Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Si mund të gjesh dashurinë e Allahut?

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Për fjalimin e plotë, ju lutemi, ndiqeni videon. Më poshtë jepen vetëm disa pjesë të shkëputura nga ky fjalim)

Ai që nuk vepron, nuk mund të lutet

Duke shpjeguar se për të bërë lutje, robi duhet të përsosë besimin e tij në lutje dhe po ashtu veprat e tij, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Është tërësisht e vërtetë se ai që nuk vepron, nuk mund të lutet, madje, ai tenton ta sprovojë Zotin e Madhërishëm. Ndaj, përpara se të bëni lutje, është e nevojshme të shfrytëzoni të gjitha forcat tuaja. Robit më së pari i duhet të kontrollojë besimin e tij se për lutje ka nevojë të përdoren edhe mjetet. Praktika e Allahut të Madhërishëm është që ai krijon ndonjë mjet për ta përmbushur nevojën e lutësit.

Ata që thonë se kur bëjnë lutje, nuk ka nevojë të përdorin mjetet, janë naivë, sepse nuk mendojnë se edhe vetë lutja është një mjet i fshehtë, që krijon mjete të tjera të nevojshme.

Pra, lutja që në vetvete është një mjet, kur pranohet te Zoti i Madhërishëm, Ai vë në lëvizje mjetet e tjera që janë të nevojshme për robin. Dikush lutet për të larë borxhin, dikush lutet për të pasur ndihmën e Allahut në një punë të caktuar dhe Zoti i Madhërishëm natyrisht që nuk i hedh paratë prej qiellit, por krijon mjete të nevojshme, nëpërmjet të cilave, robit i përmbushet nevoja.

Perla të El-Fatihasë

Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Në suren El-Fatiha pohimi “ijake na’budu” (Vetëm Ty të adhurojmë) është vendosur para lutjes “ijake nestain” (Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë) dhe në këtë mënyrë e para e sqaron të dytën. Kështu që, vërejmë se praktika e Allahut është që Ai krijon mjete. Shikoni se si etjen na shuan përmes ujit dhe urinë përmes bukës. Ai ka lënë një zinxhir mjetesh, sepse Zoti i Madhërishëm ka dy veti të ndryshme:

fuqite e AllahutZoti është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.

Ai është i Plotfuqishëm sepse mund të bëjë çdo gjë që dëshiron dhe është edhe i Urtë, sepse çdo gjë që bën, e bën me arsye të përshtatshme. Shikoni sa shumë efekte ka lënë Ai në bimët dhe mineralët. …. Zoti është i Plotfuqishëm që edhe pa ato, të mund të sjellë efektin që dëshiron, por Ai dëshiron që njeriu të njihet me mrekullitë e krijimit, sepse sa më shumë që njeriu do të zbulojë natyrën, aq më shumë ai bëhet i aftë për të kuptuar atributet e Zotit dhe i jepet mundësia që ai t’i afrohet me Të.

Në fakt, besimtari me dijen e tij përparon akoma më shumë në besim, ndërsa ateisti në egon e tij ndaj dijes.

Filozofia e lutjes

Duke treguar filozofinë e lutjes, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Shikoni se si një foshnjë përpëlitet dhe nga uria qan për qumësht dhe nënës i rrjedh vetvetishëm qumështi në gjirin e saj, ndërkohë, fëmija as nuk di çfarë do të thotë lutje. Të qarat e tij vetvetiu tërheqin qumështin. Kjo është diçka që mund ta ketë provuar gjithkush nga ne. Disa herë ndodh që nëna nuk ndien qumësht në gjinjtë e saj dhe nganjëherë as nuk e ka qumështin, por sapo t’i përpëlitet e t’i qajë fëmija, asaj i vjen menjëherë qumështi. Me një fjalë, ekziston një tërheqje midis të qarave të fëmijës dhe qumështit të nënës. Sinqerisht ju them të vërtetën, nëse të qarat tona do të jenë me po këtë përpëlitje si atë të fëmijës, ato do të tërheqin bekimin dhe mëshirën e Allahut të Madhërishëm.

Duke shpjeguar më tej filozofinë e lutjes, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Lutja është në natyrën e njeriut, pranimi është në natyrën e Zotit të Madhërishëm. Ai që nuk e beson këtë, gënjen. Shembulli i fëmijës që kam dhënë pak më parë, e qartëson mjaft mirë këtë çështje.

Atributet Rahman dhe Rahim nuk janë të ndara. Ai që dëshiron të lidhet me njërin, duke lënë tjetrin, nuk e gjen dot. Atributi Rahman synon të na aftësojë të përfitojmë nga atributi Rahim.

Domethënë, lutja juaj ndaj Allahut ekziston për shkak se Zoti është Rahim dhe Ai ju dëgjon lutjet, por Atributi Rahman është ai që ju ka aftësuar dhe ju ka siguruar mjete të nevojshme për të bërë lutje.

Ai që nuk vepron në këtë mënyrë, tregohet mosmirënjohës ndaj Allahut për bekimet e Tij. Fjalët “ijake na’budu” pikërisht këtë kuptim e kanë: “Vetëm Ty të adhurojmë nëpërmjet mjeteve që Ti na ke dhuruar.

Vini re se si gjuha është e ndërtuar me venet dhe indet. Ajo po të mos ishte kështu, nuk mund të flisnim. Pra, Ai na ka dhuruar një gjuhë të tillë, e cila mund të shpalosë ndjenjat e zemrës. Tani, nëse nuk do ta përdorim gjuhën, do të ishte vetëm fatkeqësia jonë.

Po ashtu, ka shumë sëmundje të tilla, që, po t’i ngjiten gjuhës, ajo menjëherë do të pushojë së foluri dhe njeriu do të mbetet memec. Kështu që, Rahimi është Ai që na e dhuroi këtë gjuhë. Në të njëjtën mënyrë, nëse do të prishet ekuilibri i veshëve, asgjë nuk mund të dëgjojmë. Ashtu është edhe zemra që arrin të shprehë ndjenjat tona përulësie, edhe aftësinë e të menduarit etj. Kur njeriun e kap ndonjë sëmundje, të gjitha këto aftësi mbeten thuajse papunë, si ata që janë me të meta mendore.

Të gjithë këto bekime, a nuk na obligojnë që t’i vlerësojmë ato?! Mos përdorimi i tyre padyshim që na bën mosmirënjohës. Andaj, mbani mend! Nëse luteni duke mos përdorur aftësitë dhe fuqitë tuaja, lutja juaj nuk do të sjellë asnjë efekt. Sepse, nëse nuk kemi përfituar nga dhurata e parë, si mund të vërtetohet se do të përfitojmë nga e dyta. Andaj, përdorini aftësitë dhe pastaj lutuni!

….

A ka dobi të qash para Zotit?

Duke hedhur poshtë mendimin e njerëzve materialistë që thonë se nuk ka dobi të qash para Zotit, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Disa njerëz mendojnë se nuk ka asnjë dobi të qash hallin para Zotit të Madhërishëm dhe ky është një veprim i kotë. Njerëzit e tillë nuk besojnë në fuqitë dhe atributet e Allahut. Po të kishin besim të vërtet tek Ai, nuk do të guxonin të thoshin fjalë të tilla. Kurdoherë që dikush vjen me pendesë të sinqertë te Zoti i Madhërishëm, Ai gjithmonë e ka bekuar. Sa bukur ka thënë njëri:

عاشق کہ شش کہ یار بحالش نظر نہ کرد
اے خواجہ درد نیست و گرنہ طبیب ہست

Çfarë vlere ka i dashuruari, nëse personi që e do, nuk i kushton asnjë vëmendje?!
Zotëri! Ti nuk ke dhimbje, përndryshe, mjeku ekziston

Pra, krijo dhimbje në veten tënde, atëherë do të të dëgjojë Zoti. Zoti dëshiron që ju të shkoni tek Ai me zemër të çiltër. I vetmi kusht është që të përshtateni veten sipas porosisë së Tij:

pergjigjja ndaj AllahutTë zbatoni porosinë “Le të Më përgjigjen Mua” (Kurani Famëlartë 2:187) dhe sillni ndryshimin e pastër që ju bën të denjë të shkoni te pragu i Zotit. Sinqerisht ju them të vërtetën, Zoti i Madhërishëm zotëron fuqi nga më të çuditshmet dhe ka mirësi e bekime të pashtershme. Por që t’i shikoni e t’i gëzoni ato, duhet keni syrin e dashurisë.

Si të fitojmë dashurinë e Allahut

Duke treguar se si duhet të jetë njeriu që të fitojë dashurinë e Allahut dhe që atij t’i pranohen edhe lutjet, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Kushti është që të kesh dashuri dhe sinqeritet ndaj Allahut të Madhërishëm. Dashuria ndaj Zotit është diçka që ia djeg njeriut jetën e tij tokësore dhe e shndërron atë në një njeri të ri, të çiltër e të dëlirë. Atëherë ai sheh gjërat që nuk i shihte më parë, dëgjon fjalët që nuk i dëgjonte më parë. Gjithçka nga mirësitë që ka përgatitur Zoti i Madhërishëm, Ai i ka dhënë njeriut edhe aftësitë për të përfituar nga ato.

Po t’ia kishte dhënë vetëm dhuntitë, dhe njëherësh të mos ia mundësonte objektet, do kishte mangësi. Por, vërejmë se Ai nuk ka lënë një mangësi të tillë. Ai i ka dhënë njeriut edhe dhuntitë, edhe mjetet. Sikundër ka krijuar materiale të nevojshme për bukën, i ka dhënë njeriut edhe stomakun, zorrët dhe gjithë organizmin e tretjes. Po ashtu, ky bark ekziston që ta ushqejë zemrën e me radhë.

Në të njëjtën mënyrë, bekimi i Tij më i madh është që Ai dërgoi fenë e Tij të përsosur përmes Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe e bëri Profetin hatemun-nebijin dhe i dha librin hatemul-kutub. Pas këtij libri, nuk mund të vijë më ndonjë libër tjetër, dhe pas Profetit Muhammed s.a.v.s. nuk mund të vijë më ndonjë profet me sheriat.

Tani, dhuntitë dhe aftësitë që na ka dhënë Zoti, nëse nuk do t’i përdorim dhe nuk do të hedhim hapin drejt Allahut, sa shpërfillëse dhe mosmirënjohëse do të ishte kjo?! Po të mendojmë thellë, që në suren e parë të Kuranit, Zoti i Madhërishëm i ka dhënë të gjitha udhëzimet.

Duke sjellë fjalët “ijake na’budu” përpara fjalëve “Ijake nestain”, Zoti ka treguar se njeriu së pari duhet t’i shfrytëzojë të gjitha aftësitë, forcat, mendjen dhe kurajën e tij për të ndjekur rrugët e pëlqimit të Zotit dhe më pas t’i lutet që ato të jenë frytdhënëse.

Duke treguar se cilat janë metodat e kërkimit të njohjes së Allahut, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Është e vërtetë që:

njeriu krijesa e Allahut“Njeriu është krijuar i dobët”

Ai asgjë nuk mund të bëjë, pa pasur bekimin dhe mëshirën e Allahut. Ekzistenca e njeriut, mbijetesa dhe rritja e tij dhe të gjitha mjetet që janë të nevojshme për këto gjëra, varen tërësisht nga mëshira e Allahut. Naiv është ai që mburret për mendjen dhe pasurinë e tij, sepse të gjitha këto ia ka dhuruar Zoti i Madhërishëm.

Për lutje është e nevojshme që njeriu ta ketë parasysh dobësinë dhe paaftësinë e tij. Sa më shumë që ai vetëdisohet për paaftësinë e tij, aq më shumë ndihet nevojtar i Zotit të Madhërishëm dhe, në këtë mënyrë, do t’i lindë dëshirë e zjarrtë për t’iu lutur Allahut.

Siç njeriu kur gjendet në vështirësi të madhe, lëshon klithmë dhe thërret për ndihmë. Në të njëjtën mënyrë, nëse robi mendon për dobësitë dhe gjynahet e tij dhe ndien veten gjithnjë nevojtar të Allahut, shpirti i tij me dhimbje të plotë do të derdhet te pragu i Tij, do të këlthasë dhe do të thërrasë duke thënë, o Zot! O Zot!

Po të studioni me vëmendje Kuranin Famëlartë, Allahu i Madhërishëm që në suren e parë ka dhënë mësimin e lutjes.

“Na udhëhiq në rrugën e drejt! Në rrugën e atyre që i bekove dhe jo të atyre që tërhoqën zemërimin Tënd dhe as të atyre që devijuan”.

Lutja vetëm atëherë do të jetë e përsosur, kur do të mbledhë të gjitha dobitë dhe mirësitë dhe kur kërkohet mbrojtje nga të gjitha të këqija dhe dëmet. E gjithë kjo përfshihet në këtë lutje. Kjo lutje mbledh çdo mirësi dhe kërkon mbrojtje nga çdo e keqe, që mund të dëmtojë njeriun.

Edhe një gjë që duhet ditur. Kjo lutje më e madhe nuk është për botën materiale, por për besimin. Kjo tregon se më së pari ne duhet të lutemi për shpëtimin e besimit. E kur do ta bëjmë këtë, vetvetiu do të na hapen dyert e afërsisë së Allahut dhe pastaj lutjet tona të tjera do të pranohen vetvetiu.

…….

Thelbi i namazit është lutja

Ndër metodat më të mira që Zoti na ka treguar për të fituar afrimin me Të dhe për bërë lutje të pranueshme, është namazi. Në lidhje me këtë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Qëllimi kryesor dhe thelbi i namazit është lutja. Të lutesh është tërësisht në përputhje me ligjet e Allahut. (Pra, përmbushja e lutjes, nuk u kundërvihet ligjeve të Zotit). Për shembull, vërejmë që kur foshnja qan dhe përpëlitet, nëna e ushqen me qumësht. Një lidhje e ngjashme ekziston edhe midis Zotit dhe robit, të cilën jo çdokush mund ta kuptojë.

Kur njeriu bie te pragu i Zotit të Madhërishëm dhe me shumë përulësi e dhimbje e shpalos veten para Tij dhe i kërkon t’ia plotësojë nevojat, ngacmon mëshirën e Zotit dhe ajo e mbulon lutësin e tillë. Pra, edhe “qumështi” i mirësisë dhe i bekimit të Allahut kërkon një përgjërim dhe përpëlitje. Ndaj, shkoni tek Ai me sy që lotojnë.

….

Një lutje që duhet ta bëjmë sa më shumë këto ditë

Do t’ju paraqes një lutje të Mesihut të Premtuar a.s., të cilën mendoj se duhet ta bëjmë sa më shumë këto ditë, në mënyrë që të gëzojmë afërsinë e Zotit. Ai iu lut Zotit me këto fjalë:

O Zoti i botëve! Nuk mund të të falënderoj për mirësitë e Tua. Ti je shumë Mëshirëbërës dhe shumë Bujar. Unë kam favoret e Tua të panumërta. M’i fal mëkatet, që të mos shkatërrohem! Vendos në zemrën time dashurinë Tënde të pastër, që të ringjallem! M’i mbulo gjynahet dhe më mundëso të bëj punë të tilla, që Ti të kënaqesh! Kërkoj mbrojtjen e fytyrës Sate bujare, që të mos më përfshijë zemërimi Yt! Vetë mëshiromë dhe shpëtomë nga gjëmat në besim, në botë e në ahiret, sepse çdo bekim e mëshirë është në dorën Tënde! Amin! Amin! (“Maktubat-e-Ahmedia” vëll. 5, nr. i letrës 4, f. 5)