtoj të jem rikthyer në shtëpi aty nga ora 2 e pasdites, pasi kisha udhëtuar me biçikletë nga Maghiana në qytetin Jhang. Lajmi se kisha dalë i pari në provim kishte mbërritur tashmë në qytetin Jhang. Duhet të kaloja në oborrin e Komisariatit të Policisë në qytetin Jhang për të shkuar në shtëpinë time në Buland Darwaza. E kujtoj shumë mirë atë ditë kur tregtarët hindu, që normalisht duhet t’i kishin mbyllur dyqanet për shkak të vapës së drekës, ishin duke qëndruar jashtë derës së dyqanit për të më përgëzuar. Respekti që treguan ndaj meje dhe përkrahja e tyre për arsimimin më kanë lënë një përshtypje të shkëlqyer në mendjen time.
Metodologjia e studentëve që i përkushtohen dijes
Nga qyteti Jhang shkova në Kolegjin Shtetëror (Publik) të Lahorit dhe pastaj në Universitetin e Kembrixhit, në Angli. Në Universitetin e Kembrixhit mësova një sërë metodash të reja studimore nga studentët anglezë. Në këtë universitet studentët uleshin nëpër klasa në një mënyrë shumë të rregullt, siç ulen muslimanët kur falen në xhami. Para se të vinte lektori në klasë kishte një heshtje totale. Gjatë leksioneve, do të shikoje që studentët përdornin stilograf me 4 lloje të ndryshme ngjyrash dhe vizore për të vizatuar vija të drejta. Fletoret e tyre të shkrimit ishin të shkruara në një mënyrë aq profesionale sa dukej sikur janë shkruar nga një kaligraf. Shokët e mi të klasës kishin ardhur në Universitetin e Kembrixhit direkt pas përfundimit të shkollës së mesme. Ata ishin më të rinj se unë në moshë, por vetëbesimi dhe vendosmëria e tyre ishin në një nivel aq të lartë sa mua m’u deshën dy vite që të arrija të njëjtat standarde. Ata kishin studiuar në shkolla të tilla ku mësuesit i inkurajonin nxënësit që të ndiqnin arsimin e lartë dhe u kujtonin që ishin bij të një kombi të madh ku kishte lindur një njeri si Isak Njutoni. Këta mësues kishin ngulitur në mendjen e fëmijëve se ata kishin trashëguar dije të thella mbi shkencën dhe matematikën, dhe mund të bëheshin si Njutoni.
Në Universitetin e Kembrixhit, metoda e disiplinës ishte krejtësisht e re dhe e çuditshme për mua. Mund të jepje një provim në Shkollën e Lartë vetëm njëherë. Nëse ngelje në provim, atëherë nuk mund ta përsërisje. Në konviktet e studentëve ishte si rregull që çdo student duhej të rikthehej në dhomën e tij deri nga ora 10 e darkës. Nëse riktheheshe para mesnatës, dënimi do të ishte gjobë 1 qindarkë, ndërsa nëse një student rikthehej pas mesnate, ai do të ndëshkohej me izolim për 7 ditë. Nëse kjo përsëritej tri herë, studenti përjashtohej nga universiteti. Çdo student trajtohej si një i rritur, saqë mbante përgjegjësi për të gjitha veprimet e tij. Studenti nuk përfshihej në biseda të kota, pasi do të ndëshkoheshin të gjithë njësoj, të cilat, disa studentë i pranonin me burrëri.
Një student në Universitetin e Kembrixhit duhej të bënte edhe punë krahu. Kujtoj ditën e parë në Kolegjin St. John në Londër, Angli. Kur arrita, mora një taksi nga stacioni i trenit pasi kisha një valixhe të rëndë, që peshonte 40 kilogramë. Në hyrje të kolegjit, i kërkova portierit të më ndihmonte. Ai më drejtoi për të marrë një karrocë dore dhe më tha që ta mbaja vetë. Këto incidente që po jua rrëfej nuk janë për të kaluar kohën e lirë, por subjekti i bisedës (kryefjala) është që këto histori të shkurtra, me domethënie, të mësojnë shumë gjëra për jetën.
Rënia ekonomike e vendit është e lidhur fort me arsimin e çorientuar
Duhet të mendoni rreth faktit që ekziston një lidhje e fortë mes rënies sonë ekonomike dhe arsimit. Arsimi i çorientuar dhe jo i përshtatshëm është në fakt një krizë kombëtare. Unë mendoj se kombi ynë po kalon nëpër një krizë të rëndë, për të cilën arsyeja është se nuk është zhvilluar një sistem i duhur arsimor.
Qëllimi kryesor i një sistemi arsimor, sipas mendimit tim, është të zhvillojë karakterin e një personi. Një karakter që zhvillohet gjatë viteve të shkollës, rrallë se ndryshon për pjesën tjetër të jetës. Megjithatë, këtu nuk do të ndalem në karakterin personal. Këtu po u referohem aspekteve kombëtare të sistemit tonë arsimor. Më në fund, Zoti i Plotfuqishëm na dhuroi lirinë pas 200 vitesh skllavëri. Kjo ngjarje e rëndësishme ndodhi rreth 40 vite më parë, por deri më tani nuk kemi kultivuar asnjë ndjenjë të përkatësisë, vëllazërisë, unitetit dhe të qenit një komb i bashkuar.
Kombi konsolidohet përmes zhvillimit arsimor
E vërteta është që, sapo të kishim fituar lirinë, ky duhet të kishte qenë objektivi kryesor i sistemit tonë arsimor, për të forcuar ndjenjën e përkatësisë dhe kombësisë. Ideja e kombësisë ka ndryshuar gradualisht në rajone të ndryshme të botës, edhe pse sot mund të përmenden shumë shtete, konsolidimi si komb i të cilave është mbështetur vetëm te lloji i sistemit arsimor që ato zhvilluan.
Marrim si shembull Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjermanët, anglezët, italianët, suedezët dhe francezët jetojnë si një komb i madh. Arsyeja përse përmenda Amerikën është sepse njerëzit nga këto shtete evropiane dhanë jetën gjatë Luftës së Fundit Botërore për një identitet tjetër. Këta njerëz në SHBA flisnin gjuhë të ndryshme para se të arrinin në Amerikë. Në shkolla, fëmijët amerikanë janë të familjarizuar me kushtetutën amerikane, heronjtë e Amerikës i dinë përmendësh, ditë e natë këta fëmijë dëgjojnë himnin kombëtar amerikan.
Poetët amerikanë, shkrimtarët dhe novelistët i shkruajnë veprat e tyre në atë mënyrë që çdo qoshe dhe cep i Amerikës është i dashur për këdo dhe për të gjithë. Çdo amerikan mësohet të dojë qytetin e tij, prandaj një shtetas amerikan e konsideron veten një qytetar të mijëra qyteteve.
Vende të largëta të Evropës, nga ku paraardhësit e tij kanë shkuar në SHBA, nuk sjellin ndonjë emocion ose ndjenjë të përkatësisë. Një evropian i shkuar në Amerikë e mendon jetën të lidhur me tokën amerikane dhe se i përket vetëm Amerikës. Ai përpiqet ditë e natë për të promovuar shtetin ose qytetin e tij ku ai jeton, dhe kështu ndodh nëpër të gjitha shkollat, kolegjet, gazetat, revistat dhe televizionet. Duhet një orë e më parë që sistemi ynë arsimor të promovojë këtë ndjenjë të rëndësishme të përkatësisë.
Kombit i sjellin lirinë arsimi dhe zhvillimi në shkencë
Kërkesa ime e dytë për ju është në lidhje me edukimin dhe me promovimin e shkencës dhe teknologjisë. India dhe Pakistani janë vende të prapambetura ekonomikisht, ku mesatarja e të ardhurave për një person është 70 dollarë në vit. Në krahasim me amerikanët, që fitojnë 50 herë më shumë, ndërsa një anglez fiton 20 herë më shumë, në Japoni 15 herë, Iran 8 herë, Turqia 8 herë, si dhe në Irak, Algjeri, Siri dhe Egjipt 6 herë më shumë. Pyetja ime për ju është: “Pse ne jemi i varfër si shtet?” Jam shumë dakord që pasuritë e shtetit tonë janë grabitur nga britanikët gjatë qeverisjes 100 vjeçare në Dehli, Punjab and Sindh. Gjithashtu pranoj që amerikanët janë me fat, sepse kanë zbuluar një kontinent plot me pasuri natyrore, por pyetja lind: “Si ne u bëmë skllevër të britanikëve?”.
Nëse britanikët e njihnin artin e lundrimit në det dhe ne jo, atëherë kush ua mësoi atyre fillimisht këtë art? Nëse pushkët dhe armët e Robert Clives kishin një zejtari më të mirë se sa ato të mbretit musliman Sirajud Daula, atëherë a mund të pyes se kush ua mësoi britanikëve këtë art të prodhimit të armëve të rënda? A nuk e kanë shpikur vetë këtë art, dhe pasi e shpikën, a nuk janë bërë mjeshtër të tij nëpërmjet arsimimit në vendin e tyre?!
Në betejën e famshme të Panipatit, ku sunduesi i madh musliman, sulltani Baber fitoi falë përdorimit të armëve të rënda të romakëve. Bizantinët (Turqit romakë) i kanë sofistikuar më shumë këto armë pas shpikjes së tyre në vitin 1526, ndërsa pasardhësit e Baberit nuk iu interesoi që të krijonin një institucion ku mund të zhvillohej edhe më tej ky art në Indi. Nëse ju ka ndodhur të vizitoni Kostandinopojën (Stambolli i sotëm), do të shikoni që ideja e turqve për xhaminë ishte që, në njërën anë të ndërtesës të ishte spitali dhe në anën tjetër shkolla (Medreseja). Kjo shkollë nuk do të shërbente vetëm për edukim fetar, por edhe për të mësuar artin e prodhimit të armëve. Për fat të keq, turqit të cilët erdhën në Indi nuk ishin të interesuar të promovonin edukimin dhe të mësuarin. Ata lanë pas si trashëgimi plot muze të shkëlqyera dhe varreza të shtrira si përkujtimore, por fatkeqësisht, jo shkolla apo vende mësimi për popullin e Indisë.
Çfarë ishte ajo që kombet që sot quhen të zhvilluara kanë pasur dhe që kombet e tjera nuk e kishin?
Më lejoni t’ju bëj një pyetje: Nëse Zoti i Plotfuqishëm i ka dhuruar popullit amerikan ushqim të bollshëm dhe një kontinent të madh, a nuk ishte vendosmëria e tyre që i solli ata në një tokë të panjohur përtej oqeanit? Nëse industria japoneze ka fituar famë ndërkombëtare, atëherë sa prej kësaj fame është falë organizimit të mirë të sistemit arsimor? Engjëjt e Zotit nuk zbritën tek japonezët për t’u mësuar atyre risitë teknologjike. Ka qenë një periudhë kur të mirat materiale dhe produktet japoneze konsideroheshin me cilësi shumë të dobët, por në ditët e sotme ato konsiderohen me cilësi shumë të lartë nga ana teknike.
E dini që, kompania British Leyland filloi e para të prodhonte makinat e vogla Morris, dhe më pas ishin japonezët që prodhuan makina në të njëjtën madhësi, por jo 1000 kubikësh, por 600 kubikësh dhe me të njëjtën fuqi motorike. Si është e mundur kjo?
20 vjet më parë, një amerikan, i njohur si profesor Townes, shpiku transistorin, një pajisje që përdoret kryesisht për përforcimin e rrymës elektrike. Ai ka fituar çmimin Nobel për këtë shpikje revolucionare. Për të zbuluar sekretin e transistorit dhe mënyrën e funksionimit, japonezët filluan menjëherë hulumtimet në Universitetin e Tokios. Përpjekjet e japonezëve sollën frytet e para për një hapësirë kohore shumë të shkurtër, dhe që atëherë ata janë konsideruar si mjeshtër në fushën e elektronikës. Jo vetëm që e ri-zbuluan transistorin, por ata e publikuan sekretin e transistorit në një revistë, kështu që çdo pakistanez, indian, arab apo iranian mund ta vinte në përdorim, duke zhvilluar edhe më tej teknologjinë e transistorit. Pra, kush janë këta kampionë të dijes? A do e besonit që japonezët nuk e kanë pasur ditur artin e të bërit të patkonjve. Thuhet që kur amerikani Admiral Percy erdhi në Japoni me flotën e tij detare, japonezët tentuan t’i bllokonin hyrjen në port, por nga bombardimet u detyruan të lejonin hyrjen në port të flotës. Një natë u vodh një kalë nga anija e Admiralit dhe u rikthye ditën tjetër. Misteri pas kësaj vjedhje të çuditshme ishte se japonezët donin që të shikonin patkonjtë e kalit, pasi shkenca e tyre e metalurgjisë nuk ishte zhvilluar deri në atë pikë sa të mund të bënin potkojnë në Japoni.
Në Japoni, sezoni i provimeve konsiderohet si një sezon vetëvrasjesh për studentët japonezë, pasi pranimi në universitet varet nga rezultatet e provimit të maturës. Standardi i këtij provimi është aq i lartë, sa asnjë shkollë për fëmijë në mbarë botën nuk e ndjek një praktikë të tillë aq të vështirë të provimeve në fizikë dhe kimi.
Gjatë kohës së provimit, askush nuk ka dijeni për përmbajtjen e pyetjeve, askush nuk proteston, askush nuk thyen xhamat e dritareve të ndërtesës ku mbahen provimet. I gjithë kombi, si nxënësit ashtu edhe prindërit, janë të kapluar nga emocionet e provimit, dhe të gjithë i pranojnë rezultatet e provimeve me stilin e zakonshëm japonez.
Gjatë muajit shtator, kisha fatin që të vizitoja popullin e Republikës së Kinës. Një nxënës kinez hyn në klasë të tetë (ose në shkollë të mesme) kur është 12 vjeç, ndërsa rreth moshës 17-vjeçare ai përfundon të gjithë udhëtimin shkollor. Këto 8 klasë shkollë janë të barasvlershme me shkollën e mesme në Indo-Pakistan. Edukimi në këto 5 vite është i detyrueshëm dhe çdo nxënës kinez duhet të mësojë 12 lëndët e mëposhtme, kur asnjëra nuk është me zgjedhje: Nacionalizmi, Matematikë, Fizikë, Kimi, Biologji, Agrikulturë, Histori, Gjeografi, Artet Dramatike, Muzikë dhe Punë dore.
Çdo nxënës duhet të studiojë deri në fund të 12 lëndët. Mësuesit kinezë janë të vendosur që çdo nxënës duhet të studiojë shkencën njësoj sa artet.
Dikush mund të hamendësojë se meqë lëndët shkencore janë të detyrueshme, niveli i nxënësve 16 dhe 17 vjeç duhet të jetë më i ulët krahasuar me shkollën e mesme te ne. Për të zbuluar të vërtetën, unë mora vetë pjesë në një orë mësimi të matematikës dhe fizikës në një shkollë të Kinës. Mbeta pa fjalë kur pashë një nxënës vetëm 14 vjeç duke mësuar rregullat e infinitit. Në pjesën tjetër të botës, rregullat e infinitit mësohen në shkollë të lartë.
Kinezët janë të vendosur tashmë që të fusin çdo teknikë të re industriale në vendin e tyre. Kina është shpallur Republikë Popullore 2 vite pas nesh, por falë vendosmërisë dhe përpjekjeve të tyre, kanë arritur që gjatë këtyre 40 viteve të jenë mjeshtër të shkencave elektronike. Fillimisht ata përpunonin 40.000 tonë metal në vit, ndërsa tani përpunojnë deri në 200.000 tonë në vit. Ata mund të prodhojnë tani pjesë të sofistikuara makinash. Çdo nxënës kinez kalon një ditë në punëtorinë e shkollës apo të universitetit, që të praktikojë një zanat. Shkolla që përmenda më sipër, të cilën e vizitova, kishte nxënës 14 deri në 16 vjeç që prodhonin pjesë përbërëse për transistorin. Një grup tjetër dërgonin mineralin e kaliumit të karbonizuar në makinën e përpunimit dhe paketimit, për ta tregtuar më pas. Një grup prej 4 nxënësish vetëm 12 vjeç ishin duke riparuar këpucët për të gjithë shokët e klasës. Një nga vajzat në grup na kërkoi që t’i hidhnim sytë nga dritaret e dhomës ku po punonin, të cilat ishin mbuluar me perde. Vajza na tregoi se kur kishin filluar të riparonin këpucët, kishin pasur pak turp dhe një farë pakënaqësie që do të riparonin këpucë me erë të keqe, dhe për ta zgjidhur këtë problem, ato kishin vendosur të mbulonin dritaret me perde. Me kalimin e kohës ato u mësuan dhe tani nuk kanë aspak turp për punën që bëjnë.
Besoj që është e domosdoshme që shkollat e fëmijëve tanë të jenë më produktive përgjatë viteve të shkollimit. Të gjithë nxënësit dhe mësuesit e shkollave, kolegjeve dhe universiteteve në Kinë i kalonin pushimet verore në fabrika dhe në fermat e fshatit.
Ndoshta ju mund të mendoni se unë jam duke e ekzagjeruar pak situatën, por më besoni, nëse dikush do të më tregonte që një vend aq i madh sa Kina është duke ecur përpara si një oqean i qetë, as nuk do ta besoja. Por, si të mohoj atë çfarë kam parë me sytë e mi? Jo një herë, por tri herë kam udhëtuar për në Kinë. Akoma nuk është e lehtë për mua ta besoj që, afro 700 milionë njerëz mund të sakrifikojnë interesin e tyre personal për hir të kombit, dhe përveç kësaj, ata e kanë lidhur identitetin e tyre me kombin. Çdo person në atë vend të madh punon pa u lodhur ditë dhe natë. Qytetet e tyre dikur kanë qenë plot me plehra dhe mushkonja. Dhe në Pekin, çdo 9 metra përgjatë kanalit të Dragoit, fiks mbrapa Pallatit Mbretëror, kishe plot insekte dhe plehra, që mund të mos ishin pastruar ndoshta asnjëherë gjatë 300 viteve të fundit. Por tani Pekini është një nga qytetet më të pastra, dhe gjithë meritat nuk shkojnë për pastruesit, por për ata që ndihmuan, si juristët, mësuesit, nxënësit, politikanët dhe pronarë të dyqaneve. Kjo punë është falë një grupimi të studentëve, të cilët ishin në krye të kësaj lëvizje.
Është e vërtetë që sistemi kinez po punon në një mënyrë tepër produktive, sepse është i ndërtuar mbi demokracinë sociale. Një ministër i qeverisë kineze shkon në zyrë me biçikletë dhe e përdor makinën zyrtare vetëm kur duhet të shoqërojë një diplomat të huaj. Kjo sjellje shembullore tregon se kombi kinez është i gatshëm të sakrifikojë. Megjithatë, fakti që kombi kinez është i vendosur të mësojë teknologjinë, nuk ndikon në funksionimin e vetë sistemit.
Ndërsa po flisja për Kinën, kam devijuar paksa nga tema kryesore. Isha duke ju treguar që britanikët shpikën dhe futën teknika të reja industriale, dhe i përhapën nëpërmjet një sistemi të duhur arsimor. Nëse Japonia mund t’u mësojë zanate të ndryshme punonjësve të saj pa pasur pasuri natyrore apo burime të tjera, nëse Kina i konsideron qytetarët e saj si skllevër të dijes dhe pret nga çdo fëmijë që të mësojë lëndët shkencore ose të ketë një zanat, dhe t’i trashëgojë këto dije edhe tek të tjerët, dhe nëse të gjitha këto kombe janë përpjekur të zhdukin varfërinë nëpërmjet këtyre metodave, atëherë a nuk është ky një mësim për ne?!
A mendoni se varfëria është ajo që pengon zhvillimin arsimor? Ja, një shembull!
Dikush mund të thotë që varfëria në vetvete është një kërcënim, sepse nëse një njeri është i uritur, nuk ka kohë ose prirje për të mësuar. Në këtë kontekst nuk mund t’ju ndihmoj, por mund ta lidh me një ngjarje të ndodhur në Gjermani diku para 40 vitesh. Në vitin 1947, kur vazhdoja studimet në Universitetin të Kembrixhit, Gjermania kishte humbur luftën dhe i gjithë populli gjerman po vuante pasojat e dhimbshme të kësaj humbjeje. Komisioni Amerikan i Kontrollit ftoi studentët nga Universiteti i Kembrixhit dhe nga universitete tjera evropiane që të vizitonin Gjermaninë dhe të shihnin gjendjen e vështirë me të cilën po përballej populli gjerman. Rreth 500 studentë nga e gjithë Evropa shkuan në Mynih. As edhe një ndërtesë në qytet nuk kishte ngelur pa u dëmtuar, dukej sikur të gjithë banorët e Mynihut po jetonin në fole pëllumbash.
Ne qëndruam në disa tenda të mëdha në një park të qytetit. Unë mora vesh nga dikush që një studiues gjerman po më kërkonte. Një ditë e takova këtë studiues, të cilit i kishte ngelur vetëm skeleti i trupit. Ai ishte i punësuar në një kamp lufte në Gjermani, ku kishte pasur edhe disa të burgosur nga Penxhabi. Nga këta ushtarë kishte mësuar që unë ndodhesha në qytet. Me ndihmën e ushtarëve kishte filluar të mësonte gjuhën penxhabe, dhe po hartonte një fjalor Gjermanisht-Penxhabisht në vitin 1947. Kishte gjetur dy libra në gjuhën penxhabe: Meer Warith Shah dhe një kopje të vjetër të librit Dulla Bhatti të botuar nga Lahore. Ngaqë po haste vështirësi në kuptimin e disa vargjeve në libra, vendosi të më takonte mua, kështu mund t’i shpjegoja disa pasazhe të ndryshme. Për fat të keq ato pasazhe ishin të vështira edhe për mua, prandaj nuk munda që ta ndihmoja shumë. Tani mendoni për një moment për këtë histori. Nuk e di nëse ai fjalor është botuar ndonjëherë, dhe nëse po, atëherë sa njerëz e kanë përdorur, por kjo ngjarje tregon se sa të marrosur janë këta njerëz pas dijes. Këta përbënë një komb ku Prodhimi Kombëtar Bruto është dija për shkencën, teknologjinë dhe gjuhët. Njerëzit e këtij vendi të madh e dinë që hartimi i një fjalori Gjermanisht/Penxhabisht do të sjellë fryte, si dhe e dinë që kurrë nuk duhet humbur koha duke luajtur me letra, duke hyrë në grevë apo duke shikuar filma pa kuptim.
Zoti i ndihmon ata që përpiqen
Në këtë kontekst unë dua ta lidh me një histori të treguar nga lideri i madh kinez, Mao-Tse Tung, të cilën padyshim që mund ta dëgjoni nga thuajse çdo person në Kinë.
Kohë më parë, një burrë i vjetër jetonte në veri të Kinës dhe quhej Z. Analfabet. Shtëpia e plakut ishte me pamje nga jugu dhe aty ishin dy male të lartë, Bang dhe Wang, fiks përballë shtëpisë së tij. Një ditë ai iu kërkoi fëmijëve të gërmonin në male për t’i larguar tutje. Komshiu i tij, i quajtur Z. Inteligjenca, i tha që e kishte kuptuar kohë më parë se ishte budalla, por jo aq sa të mendonte se mund t’i largonte malet vetëm duke gërmuar me duar. Plaku i vjetër u përgjigj “Shoku im i dashur, ti ke të drejtë, por mos harro që nëse unë vdes, atëherë për këtë punë do të kujdesen fëmijët e mi, dhe kur ata të vdesin, do ta bëjnë fëmijët e tyre, dhe kur ata të vdesin, do të punojnë fëmijët e tyre, dhe kështu ky gërmim do vazhdojë përgjithmonë. Këto male nuk rriten më. Çdo ditë që ne gërmojmë, po i zvogëlojmë, dhe shpresojmë që një ditë ta zhdukim këtë pengesë përpara shtëpisë. Duke dëgjuar këtë thënie të plakut, Zoti i Plotfuqishëm dërgoi dy engjëj, që i lëvizën malet sa hap e mbyll sytë!
Shoqëria jonë përballet me pengesa të tilla si këto dy male. Përpiquni t’i mbani larg jush me durim. Zoti do të tregojë mëshirë për ju një ditë. Mos u mërzisni nëse përpjekjet tuaja nuk sjellin fryte, vazhdoni dhe bëni punën, dhe Zoti do t’ju bekojë me të vërtetë për përpjekjet tuaja.