Mrekullitë e Profetit Muhamed a.s. gjatë ekspeditës Dhatur-Rika'a
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Mrekullitë e Profetit Muhamed a.s. gjatë ekspeditës Dhatur-Rika’a

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Përkthim Live në shqip i fjalimit të së xhumasë së mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë dhe Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, më 11.04.2025.

Pjesë e shkëputur nga Hutbja:

Në lidhje me mrekullitë e Profetit Muhammed s.a.v.s., Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Në nivelin e takimit (arab. lika), nganjëherë shfaqen prej njeriut veprime që duken mbinjerëzore dhe me fuqi hyjnore. Kështu që Udhëheqësi ynë, Prijësi ynë, Prijësi i të gjithë Profetëve, Hazret Profeti Muhammed, vula e të gjithë profetëve, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, gjatë luftës së Bedrit, u hodhi jobesimtarëve një grusht rëre, të cilën nuk ua kishte hedhur me ndonjë lutje të posaçme, por vetëm me fuqinë e tij shpirtërore. Por ai grusht dheu, duke u shndërruar në një furtunë me fuqinë hyjnore, nuk la asnjë jobesimtar pa u prekur nga sulmi i saj i jashtëzakonshëm në tërë ushtrinë e tyre. Të gjithë verbazi ia mbathën nga sytë këmbët, si të frikësuar e krejtësisht të hutuar. Allahu i Madhërishëm flet rreth kësaj mrekullie në ajetin:

“… kur ti gjuajte gurë (në drejtim të tyre), nuk i gjuajte ti, por i gjuajti Allahu.” (Kurani i Shenjtë 8:18)

Domethënë, nuk qe punë e njeriut, por po vepronte fuqia e Zotit mbrapa tij.

Gjithashtu është edhe një mrekulli tjetër, ajo e çarjes së hënës që u bë prej Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s. Edhe ajo u realizua nëpërmjet fuqisë së Zotit dhe Profeti Muhammed s.a. nuk i ishte lutur Zotit për këtë, veçse kishte treguar me gishtin e tij, që ishte plot me fuqinë e Zotit. Mrekulli të tilla janë shumë, të cilat Profeti Muhammed s.a. i tregoi me fuqinë e vet dhe që nuk ishin rrjedhojë e lutjeve të tij. Shumë herë, me prekjen prej gishtërinjve të tij në një shtambë uji, i shoi etjen një ushtrie të tërë me gjithë devetë dhe kuajt e tyre, gjersa ata u nginë dhe në shtambë vijoi të mbetej po aq ujë sa ka pasur shtamba më përpara. Disa herë u ngopën mijëra njerëz vetëm nga ca copë buke, në të cilat Hazret Profeti Muhammed s.a. i kishte vënë duart e tij të bekuara. Disa herë duke bekuar qumësht në filxhan me buzët e tij, i mundësoi një grumbuj njerëzish që të pinin derisa të ngihej secili. Disa herë me pështynë e tij të bekuar, ujin e pusit të njelmët, e bëri shumë të ëmbël. Disa herë shëroi njerëz të sëmurë dhe shumë të lënduar, vetëm përmes duarve të tij. Dhe disa herë, përsëri me duart e tij të bekuara, u riktheu shikimin atyre që e kishin humbur gjatë ndonjë lufte me jobesimtarët. Në të njëjtën mënyrë, bëri shumë mrekulli të tjera me fuqinë e tij, e cila, në të vërtetë ishte shoqëruar me një fuqi të fshehtë të Zotit.”[1]


[1] (Ruhani Khazain vol. 5, “Aina kamalat-e-Islam” (“Pasqyra e përsosmërive të Islamit”) f. 66)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem