Jam mjek dhe më duket sikur punoj në ferr - Çfarë është xhehenemi?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
xhehenemi ferri xheneti

“Si të shkoi puna?”, më pyet ajo kur shkoj në shtëpi. Mendoj si t’i përgjigjem. Së fundmi, i jam përgjigjur vetëm: “Nuk dua të flas për punën”, dhe tani e kuptoj përse.

Punoj si mjek në Njësinë e Kujdesit Intensiv (Reanimacion). Fjala “intensiv” tregon ngarkesën e punës që bëjmë. Secili pacient ka një infermiere të dedikuar që përkujdeset për të. Pavioni ku punoj ka aktualisht rreth 30 shtretër, dhe në çdo kohë, është gati dy të tretat i plotë.

“Funksionimi i organeve” është arsyeja përse përfundon në Reanimacion, domethënë, nëse organet po fillojnë të pushojnë së funksionuari, atëherë ky është vendi ku duhet të vini, që pajisjet mjekësore të kryejnë funksionin e organeve. Në të vërtetë, makineritë thjesht sa ju mbajnë tik-takun.  Ato janë si pikë-furnizimi për trupin, dhe kurrë nuk mund t’i përshtaten elegancës së psikologjisë njerëzore.

Në këtë shërbim gjenden një sërë pajisjesh, por më të përdorurat për pacientët janë pajisjet mjekësore që kryejnë funksionin e mushkërive, të veshkave dhe të enëve të gjakut: ventilatorët, hemodializa dhe vasopresorët. Në qendra më të mëdha reanimatore, mund të gjeni edhe ECMO (oksigjenim të membranës ekstrakorporeal). Po, është aq interesante sa ç’tingëllon, pasi kryen funksionet si të zemrës ashtu edhe të mushkërive.

Qëndrimi në spital si pacient ka vështirësitë e veta, por shtrimi në Reanimacion është i tmerrshëm. Imagjinoni të mos keni nën kontroll as funksionet më bazike të trupit, si frymëmarrja e thellë ose e rregullt. Imagjinoni të keni nevojë për të tjerët për t’ju njomur buzët ose për t’ju pastruar pjesët më intime të trupit, ose nuk keni mundësi të flisni si pasojë e një trakeotomie në fyt.

Të jesh në Reanimacion është si të jesh në ferr. Përshkrimi në Kuranin Famëlartë për ferrin duket sikur i përshtatet fiks Reanimacionit, siç përshkruhet në mënyrë të detajuar në leksionet kuranike të Hazret Mevlana Nur-ud-Din r.a., Kalifi i Parë i Xhematit Musliman Ahmedia, një mjek i njohur në kohën e tij.

Ai flet për mënyrën si Kurani Famëlartë i referohet xhehenemit si një ummuhu[1]  ose “nënë kujdestare”.

“Mendoj”, thotë ai, “fjala ‘umma’, nëna kujdestare, përshkruan gjithashtu lidhjen mes nënës dhe fëmijës… Në këtë vendbanim, banori i Xhehenemit ushqehet dhe rritet në të njëjtën mënyrë siç ushqehet dhe rritet një fëmijë. Për më tepër, ashtu si dashuria dhe mëshira e një nëne përkundrejt fëmijës së saj të pabindur, të pasjellshëm dhe çapkën është më e fortë se zemërimi dhe ndëshkimi, ashtu është edhe Dashuria dhe Mëshira e Zotit të Plotfuqishëm.

Analogjia nuk përfundon këtu, por merr më shumë kuptim. Hazret Kalifi i parë r.a. thekson fjalët e përdorura për të përshkruar ferrin në Kuranin Famëlartë, si el-mihad.[2] Kjo fjalë rrjedh nga fjala mahada, domethënë “një vendbanim, vend pushimi i përkohshëm, ose siç e përshkruan ai, një shtëpi rikuperimi. Në gjuhën moderne, ne do ta quanim qendër shëndetësore ose spital.

xheneti xhehenemi parajsa ferri

Ashtu si në Reanimacion, ku gjendja e secilit pacient ndiqet nga afër, dhe çdo funksion i trupit monitorohet ose rregullohet, po njëjtë është edhe mënyra si përshkruhet xhehenemi në Kuranin Famëlartë. Libri i Shenjtë e përshkruan ferrin si el-mirsad[3], që përgjithësisht përkthehet si një vend ku dikush është i zënë pritë. Kjo, ndoshta, është një interpretim i thjeshtë i kuptimit të parë, origjinal: “një vend ku vëzhgohesh nga afër”.

Pacientët që marrin trajtim vëzhgohen nga afër, thekson Kalifi i Parë r.a.. Ata janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme kur janë nën kujdesin intensiv.

Ashtu siç qëndrimi në spital mund të jetë një sprovë e keqe, Kurani Famëlartë gjithashtu e përshkruan ferrin si fitna, domethënë një “sprovë”. Në gjuhën arabe, kjo fjalë ka kuptimin e rafinimit të arit duke e nxehur dhe hequr të gjitha papastërtitë.

Po t’i bashkojmë të gjitha këto fjalë, Hazret Kalifi i Parë i Mesihut të Premtuar r.a. përmbledh shkurtimisht përshkrimin e Kuranit Famëlartë për xhehenemin si:

Shtëpi kujdesi, spital dhe një qendër shërimi, një vend ku dikush vëzhgohet nga afër… Xhehenemi është kështu një vend shërues, një strehë për t’u kuruar. Nuk ka si qëllim torturimin, ndëshkimin dhe hakmarrjen, por përgatitjen e shpirtrave njerëzor të korruptuar për të vazhduar rrugën drejt pafundësisë, për ta bërë shpirtin të gatshëm për vazhdimin e rrugës, që ai të përgatitet për përjetësinë.

Pastaj, ashtu si spitali, edhe ferri është një vend i mjerimit dhe ankthit, por jo i paqëllimtë, qëllimi përfundimtar është për t’i dhënë shpirtit shëndet të plotë. Atëherë lind pyetja: çfarë ndodh pas shërimit, sipas Islamit? Profeti Muhammed s.a.v.s. e dha përgjigjen në përshkrimin e ditës kur banues i fundit i xhehenemit do të hyjë në parajsë dhe biseda që do të ketë me Zotin.

Është e lehtë, për besimtarët dhe jo-besimtarët në mënyrat e tyre, për të bërë një karikaturë të koncepteve të thella dhe ngjyruese të mësimeve fetare, sidomos ato të lidhura me jetën pas vdekjes. Por nuk është aq fantastike dhe e jashtëzakonshme sa mund ta kemi imagjinuar në fillim. Shikoj xhehenemin çdo ditë kur shkoj në punë. Është realitet për mua dhe pacientët e mi. Ideja se shpirtrat tanë do të kenë shëndet apo do të sëmuren si pasojë e veprimeve tona pas vdekjes, siç bëjmë me shëndetin tonë fizik në këtë jetë, duket jo vetëm instiktive, por plotësisht absolute: një panoramë e plotë e shpërblimit,  që përfshin të dyja botët, materiale dhe shpirtërore.

Kur shoh pacientët që kanë vështirësi të marrin frymë, ose i dëgjoj ata teksa qajnë në shtrat, ose kur i shoh të dashurit e tyre duke iu qëndruar pranë, edhe natën vonë, mendoj për gjendjen time shpirtërore dhe lutem të kem shëndet. Ngushëllohem me një ajet të Kuranit, me përgjigjen që i jep Zoti Hazret Musait (Moisiut) a.s., kur ai i kërkon falje për mëkatarët në mesin e njerëzve të tij:

“Unë e godas me ndëshkimin Tim kë të dua, kurse mëshira Ime përfshin çdo gjë”.[4]


[1] Kurani Famëlartë 101:10.
[2] Kurani Famëlartë 2:207.
[3] Kurani Famëlartë 78:22.
[4] Kurani Famëlartë 7:157.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp