A u prek nga magjia Profeti Muhammed s.a.v.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
magjia e zeze

Magjia vjen prej djallit

Një njeri pyeti:

Mohuesit i kishin bërë magji Profetit Muhammed s.a.v.s.. Çfarë mendimi keni për këtë ngjarje?

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

Edhe magjia vjen prej djallit. Profetët dhe të dërguarit e Zotit gjenden në një pozitë që ata nuk i prek dot magjia. Përkundrazi, magjia ia mbath sapo t’i shohë ata, siç thotë Zoti i Madhërishëm:

وَ لَا یُفْلِحُ السَّاحِرُ حَیۡثُ اَتٰی
“Magjistari nuk mund të ketë sukses, nga do që të vijë” (Taha 20:70)

Shikoni, magjia ishte ballafaquar edhe me Musain a.s.. Përfundimisht, a fitoi Musai a.s. apo jo? Kjo është absolutisht e pavërtetë që magjia të ketë fituar përballë Profetit Muhammed s.a.v.s.. Ne kurrsesi nuk mund ta pranojmë këtë!

Është kundër qëndrimit tonë që ta besojmë verbërisht Buhariun dhe Muslimin. Edhe logjika nuk e pranon që magjia të kishte ndikuar edhe një profet kaq madhor si ishte Pejgamberi s.a.v.s.. Thashethemet që nga ajo magji (larg qoftë) i Dërguari i Allahut s.a.v.s. humbi kujtesën, i ndodhi kjo, i ndodhi ajo, në asnjë mënyrë nuk mund të jenë të vërteta.

Sajesë e të ligjve

Duket që një njeri i ndyrë i ka sajuar këto gjëra. Edhe pse ne i shohim hadithet me shumë respekt, por si mund të pranojmë një “hadith” që është kundër Kuranit Famëlartë dhe kundër nderit të të Dërguarit të Allahut  s.a.v.s.? Ajo e mëparshmja ishte koha kur mblidheshin hadithet. Edhe pse mbledhësit e haditheve i mblodhën duke menduar dhe duke arsyetuar, por nuk arritën ta bënin këtë punë me kujdes të plotë. Ajo ishte koha e mbledhjes së haditheve, por tani është koha e studimit dhe e shqyrtimit të tyre.

Mbledhja e shenjave të Pejgamberit s.a.v.s. është një punë e madhe

Të mbledhësh shenjat e Profetit s.a.v.s. është me të vërtetë një punë shumë shpërblyese. Por dihet që ata që mbledhin, nuk mund ta bëjnë edhe shqyrtimin. Kurse tani, çdokush ka mundësi t’i shqyrtojë ato maksimalisht. Le të pranojë hadithin që duhet të pranohet dhe le të refuzojë atë që duhet të refuzohet. Nga mendimi që (larg qoftë) i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte prekur nga magjia, të ikën besimi

Ruajeni besimin!

Zoti i Lartësuar thotë:

اِذْ یَقُوۡلُ الظّٰلِمُوۡنَ  اِنۡ تَتَّبِعُوۡنَ  اِلَّا رَجُلًا مَّسْحُوۡرًا
“Kur të padrejtët thonë: “Ju shkoni veçse pas një njeriu të magjepsur”. (El-Isra 17:48)

Pra, ata që thonë fjalë të tilla, janë të padrejtë dhe jo muslimanë. Sipas Kuranit, pabesimtarët dhe të padrejtët thonë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. (larg qoftë) ishte prekur nga magjia. Nuk e mendojnë të paktën, që nëse (larg qoftë) i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka rënë në këtë gjendje, si do të qëndrojë umeti?! Do të fundosej fare! Nuk di se çfarë u ndodhi këtyre njerëzve që nxjerrin fjalë të tilla ndaj atij profeti të mbrojtur  s.a.v.s., për të cilin gjithë profetët e vlerësuan si të pastër nga prekja e djallit.

(23 tetor 1907, gjatë shëtitjes; “Melfuzat” vëll. 9, botimi 1984, f. 471-472)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp