Ramazani, reforma dhe takva (druajtja ndaj Zotit)
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Ramazani, reforma dhe takva (druajtja ndaj Zotit)

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Pjesë të shkëputura nga ky fjalim)

kurani takva agjerimiO ju që besuat! Ju obligohen agjërimet ashtu siç u ishin obliguar atyre që ishin para jush, që të keni takva (druajtje ndaj Zotit). (Kurani Famëlartë 2:184)

Në këtë ajet, Zoti i Madhërishëm na ka tërhequr vëmendjen për diçka që do të na përmirësojë jetën dhe ahiretin, dhe ajo është “që të keni druajtje ndaj Zotit. Kështu, agjërimet janë të rëndësishme jo sepse ato kanë qenë edhe në fetë para Islamit por sepse ato ju mundësojnë druajtje ndaj Zotit, që të shpëtoni nga të këqijat.

Qëllimi i agjërimit është takva (druajtje ndaj Zotit)

Çfarë është agjërimi? Agjërimi është që të hiqni dorë për një muaj për hir të Zotit të Madhërishëm nga gjërat që në ditë të tjera janë të lejuara për ju. Andaj, kur njeriu tregohet i gatshëm të heqë dorë për hir të Zotit nga gjërat e lejuara në këtë muaj, nuk është e mundur që ai të përfshijë në gjërat e ndaluara. Nëse nuk agjërojmë me shpirtin që, pëlqimit të Zotit t’i japim përparësi dhe gjatë këtyre ditëve të vetëdijesohemi për t’u larguar nga gjërat që na ka ndaluar Zoti i Madhërishëm e të zbatojmë porositë e Tij, agjërimet tona do të jenë të padobishme.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

Zotit nuk i duhet aspak që ju të mbeteni pa bukë.

Qëllimi i agjërimit është që ju të fitoni takvanë, druajtjen ndaj Zotit. Na është ofruar një muaj për stërvitje, prandaj, shtojeni druajtjen tuaj. Kjo druajtje do t’ju rrisë edhe standardin e mirësive tuaja, do t’ju japë edhe forcën të bëni mirësi të vazhdueshme, do t’ju mundësojë edhe afrimin me Zotin dhe po ashtu, do t’ju sigurojë edhe faljen e mëkateve të mëparshme.

Njëherë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

Ai që agjëron gjatë muajit të Ramazanit, duke pasur besim dhe duke bërë kontroll të vetvetes, atij i falen gjynahet e mëparshme.

Kështu që, kur dikujt i falen gjynahet e mëparshme dhe ai vendoset në takva, ai padyshim që ka korrur sukses në arritjen e qëllimit të Ramazanit, madje, ai ka arritur qëllimin e jetës së tij. Kjo është njëra prej dobive të takvasë, që përmendet edhe në Kuranin Famëlartë:

kurani takvaKini druajtje ndaj Allahut, o të mençur, që të keni sukses! (Kurani Famëlartë 5:101)

A ka ndonjë që nuk dëshiron të ketë sukses? Sukseset e kësaj bote në këtë botë do të mbesin. Ndërsa suksesi i vërtetë është ai që e përfshin edhe këtë botë, edhe botën tjetër dhe për të Allahu i Madhërishëm thotë – O të mençur! Dëgjoni se ai sukses vjen nga takva!

Sot, në emër të fesë, disa të ashtuquajtur dijetarë i nxisin muslimanët të bëjnë punë të tilla, që janë në kundërshtim të hapët me pëlqimin e Zotit të Madhërishëm, sepse ata janë larg takvasë. Në të njëjtën kohë, muslimanët ahmedianë janë ata fatlumë që e kanë pranuar Imamin e kohës, shërbëtorin e sinqertë të Profetit Muhammed s.a.v.s., i cili na ndriçoi edhe rrugët më të imta të Islamit.

Çfarë është takva? Si arrihet ajo? Çfarë pritshmërie ka pasur Mesihu i Premtuar a.s. në lidhje me këtë nga anëtarët e Xhematit të tij? Për të kuptuar përgjigjet e këtyre pyetjeve, kam zgjedhur disa citate nga shkrimet e Mesihut të Premtuar a.s., që do t’jua paraqes sot. Këto fjalë me plot dritë na shtojnë besimin, na vendosin në takva dhe na japin një kod për të arritur takvanë gjatë muajit që po kalojmë.

Takva është rrënja e çdo mirësie

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Takva nuk është diçka e vogël. Përmes saj njeriu mund të luftojë kundër të gjithë djajve, të cilët pushtojnë çdo forcë dhe aftësi të brendshme të njeriut. Të gjitha këto forca kur janë në gjendjen e nefsit amarah (nefsi që nxit për të keqen), janë djaj brenda njeriut. Nëse këto nuk reformohen, e robërojnë njeriun. Edhe dija dhe mendja shndërrohen në djall, nëse nuk përdoren siç duhet. Detyra e njeriut me takva është që t’i shtrojë e t’i ekuilibrojë ato dhe të gjitha forcat e tij të tjera.

Kush e ka takvanë? Ai që arrin t’i përdorë këto forca, duke përfshirë edhe dijen, edhe mendjen. E nëse nuk i përdor ato siç duhet, ato e dëmtojnë dhe e afrojnë me djallin.

Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Tema e takvasë është shumë e thellë. Përvetësoni takvanë! Le të vë rrënjë madhështia e Zotit në zemrat tuaja! Ai që ka qoftë një grimë dukje në veprat e tij, Zoti i Madhërishëm do t’ia kthejë veprat dhe do t’ia përplasë në fytyrë.

Pra, nuk duhet të kemi elementin e dukjes në asnjë vepër që bëjmë, qoftë në adhurim, qoftë në recitimin e Kuranit, qoftë në agjërim ose në cilëndo vepër qoftë, përndryshe veprat tona nuk do të jenë për hir të Zotit dhe Mesihu i Premtuar a.s. thotë se njeriu i tillë nuk ka mundësi të ketë takva. Ai vijon:

Për shembull, nëse ju akuzon dikush duke thënë – Pse ma vodhe stilolapsin?, ju mos u zemëroni. Vetëpërmbajtja juaj le të jetë për hir të Zotit! Mos nxirrni egon tuaj edhe për gjëra të vogla, përkundrazi, përshtatini veprat tuaja me pëlqimin e Zotit. Zemërimi juaj ka qenë sepse nuk keni synuar kahun e të Vërtetit, por kahun e vetvetes. Njeriu nuk mund të përvetësojë takvanë, derisa nuk sjell me të vërtetë disa lloj vdekjesh në jetën e tij.

Edhe mrekullitë dhe shpalljet janë degë të takvasë. Thelbi është takva. Prandaj, mos u jepni pas shpalljeve dhe ëndrrave, por angazhohuni për ta arritur takvanë. Shpalljet dhe ëndrrat e një njeriu që nuk ka takva, janë të pavlefshme. Djalli ka pjesë në to. Mos vlerësoni takvanë e dikujt për shkak të ilhameve (shpalljeve) të tij, përkundrazi, ilhamet e tij vlerësojini në bazë të nivelit të tij të takvasë.

Lëreni mënjanë çdo punë dhe më së pari ngjitni në shkallët e takvasë

Takva njihet në çështjet e imëta, siç edhe Mesihu i Premtuar a.s. ka dhënë shembullin e një njeriu që zemërohet për gjëra të vogla. Të kesh këtë lloj zemërimi, të dëmtosh të tjerët për shkak se ty ta mori të drejtën ai etj., këto janë shenjë e mungesës së takvasë. Nëse njeriu nuk është i përmbajtur në këto gjëra, le të thotë një milionë herë se i vijnë ëndrra të vërteta etj., ai nuk ka të drejtë. Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Lëreni mënjanë çdo punë dhe më së pari ngjitni në shkallët e takvasë. Provojeni standardin e profetëve në jetën tuaj. Profetët që kanë ardhur, që të gjithë synuan t’u tregonin njerëzve rrugët e takvasë.

Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë thotë:

kurani takva“Miqtë e Zotit në të vërtetë janë vetëm ata që kanë takva”. (Kurani Famëlartë 8:35)

Kurani Famëlartë ka zbuluar rrugët më të imëta të takvasë. Profeti i përsosur kërkon umetin e përsosur. Ngaqë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte Vula e profetëve, atij i janë përsosur përsosmëritë e profetësisë. Kur atij i janë përsosur nivelet e profetësisë, ai është quajtur Vula e profetëve. Andaj, kushdo që dëshiron ta kënaqë Zotin e Madhërishëm, të shohë mrekulli dhe momente të jashtëzakonshme, le ta bëjë të jashtëzakonshme jetën e vet!

Kështu që, kemi nevojë të sjellim këtë revolucion në jetën tonë. Nëse jemi besimtarë të Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe jemi pjesë e umetit të tij, duhet ta ndjekim modelin e tij. Dhe modeli i tij karakterizohet pikërisht nga forcimi i lidhjes me Zotin dhe krijimi i takvasë së vërtetë në jetë.

Duke treguar se rrënja e çdo të mire është takva, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Çfarë do të thotë takva?

Përvetësoni takvanë, sepse ajo është rrënja e çdo gjëje. Takva do të thotë të ruhesh edhe nga gjynahet më të vogla. Takva do të thotë t’i shmangesh edhe asaj pune, për të cilën vetëm dyshon se mund të jetë e keqe.

Shembulli i zemrës është si një lumë i madh, prej të cilit rrjedhin lumenj të vegjël, të cilët i quajmë edhe përroi etj. Prej lumit të zemrës dalin lumenj të vegjël, siç është gjuha etj. Nëse lumi i vogël është i ndotur, dyshohet se edhe uji i lumit kryesor është i ndotur. Prandaj, nëse shikoni dikë që gjuha, duart, këmbët dhe organet e tij të tjera janë të dëlira, kuptojeni se ai edhe zemrën e ka të dëlirë. Dhe nëse dikush e ka të ndyrë gjuhën, që nuk heq dorë nga grindjet dhe sharjet edhe gjatë agjërimit, dhe ai vepron keq, atëherë dijeni se ai edhe zemrën e ka të papastër dhe ai gjendet larg takvasë.

Duke theksuar se jetën duhet ta kalojmë në thjeshtësi dhe përulësi, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Një ndër kushtet për të pasur takvanë është që të kaloni jetën me thjeshtësi dhe përulësi. Kjo është një degë e takvasë, me të cilën mund të luftojmë kundër zemërimit të panevojshëm. Zemërimi në kohën dhe në masën e duhur është i lejuar, por ruhuni nga zemërimi dhe grindjet në gjëra të vogla. Për të sinqertët dhe njohësit e mëdhenj të Zotit sprovën e vështirë dhe të fundit është pikërisht zemërimi.

Mendjemadhësia dhe mburrja vijnë nga zemërimi dhe po ashtu ndodh edhe anasjelltas.

Nëse njeriu përvetëson thjeshtësinë dhe përulësinë, ka më pak gjasa që ai të zemërohet. Vërejmë se zemërimi sot është bërë një shkak kryesor i shkatërrimeve, si në jetën familjare, ashtu edhe në shtresa të tjera të shoqërisë. Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Njeriu zemërohet atëherë kur vetes i jep përparësi ndaj tjetrit. Nuk dua që anëtarët e Xhematit tim të quajnë njëri-tjetrin të madh a të vogël, të mburren para njëri-tjetrit ose të shpërfillin njëri-tjetrin. Zoti e di se kush është i madh dhe kush është i vogël. Ai që nënçmon të tjerët, ka rrezik që fara e nënçmimit vetë atë do shkatërrojë. Disa njerëz tregojnë shumë respekt kur takohen me njerëzit e mëdhenj, por i madh është ai që edhe të varfrin e dëgjon duke u sjell si i varfër, duke e ngushëlluar, duke ia respektuar fjalën dhe duke mos thënë asnjë fjalë të mërzitshme që mund ta lëndojë atë. Allahu i Madhërishëm thotë:

kurani takvaMos thirrni njëri-tjetrin me nofka (të këqija). Sa e shëmtuar është njolla e pabindshmërisë pas besimit! Ata që nuk pendohen, janë dhunues. (Kurani Famëlartë 49:12)

 Nënçmimi i të tjerëve duke i thirrur me nofka të këqija është punë e të pafeve dhe të pabindshmve. Ai që bën qesëndi me dikë, nuk do të vdesë derisa ai vetë nuk pëson të njëjtën gjë. Mos nënçmoni vëllezërit tuaj. Për sa kohë që pini nga i njëjti burim, kush mund të thotë se kush e ka riskun të pijë më shumë ujë. Askush nuk bëhet i nderuar me kriteret e kësaj bote. Te Zoti vetëm ai është i nderuar që ka takva.

Tek Allahu, më i nderuari mes jush është ai që ka më shumë takva. Sigurisht, Allahu është i Gjithëdijshëm, i Gjithinformuar. (Kurani Famëlartë 49:14)

Duke treguar se kush e ka takvanë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Libri i Zotit thotë se takva (druajtje ndaj Tij) kanë ata që ecin të durueshëm dhe të përulur, që nuk flasin me arrogancë, madje flasin siç flet një i vogël me të madhin.

Pavarësisht se mund të jenë të pasur apo të varfër, nëse e kanë takvanë, ata gjithmonë flasin me përulësi.

Me çdo kusht, ne duhet të bëjmë atë që na sjell sukses. Askush nuk mund ta ketë monopol Zotin e Madhërishëm. Zoti veçanërisht kërkon takvanë. Ai që e përvetëson takvanë, do të arrijë gradën e lartë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ose Hazret Ibrahimi a.s. nuk e kanë pasur pozitën të trashëguar. Edhe pse ne besojmë se babai i nderuar i Profetit Muhammed s.a.v.s., Abdullahu nuk ka qenë idhujtar, por ai nuk ia kishte dhuruar profetësinë. Profetësia e tij ishte bekimi i Allahut për shkak të sinqeritetit që kishte ai në natyrën e tij.

Edhe Hazret Ibrahimi a.s. që njihet si babai i profetëve, nga takva dhe sinqeriteti arriti të tregohej i gatshëm edhe për ta flijuar të birin e vet. Pastaj edhe për vete pranoi që ta hedhin në zjarr. Shikoni vërtetësinë dhe besnikërinë e Udhëheqësit dhe Prijësit tonë, Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s., që ai i bëri ballë çdolloj vështirësie. Hoqi çdolloj shqetësimi, por nuk reshti. E tillë ishte vërtetësia dhe besnikëria e tij, për shkak të të cilave, Zoti e bekoi. Ky ka qenë modeli i tij që edhe ne duhet ta ndjekim.

Duke treguar se si mund të arrijmë urtësinë dhe largpamësinë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Urtësia dhe largpamësia e vërtetë nuk arrihet pa u lidhur me Zotin e Madhërishëm. Për këtë arsye thuhet:

“Druhuni nga largpamësia e besimtarit, sepse ajo shikon përmes dritës hyjnore!”

Dhe kjo urtësi nuk arrihet, derisa nuk arrihet takvaja. Nëse doni të keni sukses, mendohuni dhe reflektoni. Kurani Famëlartë shpesh na porosit të reflektojmë.  Allahu i Madhërishëm për Kuranin në një ajet thotë:

kurani takva“Ruhet në një libër të mbyllur” (Kurani Famëlartë 56:79)

Për këtë arsye, juve ju duhet ta lexoni me vëmendje librin e Allahut, ta lexoni edhe përkthimin, edhe komentimin dhe të reflektoni.

Sidomos gjatë ramazanit, kur recitohet më së shumti Kurani Famëlartë dhe mbahen edhe ders etj.

Kur do t’ju pastrohen zemrat dhe njëherësh do të filloni të përdorni mendje të zbardhur dhe të filloni të ecni në rrugët e takvasë, të gjitha këto bashkë do t’ju krijojnë gjendjen kur shpirti juaj vetvetishëm të shprehë:

kurani takva“O Zoti ynë! Nuk i ke krijuar kot këto gjëra. I Shenjtë je Ti! Prandaj, na shpëto nga ndëshkimi i zjarrit!”

Kjo si britmë do të dalë nga zemra juaj. Atëherë do të kuptoni se krijesat nuk përbëjnë qëllimin kryesor, por Krijuesi dhe se Ai ka krijuar dukuri dhe dije nga më të ndryshmet për ta mbështetur fenë e Tij.

Mjerisht dija dhe mendja e sotme e bëjnë njeriun të largohet nga Zoti, kjo tregon se njerëzit e sotëm që thonë se nuk ka Zot, e thonë sepse u është verbuar shikimi i besimit dhe edhe Zotin dëshirojnë ta matin vetëm me kriteret materiale të kësaj bote, po ashtu edhe fetë e tyre janë vjetruar.

Studimi i Kuranit e bën njeriun të shtohet në takva dhe t’i kushtojë vëmendjen lavdërimit të Zotit. Sa më shumë të shtohet në takva, aq më qartë e shikon Zotin. Njeriu me takva e shikon madhështinë e Zotit edhe në lartësinë malit, edhe në greminat thepisura, edhe në lumenjtë edhe në detet, edhe në diellin, edhe në hënën dhe yjet. Besimtari i vërtetë nuk e ndjek vetëm retorikën boshe, por krijon kontakt me Zotin dhe prej Tij fiton dritë.

Kështu që, gjatë agjërimeve kemi nevojë ta kërkojmë këtë dritë dhe ta shtojmë atë në jetën tonë. Qëllimi i Ramazanit është të pakësojmë ushqimin material dhe të shtojmë ushqimin shpirtëror. Për këtë, Mesihu i Premtuar a.s. thekson që secili nga ne të përqendrohet në pastrimin e nefsit, të dëlirësojë aftësitë dhe forcat e veta. Ai thotë se nëse doni të përdorni sa më shumë aftësitë tuaja, atëherë duhet t’i dëlirësoni ato dhe kjo dëlirësia vjen pikërisht nga takvaja që duhet ta arrijmë.

Duke treguar se nëse doni ta ndihmoni Islamin, së pari përvetësojeni takvanë dhe pastërtinë dhe se Islamin nuk e ndihmoni dot thjesht me fjalë, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Mënyra për t’i shërbyer Islamit

Do t’i kthehem sërish temës kryesore, pra porosisë së Kuranit ku thotë:

kurani takva“Këshilloni njëri-tjetrin për durim dhe qëndroni të gatshëm duke ruajtur kufijtë!” (Kurani Famëlartë 3:201)

Domethënë ashtu siç është e domosdoshme që kalorës të rrinë gati në vijën kufitare që armiku të mos e shkel kufirin, edhe ju duhet të qëndroni në gatishmëri që armiku, duke shkelur kufirin, të mos jua dëmtojë Islamin.

Ju kam thënë edhe më përpara që së pari përvetësoni takvanë dhe dëlirësinë, nëse doni të ndihmoni Islamin e t’i shërbeni atij, sepse me anë të tyre ju do të hyjni në kështjellën e pathyeshme të mbrojtjes së Allahut të Madhërishëm. Atëherë do të keni mundësi të gëzoni të drejtën për këtë shërbim.

Ju po e shikoni se sa shumë që është dobësuar forca e jashtme e muslimanëve. Popujt i shohin me urrejtje e përbuzje. Nëse ju dobësohet edhe forca juaj e brendshme, pra ajo e zemrës, dijeni se keni marrë fund. Pastrojeni veten tuaj në atë mënyrë që fuqia hyjnore të mund të depërtojë në ju dhe ju të bëheni të fortë e mbrojtës si kuajt kufitarë. Bekimi i Allahut të Lartësuar shoqërohet vetëm me ata që kanë takva dhe që janë të sinqertë.

Mos i prishni virtytet dhe sjelljet tuaja në atë mënyrë që ato të njollosin Islamin. Me muslimanët që janë të ligj dhe që nuk e ndjekin mësimin e Islamit, njolloset Islami. Një musliman pi alkool, dehet dhe zdërhallet nëpër qoshe, vjell nëpër skuta, çallma e kokës i bie në qafë, e rreh policia, e qeshin hindutë dhe të krishterët. Kjo sjellje e tij kundër besimit, bëhet shkak jo vetëm i përbuzjes së tij por fshehtas e ndikon edhe Islamin.

Këto ditë, një grup muslimanësh ose qoftë individë ekstremistë bëjnë vepra të dhunshme, dhe askush nuk thotë se ata njerëz i bëjnë ato vepra, por thonë se muslimanët i bëjnë, pra e njollosin Islamin, me demek se Islami ua mëson gjëra të tilla. Kështu që, Mesihu i Premtuar a.s. thotë se çdo lëvizje e gabuar juaja do t’u jap shans kundërshtarëve që Islamin ta marrin nëpër gojë. Ai vijon:

Më dhimbset shumë kur lexoj lajme të tilla ose kur lexoj raportet e burgjeve sepse shoh se sa shumë muslimanë kanë përfunduar aty për shkak të ligësive të tyre. Më shqetësohet zemra tejmase, duke menduar se si këta njerëz që gëzonin rrugën e drejtë, për shkak të padrejtësive të tyre jo vetëm që e dëmtuan vetveten por u bënë shkak edhe i përbuzjes ndaj Islamit…

Pra, e kam fjalën që muslimanët, duke u quajtur muslimanë, kur përzihen me gjithfarë punësh të papëlqyera e të ndaluara, vihet në pikëpyetje jo vetëm nderi i tyre, por edhe ai i Islamit. Prandaj, virtytet dhe sjelljet tuaja rregullojini në atë mënyrë saqë mohuesit asnjëherë të mos gjejnë rastin t’ju kritikojnë, kritikë e cila në të vërtetë i drejtohet Islamit.

 

Duke treguar përbërësit e takvasë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Takvaja ka shumë përbërës. Të ruhesh nga vetëpëlqimi, mendjemadhësia, vetëlavdërimi, pasuria e ndaluar dhe nga veset. Ai që shfaq virtyte të mira, edhe armiku i bëhet mik. Zoti i Madhërishëm thotë:

kurani takvaLargoje të keqen me të mirë! (Kurani Famëlartë 41:35)

Mendoni pak se çfarë na mëson ky ajet. Në këtë ajet, Zoti ju porosit që nëse dikush edhe sikur t’ju shajë, nuk duhet t’i përgjigjeni me sharje, por ta duroni. Rrjedhimisht, ai do të bindet për pozitën tuaj dhe do të pendohet. Ky ndëshkim do të jetë shumë më i madh se sa ai që mund t’ia jepni me gjymtyrë tuaj. Njerëzit edhe për gjëra fare të vogla shkojnë gjykatë duke bërë padi për tentativë vrasje, por kjo nuk është vlera e njeriut dhe takvaja nuk ju kërkon një gjë të tillë. Mirësjellja është një xhevahir kaq i paçmueshëm saqë ndikon edhe njeriun më të dëmshëm. Sa bukur ka thënë njëri:

Sillu me butësi, sepse edhe të panjohurit do të të bëhen të njohur.

Duke treguar se njeriu duhet të interesohet për dëlirësinë dhe takvanë, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Gjëja më e rëndësishme është që njeriu duhet të interesohet për dëlirësinë dhe takvanë dhe të kërkojë rrugët e fatbardhësisë, vetëm atëherë mund të ndodhë diçka. Zoti thotë:

Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa populli nuk e ndryshon gjendjen e vet. (Kurani Famëlartë 13:12)

Paragjykimi i panevojshëm dhe zmadhimi i çështjeve janë gjëra të kota. Më e rëndësishmja është që njerëzit të kthehen nga Zoti, të falin namazin, të japin zekatin dhe të ruhen nga nëpërkëmbja e të drejtave të tjerëve.

Dihet që nganjëherë kur dikush bën një ligësi, e njollos gjithë shtëpinë. Andaj, ruhuni nga ligësitë sepse ato ju shkatërrojnë. Nëse fqinji juaj ju paragjykon, përpiquni t’ia largoni paragjykimin duke e këshilluar.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. thotë se lutja që bëhet përpara se të zër vështirësia, do të pranohet, sepse gjatë vështirësisë të gjithë luten dhe kthehen tek Zoti. Fatbardhësia është që të lutesh atëherë kur je në paqe.

Ngjarje besimnxitëse e Abdul Kadir Gjilanit

Duke treguar se si ndikon takvaja e njeriut te të tjerët dhe se Zoti nuk i shkatërron ata që kanë takva, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Lexova në një libër një ngjarje rreth Hazret Sejid Abdul Kadir Gjilanit, Allahu e mëshiroftë, i cili ka qenë njeri i madh. Ai ishte shumë i dëlirë. Një herë ai i tha nënës së vet:

“Nuk e duroj dot këtë botë dhe dëshiroj të gjej ndonjë prijës që të më tregojë rrugën e qetësisë”.

E ëma kur e pa që nuk e kishte më në dorë të birin, ia pranoi kërkesën dhe i tha:

“Mirë, po të ndaj bir”.

Duke i thënë këto fjalë, u fut brenda dhe solli tetëdhjetë monedha që kishte kursyer dhe i tha:

“Sipas sheriatit, dyzet monedha prej këtyre tetëdhjetëve të takojnë ty dhe dyzet të tjera vëllait tënd të madh. Prandaj, po t’i jap në të holla dyzet monedha”.

Këto ajo ia qepi në pallton e tij nën sqetull duke i thënë t’i nxirrte kur të mbërrinte në ndonjë vend me paqe e t’i përdorte në rast nevoje. Sejid Abdul Kadir Gjilani r.a. i kërkoi nënës që t’i jepte ndonjë këshillë. Ajo iu përgjigj:

“Bir! Kurrë mos gënje! Do të kesh shumë bereqet”.

Me të dëgjuar këtë, ai u nda nga e ëma. Në pyllin që do të kalonte, rastësisht gjendeshin disa kusarë, të cilët rrinin gati për të plaçkitur udhëtarët. Nga larg e panë edhe Sejid Abdul Kadirin r.a.. Iu afruan dhe e pandehën për një lypsar.

Njëri e pyeti me tallje: “Po ti, a ke ndonjë gjë?” Ai sapo kishte marrë mësimin prej së ëmës se gjithnjë të thoshte të vërtetën. Menjëherë iu përgjigj: “Po, dyzet monedha që i kam të qepura në sqetull në xhup”. Kusari mendoi se edhe ai po i tallej. E pyeti kusari tjetër, dhe edhe atij kështu iu përgjigj ai. Kështu që, të gjithë e pyetën dhe të gjithëve Sejid Abdul Kadir Gjilani r.a. ua ktheu të njëjtën përgjigje.

E kapën dhe e çuan te kryetari i tyre dhe kur Sejid Abdul Kadir Gjilani r.a. edhe atij dha të njëjtën përgjigje, ai tha: “Mirë, kontrollojeni”. Panë se me të vërtetë kishte dyzet monedha. Ata u çuditën sepse asnjë herë nuk kishin parë një njeri të tillë. Kryetari e pyeti: “Përse na tregove se ke kaq shumë para”. Ai tha: “Unë kam dalë në kërkim të besimit në Zotin e Madhërishëm dhe gjatë nisjes nëna më këshilloi që të mos flisja kurrë gënjeshtër. Si do ta shkelja porosinë kur pikërisht kjo ishte sprova e parë?!”

Sjellja e tij e përloti kryekusarin dhe ai para gjithë kusarëve u shpreh me pikëllim: Unë asnjëherë nuk kam zbatuar ndonjë porosi të Zotit. Por fjalët dhe qëndrueshmëria e këtij djaloshi më kanë shkundur. Nuk dua të bashkëpunoj me ju dhe dua të pendohem”. Me të dëgjuar këtë, edhe kusarët e tjerë zgjodhën rrugën e pendesës.

………..

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

Xhemati ynë, shqetësimin më të madh nga të gjitha shqetësimet, le ta ketë se a kanë takva apo jo.

Duke folur rreth frikës ndaj Zotit, ai thotë:

Frika ndaj Zotit qëndron atëherë kur njeriu ka parasysh se fjala dhe vepra e tij a përputhen apo jo. Nëse shikon se fjala dhe vepra e tij nuk përputhen, le ta dijë se ai është shënjestër e zemërimit të Zotit. Sado të pastër ta ketë fjalën njeriu, nëse zemrën nuk e ka të pastër, ai nuk vlerësohet te Zoti, madje ai ngacmon zemërimin e Zotit!

Zoti na ruajt të gjithë ne nga kjo!

Xhemati im le të kuptojë se ata kanë ardhur tek unë që të bëhet mbjellje. Pas kësaj mbjelljeje, ata do të bëhen një pemë e madhe frutdhënëse. Prandaj, çdokush le të reflektojë sesi e ka brendësinë e vet.

Nëse edhe Xhemati ynë, larg qoftë, është i tillë që ka diçka tjetër në gjuhë dhe diçka tjetër në zemër, nuk do ta shikojë fundin e mirë. Allahu i Madhërishëm është i Pavarur dhe i Vetëmjaftueshëm. Prandaj, kur shikon se një xhemat i caktuar vetëm flet, Ai nuk interesohet për të.

Në betejën e Bedrit, Zoti i kishte dhënë Profetit paraprakisht lajmin e mirë të fitores, megjithatë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. lutej duke qarë. Hazret Ebu Bekri r.a. e pyeti:

“Nëse Zoti ju ka siguruar se do të kemi ne fitoren, çfarë nevoje ka për të qarë kaq shumë?”

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

Ai është i Pavarur dhe mundet që premtimi i Zotit të ketë edhe kushte të fshehta.

Pra, edhe për ne kjo pikë është për të reflektuar. Padyshim që edhe me Mesihun e Premtuar a.s. Zoti i Madhërishëm ka bërë premtime për përparime, suksese dhe fitore, por që të jemi pjesë të tyre, neve na duhet të bëjmë analizën tonë.

Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Xhemati ynë ka nevojë për takva në veçanti, sepse ata bënë bejtin në dorën e një njeriu, i cili ka deklaruar të jetë prej Zotit, në mënyrë që të shpëtojnë nga shirkët, mëritë dhe ligësitë dhe të shkëputen nga bota materiale. Ju e dini se kur dikush sëmuret, qoftë me ndonjë sëmundje të vogël apo të madh, nëse nuk mjekohet dhe nuk shqetësohet, ai nuk shërohet. Një njollë e zezë që shfaqet në fytyrë e shqetëson tejmase atë dhe ia fut frikën se njolla mund të zmadhohet dhe mund ta përfshijë të gjithë fytyrën.

Në të njëjtën mënyrë ekziston edhe njolla e mëkatit. Edhe ajo është e zezë dhe e vogël që shfaqet në zemër. Këto njolla të vogla nga pakujdesia bëhen të mëdha. Mëkati i vogël është e njëjta njollë e zezë e vogël, e cila duke u zmadhuar, ia nxin gjithë fytyrën.

Zoti na bëftë që gjatë atmosferës së veçantë të Ramazanit, të përvetësojmë takvanë sipas porosisë së Tij dhe të bëhemi anëtarë të denjë të xhematit të Mesihut të Premtuar a.s.! Qofshim ndër ata që përpiqen të ruhen nga çdo ligësi dhe çdo vepër të tyre e përshtatin me pëlqimin e Zotit.  të dalim kaq të pastër nga ky muaj, saqë mëkatet tona edhe të voglat edhe të mëdhatë kurrë të mos na kthehen! Allahu na e mundësoftë këtë!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem