Një synim madhor për muslimanët
Në ajetin e mëparshëm, Zoti na mësoi lutjen me të cilën t’i kërkojmë rrugën e drejtë. Në këtë ajet shtoi edhe një gjë tjetër: kjo rrugë e drejtë të mos jetë e thjeshtë, por të jetë e atyre që i ka bekuar Zoti dhe që janë të përparuar shpirtërisht.
Sa i madh është ky qëllim, të cilin Islami ia ka dhënë çdo muslimani që në suren e parë të Kuranit! Pra, muslimani nuk duhet të ketë vetëm dëshirë për të bërë mirësi, por të synojë t’i bashkohet xhematit të fituesve.
Ai që është i dashuruar me Allahun, nuk mund të mjaftohet me një shkallë të vogël, sepse dashuria ndaj Zotit nuk e lejon të bëjë përparime në mënyrë të kufizuar. A ka ndonjë gjë tjetër në botë që mund t’ia shuajë etjen, kur ai është në kërkim të Zotit të Madhërishëm?! Pra, ai që kërkon Zotin, kërkon të gjitha përparimet. Ndaj, ai që e njeh Zotin e Madhërishëm, nuk mund të quajë asnjë përparim si të fundit.
Gjëja më e bukur për besimtarin është që kjo nuk mbetet thjesht një dëshirë në zemrën e tij, por Vetë Zoti i tij këtë ia mëson duke thënë: Mos u kënaq me një gradë të vogël! Më kërko bekim, por jo të thjeshtin, madje bekimin që kanë marrë njerëzit e kohërave të mëdha dhe, gjithashtu, jo bekimin që kanë marrë njerëzit e një kohe të vetme, por të të gjitha kohërave.
Kuptime të ndryshme të bekimit (in’am)
Në kuptimet leksikore kam shpjeguar se në kuptimin e fjalës in’am (bekim) nuk mund të përcaktohet një bekim i vetëm, por çdo gjë e mirë që mund t’ia japësh dikujt për të shprehur gëzimin, quhet in’am, që mund të jetë qoftë materiale, qoftë shpirtërore. Edhe Kurani Famëlartë, në ajete të ndryshme, e përdor këtë fjalë në kuptimin e saj të gjerë.
Në suren Beni Israil [Isra], Zoti i Madhërishëm thotë:
وَ اِذَاۤ اَنۡعَمۡنَا عَلَی الۡاِنۡسَانِ اَعۡرَضَ وَ نَاٰ بِجَانِبِہٖ
“Kur i japim ndonjë mirësi (in’am) njeriut, ai e kthen shpinën dhe mënjanohet”.[1]
Pra, në vend që të bëhet mirënjohës për bekimin që i ka dhënë Zoti, bëhet i pavëmendshëm ndaj Tij. Ky ajet tregon se fjala in’am përfshin edhe gjërat materiale, dijen, profesionin, nderimet tokësore etj., sepse janë pikërisht këto gjëra që janë si mirësi dhe shumë njerëz, pasi i gëzojnë ato, në vend që t’i përkushtohen Zotit të Madhërishëm, e harrojnë Atë.
Kurani Famëlartë quan in’am edhe shpëtimin nga vështirësitë dhe gjëmat. Ai thotë:
یٰۤاَیُّہَا الَّذِیۡنَ اٰمَنُوا اذۡکُرُوۡا نِعۡمَتَ اللّٰہِ عَلَیۡکُمۡ اِذۡ ہَمَّ قَوۡمٌ اَنۡ یَّبۡسُطُوۡۤا اِلَیۡکُمۡ اَیۡدِیَہُمۡ فَکَفَّ اَیۡدِیَہُمۡ عَنۡکُمۡ ۚ وَ اتَّقُوا اللّٰہَ ؕ وَ عَلَی اللّٰہِ فَلۡیَتَوَکَّلِ الۡمُؤۡمِنُوۡنَ
“O ju që besuat! Kujtojeni bekimin e Allahut që keni mbi vete, kur një popull kishte vendosur t’i zgjaste duart drejt jush (për t’ju dëmtuar), por Ai i pengoi ato. Kini druajtje ndaj Allahut. Allahut le t’i mbështeten besimtarët”.[2]
Në këtë ajet shpëtimi nga sulmi i armikut është cilësuar si bekim (ni’met).
Megjithatë, pavarësisht se çdo mirësi mund të quhet bekim, nuk mund të mohohet se ka të atilla që mund të quhen si bekime (ni’met ose in’am) shumë të mëdha. Kështu që, Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë thotë:
وَ اِذۡ قَالَ مُوۡسٰی لِقَوۡمِہٖ یٰقَوۡمِ اذۡکُرُوۡا نِعۡمَۃَ اللّٰہِ عَلَیۡکُمۡ اِذۡ جَعَلَ فِیۡکُمۡ اَنۡۢبِیَآءَ وَ جَعَلَکُمۡ مُّلُوۡکًا ٭ۖ وَّ اٰتٰٮکُمۡ مَّا لَمۡ یُؤۡتِ اَحَدًا مِّنَ الۡعٰلَمِیۡنَ
“Dhe (kujtojeni) kur Musai i tha popullit të vet: “O populli im! Kujtojeni bekimin e Allahut që keni mbi vete, kur Ai caktoi profetë mes jush, ju bëri mbretër dhe ju dha atë që nuk i dha askujt nëpër botë”.[3]
Ky ajet numëron gjërat që mund të cilësohen si bekime për njeriun dhe iu tha hebrenjve se Zoti ua kishte dhënë një pjesë të madhe të tyre.
(Vijon komentimi në kapitujt e radhës …)
[1] Beni-Israil (El-Isra) 17:84.
[2] El-Maide 5:12.
[3] El-Maide 5:21.