Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë:
“Robi që ngazëllehej me ardhjen e ramazanit dhe priste me padurim të agjërojë, por që nuk agjëroi dot për shkak të një sëmundjeje të papritur, tek Zoti nuk do të privohet nga shpërblimi i agjërimit. Mirëpo kjo botë ka dhe hileqarë që kujtojnë se mund të mashtrojnë Zotin ashtu sikur ata mashtrojnë të tjerët. Ata sajojnë disa arsyetime të rreme dhe i quajnë të mirëfillta justifikimet e tyre”.
Dallimi midis robërve të sinqertë dhe hileqarëve
Ekziston një dallim midis besimtarëve të sinqertë që e mirëpresin ramazanin me zemër të hapur, që të përfitojnë prej tij dhe njerëzve hileqarë që bezdisen nga ardhja e tij. Robërit e sinqertë kur hyjnë në ramazan, bëjnë çmos e çnuk për të agjëruar, dhe nuk lejojnë që justifikimet e sëmundjeve të papërfillshme t’u bëhen pengesë. Ndërkohë hileqarët nuk kënaqen me ramazanin, dhe mendja u gjen gjithfarë arsyesh për t’iu shmangur këtij obligimi. Dikush thotë që nëse agjëroj më vjen për të teshtirë apo më dhemb barku, ndërsa dikush ankohet për dhimbje koke a për ndonjë sëmundje tjetër. Pra, gjithfarë problemesh shëndetësore që ai kalon gati përditë, tashmë ia hedh në kurriz të ramazanit. Pastaj mëton me kokëfortësi që do t’i bindet vetëm Zotit dhe derisa Ai ka lejuar që të sëmurët të mos agjërojnë, atëherë kush mund ta detyrojë t’i kundërvihet Zotit. Por, po të këqyrni me kujdes, ai nuk agjëron kurrë përgjatë gjithë vitit. Po të ishte i sinqertë, me siguri do të agjëronte pas ramazanit, por të tillë njerëzish mbeten të privuar nga ramazani përgjatë gjithë jetës.
Ata që e përmbajnë veten nga agjërimi për hir të Zotit, për shkak të një arsye të mirëqenë, agjërojnë patjetër gjatë vitit. Ndërsa hileqarëve u ikën jeta duke mbrojtur motive të paqena.
Leximi i vëmendshëm i shkrimeve të Mesihut të Premtuar a.s. na zgjidh mjaft prej çështjeve të ndërlikuara. Ai shkruan
“Zoti e di mirë gjendjen e robit të sinqertë e besnik, të cilit i lëngon shpirti se po i ikën ramazani dhe ai nuk po agjëron dot. Zoti e shpërblen bujarisht sepse Ai ia çmon dhembjen shpirtërore robit të Tij”.
Nëse robit i lëngon shpirti për shkak të mosagjërimit në ramazan, kjo me siguri është një shenjë ogurbardhë që privimi i agjërimit nuk e ka privuar nga shpërblimi. Madje, Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë që këtyre robërve të brengosur, që pikëllohen për mosagjërimin, Zoti i shpërblen nganjëherë më shumë se agjëruesit.
Mëshira e njeriut ndaj vetes është mizori…
… Ata që nuk e përdëllejnë veten e tyre, i përdëllen Allahu, dhe pikërisht në këtë kuptim është përsëritur thënia لعلک باخع نفسک në Kuran. Mëshira dhe përdëllimi i njeriut ndaj vetes, është mizori e madhe. Nuk ka zullum më të madh se sa t’ia lehtësosh vetes vuajtjet. Mundohu t’i zbatosh porositë e Zotit me sa më shumë lehtësi por mos e privoni veten nga veprat e mira, me pretekstin e mëshirës ndaj vetes. Në e ndjek këtë rrugë, Allahu do t’ju mëshirojë dhe do t’ju shpërblejë.
Ata që kursejnë veten nga mundimi në rrugën e Allahut
Mesihu i Premtuar a.s. nënvizon këtë çështje duke thënë që
“Ata që kursejnë veten nga mundimi e vuajtja në rrugën e Allahut, Zoti i vë ata në mundime të tjera”.
Kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Disa persona hyjnë në radhën e besimtarëve dhe për sa i përket bindjes ata të tillë quhen, por ngaqë nuk hyjnë në brendësinë dhe thelbin e besimit, nuk mund të dallojnë një veprimtari të frytshme nga një lëvizje e rreme. Ata përdëllejnë veten për t’iu shmangur mundimeve, por në fakt e çojnë veten përballë mundimeve të tjera. Këta janë destinuar të heqin vuajtje të tjera…
Praktika e Allahut ka qenë gjithmonë e qartë dhe e shkoqitur në lidhje me Xhematin Musliman Ahmedia. Shumëkush duke u përballur këto vështirësi, frikësohet dhe tërhiqet nga sakrificat. Unë di disa raste, kur disa persona sajuan justifikime e arsyetime për të kërkuar lehtësi në kontributet financiare, në sakrificat apo në çështje të tjera, por si pasojë atyre u rëndua jeta nga fatkeqësitë dhe hallet e ndryshme. Çdo punë u shkon ters dhe vështirësitë i mbërthyen nga të gjitha anët, dhe u shkon jeta duke mjeruar.
Vështirësia në rrugën e Allahut është bekim
Por një ditë u zgjohet ndërgjegjja, dhe të njëjtat vështirësi shndërrohen në bekim. Në atë çast ata kuptojnë se çfarë po bënin, dhe përse jeta u ishte katandisur si mos më keq. Ata kuptojnë se nuk po u shmangeshin dot fatkeqësive, por po u shkonin pas tyre. Pastaj, kur betohen se më nuk do të bëjnë hile për veten e tyre, u ndryshon jeta tërësisht me një hov të paparë. Shumëkush më ka kallëzuar se më parë ishin munduar t’u shmangeshin vështirësive, por nuk ua dilnin dot. Ndërsa tani kur iu përveshën kësaj pune për hir të Zotit, për t’u bërë ballë vështirësive, ata po ecin përpara teksa vështirësitë po tërhiqen tutje dhe po tkurren. Atë që e kujtonin vështirësi nuk ishte e tillë. Ata që e kuptojnë këtë realitet Allahu ua lehtëson rrugën. Por vallë, sa të humbur janë ata që ende nuk e kanë kuptuar këtë.
Nëse u shmangeni vështirësive që ju dalin në rrugë të Zotit, sigurisht, ato do t’ju ngjiten nga pas dhe nuk do t’ju shqiten më në asnjë mënyrë. … Por, nëse qëndroni para këtyre mundimeve me guxim dhe hiqni çdo vuajtje që Zoti ju ka caktuar me vendosmëri, do të kuptoni se me të vërtetë ato nuk ishin mundime. Allahu ka caktuar që nëpërmjet kësaj rruge të mundimshme, të fitoni lehtësinë dhe mbarësinë. Kur do të hidhni hapa në këtë drejtim, Ai do t’ju krijojë lehtësi dhe do të heqë çdo vështirësi.
Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë: “Ata që hidhen në zjarr për hir të Zotit, Ai vetë i shpëton. Njeriu nuk duhet të tregohet i mëshirshëm ndaj vetes, por duhet ta arrijë atë shkallë që të tërheqë mëshirën e Zotit. Mëshira e njeriut ndaj vetes është humbje. Pra nëse i dhimbset jeta dhe ai mundohet të lehtësojë vuajtjet nga vetja, ai si pasojë i sjell keq vetes dhe ndjell mjerime, dhe kështu e shpie veten në xhehenem. Ata që tentojnë të ruhen nga zjarri në këtë botë, bëhen pre e zjarrit”.
Pra, ata që synojnë të ruajnë veten nga përvuajtja dhe mallëngjimi për Allahun, me siguri dergjen në një xhehenem tjetër.
(E shkëputur nga fjalimi i së xhumasë mbajtur nga Hazret Mirza Tahir Ahmedi r.a. (Allahu e mëshiroftë) Kalifi IV i Mesihut të Premtuar a.s. më 16 janar 1998)