Çfarë është agjërimi i Ditës së Ashurasë?
Çfarë do të thotë ashura?
Fjala ashura vjen nga numërori ashare, që do të thotë dhjetë. Ashura i referohet datës 10 të muajit muharrem, ditën kur Profeti Muhammed s.a.v.s., madje sipas disa rrëfimeve, edhe mekasit, agjëronin. Agjërimi i ashurasë (ose agjërimi i ashurës) nuk përmendet në Kuranin e Shenjtë, por vetëm në hadithe. Gjithashtu, për shkak të disa mospërputhjeve në hadithe, nuk është e qartë se Profeti Muhammed s.a.v.s. a agjëroi ditën e ashurasë vetëm në Medinë, apo kishte agjëruar edhe në Mekë. Sidoqoftë, agjërimi i ditës së ashurasë është një agjërim jo i obliguar.
Kur është dita e ashurasë?
Dita e ashurasë është më 10 muharrem të kalendarit islamik. Gjatë vitit 2020, në trojet shqiptare, 10 muharremi është më 29 gusht, ditën e shtunë.
A është obligim agjërimi i ditës së ashurasë?
Profeti Muhammed s.a.v.s. agjëroi dhe porositi edhe sahabët të agjëronin ditën e ashurasë, përpara se të obligohej muaji i Ramazanit. Për këtë arsye, agjërimi i ditës së ashurasë konsiderohet si një agjërim nafil dhe jo i obliguar.
Hazret Ajshja r.a. thotë se kurejshët (mekasit) edhe para Islamit (në kohën e xhahilijetit) agjëronin ditën e ashurasë dhe se edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s., përpara se të caktohej si Profet, agjëronte këtë ditë. Kur ai erdhi në Medinë, agjëroi edhe vetë dhe gjithashtu porositi edhe të tjerët të agjëronin ditën e ashurasë. Më pas, kur u obligua Ramazani, ai e la agjërimin e ditës së ashurasë, atëherë kush donte agjëronte, kush nuk donte nuk agjëronte agjërimin e kësaj dite.[1]
Allahu shpëtoi Hazret Musain a.s. dhe Bijtë e Izraelit nga Faraoni ditën e ashurasë
Në një rrëfim tjetër që rrëfen Hazret Ebu Hurejre r.a., thuhet:
“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kaloi pranë disa hebrenjve, të cilët kishin agjëruar ditën e ashurasë. Profeti s.a.v.s. i pyeti se çfarë agjërimi është ky?
Hebrenjtë iu përgjigjën
– Këtë ditë Allahu i Madhërishëm shpëtoi Musain dhe Bijtë e Izraelit nga mbytja kurse Faraonin e fundosi dhe po këtë ditë edhe Arka e Nuhut u ndal në malin Xhudiije. Atëherë, Nuhu a.s. dhe Musai a.s. agjëronin këtë ditë për të falënderuar Allahun e Madhërishëm.
– Unë kam më shumë të drejtë të kem lidhje me Musain dhe prandaj më takon më shumë të agjëroj këtë ditë, u tha Profeti Muhammed s.a.v.s..
Më pas, Profeti Muhammed s.a.v.s. agjëronte ditën e ashurasë dhe porosiste edhe sahabët e tij të agjëronin këtë ditë.”[2]
Ky hadith me disa ndryshime të vogla vjen edhe në Buhari[3], edhe në Muslim.[4] Ne do të sjellim vetëm rrëfimin e Buhariut:
Hazret Ibni Abasi r.a. rrëfen: Kur Profeti Muhammed s.a.v.s. erdhi në Medinë, pa hebrenjtë që agjëronin ditën e ashurasë. Ai i pyeti
– Çfarë agjërimi është ky?
– Sot është ditë e mirë. Këtë ditë Allahu shpëtoi Bijtë e Izraelit nga armiku i tyre, dhe për këtë arsye Musai agjëronte këtë ditë, iu përgjigjën ata.
– Atëherë, unë kam më shumë të drejtë ndaj Musait sesa ju, u tha Profeti s.a.v.s. dhe agjëroi këtë ditë dhe porositi edhe të tjerët të agjëronin.[5]
Shkurt, agjërimi i ditës së ashurasë është praktikuar nga Profeti Muhammed s.a.v.s., por nuk është e qartë koha në të cilën ai e praktikoi, dhe gjithashtu, ky agjërim nuk është obligim, por nafil.
[1] Sahih Buhari, Kitabus-Seum, nr. i hadithit 2002.
[2] Musnedi i Ahmed bin Hanbelit, vëll. 2, f. 359-360, Bejrut.
[3] Sahih Buhari, Kitabus-Seum, nr. i hadithit 2004.
[4] Sahih Muslim, nr. i hadithit 2656.
[5] Sahih Buhari, Kitabus-Seum, nr. i hadithit 2004.