Sa rekate ka namazi i teravive? 8 apo 20?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
sa rekate teravite

Namazi i teravive është namazi që muslimanët në të gjithë botën falin, kryesisht në xhami, menjëherë pas namazit të jacisë gjatë muajit të Ramazanit. Sa rekate ka ky namaz i veçantë, për këtë ka mendime të ndryshme. Disa e falin 8 rekate dhe disa edhe 20 rekate.

një artikull tjetër kemi shpjeguar që Profeti Muhammed s.a.v.s. falte namazin e tehexhudit ose namazin e natës dhe se në kohën e tij nuk është përdorur termi “namazi i teravive”. Ata që kanë të vështirë të ngrihen për këtë namaz, kanë mundësi të fitojnë bekimin e namazit të natës gjatë Ramazanit dhe dëgjimin e Kuranit Famëlartë, duke falur namazin e teravive.

Sa rekate falte Profeti s.a.v.s. në namazin e natës?

Kështu që, për namazin e natës së Profetit s.a.v.s., dikush e pyeti Hazret Ajshjen r.a., nënën e besimtarëve:

“Si ka qenë namazi i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. gjatë Ramazanit?

Ajo iu përgjigj:

Edhe gjatë Ramazanit, edhe jashtë tij, ai nuk falte më shumë se 11 rekate. Falte 4 rekate dhe mos pyet për bukurinë dhe zgjatjen e tyre. Pastaj sërish falte 4 rekate dhe mos pyet për bukurinë dhe zgjatjen e tyre. Pastaj falte 3 rekate. Një herë e pyeta:

O i Dërguari i Allahut! A fle përpara se të falësh namazin e vitrit?

Ai mu përgjigj:

“Sytë e mi flenë, por zemra ime nuk fle””.[1]

Në një hadith tjetër është sqaruar se 4 rekate do të thotë me dy selamë, pra nga dy plus dy.[2]

Ky rrëfim tregon se I Dërguari i Allahut s.a.v.s. si në Ramazan, ashtu edhe në muajt e tjerë, falte 11 rekate: 8 rekate nafile dhe 3 vitër.

Sa rekate falte Hazret Omeri r.a. në namazin e teravive ose namazin e natës?

Kemi shpjeguar në një artikull tjetër se namazin e teravive siç e shohim sot, e nisi Hazret Omeri r.a..

sa rekate teraviteShtrohet pyetja: po Hazret Omeri r.a., sa rekate falte në namazin e teravive? Mueta Imam Malik, që njihet si libri i parë i haditheve, sjell këtë rrëfim:

sa rekate teravite“Rrëfen Muhammed Ibni Jusufi, të cilit i rrëfeu Saib Ibni Jezidi, që tha: Hazret Omeri r.a. ngarkoi Obej Ibni Ka’abin dhe Temim Dariun r.a. që të udhëhiqnin 11 rekate namaz për njerëzit … gjatë Ramazanit”.[3]

Bashkë me Imam Malikun, ky rrëfim ka tre rrëfimtarë dhe që të tre janë të saktë.

Çfarë thotë Imami i kohës në lidhje me numrin e rekateve të teravive?

Imami i kohës, shërbëtori i vërtetë i Profetit Muhammed s.a.v.s., të cilin, Profeti s.a.v.s. e quan “Hakam” dhe “Adl”, pra, vendimtar dhe gjyqtar, tha:

“Praktika e përhershme e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ka qenë tetë rekate, të cilat ai i falte në kohën e tehexhudit, dhe pikërisht kjo praktikë është më e bekuara. Por lejohet ta falësh edhe në pjesën e parë të natës. Ka një rrëfim që tregon edhe këtë që ai e fali këtë namaz në pjesën e parë të natës. Për sa u përket njëzet rekateve, këto janë bërë më vonë. Praktika e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ka qenë ajo që ju tregova më lart”.[4]

Njëherë tjetër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nafilet i falte vazhdimisht. Shpesh ai falte 11 rekate: 8 nafile dhe 3 vitër. Herë këto i falte në një kohë të vetme e herë me pauza: pra i falte 2 rekate, paste flinte pak, sërish çohej dhe falte 2 rekate dhe sërish flinte. Kështu që, namazin e natës e falte pasi të flinte një herë, ashtu siç është bërë praktikë deri më sot, pasi që kanë kaluar 14 shekuj”.[5]

Si erdhi në dritë varianti i 20 rekateve?

Pavarësisht se vërtetohet pa asnjë kundërshtim se Profeti s.a.v.s. namazin e natës nuk e ka falur më shumë se 11 rekate dhe edhe Hazret Omeri r.a. ka porositur për të njëjtin numër rekatesh për namazin e teravive, vërtetohet që shumë tabi’inë (bashkëkohës të sahabëve të Profetit s.a.v.s.) falnin 20 rekate, madje disa prej tyre edhe 40, edhe pse në mënyrë individuale.

Nga kjo kuptojmë se ata që falin 11 rekate (8+3), synojnë ta ndjekin modelin e Profetit Muhammed s.a.v.s. sepse kështu na ka porositur Zoti në Kuranin Famëlartë, kurse ata që falin 20 rekate ose më tepër, mbase nisen nga mendimet:

  • Nuk gjejnë ndonjë porosi të formës së prerë që të mos falin më shumë se 11 rekate.
  • Synojnë të falin sa më shumë namaz nafile gjatë Ramazanit, kur vlera e çdo adhurimi është e shumëfishuar.
  • Synojnë të recitojnë a të dëgjojnë sa më shumë Kuranin Famëlartë.

Xhemati Musliman Ahmedia ndjek pikërisht modelin e Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe fal 11 rekate (8+3), por pa i kundërshtuar ata që falin më shumë se kaq. Hazret Maulana Nurudini, Kalifi i Parë i Mesihut të Premtuar r.a. tha:

“Gjatë Ramazanit të bekuar, duhet të falni teravitë dhe t’i falni me xhemat, sepse nuk ekziston më frika se ato do të bëhen të obligueshme. Dijetarët e hadithëve dhe ata të fikhut kanë shumë kundërshtime me njëri-tjetrin për sa u përket teravive. Ithëtarët e medh’hebit Maliki falin 36 rekate. Hanefitë 20 rekate. Por sipas dijetarëve të hadithëve nuk vërtetohet më shumë se 11 rekate. Edhe unë pëlqej të fal 11 rekate, por nuk kundërshtoj të tjerët”.[6]


[1] Buhariu, Kitabu Salatit-teravih, nr. i hadithit 2013.
[2] Buhariu, Kitab el-xhum’ah, bab ma xha’a fil-vitr.
[3] Mueta Imam Malik.
[4] Malfuzat, vëll. 5, botimi 2003, Rabvah, f. 436.
[5] Malfuzat, vëll. 3, botimi 2003, Rabvah, f. 213.
[6] Irshadat-e-Nur, vëll. 2, f. 489.

Related Questions by Topics
Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp