Si duhet të agjërojmë? Rregullat e agjërimit
Ramazani është muaji i mëshirës, me ardhjen e tij sjell një ndikim të madh shpirtëror. Prova e këtij realiteti është që çdo vit, shumë njerëz vendosin të agjërojnë.
Për ata që nuk dinë si të agjërojnë, në vijim ju tregojmë disa gjëra bazike rreth agjërimit.
Imsaku: Koha e fillimit të agjërimit
Kur të vendosni të agjëroni, gjeni një kalendar të Ramazanit ose të namazit qoftë, ku ndër të tjera të keni parasysh orarin e fillimit të agjërimit dhe të mbarimit të tij. Imsaku ose fillimi i agjërimit është ora, para sabahut, kur duhet të keni përfunduar së ngrëni. Pra, është koha kur ta mbaroni syfyrin. Dhe nga ky moment fillon agjërimi juaj.
Iftari: Koha e mbarimit të agjërimit
Në mbrëmje menjëherë pas perëndimit të diellit vjen koha e Iftarit. Në këtë moment, duke thënë lutjen e Iftarit, çelni iftarin, pra me emrin e Allahut të Madhërishëm të hani diçka ose të pini ujë.
Rregullat e agjërimit
Gjatë kohës kur jeni duke agjëruar, duhet të hiqni dorë nga ushqimi dhe pija dhe nga marrëdhëniet bashkëshortore prej sabahut (agimit të vërtetë) deri në perëndimin e diellit, me qëllim adhurimi ndaj Zotit të Madhërishëm. Nuk lejohet as duhani, kafe, çamçakizë etj., kur jeni duke agjëruar.
- Lexoni: Çfarë nuk e prish agjërimin?
A mund të pi ilaçe gjatë agjërimit?
Udhëtari dhe i sëmuri, sipas Kuranit të Shenjtë, nuk duhet të agjërojnë dhe ditët e paagjëruara t’i zëvendësojnë ndonjë herë tjetër gjatë vitit. Prandaj, nëse jeni me ilaçe, nuk duhet të agjëroni.
- Lexoni më shumë: Agjërimi gjatë udhëtimit ose sëmundjes?
Agjërimi për fëmijët
Nëse jeni nën-moshë, nuk duhet të agjëroni pa lejen e prindërve dhe, së dyti, nuk duhet të agjëroni gjithë muajin, por disa ditë të zgjedhura në varësi të moshës dhe të shëndetit tuaj.
Rregullat e agjërimit për femra
Gratë shtatzëna ose ato që kanë fëmijë me gji gjithashtu nuk duhet të agjërojnë. Po kështu, gratë nuk duhet të agjërojnë as gjatë ciklit menstrual të tyre, dhe këto ditë, t’i zëvendësojnë jashtë Ramazanit. Nëse ndonjë grua është duke agjëruar dhe i fillon cikli menstrual, ajo le të ndërpresë agjërimin, për të filluar prapë pas mbarimit të ciklit.
Çfarë duhet të themi para syfyrit?
Nuk ka ndonjë lutje të veçantë që duhet të thoni para syfyrit. Mjafton të keni synim në zemër që do të agjëroni. Hani syfyr duke përmendin emrin e Allahut, pra me Bismil-lah.
Lutje për Iftarin, pra gjatë mbarimit të agjërimit
Para se të çelni iftarin, bëni këtë lutje:
O Allah! Për Ty agjërova dhe me ushqimin Tënd po e çel iftarin!
Për çfarë po agjëroni?
Gjëja më e rëndësishme që duhet të dini si agjërues është arsyeja për çfarë po agjëroni. Zoti thotë në Kuranin e Shenjtë që arsyet e agjërimit janë:
- Që të fitoni druajtje ndaj Zotit, pra që të pastroheni shpirtërisht.
- Që të përqendroheni në bukën shpirtërore, duke pakësuar bukën fizike.
- Që të gëzoni momente të veçanta afrimiteti me Zotin dhe gjatë asaj kohe t’i drejtoheni e t’i luteni Atij.
- Që të krijoni dhembshuri për gjithë njerëzit e tjerë që janë krijesat e Zotit.
- Që të gëzoni shëndet, sepse agjërimi është mirë për ju.
Prandaj, gjatë agjërimit falni namazet, ruhuni jo vetëm nga ligësitë, por edhe nga gjërat e kota. Studioni Kuranin e Shenjtë. Lexoni ndonjë libër rreth besimit. Linqet më poshtë ju japin një material të pasur rreth çështjeve në fjalë.
- Komentim i ajeteve të ndryshme të Kuranit
- 10 argumente për ekzistencën e Zotit (Një libër i shkurtër, por mbresëlënës)
- Filozofia e mësimeve të Islamit (Për ata që duan të shohin mrekulli të jashtëzakonshme shpirtërore të Islamit)