Përulësia e Profetit Muhammed s.a.v.s. në jetën e përditshme
(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 22.05.2026)
Në hytbet e kaluara ju fola rreth një aspekti të jetës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., pra përulësia dhe thjeshtësia e tij. Edhe sot do ta vijoj të njëtën temë. Cili ishte niveli i përulësisë së tij?
Sjellja e Profetit s.a.v.s. me sahabët
Ai e shfaqte këtë duke dhënë shembuj edhe nga gjërat më të vogla. Kështu, transmetohet nga Hazret Jahja bin Ebi Kethir se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
“Unë ha ashtu siç ha një rob dhe ulem ashtu siç ulet një rob, sepse edhe unë jam vetëm një rob.”
Pra, tek ai nuk kishte kryelartësi, vetëpëlqim apo shfaqje siç kanë prijësit dhe pasanikët.
Po kështu, ka një transmetim tjetër. Ky transmetim është nga Hazret Enesi r.a., i cili tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte një deve me emrin Adba, dhe ajo ishte aq e shpejtë saqë asnjë deve nuk mund ta kalonte. Një beduin erdhi hipur mbi një deve të re dhe, në garë, ajo deve e kaloi Adbanë. Kjo u erdhi shumë rëndë muslimanëve që Adba mbeti prapa, ndërsa deveja e beduinit doli përpara, ose edhe nëse po dilte përpara, duhej ta ndalonte, sepse ishte deveja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Sidoqoftë, lidhur me këtë sjellje të tyre, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
“Është ligj i Allahut që çdo gjë që Ai e ngre në këtë botë, një ditë edhe e ul.”
Pra, si të thuash, Profeti u tha: nuk ka asgjë për t’u zemëruar. Këtë e bën vetë Allahu i Lartësuar. Gjërat ngrihen lart dhe pastaj edhe zbresin poshtë. Njerëzit e zakonshëm, në një rast të tillë, mund të bëhen ziliqar, por para syve të Profetit s.a.v.s. ishte gjithmonë Qenia e Allahut të Lartësuar dhe ai donte t’i tregonte botës vetëm epërsinë e Tij. Me çfarë përulësie ai tha se përse duhet të zemërohemi për këtë? Nuk ka asnjë nevojë. Tha, në këtë mënyrë, në fakt, po shfaqet epërsia e Allahut të Lartësuar.
‘O vëllai im! Mos më harro në lutjen tënde.’
Pastaj një shembull tjetër të përulësisë e tregon Hazret Umeri r.a. Ai thotë:
“I kërkova leje Profetit s.a.v.s. për të bërë umre. Ai më dha leje dhe më tha:
‘O vëllai im! Mos më harro në lutjen tënde.’”
Hazret Umeri r.a. thotë se Profeti s.a.v.s. tha një fjalë të tillë që, edhe sikur të më jepej e gjithë bota në këmbim të saj, nuk do të gëzohesha aq shumë.
Allahu i Lartësuar e ka bërë të domosdoshëm dërgimin e salavateve për Profetin s.a.v.s. dhe e ka bërë të nevojshëm edhe për pranimin e lutjes; megjithatë, ky është kulmi i përulësisë që ai i thotë një ndjekësi të tij: “Lutu për mua.”
Profeti s.a.v.s. nuk e konsideronte turp kryerjen e asnjë pune. Edhe punën më të vogël e bënte vetë dhe ua tregonte të tjerëve, madje ua mësonte. Kështu, në një transmetim, Hazret Ebu Seid Hudriu r.a. tregon se Profeti s.a.v.s. kaloi pranë një djali që po rripte lëkurën e një dhie. Ai e largoi pak dhe i tha:
“Largohu pak, që të të tregoj mënyrën e saktë, sepse nuk më duket se ke mjeshtëri në rrjepjen e lëkurës.”
Pastaj ai e futi dorën e tij midis lëkurës dhe mishit dhe e çoi dorën deri brenda, derisa ajo iu fsheh deri te sqetulla. Pastaj tha:
“Kështu bëje, o djalë! Kështu rripet lëkura.”
Pra, ai ia bëri edhe punën, edhe ia mësoi mënyrën.
Po kështu, lidhur me kryerjen e punëve të të tjerëve me përulësi, ekziston edhe një transmetim tjetër. Nga vajza e Hazret Hababit r.a. transmetohet se ajo shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. me një dhi për t’i mjelë qumështin, ose duhej të milej qumështi i dhisë. Ai e lidhi dhe e moli qumështin e saj. Pastaj tha:
“Sillma enën tënde të madhe.”
Ajo kishte sjellë një enë, por ai i tha:
“Jo, sill një enë më të madhe se kjo.”
Kështu, unë solla një enë të madhe. Ai moli qumësht në të, derisa ena u mbush plot. Pastaj tha:
“Pini edhe vetë dhe jepuni për të pirë edhe fqinjëve tuaj.”
Sigurisht, Profeti e dinte se me bekimin e lutjes së tij, qumështi ishte shtuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Prandaj ai u tha që këtë bekim t’ua jepnin edhe të tjerëve. Në atë rast u mol dyfish më shumë qumësht nga dhia.
Dashuria dhe respekti për njerëzit e thjeshtë
Edhe në lidhje me dhënien e selamit dhe uljen në kuvend, gjejmë shembuj të gjendjes së tij të përulur dhe të moralit të tij të lartë. Kështu, Hazret Enes bin Maliku r.a. tregon se kur ndonjë person vinte para Profetit s.a.v.s., ai i jepte dorën; dhe nuk e tërhiqte dorën e tij nga dora e atij personi, derisa ai vetë ta tërhiqte dorën.
Po kështu, Profeti s.a.v.s. nuk e kthente fytyrën e tij të bekuar nga fytyra e tjetrit, derisa ai person vetë ta kthente fytyrën. Dhe nuk është parë kurrë që ai të ketë zgjatur gjunjët përpara bashkëbiseduesit të tij.
Në një transmetim tjetër nga Hazret Ebu Muthenna el-Emlukiu thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe profetët para tij, paqja qoftë mbi ta, ecnin me shkop dhe mbështeteshin në të.
Ky shkop nuk përdorej për të imponuar frikë apo për të treguar madhështi, por si shenjë përulësie dhe thjeshtësie para Allahut të Lartësuar. Dhe përulësia e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ishte më e madhe se e të gjithëve.
Pastaj edhe këshillën për përulësi ai e jepte në mënyrë shumë të urtë. Kështu, në një transmetim, Ibn Hazmi tregon se para të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ndodhi një garë krenarie dhe mburrjeje midis pronarëve të deveve dhe atyre të dhive.
Secila palë thoshte diçka për veten. Pronarët e deveve, pra ata që kishin më shumë dhi, thoshin:
“Ne jemi më të mëdhenj se ju dhe pasuria jonë është më e gjerë.”
Ndërsa pronarët e dhive thoshin:
“Ne jemi më shumë.”
Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shkoi atje, kur po bëhej kjo garë dhe debat, dhe tha:
“Musai u dërgua si profet dhe ai kulloste dhi. Davudi u dërgua si profet dhe ai kulloste dhi. Edhe unë jam dërguar si profet dhe unë gjithashtu kullosja dhitë e familjes sime në vendin Exhjad.”
Kështu, ai u dha këshillë edhe atyre që po mburreshin, dhe njëkohësisht u dha zemër edhe atyre ndaj të cilëve po shfaqej krenaria, pra atyre që po konsideroheshin më të vegjël, pronarëve të deleve.
Vendi Exhjad, që ai përmendi, është një vend në Mekë, afër Safasë. Ky vend quhet edhe Xhijad.
Tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk kishte asnjë lloj mburrjeje. Edhe me të varfrit takohej me përulësi dhe ua gëzonte zemrat. Kështu, transmetohet nga Hazret Enes bin Maliku r.a. se ndër beduinët, pra ndër njerëzit e fshatit, ishte një burrë me emrin Zahir. Ai sillte për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhurata nga fshati, gjëra të ndryshme që gjendeshin atje. Kur ai nisej për t’u kthyer, edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e përcillte duke i dhënë shumë mall e të mira. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. thoshte:
“Zahiri është miku ynë fshatar dhe ne jemi miqtë e tij qytetarë.”
Një ditë ndodhi që Zahiri po shiste disa nga sendet e tij në treg, kur Profeti i Nderuar s.a.v.s. shkoi pranë tij dhe, nga pas, e përqafoi duke e mbështetur në kraharorin e tij. Hazret Zahiri nuk po e shihte dot se kush ishte dhe pyeti:
“Kush është? Më lësho!”
Por kur u kthye dhe pa, e njohu të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Atëherë filloi ta mbështeste shpinën e tij te kraharori i bekuar i Profetit s.a.v.s. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. filloi të thoshte:
“Kush do ta blejë këtë rob?”
Hazret Zahiri tha:
“O i Dërguari i Allahut! Atëherë ti do të më gjesh si mall pa fitim. Kush do të më blejë mua?”
Atëherë Profeti s.a.v.s. tha:
“Tek Allahu ti nuk je mall pa vlerë.”
Ose tha:
“Para Allahut ti je shumë i çmuar.”
“Tek Allahu, ke shumë vlerë”
Duke përmendur të njëjtën ngjarje në një hytbe, Hazret Musleh Maudi r.a. e ka shpjeguar kështu:
Një sahab i Profetit s.a.v.s. ishte i tillë që, për shkak të një të mete të lindur, kishte pamje shumë të pakëndshme, pra nuk kishte pamje të bukur, dhe ishte jashtëzakonisht i varfër. Trupi dhe rrobat i kishte të pluhurosura. Në atë gjendje, i mbuluar me djersë, ai po shiste diçka të dikujt në treg. Megjithatë, ky sahab kishte diçka të tillë, e cila kishte vlerë në zemrën e Profetit s.a.v.s. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e çmonte shumë.
Në atë gjendje, ndërsa vetë atij i vinte neveri nga vetja dhe mendonte: “Jam i mbytur në djersë, jam i mbuluar me pluhur”, dhe ndoshta vetë ndihej i shqetësuar, Profeti s.a.v.s. erdhi nga pas tij dhe, ashtu siç luhet me fëmijët, ia mbylli sytë me duart e tij. Ai, duke prekur duart, e kuptoi se ishin duart e Profetit s.a.v.s., sepse në trupin e Profetit s.a.v.s. nuk kishte qime, ose kishte shumë pak, dhe trupi i tij ishte shumë i butë.
Atëherë edhe ai, me dashuri, filloi ta fërkonte trupin e tij me trupin e Profetit s.a.v.s., nga çka edhe trupi e rrobat e Profetit s.a.v.s. po merrni zhulin e tij. Por Profeti s.a.v.s. nuk u bezdis aspak. Ai vuri dorën mbi të dhe tha:
“Ky është robi im. A ka kush që do ta blejë?”
Nga kjo, atij sahabi iu mbush zemra me emocion dhe i tha Profetit s.a.v.s.:
“O zotëria im! Jam një mall i pavlerë. Kush do të më blejë?”
Profeti s.a.v.s. tha:
“Kurrsesi jo. Tek Allahu i Lartësuar, ke shumë vlerë.”
Përshkrimi i pamjes dhe moralit të lartë të Profetit s.a.v.s.
Hazret Hasan bin Ali r.a., duke përshkruar moralin e lartë të Profetit s.a.v.s., mënyrën se si ai takohej me njerëzit me përulësi e mirësjellje, si edhe madhështinë e tij, në një vend thotë:
“E pyeta dajën tim, Hind bin Ebi Hale, për pamjen e bekuar të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ai dinte ta përshkruante shumë mirë pamjen e Profetit s.a.v.s., dhe unë dëshiroja që të më tregonte diçka rreth saj.”
Atëherë ai tha:
“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte pamje madhështore dhe të hijshme. Fytyra e tij e bekuar ndriçonte sikur hëna e natës së katërmbëdhjetë.”
Pastaj ai tregoi të gjithë hadithin në mënyrë të plotë dhe dha gjithë hollësitë. Hazret Hasani r.a. thotë:
“Unë e mbajta të fshehur për një kohë të gjatë këtë transmetim nga Husejni r.a., të gjitha ato të dhëna që më kishte treguar ai. Pastaj, kur ia tregova, kuptova se ai tashmë më kishte kaluar në këtë çështje dhe kishte pyetur para meje për të gjitha ato gjëra që unë e kisha pyetur. Madje kuptova se ai kishte pyetur edhe babanë e tij për hyrjen dhe daljen e Profetit s.a.v.s. në shtëpi, si edhe për pamjen e tij, dhe nuk kishte lënë asgjë pa pyetur.”
Ndarja e kohës së Profetit s.a.v.s. brenda shtëpisë
Hazret Imam Husejni r.a. thotë:
“E pyeta babanë tim për hyrjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në shtëpi.”
Gjërat e para ishin për jashtë, ndërsa tani ai pyeti Hazret Aliun r.a. për gjërat e shtëpisë. Hazret Aliu r.a. tha:
“Kur Profeti s.a.v.s. hynte në shtëpinë e tij, e ndante kohën e shtëpisë në tri pjesë. Një pjesë ia kushtonte Allahut të Madhërishëm, një pjesë familjes së tij dhe një pjesë vetes së tij. Pastaj edhe pjesën e tij e ndante midis vetes dhe njerëzve. Në atë kohë, nëpërmjet sahabëve të veçantë, ua përcillte edhe njerëzve të thjeshtë çështjet e fesë dhe nuk u fshihte asgjë.”
Si kujdesej Profeti s.a.v.s. për nevojat e umetit
Në jetën e Profetit s.a.v.s., mënyra e ndarjes së pjesës së umetit ishte kjo: në dhënien e lejes për takim, ai u jepte përparësi njerëzve të virtytshëm të umetit, dhe ndarja bëhej sipas epërsisë së tyre në fe. Disa prej tyre kishin një nevojë, disa dy, e disa kishin shumë nevoja. Profeti s.a.v.s. merrej me ta për përmbushjen e nevojave të tyre dhe, në përgjigje të pyetjeve të tyre, i angazhonte në punë që sillnin përmirësimin e tyre dhe të umetit. Ai i njoftonte për gjëra që u ishin të dobishme.
Ai thoshte:
“Ata që janë të pranishëm prej jush, le t’ua përcjellin këto fjalë atyre që mungojnë. Dhe ma sillni mua nevojën e atij që nuk mund ta paraqesë vetë nevojën e tij, sepse kush ia përcjell një sundimtari nevojën e një personi që nuk ka mundësi ta paraqesë vetë, Allahu i Lartësuar do t’i japë qëndrueshmëri në Ditën e Kiametit.”
Pra, në këtë ka mësim edhe për zyrtarët që janë caktuar në vende të ndryshme: ata duhet t’ia përcjellin qendrës patjetër çështjet e nevojtarëve.
Te Profeti s.a.v.s. flitej për gjëra të tilla dhe përveç këtyre nuk pranonte biseda të kota. Njerëzit vinin te Profeti s.a.v.s. si kërkues të dijes dhe nuk ktheheshin pa marrë diçka. Ata dilnin prej tij si njerëz që udhëzonin të tjerët drejt së mirës.
Sjellja e Profetit s.a.v.s. jashtë shtëpisë
Pastaj, thotë Hazret Imam Husejni r.a., e pyeta babanë tim për daljen e Profetit s.a.v.s. nga shtëpia, se çfarë bënte ai gjatë asaj kohe. Ai tha:
“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk fliste përveçse për çështje që kanë ndonjë qëllim. Ai i bashkonte zemrat e sahabëve dhe nuk i largonte prej vetes. Ai nderonte njeriun e respektuar të çdo populli dhe e caktonte përgjegjës mbi ta. Ai i paralajmëronte njerëzit dhe ruhej prej tyre, por pa ndryshuar aspak buzëqeshjen dhe sjelljen e tij të mirë ndaj tyre.”
Pra, nëse kishte ndonjë dyshim për dikë, Profeti s.a.v.s. i paralajmëronte të tjerët, por jo në një mënyrë që sjellja e tij ndaj atij personi të ndryshonte. Përkundrazi, ai sillej me mirësjellje me çdo njeri. Po, aty ku kërkohej kujdes, tregonte edhe kujdes. Ndër njerëzit që ai takohej, kishte edhe të tillë që mund të ishin të dyshimtë.
Profeti s.a.v.s. kujdesej për sahabët e tij dhe pyeste njerëzit për gjendjen e njerëzve. Ai e lavdëronte të mirën dhe e forconte atë; ndërsa për të keqen tregonte se ishte e keqe dhe e dobësonte ndikimin e saj.
Ai ishte i matur në çdo çështje dhe i lirë nga çdo kundërthënie. Ai nuk tregohej i pavëmendshëm, që të mos ndodhte se edhe njerëzit të bëheshin të pavëmendshëm ose të lodheshin. Ai ishte i përgatitur për çdo situatë.
Ai nuk tërhiqej nga e drejta e tij dhe as nuk shkonte përtej asaj të drejte. Atë që ishte e drejtë, aq edhe bënte. Ata që ishin më afër tij ndër njerëzit, ishin njerëzit më të mirë.
Tek ai, më i virtytshmi ishte ai që ishte më i përparuar në dashamirësi; dhe më i larti në gradë tek ai ishte ai që ishte më i miri në dhembshuri dhe ndihmë ndaj të tjerëve.
Pra, më i larti në gradë ishte ai që tregonte dhembshuri ndaj njerëzve dhe i ndihmonte ata. Ai që ishte më i dalluari në këtë, ishte më afër Profetit s.a.v.s. dhe Profeti s.a.v.s. e pëlqente atë.
Kuvendi i Profetit s.a.v.s.
Hazret Imam Husejni r.a. thotë:
“Pastaj pyeta për kuvendin e Profetit s.a.v.s.”
Hazret Aliu r.a. tha:
“Profeti s.a.v.s., kur ngrihej dhe kur ulej, përmendte Allahun. Kur shkonte te ndonjë grup njerëzish, ulej aty ku mbaronte kuvendi, dhe këtë gjë edhe e urdhëronte. Ai i jepte çdo bashkëbiseduesi të drejtën e tij, aq sa askush nuk mendonte se dikush tjetër ishte më i nderuar se ai.
Kushdo që ulej pranë tij dhe i paraqiste ndonjë nevojë, Profeti s.a.v.s. qëndronte me të derisa ai vetë të ngrihej e të largohej. Dhe kush kërkonte prej tij ndonjë nevojë, Profeti s.a.v.s. nuk e kthente pa i dhënë diçka, ose pa i folur me butësi.”
Pra, nëse dikush vinte me ndonjë nevojë, Profeti s.a.v.s. i jepte diçka; dhe nëse nuk mund t’i jepte, i përgjigjej me shumë butësi.
“Buzëqeshja, bujaria dhe morali i tij i bukur ishin për të gjithë. Ai ishte bërë si baba për ta. Për sa u përket të drejtave, të gjithë ishin të barabartë tek ai. Kuvendi i tij ishte kuvend i dijes, i dinjitetit, durimit dhe amanetit. Aty nuk ngriheshin zërat, nuk cenohej asgjë që meritonte respekt, dhe nuk përmendeshin dobësitë e askujt.
Të gjithë ishin të barabartë mes tyre, dhe epërsia e tyre ndaj njëri-tjetrit ishte vetëm për shkak të takvasë (për shkak të druajtjes ndaj Zotit).”
Tani njerëzit përmendin dobësitë e njëri-tjetrit, por në kuvendin e Profetit s.a.v.s. një gjë e tillë nuk ndodhte kurrë.
“Ata silleshin me përulësi me njëri-tjetrin, nderonin të madhin, mëshironin të voglin, i jepnin përparësi nevojtarit dhe kujdeseshin për të huajin.”
Nuk ndodhte që, nëse vinte ndonjë i huaj, të mos i jepej asgjë. Edhe për të tregohej kujdes.
Ata që janë të tretur në kënaqësinë e Allahut nuk kërkojnë pozitë
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
Njerëzit që janë të tretur në kënaqësinë e Zotit asnjëherë nuk synojnë ndonjë pozitë apo udhëheqje. Ata parapëlqejnë më shumë vetminë dhe kënaqësinë e adhurimit në veçim sesa këto grada. Por Allahu i Lartësuar i nxjerr ata, duke i tërhequr vetë, për përmirësimin e njerëzve dhe i dërgon me një mision.
Edhe Profeti ynë i Nderuar, Hazret Muhammedi s.a.v.s. qëndronte në shpellë dhe nuk dëshironte që dikush të dinte për të. Në fund, Allahu i Madhërishëm e nxori jashtë dhe ia ngarkoi përgjegjësinë e udhëzimit të botës.
Te Profeti s.a.v.s. vinin mijëra poetë dhe recitonin poezi në lavdërim të tij. Por e mallkuar është ajo zemër që mendon se Profeti s.a.v.s. fryhej nga lavdërimet e tyre. Ai i konsideronte ato si krimba të ngordhur. Lavdërim i vërtetë është ai që Zoti e bën nga qielli. Të dashurit e Zotit janë të zhytur në dashurinë e Qenies Hyjnore. Ata nuk kujdesen për lavdërimin e botës. Pra, kjo është një pozitë e tillë që Zoti i lavdëron ata nga qielli dhe nga Arshi.
Shërbimi ndaj një mysafiri të krishterë
Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
Një i krishterë shkoi te Profeti ynë s.a.v.s.. Profeti s.a.v.s. e nderoi dhe e priti me shumë përzemërsi. Ai ishte shumë i uritur. Profeti s.a.v.s. i dha të hante mirë, derisa u ngop. Natën, Profeti s.a.v.s. i dha edhe jorganin e tij.
Kur ai fjeti, iu shfaq një diarre shumë e fortë, aq sa nuk mundi ta ndalonte dhe e ndoti jorganin. Në mëngjes mendoi se, duke parë gjendjen e tij, njerëzit do të ndienin neveri. Nga turpi, doli dhe u largua.
Kur njerëzit panë, i thanë Profetit s.a.v.s.:
“Ai i krishteri e ka ndotur jorganin. Ka pasur diarre në të.”
Profeti s.a.v.s. tha:
“Ma jepni mua që ta pastroj.”
Njerëzit thanë:
“O Profet! Pse të mundohesh ti? Ne jemi të pranishëm, ne do ta pastrojmë.”
Profeti s.a.v.s. tha:
“Ai ishte mysafiri im, prandaj kjo është puna ime.”
Pastaj u ngrit, kërkoi ujë dhe filloi ta pastronte vetë.”
Me përulësi të jashtëzakonshme, pastroi papastërtinë e mysafirit të tij.
“Kur ai i krishterë kishte shkuar disa milje larg, iu kujtua se kryqin prej ari që kishte me vete e kishte harruar mbi shtrat. U kthye. Kur erdhi, pa se vetë Profeti s.a.v.s. po pastronte papastërtinë e tij nga jorgani. Ai u turpërua dhe tha:
“Sikur kjo të ishte te unë, unë kurrë nuk do ta laja.”
Ai mendoi se nga kjo kuptohet se një njeri që ka kaq shumë vetëmohim dhe kaq shumë përulësi, patjetër duhet të jetë nga Allahu i Lartësuar. Pastaj, duke parë këtë vepër të Profetit s.a.v.s., ai u bë musliman.”
Përulësia e Profetit s.a.v.s. në shpalljen e parë
Edhe në kohën kur Profetit s.a.v.s. iu shpall vahji i parë (shpallja e parë), ai tregoi përulësia dhe thjeshtësi të veçantë. Duke përshkruar ngjarjen e shpellës Hira, Hazret Musleh Maudi r.a. thotë se shpallja e parë zbriti në shpellën Hira, kur Xhibrili iu shfaq të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe tha:
“اقرا”, pra: “Lexo!”
Në përgjigje, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
“ما انا بقاری” — “Unë nuk di të lexoj.”
Kuptimi ishte që kjo barrë të mos vihej mbi të, sepse në atë kohë para Profetit s.a.v.s. nuk ishte vendosur ndonjë libër që duhej ta lexonte. Përkundrazi, atë që do t’i tregonte Xhibrili, Profeti s.a.v.s. duhej ta thoshte përmendësh, dhe këtë mund ta bënte. Por Profeti a.s. shfaqi përulësi.
Mirëpo, meqenëse Allahu i Lartësuar e kishte zgjedhur pikërisht atë për këtë punë, Xhibrili i tha disa herë: “Lexo!”
Më në fund, kur i tha për herë të tretë, Profeti s.a.v.s. lexoi. Pastaj engjëlli ia mësoi ajetin:
“اقرا باسم ربک الذی خلق” — “Lexo me emrin e Zotit tënd, që krijoi.”
Profeti s.a.v.s. e mori barrën vetëm, pa kërkuar ndihmës
Lidhur me këtë ngjarje, në një vend tjetër, Hazret Musleh Maudi r.a. ka shkruar në komentimin e Kuranit, në Tefsir-e Kebir, me gjasë në komentimin e sures el-Kevther:
Kur Profetit s.a.v.s. iu zbrit shpallja, ai tregoi një përulësi të veçantë. Ne shohim se njerëzit e tjerë, nëse marrin ndonjë frymëzim ose shohin ndonjë ëndërr, nuk përmbahen dhe nxitohen dhe takojnë të tjerët për t’ua treguar: “Mua më ka ardhur ky frimëzim” ose “Kam parë këtë ëndërr”.
Por te Profeti s.a.v.s. vjen Xhibrili dhe i thotë:
“اقرا” — “Lexo!”
Profeti s.a.v.s. thotë:
“ما انا بقاری” — “Unë nuk di të lexoj.”
Tri herë tha të njëjtën gjë. Por kur pa se nga ana e Allahut të Madhërishëm kishte këmbëngulje për këtë çështje, atëherë e zbatoi urdhrin. Dhe e zbatoi me një guxim të tillë saqë nuk tha, si Hazret Musai a.s.: “O Zoti im, më jep edhe një shok tjetër.” Përkundrazi, Profeti s.a.v.s. e mori i vetëm këtë barrë dhe nuk kërkoi ndonjë shok për ndihmë.
“Ti hip pas meje, ose kthehu në shtëpi”
Pastaj Hazret Musleh Maudi r.a. thotë se një shembull tjetër i përulësisë së Profetit s.a.v.s. është ky:
Një ditë, një ensari u sëmur. Profeti s.a.v.s. shkoi për ta vizituar. Kur po kthehej, ai ensar i dha një kalë për të udhëtuar dhe i tha djalit të tij:
“Ti shko bashkë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. Ndoshta do ta ketë të vështirë të gjejë ndonjë njeri tjetër.”
Pra, ndoshta nuk do të gjente dikë tjetër për ta shoqëruar gjatë rrugës. Dhe kur të kthehej, djali do ta sillte edhe kalin mbrapsht.
Pas pak kohe, djali i tij u kthye. Babai e pyeti:
“Unë të dërgova me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., që gjatë rrugës të kishte edhe mbrojtje, edhe kali të mos trembej. Pse u ktheve?”
Djali u përgjigj:
“Unë isha i detyruar. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. doli jashtë, më tha: ‘Edhe ti ulu pas meje.’ Unë thashë: ‘O i Dërguari i Allahut! Nuk mund të bëhem kaq mosrespektues ndaj teje.’ Profeti s.a.v.s. tha:
‘Atëherë as unë nuk mund ta duroj që ti të ecësh në këmbë dhe unë të jem hipur mbi kalë. Ose hip edhe ti me mua mbi kalë, ose kthehu në shtëpi.’”
Djali tha:
“Atëherë unë e pashë më të mirë të kthehesha.”
Dhe Profeti s.a.v.s. shkoi vetëm mbi kalë.
Jeta e thjeshtë si një udhëtar nën hijen e pemës
Në një transmetim, Hazret Abdullahu r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. fjeti mbi një rrogoz. Kur u ngrit, në anën e trupit të tij kishte mbetur shenja e rrogozit. Dikush i tha:
“O i Dërguari i Allahut! Sikur të përgatisnim për ty një shtrat?”
Profeti s.a.v.s. tha:
“Ç’lidhje kam unë me këtë botë? Unë jam vetëm si një udhëtar, i cili ndalet nën hijen e një peme, pastaj niset dhe e lë atë.”
Gjurmët e rrogozit në trupin e bekuar të Profetit s.a.v.s.
Në Sahih Buhari është një transmetim nga Hazret Umeri r.a.. Ai thotë:
Një herë shkova në shërbim të Profetit të Nderuar s.a.v.s.. Profeti s.a.v.s. ndodhej në dhomën e sipërme. Në atë kohë ishte mbi një rrogoz, dhe midis tij dhe rrogozit nuk kishte asgjë tjetër. Nën kokë kishte një jastëk prej lëkure, të mbushur me fibra hurme. Pranë këmbëve kishte një grumbull gjethesh akacieje, ndërsa pranë kokës i vareshin disa lëkura të papërpunuara.
Unë pashë edhe shenjat e rrogozit në anën e trupit të Profetit s.a.v.s.. Ai rrogoz apo shtrojë që ishte shtruar, çfarëdo që të ishte, kishte lënë shenjë. Duke parë këtë, thotë Hazret Umeri r.a., unë qava.
Profeti s.a.v.s. më pyeti:
“Çfarë të bëri të qash?”
Unë thashë:
“O i Dërguari i Allahut! Kisra dhe Cezari janë në atë rehati ku janë, ndërsa ti je i Dërguari i Allahut.”
Profeti s.a.v.s. tha:
“A nuk je i kënaqur që për ata të jetë bota, ndërsa për ne të jetë ahireti?”
“Unë jam si një udhëtar që pushon pak nën hijen e një peme”
Duke përshkruar po këtë ngjarje, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
Gjendja e Profetit s.a.v.s. në lidhje me përfitimet e kësaj bote ishte e tillë që një herë Hazret Umeri r.a. shkoi për ta takuar. Ai kërkoi leje duke dërguar një djalë. Profeti s.a.v.s. ishte shtrirë mbi një rrogoz prej gjethe hurme. Kur Hazret Umeri r.a. hyri brenda, Profeti s.a.v.s. u çua dhe u ul.
Hazret Umeri r.a. pa se dhoma ishte krejt e zbrazët dhe nuk kishte asnjë send zbukurimi. Në një gozhdë varej një shpatë, ose ishte vetëm ai rrogoz mbi të cilin Profeti s.a.v.s. ishte shtrirë, dhe shenjat e tij ishin formuar në shpinën e bekuar të Profetit s.a.v.s.. Duke parë këtë, Hazret Umeri r.a. filloi të qante.
Profeti s.a.v.s. e pyeti:
“O Umer, çfarë të bëri të qash?”
Umeri r.a. tha:
“Kisra dhe Cezari kanë mjetet e rehatisë, ndërsa ti, që je i Dërguari i Zotit dhe mbreti i dy botëve, jeton në këtë gjendje!”
Profeti s.a.v.s. tha:
“O Umer! Ç’lidhje kam unë me botën? Unë jetoj si ai udhëtari që, i hipur mbi deve, shkon drejt vendmbërritjes së tij. Rruga është nëpër shkretëtirë dhe, për shkak të nxehtësisë së fortë, kur sheh ndonjë pemë, pushon pak nën hijen e saj. Dhe sapo i thahet pak djersa, niset përsëri.”
Profeti s.a.v.s. sillej me butësi edhe ndaj njerëzve me sjellje të ashpër
Edhe me njerëzit me sjellje të keqe, Profeti s.a.v.s. gjithmonë sillej me moralin më të lartë të butësisë dhe përulësisë. Transmetohet nga Hazret Ebu Hurejre r.a. se një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe kërkoi të drejtën e tij, duke folur me ton të ashpër. Sahabët e nderuar u zemëruan me të, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
“Lëreni, sepse ai që ka një të drejtë, ka të drejtë ta thotë fjalën e tij.”
Sepse, sidoqoftë, duhej t’i jepej e drejta që i takonte. Ai kishte të drejtë të fliste për këtë. Pastaj Profeti s.a.v.s. tha:
“Blini një deve dhe jepjani atij.”
Pra, atij që kishte ardhur për të kërkuar borxhin, t’i blihej një deve dhe t’i jepej.
Sahabët thanë:
“Nuk po gjejmë deve të barabartë me atë që është borxhi. Po gjejmë vetëm deve më të mirë dhe më të shtrenjtë se ajo.”
Atëherë Profeti s.a.v.s. tha:
“Blijeni atë dhe jepjani, sepse më i miri prej jush është ai që është më i mirë në shlyerjen e borxhit.”
Tani këtu, në disa grindje që ndodhin, njerëzit nuk japin as borxhin që duhet të japin, madje grinden dhe thonë që edhe nga ai borxh duhet të bëhet zbritje. Nëse i kuptojmë këto këshilla, shumë nga grindjet tona do të marrin fund.
Respekti i Profetit s.a.v.s. ndaj të moshuarve
Po kështu, një ngjarje tjetër e përulësisë së Profetit s.a.v.s. gjendet në këtë mënyrë: në kohën e Çlirimit të Mekës, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. hyri në Xhaminë e Shenjtë, Hazret Ebu Bekri r.a. solli babanë e tij pranë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.
Kur Profeti i Nderuar s.a.v.s. e pa, i tha:
“O Ebu Bekr! Pse nuk e lije babanë tënd të moshuar në shtëpi? Unë vetë do të shkoja tek ai.”
Hazret Ebu Bekri r.a. tha:
“O i Dërguari i Allahut! Ai është më i denjë që të vijë në shërbimin tuaj, sesa ju të shkoni tek ai.”
Hazret Ebu Bekri r.a. e uli atë përpara të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Profeti s.a.v.s. i vendosi dorën mbi kraharor dhe i tha:
“Prano Islamin, do të hysh në paqe dhe siguri.”
Kështu Ebu Kuhafa [babai i Hazret Ebu Bekrit r.a.] e pranoi Islamin.
Jeta e thjeshtë dhe e hapur e Profetit s.a.v.s.
Po kështu, lidhur me jetën e zakonshme në shtëpi, është një transmetim nga Hazret Hasani r.a. se dyert e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ishin të hapura për të gjithë. As nuk qëndronte ndonjë rojë dere për të, as nuk i paraqiteshin në mëngjes e mbrëmje ushqime në enë të mëdha e madhështore. Pra, nuk i ofroheshin ushqime luksoze.
Kushdo që dëshironte të takohej me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., mund ta takonte lehtësisht.. Profeti s.a.v.s. ulej në tokë dhe edhe ushqimin e vendoste në tokë. Vishte rroba të thjeshta e të trasha. Hipte edhe mbi gomar, i ulte njerëzit pas vetes në kafshën e udhëtimit dhe, pas ushqimit, i lëpinte gishtat, domethënë i pastronte.
Urtësia në pastrimin e gishtave pas ushqimit
Edhe për lëpirjen e gishtave ka një hadith në Buhari, ku Profeti Muhammed s.a.v.s. ka thënë se pas ushqimit, para se të pastrohen duart, pra para se të lahen, njeriu duhet t’i lëpijë gishtat.
Lidhur me këtë hadith, në shpjegimin e Buharit, Hazret Zejnul Abidin Veliullah Shah Sahib ka shkruar një shënim. Ai thotë se Hazret Sejjid Dr. Mir Muhammed Ismail Sahib ka thënë:
“Kjo është një gjë që ka dalë nga përvoja e të gjithë urtakëve dhe të gjithë mjekët janë të një mendimi për këtë, se në gishtat e dorës së njeriut ka një fuqi të veçantë prekëse. Për shembull, nëse duam të kuptojmë butësinë e një cope rrobe, nuk mund ta vlerësojmë atë veçse me gishtat e dorës, edhe pse fuqia e prekjes gjendet në të gjithë trupin. Por, përveç dorës, për shembull, nëse duam ta vlerësojmë butësinë me këmbë, nuk do të jemi plotësisht të suksesshëm.”
Po, ka një ndikim të veçantë elektrik që kufizohet vetëm te dora, madje te gishtat e dorës. Dhe gishtat e dorës kanë një lidhje të veçantë me syrin, i cili është mjet i përqendrimit. Prandaj edhe ata që ushtrojnë ndikim përmes përqendrimit e drejtojnë më shumë shikimin te gishtat e personit mbi të cilin po ushtrojnë këtë veprim. Në këtë mënyrë, përmes gishtave, ata mund të hedhin mbi atë person ndikimet e syrit, si në rastin e mesmerizmit, ku vëmendja e tyre është më shumë te duart. Kështu, ata mund të ushtrojnë ndikimet e dëshiruara dhe të arrijnë qëllimin e tyre.
Po kështu, ilaçet që përgatiten me dorë japin më shumë dobi. Sot, natyrisht, çdo gjë përgatitet me makineri, por në atë kohë edhe mjekët e thoshin kështu. Dr. Ismail Sahib ishte shumë i arsimuar, ishte kirurg dhe mjek. Sidoqoftë, ai ka thënë se ilaçet e përgatitura me dorë japin më shumë dobi sesa ato që përgatiten me makineri.
Pra, sipas këtij parimi, kur gjatë ngrënies njeriu merr kafshatën me gishta, syri i tij bie çdo herë mbi majat e gishtave kur merr kafshatën, dhe aty janë pikërisht gishtat. Kështu, kur njeriu pas ushqimit, pa i larë me ujë ose pa i fshirë me rrobë, i lëpin gishtat, është e qartë se ajo esencë, nëpërmjet yndyrës që ishte ngjitur në gishta, do të arrijë në stomakun e njeriut dhe do ta forcojë funksionin e stomakut, pra tretjen. Në këtë mënyrë, ushqimi do të tretet më shpejt.
Ky ishte mendimi i mjekëve dhe urtakëve të asaj kohe. Sot nuk e di, ndoshta mjekët mund të jenë kundër këtij mendimi. Por sidoqoftë, Profeti s.a.v.s. ka thënë se ajo që mbetet në dorë pas ushqimit, nëse lëpihet, ka vetëm dobi.
Kuptimi i hadithit për lëpirjen e gishtave
Në transmetimin e Buharit thuhet:
فَلَا يَمَسَّ يَدَهُ حَتَّى يَلْعَقَهَا أَوْ يُلْعِقَهَا۔
“Të mos e fshijë dorën derisa t’i lëpijë gishtat, ose derisa t’i bëjë të lëpihen.” [Buhari, hadithi nr. 5456]
Komentuesit, lidhur me fjalët “t’i bëjë të lëpihen”, kanë shkruar se kuptimi është që ai t’i bëjë t’ia lëpijë shërbëtori, ose djali i tij, ose ndonjë person që nuk ndien neveri nga lëpirja e gishtave.
Por ai që ka ngrënë ushqim, çfarë nevoje ka për këtë? Ai mund t’i lëpijë edhe vetë. Shkruesit e komentimeve nganjëherë shkojnë shumë larg në shpjegime. Sidoqoftë, kjo gjë duket e papërshtatshme dhe në kundërshtim me dinjitetin njerëzor që dikujt t’i thuhet: “Ti m’i lëpij gishtat.”
Kuptimi i kësaj, sidoqoftë, mund të jetë ky: pas ngrënies, njeriu t’i lëpijë dhe t’i pastrojë vetë gishtat e tij, dhe t’u tregojë edhe atyre që janë nën kujdesin dhe edukimin e tij, që edhe ata t’i lëpijnë e t’i pastrojnë gishtat e tyre. Në këtë mënyrë, ata do të mund të përfitojnë nga dobitë mjekësore dhe qëllimet e tjera që janë të fshehura në këtë porosi të Profetit s.a.v.s.
Profeti s.a.v.s. fshinte vetë pluhurin e xhamisë
Edhe punën e pastrimit dhe fshirjes së xhamisë, Profeti s.a.v.s. nuk e konsideronte kurrë turp. Kështu, transmetohet nga Hazret Jakub bin Zejdi se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pastronte pluhurin që hynte në xhami me një shkop.
Pra, kuptimi mund të jetë që në majë të shkopit vendoste ndonjë copë a diçka të tillë dhe me të e fshinte e pastronte.
Profeti: Nuk dua të jem profet mbret, por profet rob
Hazret Ebu Hurejre r.a. tregon se Xhibrili ishte ulur pranë Profetit s.a.v.s. Profeti s.a.v.s. pa drejt qiellit dhe pa një engjëll duke zbritur. Xhibrili tha:
“Ky është ai engjëll që, që nga dita kur është krijuar, nuk ka zbritur kurrë para kësaj ore.”
Kur ai engjëll zbriti, tha:
“O Muhammed s.a.v.s.! Zoti yt më ka dërguar te ti. Allahu i Lartësuar thotë: A të bëjë ty profet mbret apo profet rob?”
Xhibrili tha:
“O Muhammed s.a.v.s.! Zgjidh përulësinë për hir të Zotit tënd.”
Atëherë Profeti s.a.v.s. tha:
“Le të më caktojë si rob të dërguar.”
Kjo ishte vetë natyra e Profetit s.a.v.s. Edhe sikur Xhibrili të mos ia thoshte këtë, Profeti s.a.v.s. do të kishte thënë të njëjtën gjë. Dhe pikërisht këtë gjë ai e porositi gjithmonë dhe ua mësoi edhe ndjekësve të tij:
“Unë jam një njeri, i dërguar i Zotit.”
Sidoqoftë, kuptimi i këtij transmetimi është se, kur iu paraqit një mundësi e tillë, Profeti s.a.v.s. me përulësi tha pikërisht këtë gjë:
“Unë nuk dua të jem i dërguar mbret. Unë dua të jem rob i Allahut, njeri i përulur dhe i dërguar i Tij.”
Dhe pikërisht kjo përmendet edhe në Shehadetin që themi.
“Askush të mos i bëjë padrejtësi askujt dhe askush të mos mburret”
Si duhet të jetë i përulur muslimani i vërtetë? Në një transmetim, Hazret Ijad bin Himari r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
“Sigurisht, Allahu i Lartësuar më ka shpallur që ju të zgjidhni përulësinë, derisa askush të mos i bëjë padrejtësi askujt dhe askush të mos mburret para askujt.”
Përulësia është natyra e vërtetë e njeriut
Shërbyesi i sinqertë i Profetit s.a.v.s., Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke na këshilluar, thotë:
“Njeriu duhet të zgjedhë përulësinë. Të mësohesh me përulësinë nuk është e vështirë. Çfarë ka për t’u mësuar në të? Njeriu, në vetvete, është i dobët dhe është krijuar pikërisht për përulësi.
مَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ
‘Unë i kam krijuar xhindët dhe njerëzit vetëm të Më adhurojnë.’ (Kurani i Shenjtë 51:57)
Mendjemadhësia dhe gjëra të tilla janë të gjitha të sajuara. Nëse njeriu e heq këtë shtresë të sajuar, atëherë në natyrën e tij do të shihet vetëm përulësia.”
Mendjemadhësia është sëmundja më e rëndë shpirtërore
Duke na këshilluar dhe duke përshkruar pozitën e përulësisë së Profetit s.a.v.s., Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në një vend thotë:
“Allahu i Lartësuar është shumë i mëshirshëm dhe fisnik. Ai e rrit dhe e ushqen njeriun në çdo mënyrë dhe tregon mëshirë ndaj tij. Pikërisht për shkak të kësaj mëshire, Ai dërgon profetët dhe të dërguarit e Tij, që t’i shpëtojnë njerëzit e botës nga jeta e ndotur me mëkate.
Por mendjemadhësia është një sëmundje shumë e rrezikshme. Njeriu në të cilin lind kjo sëmundje pëson vdekje shpirtërore. Unë e di me siguri se kjo sëmundje është edhe më e rëndë se vrasja. Mendjemadhi bëhet vëlla i djallit, sepse pikërisht mendjemadhësia e poshtëroi dhe e turpëroi djallin. Prandaj, kushti i besimtarit është që tek ai të mos ketë mendjemadhësi, por të ketë modesti, përulësi dhe thjeshtësi.
Kjo është veçori e të dërguarve të Zotit. Tek ata gjendet një shkallë shumë e lartë e modestisë dhe përulësisë. Dhe më shumë se të gjithë, këtë cilësi e kishte Profeti Muhammed s.a.v.s.
Një shërbyes i tij u pyet: ‘Si ishte sjellja e Profetit s.a.v.s. me ty?’ Ai tha: ‘E vërteta është se ai më shërben mua më shumë sesa unë i shërbej atij.’
Allahumme sal-li ala Muhammedin ve ala ali Muhammedin ve barik ve sel-lim.
Ky është shembulli i moralit të lartë dhe i përulësisë. Dhe është gjithashtu e vërtetë se, zakonisht, më të afërmit në jetën e përditshme janë shërbyesit, të cilët qëndrojnë pranë njeriut në çdo kohë. Prandaj, nëse duhet parë shembulli i përulësisë, modestisë, durimit dhe përmbajtjes së dikujt, kjo mund të kuptohet prej tyre.
Disa burra ose gra janë të tillë që, nëse shërbyesi gabon pak në ndonjë punë, për shembull nëse çaji nuk del mirë, menjëherë fillojnë ta shajnë ose marrin kamxhikun dhe nisin ta godasin. Nëse në lëng mishi kripa bëhet pak më shumë, atëherë për shërbyesit e gjorë bie fatkeqësi.
Marrëdhënia me të varfrit shfaqet atëherë kur ata janë të uritur dhe jetojnë me bukë të thatë. Por këta njerëz, edhe pse e dinë këtë, nuk kujdesen për ta. Ata i vënë në sprovë kur vijnë si lypës.”
Pra, kur një i varfër vjen për të kërkuar diçka te një i pasur, ai në fakt po e vë atë në sprovë. Prandaj mirësia e vërtetë është që t’u plotësohen nevojat.
Allahu i Lartësuar është Krijuesi i çdo grimce. Askush nuk mund të përballet me Të. Nga mënyra si njeriu sillet me të varfrit kuptohet se sa pjesë ka ose do të ketë ai nga mosfrika ndaj Zotit apo nga frika ndaj Zotit.
Sa frikë ndaj Zotit ka njeriu, kjo kuptohet nga sjellja me të varfrit, jo nga sjellja e mirë me të pasurit.
Lutje për të ndjekur shembullin e Profetit s.a.v.s.
Allahu i Lartësuar na dhëntë mundësinë që, duke ndjekur mësimin dhe sunetin e Profetit Muhammed s.a.v.s., të zgjedhim rrugët e përulësisë.
Pas namazit do të fal edhe një xhenaze në mungesë. Është xhenazja e të nderuarit Malik Davud Mahmud Sahib, bir i Muhammed Is’hak Sahibit, nga Vehari dhe së fundmi banues në Karaçi. Ai ndërroi jetë ditët e fundit. Inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun.
Përmendje e të ndjerit Malik Davud Mahmud Sahib
Me bekimin e Allahut, ai ishte musij (kishte bërë vasijat). Gjyshi i tij, Muhammed Din Sahib, ishte banor i fshatit Barhtan Vala, në rrethin Sialkot. Në vitin 1914, ai bëri bejatin në dorën e Hazret Kalifit të Dytë të Mesihut të Premtuar r.a.
Më pas, Malik Davud Sahib pati mundësinë të shërbente në nivel lokal si kryetar xhemati, si sekretar i financës, dhe gjithashtu në Ensarullah.
Në familjen e mbetur pas tij janë tri vajza dhe katër djem. Një prej djemve të tij, Muhammed Akmal Sahib, është misionar i Xhematit. Ai ndodhet në Gambia, ku po i jepet mundësia të shërbejë. Për shkak se është në fushën e shërbimit, nuk mundi të merrte pjesë në xhenazen e babait të tij.
Po ky djalë, misionari Akmal Sahib, shkruan:
“Babai ishte një njeri shumë i gëzuar, buzagaz dhe plot gjallëri. Kishte shumë pasion për tabligë. Sa herë shkonte edhe te tokat e tij në Sindh, edhe atje kërkonte mënyra për tabligë dhe u predikonte njerëzve. Derisa në Pakistan nuk u miratua ligji i ashpër, ai mbante edhe pamflete me vete dhe gjithmonë bënte tabligë. Përmes kësaj, ndikoi edhe te njerëzit.
Ishte shumë mikpritës. Çdo mysafir që vinte, qoftë mysafir nga qendra apo çfarëdo mysafiri tjetër, ai e nderonte. Në shtëpinë e tij kishte krijuar një qendër namazi derisa nuk ishte ndërtuar qendra e namazit, dhe aty organizoheshin namazet me xhemat.
Pas namazit të sabahut, thotë ai, recitonte Kuranin e Shenjtë me zë të lartë. Në qendrën e tij vinin edhe njerëz nga xhematet e tjera për të falur xhumanë.
Ai thoshte për tokat e tij, kur shkonte në arat e veta: ‘Unë shkoj në arat e mia dhe fal nafile në çdo cep të tyre. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar vendos bereqet në prodhimin tim dhe prodhimi bëhet dyfish më shumë se i të tjerëve.’
Po kështu, për shtëpinë që kishte ndërtuar në fshatin e tij, u tha fëmijëve: ‘Unë dua që ta jap të gjithën përgjithmonë për Xhematin, që të bëhet qendër e Xhematit.’ Pastaj edhe e dha.”
Mikpritja ishte një cilësi shumë e spikatur e tij. Shërbimi ndaj njerëzve, bindja e plotë ndaj Xhematit dhe dëgjimi i hytbeve ishin veçoritë e tij të veçanta. Allahu i Lartësuar e faltë dhe e mëshiroftë!