Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Kurani Famëlartë dhe muaji i ramazanit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

شَہۡرُ رَمَضَانَ الَّذِیۡۤ اُنۡزِلَ فِیۡہِ الْقُرْاٰنُ ہُدًی لِّلنَّاسِ وَبَیِّنٰتٍ مِّنَ الْہُدٰی وَالْفُرْقَانِ ۚ فَمَنۡ شَہِدَ مِنۡكُمُ الشَّہۡرَ فَلْیَصُمْہُ ؕ وَمَنۡ کَانَ مَرِیۡضًا اَوْ عَلٰی سَفَرٍ فَعِدَّۃٌ مِّنْ اَیَّامٍ اُخَرَ ؕ یُرِیۡدُ اللہُ بِكُمُ الْیُسْرَ وَلَا یُرِیۡدُ بِكُمُ الْعُسْرَ ۫ وَ لِتُكْمِلُوا الْعِدَّۃَ وَ لِتُکَبِّرُوا اللہَ عَلٰی مَا ہَدٰىكُمْ وَلَعَلَّكُمْ تَشْكُرُوۡنَ

Përkthimi i këtij ajeti është:

Muaji i ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani si një udhërrëfyes për njerëzit, i mbushur plot me shenja të qarta udhëzuese dhe dalluese të së mirës nga e keqja. Pra, çdokush nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë në të! Sa i përket atij që është i sëmurë ose është në udhëtim, le të plotësojë numrin (e agjërimeve) në ditë të tjera. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë e jo që t’jua vështirësojë dhe që ju të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit e ta madhëroni Allahun për shkak të udhëzimit që ju dha dhe që ta falënderoni Atë.

(Kurani Famëlartë 2:186)

Muaji i ramazanit vjen shumë herë në jetën e një muslimani. Një musliman që e praktikon fenë, e di që gjatë muajit të ramazani Kurani Famëlartë kishte filluar të zbritej. Ai gjithashtu e di që në çdo ramazan, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., bashkë me Xhibrailin a.s., përsëriste pjesën e zbritur të Kuranit deri atëherë, praktikë kjo që u vijua çdo vit, përveçse në vitin e fundit të jetës së tij, kur Kurani mbaroi së zbrituri, dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori lajmin e gëzueshëm prej Zotit, që:

اَلْیَوْمَ اَكْمَلْتُ لَكُمْ دِیۡنَكُمْ وَاَتْمَمْتُ عَلَیۡكُمْ نِعْمَتِیۡ وَرَضِیۡتُ لَكُمُ الۡاِسْلَامَ دِیۡنًا

Sot jua përsosa fenë tuaj, plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.

(Kurani Famëlartë 5:4)

Atë vit, sipas rrëfimit të Hazret Ajeshës r.a., i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bashkë me Xhibrailin a.s. kishte recituar dy herë Kuranin Famëlartë. Kjo tregon që Kurani Famëlartë ka një lidhje të veçantë me muajin e ramazanit. Me një fjalë, ky muaj i madhërishëm jo vetëm që na sjell bekimet e tij, por gjithashtu na kujton që gjatë këtij muaji Kurani Famëlartë kishte filluar të zbritej.

Sot do të përmend disa gjëra në lidhje me ajetin që recitova. Por do të flas vetëm për pjesën e parë të tij, e jo për pjesën e fundit.

Ramazan na kujton që Kurani Famëlartë ka sjellë udhëzim për tërë njerëzimin. Ramazani na kujton që Kurani Famëlartë është i mbushur me shenja të qarta dalluese; ai na kujton se çfarë janë vlerat e agjërimit. Por të gjitha këto kujtime që na bën ky muaji i madhërishëm, mund të na sjellin dobi, vetëm nëse ne do ta kuptojnë shpirtin e tyre. Përndryshe, ramazani vjen çdo vit, dhe do të vazhdojë të vijë çdo vit inshallah, dhe çdo vit kur do të na bëhet ky kujtim që ramazani ka lidhje të veçantë me Kuranin, ne do të vazhdojmë të gëzohemi. Por, ne mund të përfitojmë nga ky kujtim, vetëm nëse e praktikojmë Kuranin duke kuptuar rëndësinë e tij.

Pra, ramazani na kujton që ne të kërkojmë urdhrat dhe porositë e Kuranit. Ramazani na kujton që ne pasi t’i kemi kërkuar urdhrat dhe porositë e Kuranit, t’i zbatojmë ato e t’i bëjmë pjesë të jetës sonë. Në dritën e mësimeve të Kuranit, ramazani na kujton që ne të përpiqemi më shumë se përpara për të përmbushur detyrimet që kemi ndaj Zotit të Madhërishëm, detyrime të cilat mund t’i përmbushim kur e adhurojmë Zotin ashtu siç duhet, kur i zbukurojmë namazet tona e t’i falim ato rregullisht, t’i falim për të fituar pëlqimin e Allahut dhe gjithashtu, kur u kushtojmë rëndësi edhe namazeve nafile dhe përkujtimit të Allahut. Pra, përpiquni ta përmbushni këtë detyrë, në mënyrë që t’i afroheni Zotit të Madhërishëm, që ta gjeni afrimin me Të, që ta largoni largësinë që ekziston midis robit dhe Zotit. Ramazani gjithashtu na kujton ta kapim fort atë litar, njërën anë e të cilit Zoti e ka mbajtur në dorën e Tij dhe anën tjetër të tij Ai e ka lënë në tokë për besimtarët që janë në kërkim të afrimit me Të, në mënyrë që çdokush që do ta kapë atë, të arrijë te Zoti. Ramazani gjithashtu na kujton që Zoti thotë “Fa inni kerib” (Unë jam afër) (Kurani Famëlartë 2:187). Pra, fitoni bekimin e afrimit me Të, duke lartësuar cilësinë e adhurimeve tuaja. Ramazani gjithashtu na kujton që të përpiqemi më shumë se përpara për të përmbushur detyrimet që kemi ndaj njerëzve të tjerë. Pra, përpiquni t’i përmbushni të gjitha detyrimet ndaj njerëzimit që janë përmendur në Kuran. Allahu i Lartësuar ka theksuar madje edhe për detyrimet që kemi ndaj të tjerëve, kurse ndaj muslimanëve përmendet porosia “ruhamau bejnahum” që duhet të jemi mëshirë për njëri-tjetrin. (Kurani Famëlartë (48:30)

Disa vajza më shkruajnë se prindërit e tyre, gjatë ndarjes së pasurisë, djalit të tyre u japin çdo gjë dhe për ta përligjur veprimin e tyre, e pyesin vajzën: “Shpresojmë se nuk ke ndonjë problem, nëse ia japim pasurinë vëllait tënd!” Vajza në një situatë të tillë, ngurron dhe u përgjigjet me pohim. Çuditem që edhe në këtë kohë ekzistojnë prindërit e tillë, të cilët bëjnë padrejtësi dhe mizori të tilla ndaj vajzave të tyre. Po ashtu, çuditem se ka edhe vajza të tilla që në mënyrë të heshtur sakrifikojnë çdo gjë për hir të prindërve. Dua t’u them vajzave që nëse qëndrimi i tyre është vetëm nga ngurrimi, atëherë ato po i bëjnë mëkatarë prindërit e tyre. Dua t’u them edhe prindërve të tillë, dhe vëllezërve të cilët e pranojnë për vete një pasurinë e motrave të tyre në këtë mënyrë, që ata vetëm janë duke mbushur barkun e tyre me zjarr. Ata duhet të kenë frikë ndaj Allahut dhe gjatë muajit të ramazanit ata duhet të pendohen. Kjo ishte diçka që duhet ta përmendja këtu.

Dua t’i rikthehem sërish temës se çfarë gjërash të tjera ramazani na kujton. Muaji i ramazanit, në dritën e mësimeve të Kuranit, i kujton çdo muslimani të krijojë shpirtin e sakrificës brenda tij. Ne kemi bërë betimin që do të sakrifikojmë jetën, pasurinë, kohën dhe nderin për Zotin, për Xhematin e Zotit, për mbajtjen e Kalifatit Ahmedia. Ramazani na kujton të kontrollojmë se deri në çfarë mase e respektojmë këtë premtim. Ramazani na kujton që të studiojmë Kuranin Famëlartë për të kërkuar porosi të tjera që na ndihmojnë për ta zbatuar këtë premtim sa më mirë. Ramazani vjen për të na kujtuar që ne duhet të bëjmë sakrificë edhe për njëri-tjetrin, që ne duhet të kërkojmë porositë e Kuranit në lidhje me këtë. Ramazani gjithashtu na kujton se çfarë dhimbje ka pasur Profeti Muhammed s.a.v.s. për ta shpëtuar botën nga shkatërrimi dhe nga zemërimi i Allahut dhe çfarë lutjesh të dhimbshme ai kishte bërë te pragu i Zotit për këtë. Ramazani na kujton pikërisht që edhe ne të përpiqemi të veprojmë siç ka vepruar i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Ramazani vjen dhe na e kujton detyrën madhore që kishte marrë Profeti Muhammed s.a.v.s. në shpellën Hira dhe përgjegjësinë për ta përçuar mesazhin e Zotit, mësimin e Kuranit, jashtë shpellës e deri në mbarë botën, duke e shoqëruar atë me lutje plot dhimbje dhe vuajtje. Ramazani vjen për të na kujtuar që ne, duke ndjekur modelin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., si duhet ta përmbushim këtë përgjegjësi; si duhet ta zbatojmë mësimin e Kuranit që thotë: Përhape mesazhin e Allahut! Përhape në mënyrë të vazhdueshme njëshmërinë e Allahut! Përhape mesazhin që Kurani është “udhëzim për tërë njerëzimin”. Ramazani na kujton që ne, në mënyrë të denjë, mund t’i japim përparësi besimit ndaj botës vetëm nëse do ta kemi parasysh vetminë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. që ai kishte në shpellën Hira. Ramazani vjen dhe kujton duke na thënë: Nëse pretendoni të keni dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., atëherë, duhet të kërkoni çdo aspekt të modelit të Profetit, e duke e mbajtur parasysh atë, të përpiqeni ta zbatoni.  Ramazani vjen për të na kujtuar që ne të kërkojmë se si sehabët e Profetit Muhammed s.a.v.s. kishin arritur pozitën “radijellahu anhum ue radu anhu”? (Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Allahun), sepse edhe sehabët janë modele për ne. Pra, ky muaj ka ardhur edhe për të na kujtuar që ne të përpiqemi për ta çuar veten tonë në kohën e Profetit Muhammed s.a.v.s.. Padyshim, që ne nuk mund të shkojmë fizikisht në të kaluarën, por ne i kemi mësimet e Kuranit në gjendjen e tyre origjinale, të cilat na lehtësojnë rrugëtimin tonë drejt kohës së Pejgamberit të Allahut s.a.v.s. Ky muaj vjen për të na kujtuar që ne t’i themi botës se paqja botërore dhe mësimet rreth saj gjenden pikërisht në Kuranin Famëlartë, që ne t’i themi botës se modeli i përsosur i vendosjes së paqes globale është modeli i jetës së Profetit Muhammed s.a.v.s. Ky muaj vjen për të na kujtuar që Kurani Famëlartë është po ai libër, i cili, çdo porosi të tij, e mbështet me argument. Sigurisht, për t’ia treguar këtë gjë botës, ka nevojë që së pari ne duhet ta studiojmë mirë Kuranin Famëlartë dhe të thellohemi në komentimin e tij dhe ka nevojë që ne të bëhemi pjesë të atij grupi, për të cilin Allahu i Madhërishëm, në Kuranin Famëlartë, thotë:

اَلَّذِیۡنَ اٰتَیۡنٰہُمُ الْکِتٰبَ یَتْلُوۡنَہٗ حَقَّ تِلَاوَتِہٖ

Të cilëve Ne u kemi dhënë librin, që ata e lexojnë ashtu siç duhet lexuar.

(Kurani Famëlartë 2:122)

Pra, ne të jemi ndër ata që përmbushin detyrën e leximit të Kuranit, ç’ka do të thotë që të thellohemi në kuptimet e tij ashtu siç duhet, dhe pastaj mësimet që kemi lexuar dhe dëgjuar, t’i zbatojmë ashtu siç duhet. Nëse ne nuk jemi duke i përmbushur këto detyrime, atëherë pretendimi që jemi musliman, do të mbetet vetëm një pretendim bosh. Ka rrezik që ne do të bëhemi ndër ata njerëz, të cilët ia shtuan shqetësimin Profetit Muhammed s.a.v.s., të cilët do të lindnin në kohën e fundit, pra, për të cilët Kurani Famëlartë shprehet:

وَ قَالَ الرَّسُوۡلُ یٰرَبِّ اِنَّ قَوْمِی اتَّخَذُوۡا ہٰذَا الْقُرْاٰنَ مَہۡجُوۡرًا

I Dërguari tha: “O Zoti im, populli im e shpërfilli këtë Kuran si diçka të hedhur”.

(Kurani Famëlartë 25:31)

Kështu që, ky muaj nëse na jep shumë lajme të gëzueshme në njërën anë, atëherë në anën tjetër edhe na ngarkon me shumë përgjegjësi dhe na tërheq vëmendjen për të qenë më të kujdesshëm. Ramazani na kujton që ne vazhdimisht duhet të bëjmë kontroll të vetes sonë se deri ku jemi duke vepruar sipas mësimeve të Kuranit; deri në ç’masë po përpiqemi për ta larguar shqetësimin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë as ramazani nuk do të na sjellë ndonjë dobi, e as Kurani Famëlartë.

Allahu i Madhërishëm ka lënë qindra porosi dhe urdhra në Kuran, që synojnë të na bëjnë besimtarë të shkallës që Zoti na pret nga ne. Në këtë kohë, Ai dërgoi edhe Mesihun e Premtuar a.s. për të na tërhequr vëmendjen se ne duhet t’i kushtojmë rëndësi reformimit tonë, që ne ta zbatojmë mësimin e bukur të Kuranit në jetën tonë. Këtu ju kam treguar shkurtimisht se çfarë gjërash na kujtojnë neve ramazani dhe Kurani, megjithëse, siç ju tregova, Kurani Famëlartë ka qindra porosi të tjera dhe ka nevojë që ne duhet t’i kërkojmë ato e të kalojmë jetën tonë në bazë të tyre. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes bekimit të Allahut të Lartësuar, ndërsa, për ta gjetur bekimin e Tij, Zoti na ka tërhequr vëmendjen për lutje.

Në fjalimin e sotëm do të përmend dy gjëra, të cilat, Allahu i Lartësuar i ka përmendur si cilësi të një besimtari. Edhe këto janë dy prej qindra porosive të tjera që Allahu i Lartësuar na dha në Kuranin Famëlartë. Këto dy virtyte janë të domosdoshme për marrëdhëniet tona të ndërsjella dhe për paqen në shoqëri në përgjithësi. Dobia e parë e tyre është pikërisht ajo që është edhe dobia e porosive të tjera, që ne të fitojmë afrimin me Zotin.

E para nga këto dy virtyte që dua të përmend është modestia dhe përulësia. Përulësia është zgjidhje e shumë problemeve. Ajo është njëra ndër cilësitë e besimtarëve të Zotit të Lartësuar, të atyre besimtarëve që janë muslimanë të vërtetë, të atyre besimtarëve që e adhurojnë Zotin, të atyre besimtarëve që kërkojnë bekimet dhe mirësitë e Zotit të Gjithëmëshirshmit. Allahu thotë:

وَ عِبَادُ الرَّحْمٰنِ الَّذِیۡنَ یَمْشُوۡنَ عَلَی الْاَرْضِ ہَوْنًا

Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin nëpër tokë me përulësi.

(Kurani Madhërishëm 25:64)

Ai gjithashtu thotë:

وَلَا تُصَعِّرْ خَدَّکَ لِلنَّاسِ وَلَا تَمْشِ فِی الْاَرْضِ مَرَحًا ؕ اِنَّ  اللہَ  لَا یُحِبُّ كُلَّ مُخْتَالٍ فَخُوۡرٍ

Mos i fry faqet (nga arroganca) para njerëzve dhe mos ec nëpër tokë me mendjemadhësi! Me të vërtetë Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë dhe mburracakët.

(Kurani Famëlartë 31:19)

Kur njeriu nuk meriton dashurinë e Allahut, asnjë vepër e tij nuk mund të jetë e pranueshme tek Zoti; asnjëherë ai nuk mund të gëzojë ndihmën e Allahut. Pra, kush mund të jetë ai që në njërën anë të pretendojë të ketë besim në Allahun, dhe në anën tjetër të shprehë se ai nuk e përfill dashurinë e Allahut. Padyshim, asnjë njeri i mençur, asnjë musliman nuk mund të thotë një gjë të tillë. Por, praktikisht ne shohim se në jetën e përgjithshme, mendjemadhësia është ajo që shkakton grindje midis njerëzve. Ai që është i pastër nga mendjemadhësia dhe nga uni i rremë, atij asnjëherë nuk i ndërlikohen punët. Është mendjemadhësia ajo që e shtyn njeriun për të treguar kokëfortësi, e cila bëhet shkak i zgjatjes dhe ndërlikimit të problemeve. Më paraqesin problemet për t’i zgjidhur dhe ato që nuk zgjidhen, shumica prej tyre i pengon pikërisht egoja dhe mendjemadhësia. Pra, nëse njeriu e do dashurinë e Allahut, nëse një musliman e do dashurinë e Allahut, atëherë ai duhet të heqë dorë nga mendjemadhësia. E kur unë them musliman, atëherë në radhë të parë i drejtohem muslimanit ahmedian.

Ramazani vjen për të na kujtuar që ne duhet të heqim këtë ligësi nga jeta jonë. Gjatë këtij muaji, në vend të zgjasim problemet apo mosmarrëveshjet tona, duhet t’i zgjasim dorën e pajtimit. Ramazani na kujton të bëhemi më të përulur, të bëhemi ndër ata robër të të Gjithëmëshirshmit, që gjithnjë janë në kërkim të pëlqimit të Allahut.

Virtyti i dytë që dua të përmend, i cili ka lidhje edhe me përulësinë, është durimi. Allahu i Madhërishëm thotë:

وَاسْتَعِیۡنُوۡا بِالصَّبْرِ وَالصَّلٰوۃِ

Kërkojini ndihmë Allahut me anë të durimit dhe lutjes.

(Kurani Famëlartë 2:46)

Kush mund të jetë ai që nuk i duhet ndihma e Allahut, në çdo çast të jetës së tij?! Por, kjo ndihmë vjen me anë të durimit dhe lutjes. Allahu i Madhërishëm thotë se edhe detyrën e durimit dhe të lutjes mund ta përmbushë siç duhet vetëm ai që është i përulur. Ai thotë:

وَ اِنَّہَا لَکَبِیۡرَۃٌ اِلَّا عَلَی الْخٰشِعِیۡنَ

Kjo detyrë është shumë e vështirë, përveçse për të përulurit.

(Kurani Famëlartë 2:46)

Pra, në këtë ajet, Allahu e quajti përulësinë mjet të kërkimit të ndihmës së Allahut, duke e kushtëzuar durimin e lutjen me përulësinë. Me një fjalë, ndihma e Allahut të Lartësuar vjen përmes lutjeve dhe durimit, dhe këto vepra mund të bëjnë vetëm ata që janë të përulur. Pra, Zoti tregoi që përulësia është cilësia e atyre që zbatojnë porositë e Allahut. Përulësia është cilësia e atyre që adhurojnë Allahun. Kështu që, kur njeriu do të shfaqë përulësinë në çdo aspekt, kur ai do të përpiqet të zbatojë detyrimet ndaj Allahut, me anë të lutjeve dhe qëndrueshmërisë dhe duke u bërë tejet i përulur të bjerë te pragu i Allahut të Madhërishëm, atëherë i vjen ndihma e Allahut. Po ashtu, njeriu duhet të lutet me qëndrueshmëri edhe për të gjetur mundësinë e përmbushjes së detyrimeve që ai ka ndaj njerëzve të tjerë, në mënyrë që të tërheqë bekimet e Allahut.

Pra, në çdo sferë dhe në çdo adhurim ka nevojë që të përvetësoni përulësinë për të thithur bekimin e Allahut. E kur do të ndodhë kjo, atëherë Allahu do t’ju shpëtojë edhe nga dëmet e kësaj bote, do t’ju ndihmojë edhe kundër armikut tuaj, ju do të përparoni shpirtërisht, do të gjeni prehje edhe në marrëdhëniet tuaja shoqërore dhe ju gjithashtu do të fitoni edhe pëlqimin e Allahut. Kjo pikërisht është dhe duhet të jetë dëshira e një besimtari,. Pra, ka nevojë që ne të kontrollojmë veten tonë gjatë këtij ramazani dhe ta analizojmë sipas të gjitha atyre kritereve që kam përmendur, për të parë se deri në ç’masë kemi planifikuar të kalojmë jetën tonë në përputhje me mësimet e Allahut të Madhërishëm dhe deri sa kemi filluar të ecim në këtë drejtim. Përndryshe, siç ju thashë, ramazani vjen çdo vit dhe do të vazhdojë të vijë, dhe çdo vit, deri sa të kemi jetë, do të kalojmë përmes tij duke dëgjuar vetëm fjalët se Kurani Famëlartë kishte filluar të zbritej në këtë muaj. Allahu i Madhërishëm përmend “hudan linnas”, domethënë ky Kuran është udhëzim për njerëzit. Edhe këto fjalë na tërheqin vëmendjen se qasja jonë ndaj tij nuk duhet të jetë sipërfaqësore, ne të mos mbetemi vetëm në fjalë boshe duke pyetur çdo herë se cili është kuptimi i vërtetë i pohimit që “Kurani ka zbritur në muajin e ramazanit”. Madje, fjalët “Udhëzim për njerëzit” na bëjnë thirrje që ne të zhytemi thellë për të kërkuar gurët e çmuar dhe perlat e tij dhe për t’i përdorur ato për zbukurimin e jetës sonë edhe në këtë botë edhe në botën tjetër. Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Mbani mend! Kurani Famëlartë është burimi i bekimeve të vërteta dhe mjeti i sigurt i shpëtimit. Gabimi është i atyre që nuk veprojnë sipas Kuranit Famëlartë. Ndër ata që nuk veprojnë sipas tij, një grup është i atyre që nuk besojnë në të dhe nuk mendojnë se Kurani është fjala e Allahut të Madhërishëm. Njerëzit e tillë kanë mbetur shumë larg. Por, nëse nuk veprojnë sipas tij ata që besojnë se ai është fjala e Allahut dhe recetë shërimi e shpëtimi, atëherë kjo me të vërtetë është për të ardhur shumë keq. Shumë prej tyre janë të tillë, që, gjatë gjithë jetës, as nuk e lexojnë Kuranin ndonjëherë. Shembulli i tyre është si ai që ka dijeni në mënyrë të sigurt se filan burim uji është jashtëzakonisht i pastër, i ëmbël dhe uji i tij është shërim për shumë sëmundje, por prapëseprapë nuk i afrohet atij, edhe pse mbetet i etur dhe i përfshirë në shumë sëmundje. Kjo padyshim është fatkeqësia dhe injoranca e tij. Ai duhej të shkonte te burimi dhe ta vendoste gojën para tij, derisa të kënaqej e të ngopej nga ëmbëlsia dhe uji i tij shërues. Por edhe pse i ditur, ai mbetet larg atij burimi njësoj si ai që nuk ka dijeni për të. Ai vazhdon të mbetet larg nga ai, gjersa i vjen vdekja. Padyshim, gjendja e tij është shumë e rëndë dhe e denjë për të marrë mësim. Në këtë kohë, pikërisht kjo po bëhet gjendja e muslimanëve. Ata e dinë se çelësi i të gjitha përparimeve dhe sukseseve është pikërisht ky Kurani Famëlartë, por prapë nuk e përfillin zbatimin e tij. Muslimanët duhej ta vlerësonin denjësisht këtë burim si një bekim madhor. Vlerësimi i tij prej tyre është pikërisht që ata ta zbatojnë atë. Pastaj, ata mund të shohin se si Zoti i Madhërishëm do t’ua largojë shqetësimet dhe vështirësitë. Ah sikur muslimanët ta kuptonin këtë gjë e të besonin se Zoti i Lartësuar u ka hapur një rrugë të mirë, duke ndjekur të cilën ata do të mund të përfitonin!

Gjithçka që po ndodh sot në botë, në botën e muslimanëve, ku si liderët, ashtu edhe popujt janë të vendosur për t’i prerë kokat njëri-tjetrit, ku vetë muslimanë po shkaktojnë vdekjen e qindra muslimanëve të tjerë, nëse do të vepronin sipas mësimit të Kuranit e do t’ia vinin veshin këshillës së Mehdiut të kohës, atëherë të gjitha këto çrregullime dhe sherre do të zhdukeshin vetvetiu. Allahu u dhënët mendtë muslimanëve që ata të jenë zbatues të mësimit të Kuranit.

Nga ana tjetër, edhe neve Mesihu i Premtuar a.s. na tërheq vëmendjen që ne të thellohemi në Kuranin Famëlartë, sepse gjithçka qëndron në të, ai përmban shpjegimin që bën dallim midis së mirës dhe së keqes, po ashtu, përmban paralajmërime për kohërat e ardhshme. Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Kuptojeni mirë se Kurani paraqet atë fe, para së cilës asnjë akuzë nuk mund të qëndrojnë, sepse ajo siguron bekimet dhe frytet e saj të freskëta. Ungjijtë nuk e paraqesin fenë si të përsosur. Mësimi i tyre mund të jetë i arsyeshëm për kohën e tyre, nëse mund të jetë i tillë, por kurrsesi jo për çdo kohë. Kjo krenari i përket vetëm Kuranit Famëlartë, sepse Allahu i Lartësuar ka lënë në të shërim për çdo sëmundje dhe përmes tij ka siguruar formimin dhe mbrujtjen e çdo aftësie njerëzore. Për çdo ligësi që Kurani ka hedhur dritë, ka përmendur edhe metodën sesi ajo mund të largohet. Prandaj, recitoni vazhdimisht Kuranin Famëlartë, vazhdimisht qëndroni të angazhuar në lutje dhe gjithmonë përpiquni t’i përmbahuni mësimit të tij.

Pra, kjo është ajo këshillë e Mesihut të Premtuar a.s. që është për ne. Nuk duhet të kemi sy vetëm te të tjerët, sepse edhe ne kemi nevojë të veprojmë sipas Kuranit, edhe ne duhet të kalojmë jetën tonë në përputhje me mësimet e tij, në mënyrë që të na zbukurohet bota dhe ahireti. Allahu na mundësoftë që ne duke e bërë pjesë të jetës sonë këtë libër madhor, të gjejmë pëlqimin e Tij dhe gjithashtu, ky ramazan të bëhet mjet i prurjes së dijeve dhe urtësive të Kuranit për ne më shumë se përpara.